Albspirit

Media/News/Publishing

Tonine Hido: Triologjia satirike në vargje e Shpëtim A. Emirit

 

Kënaqem shumë, pa u çuditur, që shkrimtari, humoristi i satirës publiçistike, inxhinieri Shpëtim A. Emiri, sjell për lexuesin librin e shtatë në kohët e fundit me titull “Studentët janë të vonuar”. Kaq libra të bukur me brendi të pasur, mesazhe të vlerta, që falin kënaqësi estetike, gërmëzuar mjeshtërisht mbi traditën e mençur të së qeshurës lokale përmes gjuhës së zgjedhur të Gjirokastrës, më shtyn të ngacmoj me ngazëllim: Ju sikur nxirrni kuleçë dhe karkanaqe të ngrohta nga furra e Xhevat Avdallit (shtyllë e grupit popullor të qytetit) o djalë?!
Shpëtimi, hazërxhevap, pas përshëndetjes plot etikë, si gjithmonë, m’u përgjegj: Është brumë nga vetë koha, zënë për magje dhe furrë të zgjedhur, mësuese… Përfytyrova, këndej së largu, pamjen e Shpëtimit, serioz, por lexoja njëhershëm, në përfytyrimin tim, dritë kënaqësie në sytë e Tij, si paradhënie që libri “Studentët janë të vonuar” është mirëpritur. Jo nga që unë jam “përfaqësuesja” e të gjithëve, sigurisht. Si çdo krijues, edhe Shpëtim A. Emiri shkruan për një lexues të zakonshëm, me shpresën e vetëdijes që ta bëjë pjesë të problemeve të shtruara në librat e tij. Këta “të zakonshmit” autori i quan “dele” vazhdueshëm, jo për t’i fyer, por që t’i ruajë, t’u kujtojë se po ecin “kullotave” të helmta nga i degdis “bariu” hileqar e mashtrues vitesh e dekadash. – “Pse i ndjekin, xhanëm, kur jeta na ka dhënë prova përditshëm në pabesinë e ‘barinjve’ të çdo ngjyre”?! Pikërisht, me rolin, e pakërkuar, të një intelektuali me vlera të sprovuara dhe integritetin njerëzor, profesional, qytetar Autori Shpëtim A. Emiri nxiton t’i thotë pa humbur kohë mendimet, shqetësimet, të këqijat, helmet që shtresohen vazhdueshëm në jetën e të gjithëve.
Në se për katër librat e parë fushëpamja dhe synimi i autorit ishte, në dukje, disi më i kufizuar: mençuria përmes së qeshurës fisnike, largpamëse të Alizot Emirit, bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ndërsjelltas, heshtur a zhurmshëm në këto kujtime; vendin që u duhet dhënë zyrtarisht njerëzve që falën shumë nga jeta e tyre pa kërkuar shpërblim e lavde, çuan, fatmirësisht, në synimin e heshtur të gjithë jetës qytetare: Doktor Vasil Laboviti në bazorelief, krah figurave të ndritura, në bronx, për mendime, shërbime, mesazhe, që do t’u flasin brezave; brezave të cilët, patjetërsim, duhet të mendojnë dhe të flasin shqip.
Alizoti i “gazeve fisnike” dhe i “mirësisë shtyllë” qytetarie, na buzëqesh “së gjalli” në bazorelievin e librashitësit legjendë. Edhe pse tani brenda shitores ka zarzavate-fruta, Zotja ynë flet si “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës, rëndë-rëndë, me skeptrin e librit shekujsh… ku mblidhet si në hambarin më të pasur njerëzor dituria, bukuria, e drejta…
Gëzuar! Ia vlejti synimi dhe mundimi, Shpëtim! Nga ky “hambar” i pasur i traditës familjare dhe qytetare, Shpëtim A. Emiri ka marrë vetëdijshëm atë që duhet të ketë pjesë, qëllim, një farë ADN-je jetësore të tijën, shërbimin aktiv ndaj njerëzve dhe vendit të tij, si luftëtar për të vërtetën, për jetën, për sot dhe nesër. Janë këto motive, kjo shtysë, sipas meje, të cilat jetësohen të gjalla në tre librat e njëpasnjëshëm “Moj Gjirokastra ‘pa vulë’!”, “Sot ke qejf të vdesësh!” dhe “Studentët janë të vonuar!”. Një vazhdimësi, një “trilogji”, do ta quaj për ato që trajtohen përmes poezisë satirike të këtij autorit, i cili tanimë, vetvetiu bëhet i njohur, i nderuar për atë çka përcjell: tragji- komedinë e kohëve “moderne” në “demokracinë” e ëndërruar nga të gjithë, por kthyer kokëposhtë, sepse “delet” vazhdojnë t’i besojnë “bariut” ujk, me lëkurë qengji. Autori nuk e pranon kurrësesi: si?! Si bëhet “kundërshtim me penë, letër, satirë, libra?
Ia mbërrin synimit që librat e tij të flasin, ushtojnë si kambanë thirrjeje, si ftesë njerëzore për të kuptuar e thënë sot, të gjithë, për çka jemi fajtorë dhe bashkëvuajtës të gjithë, sepse nesër do të jetë vonë. A ka të nesërme pa të sotme?! “Është e hëna, pa vjen e marta!” – thuhet shpesh.
Është i besueshëm Autori për shumë arsye: pamjet e kamerës “nga çdo kënd” i përditshmërisë sonë shihen me sy të lirë prej sejcilit në jetën e ndjeshmërinë e thellë, pavarësisht niveleve këto pamje, sipas meje, bëjnë “skanerin” e sejcilit individ, si gjymtyrë e një shoqërie të tërë, të lodhur, të zhgënjyer, që mashtrohet e rrokulliset keqas. Është i besueshëm Shpëtim Emiri dhe për faktin se rri larg gjuhës militante partish, flet thjesht si qytetar i provuar në shoqërinë civile gjatë veprimtarisë, fatmirësisht, të gjatë: me ndershmëri, me guxim për të thënë hapur të vërtetën e për ta mbrojtur atë.  Edhe në shkrimet e shenjta thuhet: “Mos hesht, kur sheh vuajtjen dhe gjakun e tjetrit pranë teje”… Përkthyer në gjithë jetën e të paepurit Martin Luterking. “Njeriu vdes në çastin kur hesht, kohë që duhet të flasë me zë të lartë”. Duke lexuar therrshëm çdo skutë, çdo qelizë në trupin shëndetlig të shoqërisë shqiptare sot, mjeshtërisht pena e Shpëtim A. Emirit nga vrojtime të trishta personale ua kalon lexuesve, duke i bërë natyrshëm pjesë të klithmës së tij.
Për ta besuar lexuesit niset nga mjete të tilla, menduar bukur e thellë: poezia e tij  fillon (parathënie) me vetësatirë, vetironi, çka lë t’u afrohet edhe të panjohurve: “Kur i dalloj unë, një i fandaksur që rishtas, me guxim i jam vërvitur poezisë, po ju? Kini mirësinë, po e tepërova, ndryshe, të hamë së bashku këtë çorbë të kohës që jetojmë.”
Për këtë “truk” të mençur, autori në të tre librat e tij, i shmanget protagonizmit, nuk flet, ligjëron vargjesh në vetën e parë; çudi që as lexuesit, qoftë edhe jo të tillë, nuk ndjehen si “vetë e tretë” në ligjërimin satirik, grotesk në përmasat më rebele. E gjithë pamja del para sejcilit prej nesh, para të gjithëve bashkë, duke thënë:”Një fshat që duket, s’do kallauz”! Kështu, si vëzhgues i barabartë, ecën Shpëtim A. Emiri, krah të tjerëve, të cilët shtohen derë më derë, ngaqë secili prej “të tjerëve”, ka “xhepat” mbushur nga “thika” që presin përdhunshëm aftësitë, endrrat, shpresën. Arrin një kulm, që s’mban më: Vret shpresën e shpresës! Këtë grotesk tragjik e këndon “kori” i përzishëm i të të vuajturve, si në teatrin e antikitetit, (refreni dyrrokësh). Kori “i përzishëm” është ftuar “pa detyrim” nga autori, si drejtues “i pashpallur vetë”, në teatrin e shekullit XXI, në Shqipërinë e të gjithëve, por që gëzohet vetëm në pallatin e diktatorëve të rinj. Këtu fillon e keqja. Tre librat ndjekin një shkallëzim rritës të theksuar, jo vetëm nga zgjerimi dramatik i fushëpamjes, kur Gjirokastrës së Tij i çkulin “vulën” e kjo e nxit autorin t’i vërvitet rrugëtimit të vështirë, po aq dinjitoz për t’u thënë të gjithëve: “Ejani, se vula (e vjedhur), identiteti i një qyteti do të hapet si zjarr shkrumbues në çdo pyllnajë gjelbërimi vlerash shekullore të gjithë Shqipërisë; do të shkrumbojë historinë, të ardhmen”. Autori ka të drejtën “e plotë” t’i vërvitet, “binanë t’u kërrejë” shkaktarëve të dramës së trishtë që luhet në skenën e sotme shqiptare, sepse është “i lirë” në mendësi, në shpirt, në kuptimin e pastërtisë morale, si qytetar fisnik, cilësi të provuara gjithë jetën e tij. Kjo shmang akuzat e sotme të shtypit, servilëve, për të akuzuar zërat kritikë si “opozitë”, “naivë”, “rremashë” të cilët synojnë pushtetin e humbur.
Më duket e zgjedhur bindëse që Autori në të tre librat e Tij (me një bosht të përbashkët) jep fillimisht vendin e personazhit kryesor “realitetit”; kaq gjallë lëvizin pamjet, ngjarjet, frymorët në të sa që të ndieson perceptimin se gjendesh para një përbindëshi “të ringjallur” me tipare të pudrosura, me gjeste përvijuar në palestra partiake prej instruktorësh të shkathët, studjuar “në perëndim”; specialistë të zhurmshëm, plot dosjet me doktoratura në skenca sociale e juridike, të cilët mëtojnë zellshëm ta paraqesin “kafshën” me zë, fytyrë, gjeste – qëllime, sjellje kaq njerëzore që të prekin thellë në debatet televizive, konferenca shtypi,, portale qeveritare dhe partiake, surretër të kollarisur, me syze “nga studimet” e shumta për popullin, me popullin. Kjo hipokrizi nuk i shkon për shtat Shpëtim A. Emirit e sërës së tij, prandaj librin e dytë në trilogjinë e satirës politike ka titulluar “Sot ke qejf të vdesësh!”; ka përshtatur bukur shprehjen e popullit “ Hapu dhe, të futem”, e cila përdoret këndej. Hapet dheu, por jo “varr i përbashkët”, krasitur kujdesshëm te “shtëpia me gjethe”… As në “Versajën e nëndheshme” si pikë referimi e historisë së rrallë për turistët nga gjithë bota… As në pesë qytetet më të vjetra në botë nga koha e akullnajave, ku ruhen vepra arti në gurë të stërlashtë… As hapja e “Udhës së mëndafshit” në Kinë pas më shumë se mijëvjeçari…
…Jemi realisht në “Gjirokastrën e nëndheshme”, zbuluar para do kohe, gjatë rikonstruksionit të kalldrëmeve… Që kishte tunele në male, dihej nga të gjithë, si vendstrehim për “luftën imagjinare”, që na imponohej nga revizionizmi – imperializmi, por ne “hanim edhe bar, po vijën e kuqe s’e tradhëtonim”, e mbron një popull “ushtar”, po sot (thotë Shpëtimi), ka më shumë kapterë se ushtarë… Ç’na duhet ushtria, kur na mbron “Europa” dhe “Fqinjët”, që nga prehistoria dhe gjer në “makineritë” për “skrap”, se ne dimë “vetëm të shkatërrojmë” e të nisim çdo herë nga “e para = 0” – ulërin dhembja qytetare e inxhinier Shpëtimit, mësuar, gatitur, sprovuar për të “ndërtuar”, për të “zbukuruar”, për “t’u dhënë” jetë, gëzim pallateve për njerëz punëtorë që nuk presin “të hanë me lugë të florinjtë”, “me sy nga qielli”, siç u kanë premtuar në prag zgjedhjesh se “do t’u dalin zot”. Autori fillon vëllimin e dytë “Sot ke qejf të vdesësh!” me ”paradhomën” e “çelësit”, “burimit”, të të gjitha fatkeqësive: “Raportim para shokut Ramiz”… “Çdo gjë siç thatë Ju/ s’ka të sosur kaosi këtu, … “I begenisëm/… i degdisëm…/ rrënjët ujit me premtime/ vjedhje, krim e poshtërsi/ … bashkëpunojnë për mrekulli/… Të gjithë flasin me vete/ sherr e gjyqe, marifete/ Të gjitha i marrin për vete”.

…Fiks, asgjë nuk lëviz/… bekuar dora Juaj, na lidhi kërthizë!… …Komunizmi prap’ filloi të kërkohet?!
Pas këtij deklarimi publik, për të mbështetur, provuar, dokumentuar satirën e Tij groteske, rebele, të pakompromis në asnjë rrethanë, interes etj. Me vargje të goditura Shpëtim A. Emiri shoqëron lexuesit në “dhomëzat” e dhimbjes së përbashkët, në tunelin e nëndheshëm, ku jemi kallur të gjithë për së gjalli në një varrezë masive; vetëm pulsimi i mendimeve, zemrave, revoltës sonë tregon se jemi gjallë, ndonse “Kemi qejf të vdesim …”. Pyetje retorike të sejcilit prej nesh, qoftë dhe mosbesuesve, bile dhe pushtetarëve – partiakë, të së njëjtës varrezë – dhe kur janë në majë të sundimit, “si derra të kënaqur – ballë një populli, kombi Sokrat i vuajtur”. Autori përgjigjet qartë, prerë, bindshëm.
Shumica e poezive satirike kanë strukturën e matur: ecin paralel dy pamjet që bindin të gjithë dhe janë kaq të prekshme në sendërzimin e realitetit tonë, premtimet (pritmëritë tona) dhe zhgënjimi, mashtrimi.
Kaq të goditura në fakte, dhënë përmes zgjedhjesh origjinale për vendin, kohën, shkak-pasojën, nën veshjen e një gjuhe të zgjedhur, të lakmueshme sa popullore-lokale, po kaq publicistikë karikaturash, sa të mbajnë frymën. Të mbajnë frymën ty, mua, të gjithëve, sepse përkthejnë të koncentruar përjetimet tona, zhgënjimet tona, dhimbjet e protestën tonë. Zëvendësohen mijëra debate televizive, shkrime analistësh, përkthehen karikaturat e Bujar Kapexhiut e Selim Belortas; shumëzohen me zero premtimet pozante të pushtet-partiakëve në çdo kohë.
Edhe pse nuk janë kujtuar ende “Mbrëmjet gala” të poezisë në skenën e teatrit komik që s’mungon, është material i pasur, që të lë ngrirë (jo nga të qeshurat) por nga të vërtetat që përcillen. Pse nuk shfrytëzohen si “Netë shëtitëse të poezisë” këndej e në atë anë të kufirit, do të thonë shumë …
– Joooo, nuk duhet nxirë imazhi i Shqipërisë në botë, jemi në prag të kësaj dhe asaj, – X ambasador na lavdëroi, X zonjë e BE-së na inkurajoi…
Vazhdon “loja me ambasadorët dhe e tyrja me ne” sa bëhemi qesharakë, thotë Autori duke pritur pajtimin mes vedi dhe zgjidhjen e situatave të vështira prej të huajve, të cilët, vërtet na kënaqin me kortezinë dhe buzëqeshjen e pakursyer, por në fund të fundit (kuptohet dhe në vargjet e Shpëtim A. Emirit) kanë ardhur për interesat e vendit të tyre, shpesh përfitojnë dhe privatisht. Mbështetur fort në korifejtë e letërsisë shqipe, patriotizmit e të satirës politike, autori më kujton vargjet e Pashko Vasës … e bëheni rob të njeriut të huej/ që nuk ka gjuhën as gjakun tuaj/ qoftë të Faik Konicës te “Sulltan salepi” apo At Gjergj Fishtës, Fan S. Nolit etj. etj.
Është thelbësore të pranohet dhe lartësohet satira e Shpëtim A. Emirit si njohës i thellë, i paanshëm, objektiv, i qartë i realitetit shqiptar, me një fushpamje të gjerë, gjer në hollësitë e së përditshmes, sa do ta krahasoja me një bujk të kujdesshëm që ujit gjer “sqetullat” e bimëve të mbjella, nga që e di pasojën e çdo nënvlerësimi. Fushëpamja e gjithë bëma-gjëmave tridhjetvjeçare, tanimë, të jetës sonë trajtohen me hollësi në gjithë komponentët, me lidhjen shkak-pasojë, përmes vargut konçiz, të hidhët që të bën te qeshësh me veçorinë e satirës, por së brendëshmi njeriu ulërin; kam dëgjuar nga të moshuar, dikur, “qesh gjemthi”… Pikërisht në tre librat e Tij, Autori për të mos anashkaluar asgjë, bëma-gjëmat tridhjetvjeçare i ndan në kapituj të veçantë si: “Deputeti dhe populli”, “Zgjedhjet”, “Pronat”, “Partitë”, “Ndërkombëtarët”, “Arsimi dhe kultura” etj. etj. Arrin gjer aty sa t’i kthehet së njëjtës temë, për ta plotësuar me këndvështrimin tjetër, mos t’i shpëtojë asgjë. Sipas meje, çdo kapitull, që përmban pamje të hidhura, reale, më ngjajnë me një “skenë krimi”, siç shohim në shiritat e verdhë të policisë kriminale për veçimin e të dhënave, mos të dëmtohet asgjë. Kamera e fushëpamjes së autorit është tepër e saktë; i ngjan një skaneri besnik të profesionistit me përgatitje të lartë, sepse ai ka vëzhguar ditë-natë, muaj, vite, dekada të tëra këto vendngjarje, me personazhe të përçmuara, që vrasin gjakftohtë punën, shpresën, ëndërrat, të ardhmen… Keq shumë, “skenë krimi”, “shirita të verdhë”!! Nuk ka mbetur pëllëmbë tokë, asfalt, rrugë, pallat të pashënuar. Si vëzhgues me ndjeshmëri të thellë qytetarie, patriotizmi, angazhimi të plotë për t’i zbardhur krimet, pa synuar protagonizëm, parathënie postesh e përfitimesh të nesërme. Shpëtim A. Emiri përkthen këtë “batërdi” me ngjasimin e një autopsie në trupin e vrarë, përsëgjalli të popullit, Atdheut. Këtë na përcjell besueshëm, të prekshme në ndjeshmërinë e çdo lexuesi, përmes penelatave tepër të goditura: premtimet – zhgënjimet, ëndrrat – realiteti, betimet – mashtrimet, e sotmja – e ardhmja; mbi të gjitha plagët – si t’i shërojmë. Si?! Zgjidhja, rrugëdalja mbetet në ndjeshmërinë e sejcilit. Autori na i hap sytë qartë; rolin e prijëtarëve ia lë rinisë, studentëve, për vetë forcën, aftësitë, nivelin për analiza të sakta dhe vendime të mençura, se koha nuk pret, “kufoma e gjallë” në “autopsi” nuk mund të rezistojë. Çfarë prisni, çfarë presim, o njerëz të mirë, thërret nënteksti i çdo vargu, çdo strofë, çdo poezie.  Shikoni vendin e krimit (autori jep në çdo fashë titullin e poezive satirike), si: “Qeverisë i do qarë halli”, “Kërmilli i propagandës”, “Dy partitë”, “Korrupsioni i korrupsionit” etj. etj. duke shtuar të dhëna pikante, si thelbin e përmbajtjes, si: “Më i madh spektakli, se e gjithë puna/ janë taksat tona, tonat janë paratë …/, …”Po ku gjejnë kurajë, të na përdhunojnë, Hymnin e Flamurit kot ta shpërdorojnë?!”, … “Pozitën e mbaj ortake, opozitën punësuar”, …”Dy partitë … aksionere …” etj. Në gjithë “trilogjinë e dhimbjes” Shpëtim A. Emiri, shfaq bindshëm një formim të lakmueshëm realizmi, qytetarie, mungesë frike dhe qëndrim i paanshëm, sa është qartaz i besueshëm e ndjell çiltër për ta dëgjuar e për ta ndjekur në këtë marrshim të së vërtetës që ka nevojë për të gjithë, në se duam një të ardhme për vete dhe fëmijët në breza.  Ndjehet bukur formimi kulturor e fisnik, në gjurmët e traditës lokale dhe kombëtare që nga bejtet në “shkopin e Idriz Gurit” që thoshte aq shumë, por dhe në shungullimën e Fan S. Nolit te “Anës lumejve”, të Pashko Vasës “O moj Shqipni”, të Dritëroit etj. etj. përmes antitezave brilante që lanë si model për ta parë, kuptuar e shenjëzuar te sejcili qëndrimin e detyrës së tij.  Gjuha e përdorur prej autorit Emiri: përpunon mjeshtërisht, mençurisht, duke i dhënë dimensione të reja pasurisë së të folmes gjirokastrite: jo thjesht si aksesor varur vitrinash por aktivizon tërë këtë hambar, e bën të hyjë si filozofi e koncentruar e mençurisë shekullore. Luan dhe me funksione gramatikore të theksit logjik etj. (… “Binanë i kërrefsha”), cilësorëve nga format e pashtjelluara të foljes etj. etj. Janë të gjalla, pjesë e bukur e gjallimit shqip. Me bindje them që në këtë “trilogji satirike” çdo studjues, pedagog, student etj. gjen me gjithë mrekullinë shërbyese “frutat” e një ekspedite gjuhësore, të denjë për tituj shkencorë; fushë që sot është harruar mjerisht. Sipas meje (kam nënvizuar mbi 273 fjalë, shprehje, situata etj.) që na çojnë larg, por kaq afër në se duam të pyesim të mençurit në kuvendet e burrave, me “kanunin e pajtimit”, “zgjidhjes së problemeve” nga më të vështirat. “Trilogjia e Shpëtim A. Emirit është një diplomaci e herëshme sa dhe bashkëkohore, kur duam të përpiqemi çiltër, ndershmërisht për të afruar të “papajtueshmen” në shërbim të së mirës për të gjithë.
Kuptoj një thirrje, nënvetëdijshëm për çdo lexues, që t’u besojmë dhe të ndjekim “të mençurit”, të rinjtë vizionarë, “studentët e vonuar”, pa lënë me votat tona, me heshtjen tonë kaq gjatë që të na heqin zvarrë ata, si gjer sot, me tituj e grada të larta fare/, por që duhen çuar në kursin e parë, për abetare!”

Përgëzime, Shpëtim A. Emiri, për “leksionet” filozofike që na përçoni, për t’u bërë më të mirë, sipas traditave shekullore dhe familjare që përcillni… sepse dhe sot provoni: “Më thuaj me kë shkon, të të them cili je!”… kolosët e mendimit të së shkuarës, jehojnë dhe me këndvështrimet e personaliteteve të shquara të mendimit e shërbimit në letrat shqipe që janë miq e bashkëpunëtorët Tuaj sot. Përgëzime për provat e bukura në ndërtimin e strofave, vargut, sidomos në aktivizimin e “dy vargut refren”, i cili sjell modele të letërsisë antike dhe pasojnë me këngët e grupeve popullore të Gjirokastrës, ku stampohet ideja themelore e poezisë. E shkuara është lexim për të ardhmen, për t’u bërë projeksion i saj… thonë.