Sadik Bejko: Tri mitet e poezisë së inxhinier Selaudin Gumës
Poezia e Selaudin Gumës më ka ardhur në tryezë në dy vëllime. Fillimisht simpatia, magnetizmi, ndriçimi që buron nga personaliteti i autorit më shtynë që t’i lexoj këto poezi. S. Guma është një tip njerëzor që rrezaton energji. Pozitivitet. E do fort njeriun, e ka dashur në gjithë jetën e tij. Nga poezitë kuptohet që aq shumë njerëz të afërt ia kanë kthyer me pashë dashurinë që u ka dhënë ai. Tani është burrë në moshë. Dikur në rini ishte një inxhinier ushtarak që hidhte ura mbi lumenj të harbuar të vendit të tij. Ka bërë strehë në male e në zalle në themelet e në kulmet e urave të tij. Ura disa prej të cilave edhe sot u rezistojnë dallgëve të egra të kohëve, të ujërave. Ura që janë bërë me njerëz, me mund e vështirësi, me dashuri urash lidhur përmbi kohët që ende vijnë e shkojnë në jetën e Selaudinit të sotëm, vijnë e shkojnë e kthehen në art të fjalës, shndërrohen në figuracion fjale e vargu, në një poezi që shpreh atë çka atij i ka mbetur peng i pathënë. Është i lidhur në jetë, në fate, në fjalë me ata njerëz të dikurshëm.
Veç motiveve për njeriun dhe punën vargjet marrin krahë për më tej.
E ndien dashurinë e gruas dhe kjo ndjeshmëri shpërthen në vargje poezie për më të parën grua të çdo njeriu, për mitin absolut të femrës, për gruan me qumështin e ëmbël në jetën e gjithëkujt, për nënën, poezi për nënën.
Mitet e mëdha të poezisë intime universale, mite si nëna, nusja, motra, gjyshja, e dashura e rastësishme, ëndërruesja e parë, gruaja e zanafillës tokësore, kur prekëm në tokë femre së pari janë topikë të një poezie që mëton të jetë kujtesë, të jetë mirënjohje, të jetë kthim te ndërtimi i psikës sonë më ca lëngje intime që na kanë formuar eshtrën, na kanë formuar në fibrën që na ngjizi profilin shpirtëror e kockor aq të fortë sa mos ta humbasim kurrë.
Në këto poezi ai përkulet mbi kohët, kujtimet, përfytyrimet pa të cilat nuk do të ishte ky që është. Është kujtesa ajo që ne jemi sot, në ngrysje të viteve. Kujtesa e tunelit të lidhur diku pas vertebrave në qafën tonë. Sistemi ynë kockor vertebror nuk do të ishte i tillë siç e kemi pa këtë pajë të brishtë prej pranie të femrës në jetën tonë. Lexuesi duhet të ndalet në disa poezi që flasin drejtpërdrejt për atë që në kode e shpreh dhe që e fsheh arti i tij.
Libri i dytë më çon i gjithi në rrënjët reale jetësore e kryesore të autorit. Në qendër është vendlindja: Luzati. Luzati-fëmijëria e autorit, etërit, nënat, burrat mitikë e legjendë, emrat konkretë të fisit, të vatrës e të gjakut të tij… Luzati-tokë shtëpie e vegjëlie, Luzati i Buzës së Bredhit, i krojeve, i lumit Gjinakar, Luzati i tokës së bukës, i baltës së varreve dheu i rrjedhës së qumështit, të lule cfakës e të lules së kungullit, i tokës së mullinjve, i livadheve të nepërkave, i gjarpërinjve..tokë e hidhur e mjaltit dhe e kafshatës së helmeve… e gatuar bashkë gur e baltë, qumësht, diell e zjarr vatre, fytyra prindërish e të dashurish të vdekur që sot kanë trajtë veç si vizione e vegulli… një vendlindje e vdekur në ato që i jetuam, por dhe e gjallë me malin, erën, ujërat, dherat e gurët të gjallë ende.. një vendlindje e mbyllur në kujtime në legjendën jetësore, por po aq dhe e hapur… e arratisur në delirin e udhëtimit jetësor të një burri në moshën kur ai nuk vepron dot… vetëm ëndërron të shkuarat, lundron në nostalgji.
Mbetet të themi poezia është kujtesë, poezia është njerëzit që i deshëm aq shumë e që na gëzuan aq shumë e që tashmë janë të rrëgjuar e të plakur a të ikur realiteteve, siç jemi ne. Veç prapë këta njerëz e këto mjedise na pasurojnë e zbukurojnë jetën duke u kthyer në kujtimet tona përsëri e përsëri
Janë tre mite themelore në këtë poezi të Gumës: Njeriu/jeta, njerëzit dhe e jetuara të cilëve ai do t’u jetë mirënjohës, njerëz dhe jetë që janë në themel të lavdërimit, të aprovimit, të himnizimit të tij. Jeta është ajo që na dhuroi më të mirën e mundshme në ato vite që na ranë në pjesë të jemi gjallë. Tani në moshë ne duhet t’u kthejmë reston, nëpërmjet fjalës t’u japim mirënjohjen, më të çmuarën energji që e zotërojmë në kockat tona e në fibra të shpirtit. Një detyrim nderi…një shlyerje pengu burrash.
E dyta vjen tema e femrës: nënës, gruas, motrës, së dashurës. Figura mitike e femrës e dhënë në disa shfaqje të së njëjtës fibër.
Tema e tretë, tema e dheut, e nënës tokë e shfaqur te Luzati… te natyra, mali, lumi, shtëpia, kopshtet, pylli, varrezat… dherat ku shpërthen junapi…
Cila është forma e poezisë së tij? Krejt e pangarkuar formalisht. Poezi e kthjellët, e shprehjes së drejtpërdrejtë, poezi në formë klasike, vargje metrike po dhe të shlirëta, poezi tradicionale strofike. Ai nuk është poeti profesionist që zgjedh të shprehet me ngarkesën formale në poezi. Ai zgjedh poezinë e mesazhit… poezinë si një mjet të shprehjes më të shpejtë të miteteve të adhurimit të jetës njerëzore, të filozofisë pastërtisht tokësore, poezi të kuptimeve themelore të qenies, poezi me thelbet bazë të përmbushjes së njeriut si njeri.
Please follow and like us: