Zana Tako: Nuk të kam thënë ende…
Nuk të kam thënë ende, se kur buzëqesh ti shpirti im çelet si trëndafil, e aroma e tij është ushqim prej të cilit rinohem e nuk vjetërohem.
Nuk të kam thënë ende, se kur flet ti shkrihem brenda ujvarës, e ujët më ledhaton shpirtin e prehem në qetësinë dhe mençurinë e fjalës. Ky ushqim është tejet i dobishëm për shpirtin tim.
Nuk të kam thënë ende, se shikimi yt për mua është përvëlim. Ngrohtësia e shikimit çel filiza që rriten e formojnë gjelbërimin e pranverës, ku çelin e lulëzojnë mijra lule shumëngjyrëshe, e shpirti im quhet Pranverë.
Nuk të kam thënë ende, se ngjashmëria e përqafimit është si kurorë që shpreh mendimin brenda fjalës, e fjala merr udhë brenda ndjenjës ku lidhen e përqafohen mendimet, ndjenjë që nuk venitet, por rritet e rritet….
Nuk të kam thënë ende, se kur më dëgjon tek flas bëhem i vogël para teje, e dua të luaj si fëmija që gëzon e ledhatohet, se fëmija është i çiltër e i pafaj, por dëshira e zjarrtë më bën të ndihem Mbreti yt, të të mbroj e të të paqtoj me sigurinë time, se jam aty ku je ti, e më nuk do të shkoj….
Ende nuk të kam thënë, se je rritur me mua, por rruga nuk ishte e lehtë, e ti e doje këtë rritje në këtë rrugë, ku forcohesh e nuk dobësohesh, ku mençurohesh e paqtohesh.
Ende nuk të kam thënë, se përsëri jemi bashkë, e përsëri do të jemi bashkë, si dy pika uji që ngjasojnë e nuk shpërbëhen, si rrënjë që rrit pemën e lashtësisë, ku çelin qindra degë binjake të mendimit të rilindur.
E përsëri po të them, se jeta nuk mbaron, por fillon aty ku takohemi, në çastin e rilindjes, çast që largon të shkuarën dhe afron të ardhmen!
14 korrik 2024.
Please follow and like us: