Albspirit

Media/News/Publishing

Sara Nezaj, kampione e ardhshme e basketbollit amerikan

Nga Ruben Avxhiu

Sara Nezaj është vetëm 13 vjeç, por që tani ka marrë një ofertë nga një universitet amerikan që e do në skuadrën e tij kur të arrijë moshën. Konkurrenca mes universiteteve dhe kolegjeve në SHBA është e fuqishme dhe të gjitha këto institucione mundohen të zbulojnë talentet më të mira sa më shpejt.

Sapo është shpallur edhe si një nga 25 basketbollistët më të mira të Amerikës, për moshën e saj. Nuk është gjë e vogël, kur mendon se janë mijëra vajza që luajnë sot basketboll në shkollat e mbarë Shteteve të Bashkuara.

Mjafton të shohësh videoklipet (një prej tyre e kam përfshirë këtu poshtë) për të parë sesi dominon në fushën e basketballit, nën kosh, nga distanca, në driblim e kudo.

Pata kënaqësinë të bëja një intervistë me këtë vajzë shqiptaro-amerikane për aspiratat e saj në sport, për familjen dhe planet e së ardhmes.

E vetmja vajzë që luante me djemtë

Sara Nezaj filloi të luajë basketboll kur ishte vetëm 6 vjeçe. Vajzat nuk luanin me top aty ku jetonte ajo, por kjo nuk e pengoi që të përfshihej. Ishte e vetmja gocë që luante mes çunave dhe luante aq mirë sa u bë shpejt pjesë e pandashme e fushës së basketbollit.

“Gjeta një gjë ku isha shumë e mirë, ku mund të mbizotëroja dhe nuk iu ndava më”, thotë 13-vjeçarja e talentuar në një intervistë me gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”, në New York.

Shkolla i dha mundësinë që të merrej rregullisht me basketball. Në shkollat amerikane vajzave u jepet mundësia të merren me sport po aq shumë sa djemve, Shumë shpejt bëri emër në ekipet e moshave.

Sara Nezaj aktualisht po luan me Elitën Palisades, ekipi që sponsorizohet nga një program për zjvillimin talenteve më të mira në Nju Jork dhe Nju Xhersi.

Suksesi i saj ka lënë mbresa te kushdo që e ka ndjekur.

Ende pa filluar shkollën e mesme, ajo është shpallur në 25 Kandidatet e Klasës 2028 në Mbarë Amerikën.

Kur të shkojë në shkollën e lartë, mund të luajë në mënyrë profesionale me kolegjin apo universitetin ku do të studjojë.

Ndonëse është 13 vjeç, i ka ardhur oferta e parë, nga Stony Brook University.

Konkurrenca mes universiteteve në SHBA është shumë e fortë edhe në sport dhe të gjitha janë në garë për të ftuar talentet më të mira sportive që të studjojnë në bankat e tyre, në mënyrë që të luajnë për to.

Për këtë vazhdimisht mbajnë një sy se çfarë po ndodh në nivelin e shkollave të mësme. Sara është kaq e mirë, sa që interesi për të ka filluar që tani.

Disa videoklipe që qarkullojnë në rrjetet sociale të japin një ide se për çfarë talenti bëhet fjalë dhe se pse Sarën e po e kërkojnë që tani.

Me mish e shpirt për basketbollin – Idhuli i saj? Lebron James

Gjatë intervistës e pyeta se si arriti të bëhej një lojtare kaq e fortë dhe kaq e zonja.

“Që të arrija në pikën dhe nivelin e aftësive që jam sot nuk ka qenë e lehtë”, thotë ajo. “Më janë dashur shumë orë të gjata në palestër dhe shumë përkushtim që të përmirësohesha”.

“Ndonëse kame ecur shumë, më mbetet ende për të punuar shumë që të arrij aty ku duam të jem”, shton ajo me modesti dhe realizëm.

A është në planet e saj që ta bëjë basketbollin profesionin e saj në jetë. Sigurisht që po. “Shpresoj që një ditë të jem bërë aq e mirë sa që të luajë në WNBA”, thotë ajo.

Kampionati Kombëtar Amerikan i Basketbollit për Femrat është nga kampionatet më të forta në botë. Vajza shqiptaro-amerikane i ka të gjitha mundësitë që ta realizojë këtë ëdërr.

Basketbollisti i saj i preferuar? Lebron James. “Jam ekstremisht e impresionuar me mënyrën sesi luan”, thotë ajo, “përshkak të mënyrës shpërthyese me të cilën sulmon koshin”.

Origjina shqiptare

Për suksesin e saj mësuam për herë të parë nga një postim në rrjetin social Facebook, të shkruar me krenari nga gjyshi i saj, Sherif Nezaj, një veprimtar i nderuar i komunitetit, i cili tregonte për suksesin e mbesës dhe lajmin që qysh në moshën 13-vjeçare një universitet i njohur ishte interesuar për ta marrë si studente dhe lojtare.

Sara është lindur në SHBA, por është shqiptare nga të dy krahët e familjes. Nëna është e lindur në Kosovë dhe familja e saj është vendosur në Amerikë kur ishte vetëm 2 vjeç. Babai është i lindur në Amerikë, por me origjinë është nga Tropoja.

Prej tyre ka trashëguar traditat dhe virtytet shqiptare, por jo vetëm ato. Sara më tregoi një fakt interesant. Që të dy prindërit e saj kanë luajtur basketboll në rininë e tyre. Tani është ajo që ecën në gjurmët e prindërve. E ka basketbollin në gen bashkë me shqiptarinë.

Domethënë jo vetëm që familja nuk e pengon që të merret me sport por janë mbështetësit e saj më të mëdhenj.

“E dua këtë sport dhe familja është jashtëzakonisht mbështetëse e përkushtimit tim ndaj tij”, thotë ajo. “Më kanë shoqëruar deri nën anën tjetër të Amerikës që të mund të luaja basketboll”.

Në Shqipëria ka qenë vetëm një herë kur ka qenë 8 vjeçe. Është kënaqur shumë duke u shoqëruar me familjarë e kushërinj që ende jetojnë aty. E ka kaluar shumë bukur dhe shpreson të kthehet përsëri një ditë.

Dhe as mos mendoni se ka lënë mësimet mënjanë për shkak të sportit. Të dyja shkojnë krah për krah. Disiplinën që tregon në stërvitje e ruan gjatë gjithë ditës, duke lënë gjithmonë kohë për të bërë detyrat e për të mësuar.

“Jam studente e tabelës së nderit dhe çdo ditë gjej kohë për të studjuar dhe për të përfunduar punën që kam”, thotë ajo.

Basketbolli është në zemrën e saj, por Sara është njeri me shumë interesa. Në vend të parë, vjen familja dhe shoqëria e saj, që ia mbushin jetën me gëzim.

Rruga e gjatë përpara

Interesi i Universitetit Stony Brook, radhitja në 25 yjet e brezit të saj në basketboll janë arritje të mëdha, por ky është vetëm një fill për të.

“Kam synime të larta për të ardhmen. Ndonëse janë të larta, mendoj se mund t’i realizoj”, thotë ajo.

E ka ëndërr që të luajë në Divizionin e Parë për Kolegjet. Dhe që tani e ka marrë një ofertë për të luajtur aty.

“Që tani e kam një ofertë për Divizionin e Parë, por nuk do të thotë që dua të ndalem me kaq”, thotë ajo. “Mezi po e pres të ardhmen, por është e rëndësishme që të tregoj qendrueshmëri në mënyrë që t’ia dal me sukses”.

Edhe ne i urojmë që t’ia dalë mbanë e të na bëjë krenarë me sukseset e saj.

https://www.illyria.com/sara-nezaj-kampione-e-ardhshme-e-basketbollit-amerikan/

Please follow and like us: