Cikël poetik nga Bilal Xhaferri
Baladë çame
Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…
Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.
Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.
Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!
Natë çame
Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.
Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojnë me çatallet e hekurt
Se si në shesh të luftës luftohet për jetën?
Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimen e ulqve të uritur.
Janinë, vjeshtë
Liqeni i Janinës – luginë plot me ujë
Dergjet i përgjumur në mjegullën mëngjesore,
Shket krahu i pulëbardhës mbi nisinë si tumule,
Me fletët e rrepeve mbulon era shetitoret.
Xhamitë ekzotike, bija lindore të braktisura
U pozojnë të trishtuara turistëve nga perëndimi.
Matanë sinorit me tela vijën stërnipat e Pirros
Dhe kalojnë kryeulur nën rrepet buzë limanit
Vjeshta lakuriqe si “missis minifunde”,
Fërkohet pas ledheve mjekrosh tërë myshk,
Atje ku Frosina iu shkëput Ali Pashait
Dhe në ujrat e ftohta të gjolit u zhyt.
Ashtu është Janina e vjetëruar mënjanuar
Dhe të duket sikur në gjol mengadalë do humbasë
Bashkë me lavdinë e dikurshme të harruar
Bashkë me buçimën e tambureve luftarakë.
Do humbasë në Joaninën e re me neon,
Nën valët e veturave që shkasin asfalteve
Nën hotelet moderne “Ksenia”, “Palladion”.
Nën tingujt e kambanave dhe këngët e psallmeve…
Liqeni i Janinës – luginë plot me ujë
Përkundet i përgjumur në mjegullën mëngjesore.
Që tej sinorit me tela vijnë stërnipat e Pirros
Dhe kalojnë kryeulur nën rrepet e shetitoreve
Me një mendim të heshtur, me një brengë përvëlonjëse.
Një emër çam
Mbesën më të vogël e quajnë Stela
Nipi mban emrin krenar Ilir
Në kohën tonë ne s’vinim kësi emra
Po tani kohë e re emra të rinj
Vetëm bëj çudi si s’më është kujtuar:
Kishim në Çamëri dhe një copëz tokë te sheklgulet
Dhe një krua tek pylli që rridhte si rrungala
Si s’më është kujtuar, një nipi a një mbese
T’i vinja emrin e tokës, emrin e kroit t’i vinja!
Fëmini
Më përkundi nëna në djepin e vjetër
kur lufta i përkundëte vërtet si dallgë
Nina-nanat e nënës nuk i mbaja mënd
mes krismave gjëmimeve humbiste zëri i saj
Edhe fytyrë e dashuri mezi më kujtohej
Ndaj kur zbrita nga djepi iu përkula mbi varr
Po dheu i zi ma fshehu nga sytë përgjithmonë
Dhe zura të qaja me dhembje dhe mall.
Braktisje
Arbëreshët morën drejt perëndimit
Ne morëm drejt lindjes dhe veriut
Mbete i braktisur ti, jugu ynë i ëmbël
Ikëm e të lamë si në ëndërr.
Busti i një djaloshi çam të vrarë
Unë do ju shfaqem në errësirën me mjegull
profil i ngritur plot dhimbje dhe përbuzje.
Për mua s’do ju tregojnë gjë yjet, as erërat
as shndritjet e bronzëta të siluetës sime.
Për mua do dëshmojnë vetëm plagët e mia,
Për mua do dëshmojë vetëm vdekja ime.
