Albspirit

Media/News/Publishing

Fatos Puto: “Paris të dua- Paris je t’aime”

Mbresat e një udhëtimi në kryeqytetin e botës: “Paris të dua- Paris je t’aime”.
Fatos PUTO
Është gjithmonë e vështirë, qoftë edhe në një stinë të ftohtë si dimri, t’i shmangesh një ftese për të vizituar kryeqytetin e botës, Parisin, aq më tepër të organizuar në një shoqëri turistike që të ofron kushte lehtësuese udhëtimi. Dy ditë para festës së ‘Krishtlindjeve’ të vitit 2004, ne, një grup vizitorësh nga Gjirokastra, u nisëm në një udhëtim të paharruar drejt Francës, për të vizituar Parisin, kryeqytetin e botës. Surpriza e parë na pret në tragetin gjigand grek të Igumenicës, me emrin ‘ANEK-LINES’, me restorante, bare, dyqane luksozë, kazino, disko, shatërvane, salla shlodhjeje, dhoma hoteli që të krijojnë përshtypjen se ke hyrë në një qytet modern europian në miniaturë. Bukurinë e këtij udhëtimi 15 orësh e favorizoi edhe mikpritja e e personelit të tragetit si dhe qetësia e valëve të Adritikut, e pazakontë kjo për një natë dimri. Orët e vona të natës, një pjesë prej nesh i kalon në diskon e tragetit, ku disave prej turistëve ‘qeflinj’ grekë iu bashkuan edhe Kristo Ristani, Raif Mene, Genci Bejko etj. Në Ankona mbërrijmë rreth mesditës dhe prej këndej, me autobuzët që na shoqërojnë qysh nga Gjirokastra, marrim rrugën e gjatë për në zemër të Europës duke perjetuar bukuritë e Alpeve të shtrira në kufirin ndërmjet Italisë dhe Francës dhe të mbuluara krejtësisht nga bora e dendur dhe ku spikatin konturet e Malit të Bardhë (Mont-Blanc) me 4,810 metrat e tij, i mbiquajtur ‘Çatia e Europës’, honet e ngrira nga akujt. Herë-herë rruga ndjek rrjedhën e lumit, herë-herë ndjek fundin e një lugine, diku futet në errësirën e pyllit, gjetkë gjarpëron rrëzë malit. Në njerën prej auto-grillave, afër Qytetit -Port të Marsejës takojmë një bashkëqytetaren tonë, vajzën e madhe të muzikantit Kujtim Dule, e cila kishte dalë të priste vëllanë e saj, Altinin, pjestar të grupit tonë. Bashkëshoqëruesi i saj marsejez, na ofron të pimë çfarë të dëshirojmë, para se ne të vazhdojmë udhëtimin, të mahnitur nga varieteti i pejsazheve.
Parisi
Ja më në fund Parisi, i kredhur në errësirë edhe pse ora po i afrohet 08 të mëngjesit. Ndryshe nga vendet mesdhetare, sa më në thellësi të Europës të gjendesh, aq më tepër zgjatet nata. Pas rreth 35 orësh udhëtimi, mëngjesin e datës 25 dhjetor, kishim mbërritur më në fund në Parisin e ëndërruar, në qytetin e mrekullive dhe të bukurive marramendëse. Udhërrëfyeset tona, gjatë gjithë kohës së qëndrimit në kryeqytetin francez, do të bëheshin dy motrat shqiptare me origjinë nga Gjirokastra, Moza dhe Elda, të cilat na u prezantuan si kushërira të para të vëllezërve Arianit, Qazim e Adhurim Muho. Të emigruara prej viteve 90-të, fillimisht në Zvicër dhe pastaj në Francë, ato tanimë janë banore të kryeqytetit francez. Parisi është i ndarë në në 20 pjesë apo në 20 ‘Parise’ më të vegjël dhe, për të hyrë në secilën prej tyre, ka 20 porta. -Kjo është ‘Kisha e Madlenës’, kisha më e madhe e Parisit”- nis prezantimin njera nga shoqërueset e grupit. Para nesh shfaqet ‘Opera e Parisit’, në fasadën e së cilës janë gdhendur statuja floriri të brezave të këngëtarëve më të njohur francezë. Në krah të djathtë të OPERAS ndodhet “Cafe de la Paix”, e njohur si kafeneja më e vjetër e Parisit. Lemë pas bulevardin e mrekullueshëm “Chans Elysee” për t’iu drejtuar qendrës së Parisit, por në dalje të tunelit që të çon te ‘Kulla Eiffel”, kureshtja na nxit të shohim vendin ku Ledi Dianna, disa vite më parë gjeti vdekjen në një aksident automobilistik, vend ku francezët vendosin vazhdimisht lule.
KULLA ‘EIFEL’ mbetet simboli i Parisit. Hymë në portën e njerës këmbë të kullës. Pas pak momentesh nis ngjitja me ashensor në katet e kullës 315 metra të lartë. Ne ndalemi më gjatë në katin e dytë. Prej andej duket “Sheshi i Marsit”, ku njerëzit ngjajnë si miza. Në anën tjetër shtrihet ‘Lumi i Senës”, që rrjedh ngadalë duke e ndarë mes për mes Parisin. Ja ‘Kulla e Invalidëve’, “Kulla e Panteonit’, ‘Harku i Triumfit të Yllit’, “Notre Damme”, ‘Le Jardin des Tuileries’, ‘Le Jardin de Luxebourg’. Secila prej tyre ka krenarinë dhe historinë e vet. Në majën më të lartë të kullës, qëndrimi më tepër se disa minuta është gati i pamundur për shkak të erës së ftohtë dhe temperaturave të ulta. Marrim ashensorin në zbritje. Ora ka shkuar 22.00 e mbrëmjes. Janë mijra e mijra turistë, të ardhur nga e gjithë bota, që presin radhën për të vizituar ‘Kullën Eifel’. Përpara kanë gjithë natën. Në këtë shesh nuk ka kurrë gjumë. Hyjmë mes tyre, ku edhe falë frëngjishtes time modeste, arrijmë të përshtatemi disi me mjedisin përreth. Parisi është cilësuar si kryeqyteti i dritave dhe ‘Le Jardin des Tuileries’ ndriçon me ngjyra ari. Kamerat amatore të pjestarëve të grupit tonë si Mustafa Devolli, Shkëlqim Skreli, Edi Pesha, Irakli Qirushi etj., mundohen të rrokin sa më tepër pamje. Kemi mbyllur kështu një ditë-natë tjetër vizitash dhe marrim rrugën e kthimit për në hotel, nëpërmjet njerës prej metrove të Parisit. Sa shumë njerëz! Ata ecin me shpejtësi, gati vrapojnë brenda korridoreve të ngushta. Parisi është po aq i madh poshtë sa edhe sipër. Nganjëherë metrotë zbresin deri në 70-80 metra nën tokë. Udha e hekurt përshkon disa qindra kilometra dhe stacione: ‘Paster”, ‘Bastille’, ‘Itali’, ‘Luxembourg’. Është dimër dhe, me gjithë komoditetin e trenave, nëpër qoshet e metrove sytë tanë shohin me habi edhe disa lypës që bëjnë gjumin e natës duke u dridhur së ftohti, të mbuluar me çfarë t’u vijë për doresh.
Versaja
Autobuzi ynë merr rrugën drejt Versajës, qytetit të famshëm turistik nga më të vizituarit në botë. Rruga kalon nga ‘Sheshi i Bastijës”. Aty, në OBELISKUN që përjetëson një nga nga ngjarjet më të lavdishme të Francës, janë të gdhendur emrat e luftëtarëve francezë që më 1930-tën ranë për çlirimin e atdheut. Kujtesa historike e francezëve është në stadin më të lartë. Lemë pas Panteonin, ku janë varrosur burrat më të mëdhenj të Francës, godinën e ‘Akademisë Franceze’ si dhe godinën ku ndodhen libraritë më të mëdha të Francës. Biseda mes nesh rrjedh natyrshëm te krijimtaria e Ismail Kadaresë dhe ndalet më gjatë në një prej librave më të shitur të vitit, atij të titulluar “Enigma-nga pellazgët te shqiptarët”, i autorit Robert D’Angely. Ky libër është shkruar me qëllimin për t’i shërbyer si hyrje historike një gramatike dhe fjalori etimologjik të krahasuar të gjuhës shqipe. Në këtë vepër paraqitet një pamje e përgjithshme e së kaluarës së popullit shqiptar, që autori e konsideron si një nga popujt tipikë arianë dhe nga më të lashtët e Europës. -Me këtë libër krenohemi ne shqiptarët këtu në Francë-thotë udhërrëfyesja jonë. Në Muzeun e Versajës vizitojmë me radhë: ‘Apartamentet e Mbretit dhe të Mbretëreshës; ‘Galerinë e Betejave’; ‘Galerinë e Pasqyrave’, ‘Muzeun e Luvrit’ që mbetet një nga pallatet më të mëdhenj të globit. Nga dritaret e katit të dytë të muzeut na ‘merr sytë’ bukuria e kopshteve rrotull, që me gjithë të ftohtin therrës, provojmë t’i shijojmë nga afër. Mbrëmja e po asaj dite na gjen duke darkuar në një prej restoranteve grekë, diku afër qendrës së Parisit. Në orën 05 të mëngjezit të datës 29 dhjetor marrim rrugën e kthimit. Kemi vizituar një prej vendeve më të bukur në botë, që i ka dhënë njerëzimit mjaft njerëz të shquar: filozofë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, muzikantë, heronj dhe shenjtorë.
‘Paris të dua-Paris je t’aime’.
Please follow and like us: