Albspirit

Media/News/Publishing

Milazim Krasniqi: SI TA RIBËJMË KOMBIN NË REALITETET E REJA?

Vitin 2024 do ta kujtoj për mirë qoftë dhe vetëm për faktin se me librin tim “Postkolonialia”, e kam hapur një temë të injoruar a të fshehur. Idenë e tij dëshiroj ta ndaj edhe me ju në këtë fundviti, me dëshirën që të na shërbejë për vitet në vijim. Titulli “Postkolonialia” shenjon gjendjen postkoloniale të njeriut shqiptar të Kosovës. Pra, njeriu i dalë nga robëria, nga pozita koloniale, është në situatë të meditojë, të reflektojë për gjendjen në të cilën ka qenë dhe për pasojat që ajo gjendje ka lënë në jetën e tij. Dhe më tutje të aftësohet që ta planifikojë të ardhmen e vet, si njeri dhe si komb i lirë.

Nuk jam i sigurt se njerëzit tanë dinë shumë për gjendjen postkoloniale, edhe pse jetojnë brenda centriufugës së saj marramendëse. Pse nuk dinë? Sepse shkenca dhe artet, mediat e universitetet  ndër ne, ende nuk janë marrë seriozisht me këtë problem. Ne ende nuk e kemi kuptuar rëndësinë që ka studimi dhe njohja e asaj përvoje që kemi kaluar nën sundimin kolonial serb. Disa njerëz ndër ne, me mendësi ende janë brenda gjendjes koloniale, ndërsa pjesa tjetër, pjesa dërrmuese, sillen sikur nuk kanë qenë kurrë viktima të kolonializmit. Këta të fundit e kanë përbrendësuar një lloj triumfalizmi dhe me të tentojnë të fshehin pasojat dhe traumat që ka lënë në jetën e tyre okupimi dhe sidomos spastrimi etnik i viteve nëntëdhjetë. 

Në realitetin shkencor, kulturor, medial e akademik, gjendja postkoloniale është kohë e reflektimit për atë që i ka ndodhë individit e kombit, i cili ka qenë viktimë e kolonializmit. Ajo që sheh njeriu menjëherë në atë reflektim është jeta e dëmtuar e gjeneratave të tëra, të cilat i ka bluar kolonializimi, siç bluan guri i mullirit kokrrat e misrit. Jetët e dëmtuara në rrjedhë të kohëve, nuk ribëhen. Por nëse në gjendjen postkoloniale fitohet vetëdija për atë që ka ndodhë, mund të lehtësohen pasojat dhe eventualisht të bëhet përpjekje më e fortë për të mos rënë në një rast tjetër viktimë e variacioneve koloniale të poshtërimit.

Në librin “Potkolonialia”, në formën e ligjërimit poetik, e kam mbarështruar një reflektim të nuancuar, mbi jetën e dëmtuar në gjendjen tonë koloniale, që nga ajo personale e familjare e deri te jeta kombëtare. Secili njeri që ka jetuar në këtë vend deri në vitin 1999, secila familje shqiptare, i ka dëmtimet e veta nga sundimi kolonial serb. Vetëm duhet të gërvishten kujtimet, kronikat familjare, dokumentet zyrtare dhe del në spikamë dëmtimi, që ka qenë pasojë e barbarisë së kolonizatorit. Të gjithë kolonizatorët janë barbarë, por në një progresion “orvelian” të bizaritetit, disa janë më barbarë se sa të tjerët. Kolonizatori serb mund të konkurojë për lider të asaj liste makabre. Prandaj në disa raste jam detyruar ta formësoj edhe një qëndrim cinik të ashpër ndaj kolonizatorit dhe bartësve të gjendjes koloniale e akterëve kolonialë, si shenjim i triumfit të njeriut shqiptar mbi gjendjen koloniale. Mua më brengos fakti se një çerek shekulli pas çlirimit nga kolonizatori serb, ne ende nuk e kemi ndjenjën e triumfit kombëtar. Për ta ngjallë atë ndjenjë e atë vetëdije, ne duhet të formësojmë një botëvështrim të ri kulturor lidhur me kombin serb e shtetin serb dhe përvojat tona të hidhura njëshekullore nën sundimin e tyre. Duhet ta denoncojmë në të gjitha nivelet shkencore, artistike, mediale e akademike barbarinë e tyre. Brenda atij botëvështrimi ne duhet të afirmojmë përparësinë tonë kombëtare, si komb autokton, si komb paqedashës, si komb në aleancë me botën e lirë. Ne duhet ta ridimensionojmë edhe katalogun e atyre që kanë punuar e luftuar për mbijetesën tonë kombëtare dhe lirinë tonë kombëtare, gjatë sundimit kolonial serb, sepse shumë nga ato figura e ngjarje të periudhave të mëhershme, ne i kemi injoruar e edhe harruar. Ne duhet ta forcojmë pozicionin tonë gjeopolitik e gjeostrategjik, larg iniciativave të vjetra e të reja, që nga pansllavizmi e deri te BRICS. Ne duhet të kërkojmë hapësirat e reja të integrimeve brendashqiptare, në kontekstin e integrimeve europiane e atlantike. Ne faktikisht duhet ta ribëjmë kombin shqiptar në realitetet e reja. Dhe gjithë ky proces kalon pashmangshëm nëpër introspeksionin e asaj që na ka ndodhë nën sundimin kolonial serb.

Fijet kombëtare që na janë këputur në vitin 1912, duhet të rilidhen përfundimisht. Ato fije nuk mund t’i rilidhin politikanë hazarderë e aventurierë si Edi Rama e Albin Kurti. Ato fije duhet t’i lidhin studimet shkencore, veprat artistike, produktet mediale dhe edukimet universitetare.

Unë shpresoj dhe uroj që viti 2025 të jetë vit kthese në këtë projekt. Dhe uroj shëndet e më shumë mençuri për të gjithë ne!

FOTOGRAFI E VARUR NË GOZHDËN E FRIKËS 

Në secilën klasë ishte fotografia e Titos

e gozhduar në mur.  

Tito kishte shikim hetues

sa që dukej se na shihte të gjithëve,

në çdo çast.

Në kokë mbante një kapelë me yll 

dhe veshur e kishte një kapotë të trashë.

Na thonin se ai ishte komandanti suprem

që kishte mposhtë në luftëra

Hitlerin e Musolinin,

ndërsa në paqe edhe Stalinin.

*

Në libra mësonim se çfarë kishte bërë

Në Kumrovc, në Vjenë,

në Rusi, në Zagreb, në Beograd,

si i kishte udhëhequr komunistët në demostrata,

si kishte shpëtuar nga çdo atentat.

*

Mësuesi na thoshte të bënim kujdes në klasë

çfarë bënim e çfarë thonim

sepse Tito e dinte se edhe çfarë mendonim.

*

Na thoshte se Titon duhet ta duam

më shumë se prindërit tanë dhe pikë.

Në rregull mendoja, por ai shikim i tij hetues

pse më ngjallte aq shumë frikë?

Më vonë e kuptova

se edhe fotografia ishte pjesë e programit  

për të nxitë panik.

VETËM ATA TË MARRË ISHIN MBI FRIKËN FITIMTARË

Porezniku*Mirko ishte trupshkurtër,

rahitikë e çalamanë,

fytyrëregjur, një mjeran.

*

Por, porezikun Mirko

e shoqëronin policë të armatosur

që arrestonin burra me plisa

e i fusnin në maricë me një potez,

dhe i shpienin në burg për porez. **

*

Kur hynte Mirkoja në fshat

dukej sikur kishte rënë epidemia:

burrat fshiheshin ku  të mundnin,

gratë nxirrnin pshërëtima,

fëmijët i pllakoste lemeria.

*

Rezistencë bënin

vetëm dy-tre të marrët e katundit.

Ata edhe përballë vetë Mirkos

dukeshin trima e triumfalë

sepse e kishin prekur qëmoti fundin e fundit. 

Vetëm ata ndiheshin të lirë e triumfatorë

Në shtetin kolonizator.

*Tagrambledhësi

** Tatim

CERVENA ZVEZDA A PARTIZANI

A je me Zvezden a me Partizanin

pyesnin djemtë njëri-tjetrin

duke shikuar kërcënueshëm

e duke ngritur zanin.

*

Djem të rinj e të leckosur

që ruanin bagëtinë në kullotë

ishin o me Zvezden o me Partizanin,

si pasardhës të ilirëve kryekëcyem

për gjera që s’u përkisnin

po t’ua prishje, mund ta bënin namin.

*

Natyrisht edhe këta si ilirët e humbur

ishin viktima të kolonizimit

por nuk e dinin djemtë e mjerë.

Atyre që kishin ditur çka nuk ishin

gjuhën kolonët ua kishin prerë. *

“ZHIVELA SRBIJA”

Në nevojtoren e një vagoni treni udhëtarësh

nga Fushë Kosova drejt kryeqytetit të Serbisë,

i cili lëvizte ngathtë, si një karvan gomarësh

ishte ky mbishkrim, si provë serbe e atdhetarisë.

*

Guximtari kish bërë një veprim me vlerë

ndonëse kuptohej se e kish bërë me ngut.

“Zhivela Srbija”* e kishte shkruar në derë,

me germa të përftuara me mut.  

*Rroftë Serbia.

TRENI PËR NË BURGJE

Në trenin Fushë Kosovë-Beograd

gjithmonë kishte shumë udhëtarë

shqiptarë.

Ata mbanin me vete do çanta të mëdha

me rrobe e me ushqime

thua se po shkonin në pushime.

*

Në fakt, ata shkonin nëpër burgjet

e hapërdara anekënd Jugosllavisë,

të ngarkuar me peshën e mallit e mërzisë.

*

Ata shkonin në Nish, në Novi Sad,

në Pozharevc,

Në Stara Gradishkë, në Golli Otok.

Rrugën e shkuarjes dhe të kthimit

Gjithmonë e lanin me lotë.

*

Nëpër ato burgje u mbaheshin pengje

fëmijët, prindërit, vëllezërit,

bashkëshortët dhe shumë miq

që shteti i kishte shpall armiq.

*

Udhëtonin me ata trena, të rraskapitur

dhe shpresonin të mos vdisnin

para se atë shtet të kalbur

si një qen të ngordhur ta shihnin.

(Nga libri “Postkolonialia, Logos A, Shkup, 2024).