Eva Vatoci: Jam tropojane dhe shumë krenare për origjinën time!
Tropoja është një vend që ka dhënë shumë për Shqipërinë dhe ka një histori të pasur e të lavdishme, e cila ka formuar karakterin e njerëzve të saj.
Jemi të dashur, të zgjuar dhe mbi të gjitha, të besës, një besë që është më shumë se një fjalë, është një angazhim i thellë ndaj nderit dhe vlerave të familjes dhe komunitetit tonë. Kjo është ajo që na bën të dallojmë dhe të qëndrojmë të fortë përballë çdo sfide.
Për shumë kohë, ne, tropojanët, kemi qenë objekt i paragjykimeve dhe gjykimeve të padrejta. Njerëzit na kanë parë përmes syve të stereotipeve dhe keqkuptimeve, duke na etiketuar si “të egër” apo “të prapambetur”, pa marrë parasysh se sa të dashur, mikpritës dhe të mençur mund të jemi. Na kanë gjykuar keq, na kanë paragjykuar dhe na kanë “kryqezuar” pa mëshirë, vetëm për shkak të origjinës sonë. Dhe, pavarësisht gjithë kësaj, akoma vazhdojnë të na gjykojnë, të na shohin me sy të ngushtë dhe të na heqin të drejtën për të treguar se kush jemi me të vërtetë.
Por ne nuk i friksohemi paragjykimeve, sepse ne e dimë se vlera e njeriut nuk matet nga ku ka lindur, por nga veprimet dhe ndihma që ai ofron për shoqërinë dhe botën përreth tij. Ne, tropojanët, kemi dhënë dhe do të vazhdojmë të japim shumë per atdheun, përmiresimin e shoqërisë dhe për dashurinë ndaj njëri-tjetrit. Dëshirojmë të njihemi dhe të respektohemi për atë që jemi, për vlerat që mbajmë dhe për historinë tonë të lavdishme.
Mjaft më me paragjykime dhe gjykime të pabaza! Të gjithë ata që na shohin vetëm për atë që na kanë mësuar të shohin, le të ndalojnë dhe të kuptojnë se ne jemi një popull me një shpirt të fortë, me një zemër të madhe dhe me një besë që është themeli i çdo veprimi tonë. Ne jemi krenarë për atë që jemi dhe do të vazhdojmë të mbajmë lart vlerat tona, pavarësisht gjithë atyre që na paragjykojnë!
Tropojanët janë një krenari për Shqipërinë dhe do të mbeten gjithmonë të tillë!