Poezia e Eseninit vjen në shqip nga Arqile Garo

Sergej Esenin: NË BRIGJET E BOSFORIT UNË S’ KAM QENË
Në brigjet e Bosforit kurrë nuk shkova,
ndaj mike mos pyet se qysh e ku,
në sytë e tu unë detin e zbulova,
me xixëllima dhe reflekse blu.
As në Bagdat kam shkuar ndonjëherë,
nuk bleva as këna e as mëndafsh.
Ndaj ule kurmin tënd edhe më lerë,
të ëndërroj në prehrin tënd plot afsh.
Nëse mendon se shumë po të kërkoj,
dhe mburravec të dukem, a disi,
pyet dhe do ta marrësh vesh besoj,
se jam poet i shquar në Rusi.
Një uverturë në dysh shpirtin ma ndan,
aty ndën hënë ca lehje qensh dëgjoj,
unë vendin tim të blertë dhe të paanë,
tek ty, hyjni persiane, e ofroj!
Këtu unë erdha jo nga dëshpërimi,
por ti më ftove, pa e ditur vetë,
dhe porsi mjellmë që kthehet nga verimi,
me të dy flatrat më mbështolle lehtë.
Nga fati im veç paqen kam kërkuar,
jetën e shkuar s’ e mallkoj, paçka.
Për vendin tënd gazmor e të bekuar,
po deshe më trego dhe ti diçka.
Melankolinë nga zemra ime fshije,
më mbush me frymë, me një magji të re,
të mos mendoj porsi meit në hije,
për siberianen, tej Veriut me re.
Në brigjet e Bosforit unë s’ kam qenë,
por do t’ i fantazoj veçse, për ty,
janë sytë e tu si deti kur shkëlqen,
një dallgëzim i zjarrtë dhe ne të dy.
1924
Shqipëroi: Arqile Garo.