Auron Tare: Sinagoga antike e Sarandës
Shpesh kemi parë se si politikanë shqiptarë në forume botërore mburren me një ngjarje historike të Luftës së Dytë Botërore: Shpëtimin e hebrejve.
Ngjarjet e fundit e rreshtuan Politikën tonë në krahun e shtetit izraelit duke mbrojtur qartësisht vlerat e popullit izraelit.
Por ndërsa flasim dhe krenohemi nëpër forume ndërkombëtare mbi ndihmën që ju kemi dhënë Hebrejve, jo më larg se dy tre ditë të shkuara filluan punimet për rregullimin e Qendrës së Sarandës. Mund të them se nga eksperienca ime 30-të vjeçare në këtë qytet kam parë shumë rregullime të cilat shkulnin rregullimet e mëparshme dhe bënin të reja. Edhe këto rregullime nuk e prishën rregullin. Jo më larg se punimet e 2018-së tani më, po ri -rregullohen. Megjithatë nuk mund të flas për këto ri-rregullime mbi ri-rregullime. Dikush më lart e di më mirë se unë këtë punë.
E ndërsa qytetin po përpiqen ta bëjnë sa me të bukur dhe sa më të jetueshëm (për turistët) me mbi rregullimet dhe shkuljen e kalldrëmit të 2018-së, buldozerë dhe çekiçë po gërmojnë në Qëndrën historike të Qytetit Antik të Sarandës.
Siç mund ta shikoni qartësisht në këto video, çekiçi gërmon jo më larg se 20-30 metra nga rrënojat e Sinagogës Antike të shek të V-të dhe vetëm pak metra nga Muret Rrethuese të Qytetit. Muret rrethuese të cilat deri në shpalljen e shtetit shqiptar, ishin ende në këmbë dhe të ruajtura për bukuri, i shkatërruan këto 100- e ca kusur vjet të pavarurit shqiptarë.
Por le të flasim për atë që e nisëm bisedën. Sinagoga Antike e Sarandës e zbuluar nga arkeologu sarandiot Dr. Kosta Lako në vitet 80-të. Në vitin 1997 u rrethua me ndërtime dhe kioska të cilat Kryeministri i asaj kohe Fatos Nano i rrafshoi, duke i dhënë qytetit një vlerë monumentale historike. Vetë Nano, sipas dëshmisë së tij, nuk e kishte menduar se një veprim i tillë kishte ngjallur një simpati dhe vlerësim nga shume qarqe hebraike të cilët e konsideruan këtë akt si një përgjegjshmëri të madhe ndaj Trashëgimisë Kulturore të tyre. Mund të shtoj se Sinagoga e Sarandës është Tempulli i dytë më i hershëm Hebraik në Ballkan dhe një dëshmi e një prezence të hershme të judeve në Ballkanin Romak. 8 vite të shkuara ekspedita shqiptaro-amerikane e kërkimeve nën ujore zbuloi jo larg Gjirit të Sarandës një anije antike me amfora të prodhuara në Judenë Antike. E mbytur pak a shumë në të njëjtën periudhë si Sinagoga ky zbulim ka krijuar një link historik të komunitetit hebraik në Janinë të cilët citojnë një nga legjendat e tyre se “janë pasardhës të lundërtarëve të mbytur të një anije që vinte nga Judea dhe furtuna e mbyti në gjirin e Onchezmit Antik”.
Me pastrimin e rrënojave nga Qeveria Nano, Universiteti Hebraik në 2003, dërgoi dy nga arkeologët e saj më të rëndësishëm të cilët sëbashku me Dr. Etleva Nallbanin konfirmuan në mënyrë shkencore se godina e zbuluar nga Dr. Kosta Lako ishte një Tempull hebraik me mozaikë të një niveli të lartë. Shumë botime të kohës përfshirë New York Times, Washington Post, Harez, Archaeology Magazine, National Geographit shkruan për këtë zbulim të rëndësishëm në Sarandë.
Rrënojat e Sinagogës u reabilituan dhe muret rrethuese të qytetit romak shpëtuan. Por gjithsesi zona e demtuar shumë sillte gjithmonë suprizë dhe me çdo kovë eskavatori që zhytej në tokë nxirte mbishkrime, varre antike e plot objekte të tjera. Për këtë arsye Republika e Shqipërisë ka edhe një ligj që ndalon punime të çfarë do lloj karakteri në zonat me rëndësi arkeologjike pa praninë e arkeologëve dhe pa një vëzhgim arkeologjik paraprak.
Ndërkohë siç e shikoni në video çekiçi vazhdon të gërmojë ngjitur me Sinagogën Hebraike të dytën për nga vjetërsia në Ballkan.
Saranda moderne në fakt është një nga vendbanimet më të hershme të Epirit Antik. I përmendur si vendi ku Enea dhe ikanakët e tjerë trojanë ngritën një Tempull për nder të babait të Eneas, Anchizmit, përmendet nga ish Konsulli Romak Cicero në shkrimet e tij. I rrethuar me mure të larta romako-bizantine deri në 1849, ende në këmbë dhe me Kulla të larta përshkruar në një pejsazh të mrekullueshëm të piktorit britanik Eduard Lear. Portë hyrëse për të gjitha ngjarjet historike të 2 mijë vjetëve ka përfunduar në një grusht rrangullash betoni. Beton u cili po derdhet pa kursim mbi rregullimet e rregullimeve të mëparshme të çdo administrate.