Hile maqedonase për të fshirë mbi 33 mijë votues shqiptarë nga listat zgjedhore
Nga Mensur Krasniqi
Para disa ditësh me 92 vota për, 3 kundër dhe vetëm 1 i përmbajtur, Kuvendi i Maqedonisë votoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me ç’rast duhej të kontrollohen rreth 39.502 votues. Dhe ashtu siç ishte paralajmëruar, Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë para disa çastesh ka publikuar emrat dhe mbiemrat e të gjithë këtyre votuesve të cilët cilësohen si të dyshimtë. Nga ajo që mund të shihet sipas të dhënave të KSHZ-së, votues të tillë ka gjithsej në 53 komuna, ku më të shumtat në numër janë komunat ku banojnë kryesisht popullata shqiptare, si në Çair (8.659), Tetovë (6.692), Karposh (4008), Gostivar (3.532) dhe Saraji (2420).
Të gjithë këto kanë afat prej 25 ditësh që të regjistrohen në listat zgjedhore.
Mënyra e regjistrimit të votuesve të dyshimtë:
Regjistrimi i votuesve do të bëhet personalisht në njësitet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor si dhe në zyrat e Drejtorisë së Librave Amë, ku votuesit mund të paraqiten dhe të dorëzojnë letërnjoftim ose pasaportë. Regjistrimi mund të bëhet edhe në mënyrë elektronike në ueb-faqen e KSHZ-së. Votuesit që të mund të paraqiten në mënyrë elektronike duhet të shkruajnë numrin amë dhe të dërgojnë kopje të skanuar nga letërnjoftimi ose pasaporta.
Regjistrimi do të zgjas deri 16 gusht, ndërsa mund të bëhet çdo ditë prej orës 8.30 deri në orën 19:00.
Pas skadimit të këtij afati, KSHZ do të ketë edhe 10 ditë në dispozicion që të mund të realizoj kontrolle shtesë ose personalisht të kontaktoj votuesit.
Në adresat që i posedon KSHZ deri tek votuesit e dyshimtë do të dërgohet letër nëpërmjet të cilit do të informohen për nevojat e paraqitjes.
Pas kësaj nëse personat nuk paraqiten në mënyrë elektronike ose personale në afatin e paraparë nuk do të regjistrohen në Listën Zgjedhore. Ata do të kenë mundësi të regjistrohen gjatë shqyrtimit publik të Listës Zgjedhore para zgjedhjeve parlamentare që sipas paralajmërimeve duhet të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti.
Deri tani nuk kemi asnjë sqarim nga partia politike shqiptare në pushtet, BDI, se mbi cilat arsye kanë lejuar rrezikun e fshirjes eventuale të rreth 30 mijë votuesve shqiptarë nga listat zgjedhore nëse nuk paraqiten në kohë në institucionet përkatëse për t’u identifikuar.
Ndryshe, rreziku i fshirjes nga lista zgjedhore e një numri të madh të shqiptarëve ekziston, ngaqë me shumë gjasë shumica prej tyre janë mërgimtarë dhe afati 25 ditësh i paraqitjes së tyre është periudha kur ata mund të kalojnë pushimet verore dhe mos të kenë njohuri për zhvillimet dhe procesin e regjistrimit.