Albspirit

Media/News/Publishing

Një vend nderi në historinë e letërsisë shqipe

(Rreth librit “Udhëtimi letrar i Sazan Golikut)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Mjeshtër i Madh

 

Krenari për Organizatën e Dëshmorëve të Atdheut

Ditë më parë më ra në dorë një botim nga Akademia e Studimeve Albanalogjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ku studiuesi Spiro Gjoni paraqiste monografinë “Udhëtimi letrar i Sazan Golikut”. Të them të drejtën u gëzova, që për një mikun tim të njohur në veprimtarinë e përditshme të Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, shkruhej një libër për stilin letrar të veprës së Pandeli Koçit, të njohur Sazan Golikut, me emrin e tij letrar. Pandeli Koçin e kam njohur nga afër në redaksinë e revistës “Pavdekësia”, ku për mjaft probleme dhe shkrime që publikojmë për figurën e dëshmorit të Atdheut, mendimi i tij është i qartë dhe i pastër, për mbrojtjen dhe lartësimin e figurës madhor të dëshmorit, siç është çdo dëshmor që ka falë jetën për vendin e tij.

Në veprën e tij letrare një vend të rëndësishëm zënë figurat atdhetare të Rilindjes sonë Kombëtare, të patriotëve të mëdhenj dhe të luftëtarëve, por një vend nderi dhe krenarie zënë dëshmorët e LANÇ-it. Në këtë luftë të denjë për shqiptarët dha jetën dhe babai i tij, Mihal Koçi. Patriotizmin, ndjenjën liridashëse, heroizmin, trimërinë e sakrificat e panumërta të popullit shqiptar, Sazan Goliku i ka të përfshirë në të gjithë veprën e tij, pothuaj se në çdo gërmë e fjalë. Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij, zënë dhe botimet me temë nga lufta për atdhe e për liri e popullit të Kosovës.

Monografia fillon me një parathënie, ku prezantohet qëllimi i studimit, për të vijuar më tej me sythin në vitet e jetës së Pandeli Koçit. Autori nëpërmjet një analize të thellë të veprës së tij mbi 60 vjeçare trajton mjaft aspekte të profilit të tij letrar si: “miqësi me prozën apo me poezinë”, liri drejt “aventurash”, si dhe disa përfundime rreth prozës së shkurtër për të vijuar më tej me një analizë rreth një zjarri të dyfishtë në mendjen dhe shpirtin ilir, për të vazhduar monografinë se “dashuria fillon në shtëpi”, më tej me komitët e malit të bardhë, ku në çdo varg e rresht rreh pulsi i gjallë i botës shqiptare, nga fundi trajtohet problemi që a është Sazan Goliku shkrimtarë për fëmijë, për ta mbyllur monografinë prej 268 faqe, që Sazan Goliku është “jo vetëm poet e prozator, por edhe… kritik.

Vepra letrare e tij dëshmon për atdhetari

Pandeli Koçi ka lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1942, nga një familje me tradita të hershme atdhetar të Leklit të Tepelenës. Ndërsa në vitin 1957, në krijimin e tij të parë, mori një çmim dinjitoz në shkollën e tij, çmimin e parë me një vjershë për rininë.

Talenti i Pandeli Koçit shkëlqeu që në krijimin e parë dhe vazhdoi për dhjetëra vjeçarë, duke dhënë forcë dhe dritë, duke dhënë përvojë dhe pjekuri.

E gjithë trashëgimnia e tij letrare, tregon për një vepër dhe për një autor që di të qëndrojë në çdo kohë dhe periudhë me dinjitet, duke u bërë model shpirtëror për mijëra lexues.

Vepra letrare e tij dëshmon për një vepër atdhetare, dëshmon për një krijues me ndërgjegje, të dashuruar me vendin dhe njerëzit e tij, tregon për një njeriu human, për një intelektuali, për karakter me virtyte të larta morale. Rol të rëndësishëm në edukimin dhe formimin si patriot e profesional, e ka bërë familja, mësuesit, kolegë e shkrimtarë, ku në qendër janë librat dhe veprat e mjeshtërve të letërsisë, që ka adhuruar në jetë.

Vepra e Pandeli Koçit përmblidhet në mijëra faqe dhe në mbi 16 libra, të cilat janë të përmbledhura në krijime për fëmijë, poezi, tregime, novela dhe në një roman. Në këtë mori veprash gjejmë jetësën e një tematike dhe problematike të gjërë, të shumëllojshme të shtrirë në hapësirë dhe kohë, ku rrjedh bota shqiptare e filluar nga lashtësia deri më sot. Krijimtaria e Golikut ka brenda një tipologji të caktuar ku qëndrojnë në balancë poezia dhe tregimi i shkurtër, por janë jo të pakta dhe krijimet si fabula, tregime, artikuj, recensione, intervista etj. Në vite këto janë të pasqyruara dhe të shpërndara në shtypin e ditës, në periodik, në emisione në radio dhe televizorë.

Studiuesi Spiro Gjoni thekson se lexuesi e përcakton Golikun në është poet apo prozator dhe e jep përgjigjen po vet se “ai mbetet kryesisht prozator, duke qenë ndërkohë dhe një poet i suksesshëm”. Vepra e tij dallon në të dy llojet e krijimtarisë, pasi tematika është e njëjtë dhe ajo që mungon në prozë, e gjejmë poezi.

Në veprën e Sazan Golikut ka veçori dhe karakteristika, pasi autori krijoji në dy periudha, në socializëm dhe në demokraci pas viteve ’90 të shek. XX. Ajo që e dallon atë, është se krijimtaria e tij qëndron në nivelin e mirë artistik. Autori në studim përmend mjaft veçori që shfaqen në veprën e Sazan Golikut, të cilat gjenden në poezi, kryesisht në temën e lirisë dhe të dashurisë, por dhe në tregime. Në përfundim të monografisë Spiro Gjoni shprehet se “Goliku meriton një vend nderi në historinë e letërsisë shqipe”.

Vepra e Golikut përfaqëson një vlerë përmbajtësore, artistike dhe stili lakonik. Dashamirësit dhe lexuesit e tij e njohin veprën e Golikut, por autori i librit thekson se kjo “përpjekje është një grishje për ta njohur dhe vlerësuar më mirë këtë autor”.

Vatra atdhetare ku u edukua shkrimtari

Pandeli Koçi u rrit në qytetin e Vlorës. Babai i tij, Mihal Pandeli Koçi, është dëshmor i Atdheut, ka rënë në kampin e përqëndrimit nazist në Prishtinë në tetor 1943. Pandeliu u rrit dhe u edukua nga xhaxhai i tij, Koço. Në vitet e gjimnazit në Vlorë bëri dhe “pagëzimin” me emrin Sazan Goliku, emri i tij letrar (qytetar i Vlorës), ku simbolizon ishullin e Sazanit dhe si “bir i Rrëzës së Tepelenës, në gjakun e shpirtin e të cilit rrjedhin ujërat e kristalta të Golikut, ajri i pastër i shëndetshëm i atij mali, këngët e ligjërimet e ëmbla të zogjve të asaj ane, por mbi të gjitha bota dhe jeta e njerëzve, e gjyshërve dhe prindërve të tij, e atyre për të cilët më vonë këndoi e shkroi me aq pasion, e atyre, fjala, jeta dhe vepra e të cilëve u bënë dhe mbetën udhërrëfyesi kryesor në jetën dhe veprën e shkrimtarit”.

Stërgjyshi i Pandeli Koçit, Kostandin Koçi ishte një atdhetar dhe luftëtar, si dhe bashkëpunëtor i Abdyl Frashërit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ai u vra nga turqit në vitin 1881. Biri i Kostandinit, Pandeliu, u bë një veprimtar, një luftëtar, si dhe një armik i shpallur i pushtuesve italianë në vitet 1915-1920. Ndërsa i biri i tij Mihali, babai i Pandeli Koçit, sot është dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Janë këta shëmbuj dhe modele që “kishin mbirë dhe u rritën bashkë me Pandeliun, duke u bërë udhërrëfyes e frymëzues të jetës e veprës së tij. Modelin e shëmbullin e stërgjyshit, gjyshit dhe të atit e çoi më tej xhaxhai i Pandeliut, Koço Koçi atdhetar e veprimtar i shquar i mërgimtarëve shqiptarëve në Argjentinë. Ai u kthyer në atdhe në vitin 1948, dhe u bë mbështetja kryesore në rritjen dhe edukimin e Pandeliut. Në këtë mjedis të shquar luftarak dhe atdhetar, mori dije dhe shkollë, u mbrujt dhe u formua shkrimtari dhe krijuesi Sazan Goliku.

Mjaft fakte dhe ndodhi e shoqërojnë jetën e shkrimtarit, por shoqëruesja kryesore ka qenë një biçikletë. Ishte biçikleta, ajo që e çonte në studio, në natyrë, në redaksi, ku për 30 vjet ka kryer detyrën e redaktorit letrar dhe të bashkëpunëtort në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, si dhe redaktor në Kuvendin e Republikës prej vitit 1981 deri në vitin 2002.

Sazan Goliku vitet e krijimtarisë i maten me vitet e jetës, kjo del në numrin e madh të botimeve, ku shquhen 30 përmbledhje me krijime për fëmijë, 17 përmbledhje me poezi e prozë, dy antologji me poezi të autorëve të Kosovës, antologji të poezisë popullore të Kosovës, antologji të letersisë për fëmijë. Në tërë këtë jetë të vrullshme dhe ecje me biçiklet në çdo tortuar të Tiranës, ka shkruar me dhjetëra e dhjetëra artikuj letrarë, kritikë e publicistikë në faqet e shtypit të përditshëm, pa përmendur redaktimet e panumërta, intervistat dhe referimet ose debatet në veprimtari të ndryshme brenda e jashtë atdheut, nga trojet shqiptare e deri në Amerikën e largët. Cilësitë e tij i ndeshim kudo në shkrimet, pasi ai transmenton mjeshtërinë e të shkruarit dhe ka afruar shumëllojshmëri formash në prozë dhe në poezi. Këto cilësi shfaqen shumë qartë në botimet e rëndësishme të Institutit të Kulturës Popullore, në këngët popullore të Çamërisë dhe në figurat e shquara të Labërisë.

Studimi i Spiro Gjonit “Udhëtimi letrar i Sazan Golikut”, mendoj se është dhe një prurje e re për veprën e tij, e cila ka lënë gjurmë në rrugën e tij krijuese. Ky studim tepër i mirëfilltë dhe i punuar me kulturë dhe shije, në një farë mënyre i ofron lexuesit idenë se diçka është përfunduar. Dhe ky përfundim të çon në gjurmë të kohës së kaluarës, ku gjithmonë e kaluara ngelet gjurmë dhe njeriu nuk mundet të shkelë dy herë në një gjurmë… Në përfundim të studimit autori thekson se ka qenë shumë i saktë dhe pohon me plot admirim dhe nderim për Sazan Goliku, sepse i ka kthyer në krenari gjurmët e lënë prej tij në udhëtimin letrar. E ndërsa monografia ka përfunduar, përsëri autori shfaq mendimin se Pandeli Koçi me dëshirë, me pasion e me gjallëri e nget bicikletën e tij, në këtë kohë të internetit. Ai po garon në udhë të reja e të pashkelura, vrapon në shtigje dhe merr motive, të cilat e shpien në burime frymëzimi të pazbuluara…

Please follow and like us: