Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: Xhezo Proda, dëshmori i Shqipërisë, krenari e Labërisë

(Kushtuar dëshmorit lab nga Fushëbardha e Krahinës së Kardhiqit Xhezo Dervish Proda (20.9.1926 – 10.9.1944), dëshmor i gjithë kombit shqiptar partizani 18 vjeçar, i Brigadës së Gjashtë Sulmuese që sfidoi moshën, mentalitetin dhe kohën luftoi dhe marrshoi me këmbë për dhjetra beteja çlirimtare. Xhezo Proda ishte pjesë e BrVIS që për 679 ditë u shqua për trimri në luftë dhe fitore ndaj fashizmit. Nga Fushëbardha si pjesë e formacionit luftarak të Br VIS kanë derdhur gjakun për atdhe dhe mbajnë sot titullin e madh “dëshmorë”: Latife Veli Nora, Alem Zano Shehu, Tahir Reis Xhuvani, Kutbi Çelo Gjeçi, Muin Myslim Balashi (nga Mashkullora, por lindur në Fushëbardhë) dhe ishte djali i hoxhës së fshatit) dhe Xhezo Dervish Proda patizani që luftoi dy vjet në formacionet antifashiste shqiptare. Janë emra të gdhendur në historinë e LANÇ-it dhe historinë kombëtare, janë meteorë në qiejt e lirisë. Për Brigadën VI Sulmuese “Hero i Popullit” edhe sot këndohet kënga-himn, “Dil nëno të shikosh jashtë,/ si lufton brigad’ e gjashtë”, një epope lirie e shkruar me gjak nga 1700 luftëtarët e saj, ku 220 ranë në fushën e nderit dhe 540 partizanë u plagosën. Ky shkrim u dedikohet njëmbëdhjetë dëshmorëve të lirisë që ranë në një ditë, të dielën më 10 shtator 1944 në Labinot të Elbasanit: Xhezo Dervish Proda, Balil Meto Peçi, Merdan Nevruz Kalemaj, Luto Tefik Çani, Sulo Ceno Baka, Halil Sadik Halilaj, Neki Maksut Hasani, Bajram Hysen Lalaj, Riza Belul Çani, Jonuz Bajram Balilaj, Tefik Hazbi Selaj).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Xhezo Proda i lindur në prehërin e traditës luftarake dhe djepin e mençurisë labe

Në djepin e mençurisë dhe trimërisë mes maleve labe është lindur 98 vite më parë Xhezo Dervish Proda. Ai erdhi në jetë në vjeshtën e parë (20 shtator, ditën e hënë) të vitit 1926, në vatrën e Prode në lagjen e Onjere në Fushëbardhë. Xhezo Proda rridhte nga një familje fushëbardhase me tradita luftarake, patriotike e atdhetare. Nga fisi dhe trungu familjar i Xhezos në vijimësi kishin luftuar me pushtuesit sa herë binte kushtrimi i luftës. Ato pak klasë fillore i mori në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Çizmja e rëndë e pushtimit kishte pllakosur si në çdo fshat të Labërisë, edhe në vendlindjen e tij, Fushëbardhën. Mjedisi familjar megjithë hallet e kohës ishte një unitet brezash, unitet familjar dhe të përbashkuar me bashkëfshatarët e bashkëkrahinorët e dy krahinave të Kardhiqit dhe të Rrëzomës nëpër shekuj në luftrat për liri, pavarësi dhe çlirim nga pushtuesit osmanë, grekë, italianë, austrohungarezë e deri nazifashistët gjermanë. Në trungun familjar të oxhakut “Proda” janë të njohur në Fushëbardhë Kapo Proda me katër djemtë Ismaili, Dervishi, Fetani dhe Shemsiu. Kapua ishte martuar me Hatemen nga fisi Logli i Zhulatit. Ismaili Ishte martuar me Hazbije (Bije) Baze nga Peshtani i Tepelenës dhe kishin katër fëmijë dy djem dhe dy vajza: Aliun, Kasëmin, Sheko, Safife, si dhe Hazbon (me gruan e parë). Dervishi (Xhako i flisnin) ka qenë martuar me Zejnebi Bijo/Proda me të cilën lindën katër djem e dy vajza: Xhezo, Afife, Babuden, Siadete, Ulsi dhe Vehipi. Fetani martuar me Aleme Muçaj/Proda nga Vergoi; lindën dy djem Sherifin dhe Kapo si dhe tri vajza: Gaze, Haxho dhe Bezene. Shemsiu ka qenë martuar me Neko Shalari dhe patën dy djem: Tajarin, Lumanin. Pasi ndërroi jetë Nekua, Shemsiu u martua me Alemen nga Zhulati dhe lindën Xhemalin dhe Barjamin. Në rrethin më të afërt familjar të dëshmorit Xhezo Proda ishin tre vëllezërit dhe dy motrat e tij. Dervish Proda dhe Zejnebi Bijo/Proda i mëkuan bijtë e bijat e tyre me dashurinë për Atdheun dhe me etjen për liri, por edhe pasi ra në fushën e nderit biri i tyre gjithë pasardhësit mbajtën lartë idealet patriotike dhe atdhetare sikurse ishin dhe mbetën atdhetarë: Afifja që u martua me Shefqet Golemin lindën Iblo, Shpëtim, Drita, Sabihe; Babudeni me Bele Cama/Proda lindën Republika, Dervish, Telha, Xhuljeta, Trifon dhe Kristina; Siadetja dhe Dervish Biro lindën Zurhanë dhe Eli; Ulsiu me Xhemo Hoxha/Proda nga Vergoi lindën Agimin, Fatmirin dhe Margaritën; Veipi me Theodhorën lindën Erjonin dhe Rudinën. Faktet vijnë nga kujtimet e nënës së dëshmorit Xhezo Proda, Zejnebisë që tregonte: “Kur lindi Veipi në shtëpinë tonë ishte gjëmë e madhe sepse 3 muaj e gjysmë më përpara ishte vrarë Xhezua në Labinot…vetëm gjyshja Hatua kujdesej për vëllanë …Xhakua e donte për mendje të kokës…i urtë, punëtor, i zgjuar, i dashur..i pjekur para kohe, i vendosur si Xhakua (i ati) ..lufta mori djem në qemal dhe ajkën e djalërisë edhe për Fushëbardhën e Labërinë”. Një oxhak i madh me rrënjë lisi me vlerë trashëgimie atdhetarie, që i bëjnë nder fshatit, trevës labe. Nga të gjithë fëmijët e Dervish Prodës, vetëm Xhezua “u martua” me lirinë dhe ngeli në përjetësi si meteor ndriçues e frymëzim për brezat. Kur lindi Xhezua Shqipëria jetonte “Republikën e parë”. Xhezua i etur për dije mësoi shumë që fëmijë për vendin e sapo dalë nga një kompleksitet ngjarjesh të pavarësisë së shtetit të 1912-tës, të luftës me andartët (1913-1914), ku dha jetën edhe komandanti i çetës së Fushëbardhës në Skërficë Halil Huto Sullo/ ose Proda sepse Sullajt dhe Prodajt ishin nga një “vatër-zjarri” të një oxhaku. Xhezua mësoi edhe për Luftën e Madhe (1914-1918), ku shkeli këmba e mbi 250 mijë ushtarëve të 7 ushtrive të huaja, të ngjarjeve madhore të Kongresit të Lusnjës dhe Luftës së Vlorës të 1920-ës, ku nga çeta e Fushëbardhë me 78 jataganë/luftëtarë ishin edhe djemtë e oxhakut “Proda”, luftëtarët e fisit të Xhezos ishin babai i tij Dervish Proda, Xiflo Proda, Jupe Proda etj., për Fushëbardhën e Fushëvërrinë. Familja ku erdhi në jetë Xhezua ishte e nderuar dhe e respektuar në fshat dhe krahinë, por vlerat ja shtoi edhe më shumë gjaku i derdhur për lirinë e Shqipërisë, duke konsoliduar vijimësinë patriotike të fisit.

Xhezo Proda – luftëtar lirie që në moshën 16 vjeçare

Xhezo Proda u bë pjesë e formacioneve partizane që nga fillimi i krijimit të formacioneve partizane. Prushi i zjarrit të luftës partizane ishte ndezur pas pushtimit në të gjithë Shqipërinë. Sikurse në të gjithë vendin në fshatin e Xhezos, në Fushëbardhë më 12.12.1942, u krijua formacioni i parë partizan çeta partizane “Çerçiz Topulli” ndër të para çeta partizane në Shqipëri, kur Xhezo Proda ishte vetëm 16 vjeç. Kujtimet e shkruara nga Resul Bedo dhe Islam Idriz Poçi janë të gjalla për Xhezon që transmetohen që kur Xhezua u aktivizua me rininë antifashiste, me çetën, batalionin partizan, kur shpërfillën vitetet e pakta të moshës, kur shkoi vullnetar në çetë e në batalionion “Asim Zeneli, kur mori pjesë në të gjithë luftimet e batalionit, kur u shqua për trimëri dhe guxim, kur u përbashkua dhe u rreshtua me forcat e BrVISulmuese”. Bashkëfshatarët dhe bashkëluftëtarët kanë shkruar epopenë e madhe të luftës, luftimet e përgjakshme, përballjen e Xhezo Prodës dhe luftëtarëve të tjerë me topat e mitralozat, me autoblindat dhe pajisjet më moderne të kohës nga ana e pushtuesve nazifashistë. Në luftën e përgjakshme të tre ditëve të Labinotit ku forcat e tre batalioneve gozhduan autokolonat armike por ndërkohë që pushtuesi la shumë të vrarë (që i ka deklaruar vetë), forcat partizane patën 11 heronj lirie, përfshi dhe djalin 18 vjeçar nga Fushëbardha Xhezo Proda. Në Labinot përfundoi aktivitetin luftarak Xhezo Proda, pjesëmarrës në katër formacione partizane, dhe në të gjitha luftimet nga Fushëbardha në Elbasan. Në luftimet e brigadës së gjashtë sulmuese në Labinot u vranë 11 partizanë meteorë lirie: Xhezo Proda, Balil Peçi, Luto Çani, Sulo Baka, Halil Halilaj, Neki Hasani, Bajram Lalaj, Riza Çani, Tefik Selaj, Jonuz Balilaj, Merdan Kalemaj dhe u plagosën 21 të tjerë. Gjurmët e 11 dëshmorëve të Labinotit zënë një vend nderi në rrugëtimin luftarak dhe historikun e brigadës së gjashtë sulmuese. Në këtë luftë u plagos për vdekje dhe Arif Bizhga (nga Kaparjeli), që për momentin u përllogarit si “i vdekur”, por lëvizja e gishtave e shpëtoi dhe u mjekua si dhe jetoi gjatë. Arifi që ishte shok i Xhezos, ngeli invalid lufte, pasi e çuan urgjent në shtëpinë e Sami Bahollit, ku shërbente mjeku italian, Mario, i cili e pa “të vrarin” dhe tha: “është shumë rëndë është, por do bëjmë çmos ta shpëtojmë”. Në fakt shok i armëve të Xhezos jetoi për të treguar epopenë e trimërisë së bijëve të Labërisë në betejën e Labinotit. Luftëtarët e rënë u varrosën në Labinot me një ceremoni solemne ku mori pjesë edhe populli i fshatit Labinot. Në xhepin e dëshmorit Xhezo Proda shokët i gjetën një letër që e dërgonte nëna e tij: “Bir i nënës, Xhezo. Po bëhet mjaft kohë që s’të ka parë nëna e shkretë. M’u dogj zemra jemi dit e netë në zjarr, po as unë as nënat e shokëve të tu nuk trembemi. Bjeruni fashistëve, se na shkretuan vendin, që u shkretofshin dhe një mos mbetë.. ”. Për luftën e Labinotit është folur e shkruar shumë ndërsa ka shkruar edhe ish oficeri nazist gjerman në këtë luftë Herman Frank: “Aty ka më shumë humbje se sa në njësitë e angazhuara në luftë kundër çetave. Spitali në Elbasan është mbushur plot me të plagosur dhe të vrarët nëpër varreza si vijnë dhe shtohen” (Herman Frank, “Bandenkampfe in Albanien”, Heidelberg, 1957, faqe 91). Luftimet në këtë periudhë në Labinot drejtoheshin nga komandant Jaho Gjoliku dhe komisar Haki Toska. Fakt është se lufta antifashiste partizane në Fushëbardhë, në fshatin e Xhezos gjeti shtëpinë e saj të lirisë, pasi Fushëbardha u hodh masivisht në luftë për liri dhe çlirim, me mbi 120 partizanë nga të cilët 15 ranë dëshmorë të pavdekshëm të lirisë. Në Fushëbardhë gjatë luftës u krijuan Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar (10.11.1942), çeta “Çerçiz Topulli”(12.12.1942), Komanda e vendit, depot e ushqimit dhe municionit,  Spitali partizan, Këshilli i Gruas Antifashiste (17.1.1943), batalioni teritorial i krahinës së Kardhiqit, me komandant Karafil Bello. birin e krahinës të fshatit Fushëbadhrë (Cepo më 31.7.1943); batalioni “Abaz Shehu” (12.12.1943), pasi ndarjes me batalionin “Asim Zeneli” që ishte krijuar tek rrepet e Kardhiq-Prongjisë (7.8.1943). Pas vrasjes së komandanti të batalionit të  rinisë Karafil Bello më  2 shkurt 1944 tek te Çuka e Kuqe në Senicë, batalioni i rinisë u bë pjesë e Grupit të parë partizan të ZIOp dhe u emërtua batalioni “Karafil Bello”. Gjithë zhvillimet në Fushëbardhë Xhezua i ndoqi deri në ditën që u shua, pasi shpirti dhe mendja e tij ishte trupëzuar me vendlindjen. Fushëbardha me rrënjë të thella të lirisë, e donte Xhezon dhe gjithë dëshmorët e saj në tokën e vet, por vendimet e kohës ngritën varrezat e dëshmorëve të rrethit, ashtu sikurse janë 36 grup-varrezash të dëshmorëve në të gjithë Shqipërinë. Përpjekjet për të marrë seshtrat u bënë nga babai i tij Dervishi që në vitin 1947, që kishte kërkuar të merrte eshtrat e djalit në Labinot të Elbasanit. Kohët kishin ndërruar. Nuk praktikohej më tradita zakonore e varrimit të dëshmorëve, “ku i zinte balta”. Kështu që një vit më vonë, më 1948 i vëllai i dëshmorit, Babudeni shkoi në Elbasan. Katër vite e kishte ruajtur toka të patretur, si duket amaneti i lirisë. Ai shprehej: “unë isha i madhi, megjithëse Xhakua e trajtonte Xhezon si të madh që kur ishte i vogël;…kur e ngritëm nga toka eshtrat e tij m’u duk sikur më tha: “ç’bëni more se më dërmuat! Xhezon e pashë edhe një herë si të gjallë”.

Brigada partizane e Xhezo Prodës, Brigadë “Hero i Popullit” (26 janar 1944)

Në Fushëbardhë në tetë dekada për brigadën e gjashtë sulmuese ose “Brigadën e Labërisë”, thuhej “Brigada ku luftoi Xhezua, Alemi, Tahiri, Kutbiu, Latifeja…”, ndërkohë që brigada ishte sikurse është etiketuar, “Brigada që tundi dhenë,/në popull ngriti folenë,/atje jataku dhe shpirti,/lavdinë më lartë e ngriti,/… Brigada e VI-të u themelua nga shkrirja e çetave “Çerçiz Topulli”, “Hajredin Tremishti”, “Avni Rrustemi” dhe “Toto Bolena”, edhe pse fakt është se brigada u krijua mbi bazën e 4 batalioneve. Me këto çeta u krijua batalioni “Asim Zeneli”. Brigada VI sulmuese ishte formacion lavdie i UNÇSH-së, që gdhendi emrat e partizanëve dhe dëshmorëve në historinë e kombit tonë. Batalioni “Asim Zeneli” i krijuar në rrepet e Kardhiqit e Prongjisë më 7.8.1943, batalioni “Baba Abaz” krijuar në Kalivaç të Tepelenës më 10.8.1943, batalioni “Naim Frashëri” në Garzema të Përmetit më 21.9.1943, batalioni “Abaz Shehu” i krijuar më 12.12.1943 në Fushbardhë, pas ndarjes së batalionit “Asim Zeneli”, si dhe batalioni i pestë ishte batalioni partizan “Zaho Koka”. Partizanët e këtyre batalioneve kishin marrë pjesë në luftimet kundër forcave fashisto-naziste si në Cepo, Ura e Kardhiqit, Libohovë, Shkallë të Zezë, Tepelenë, Mezhgoran, Kiçok, Rrëzomë, Kurvelesh, Mesaplik etj, u përfshinë në BVI Sulmuese, përveç batalionit “Misto Mame”, i cili u inkuadrua më vonë në brigadën VIII Sulmuese. Këto batalione kishin përshkuar një rrugë të vështirë e të lavdishme luftarake. Ato i kishin shkaktuar armikut qindra të vrarë, të plagosur e robër, kishin kapur shumë materiale luftarake, armë automatike, pushkë, topa, murtaja e municione të shumta. Formimi i brigadës VI Sulmuese gëzonte jo vetëm partizanët, por edhe popullin e qarkut të Gjirokastrës. Në thirrjen e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Qarkut thuhej: “Edhe në Gjirokastrën tonë të çeçove të vejtër e të rinj, do të formohet Brigada VI Sulmuese. Ata që përbëjnë këtë brigadë janë djemtë e krahinës dhe të qarkut tonë, që me gjakun e tyre kanë çliruar zona të tëra e do të vazhdojnë për ta shkatërruar armikun plotësisht.”. Brigada e VI Sulmuese “Heroinë e Popullit”, që numëronte 912 partizanë nga të cilët 120 vajza e gra dhe 60 ponierë lufte, ndërkohë që efektivi i saj u rrit në 1700 luftëtarë.  Drejtuesit e brigadës e shkruan biografinë e tyre me luftime të përgjakshme, por të sukseshme. Në kohën e krijimit BrVIS kishte: komandant Tahir Kadareja, nënkomandant Jaho Gjoliku, komisar Mustafa Matohiti, zv/komisar Haki Toska; më seksionin politik Adil Çarçani, Zihni Sako, Sami Gjebero, Siri Çarçani, Vangjelo Sotiriadhi, intedentë Hetem Pogaçe e ndihmës Braho Toto, për shëndetësinë Nedin Kalanxhi, ndihmësmjek, për ndërlidhjen Muhedin Bakiri, komandant batalionesh ishin Riza Veipi, Sadik Buzo, Fejzo Ismaili, Feti Bubsi, Maksut Myrtaj, nënkomandantë batalionesh Astrit Nishani, Musa Daci, Mustafa Asllani, Meleq Gostinishti, zëvendëskomisar batalionesh Ago Çeli, Veledin Zeneli, Petrit Radovicka, Mitro Xhani, Abdul Hakiu, Asaf Dragoti,..e kuadro të tjerë si Sotir Filto, Xhule Çiraku etj, që spikatën në betejat e shumta të kësaj brigade. Lufta e partizanëve të BrVIS çliroi 8 qytete e 32 krahina, që përmes luftimesh të përgjakshme të 5 batalioneve të saj në një rrugëtim historik luftimesh prej 3700 km ndoqi nazistët deri në Vishegrad, por la në fushën e nderit 220 “Dëshmorë të Atdheut” dhe 10 “Heronj të Popullit” që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë, por që pati edhe 540 partizanë të plagosur disa nga të cilët ndërruan jetë nga plagët e marra në luftë dhe që në bazë të ligjit meritojnë titullin e lartë “Dëshmor”. Nga Fushëbardha ka pasur me dhjetra bijë e bija që kanë ngelur emra të gdhendur në historinë kombëtare, ku vetëm nga Fushëbardha kanë rënë dëshmorë nga formacioni i BrVIS: Alem Zano Shehu dhe Tahir Reis Xhuvani (15.4.1944), Kutbi Çelo Gjeçi (25.7.1944), Xhezo Dervish Proda (10.9.1944), Latife Veli Nora (25.3.1945) në Suhagorë të Bosnjë Hercegovinës. BrVIS ishte formacion nga më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u shndërrua në simbolin e rezistencën antifashiste të shqiptarëve. Me betejat e zhvilluara kjo brigadë shkroi me gërma të arta historinë e saj. Shqipëria ishte ndër vendet e para të Europës që u çlirua tërësisht nga pushtuesit nazifashistë, si një meritë të padiskutueshme i takon partizanëve të Brigadës VI Sulmuese, që u bë Brigada epope lavdie e LANÇ-it, që luftoi 308 ditë lufte në Shqipëri dhe 371 ditë të tjera lufte në ish-Jugosllavi. Nuk është e rastit që analistët e luftrave thonë se, “pa LANÇ-in, nuk do ekzistonte Shqipëria”, pasi epopeja e luftrave në botë ka fshirë mjaft kombe e popuj nga faqja e dheut. Ndërkohë që epopeja shqiptare e luftës çlirimtare dhe antifashiste është çimentuar me gjakun e dëshmorëve të Fushëbardhës, Labërisë, gjithë Shqipërisë. Brigada ku luftoi Xhezo Proda lindi u rrit dhe u konsolidua në zjarrin e betejave për liri gjatë LIIB, ku UNÇSH shkroi historinë e një prej luftrave më të organizuara të shqiptarëve, që vendosi shqiptarët në anën e duhur të historisë, përfshi librat e historisë së evropianëve dhe euroatlantikasve si lufta e përbashkët antifashiste çlirimtare e popujve. Prandaj dhe oshëtima e këngës vazhdon: “Dil nëno dhe shiko jashtë,/si lufton Brigada e gjashtë./Trimat tanë të Shqipërisë,/sollën dritën e lirisë,/në këtë tokë plumb të rëndë,/me mençuri, pushkë dhe këngë.. Është kjo arsyeja që epopenë madhështore të çlirmitarëve nuk mund të nëpërkëmbë asnjë lloj ferre që ka në thelb antishqiptarizmin. LANÇ-i në historinë e kombit ishte dhe do ngelet e ndritshme në historinë e shqiptarëve sepse mbi të gjitha është gjaku i dëshmorëve në rrënjët e lirisë.

Në Fushëbardhë të Labërisë ku bashkëudhëtarë janë historia, atdhetaria, kombi

Dëshmori Xhezo Proda jetoi pak por la gjurmë të thella në memorien krahinore dhe kombëtare si pjesë vitale e antifashizmit shqiptar. Xhezua mësoi shumë për Fushëbardhën e tij të dashur nga prindërit e tij të mirë. Kështu që kur qe fare fëmijë mësoi se, Fushëbardha një fshat i Labërisë mes malesh, ishte një djep mençurie, trimërie e lavdie në krahinën e njohur të Kardhiqit`, e lidhur pazgjidhshmërisht me krahinën e përtej qafës së Skërficës, me Rrëzomën. Njerëzit janë si malet, të rrahur mes erërash e rrebeshesh të kohës, që historia i vuri përballë sfidave të shumta. Fushëbardha ka një terren karakteristik me kodra, lëndina, ujëra, male që i rrinë si kurorë fshatit. Me shumicë në këtë fshat gjenden edhe gjurmët më epike, histori të shkruara, të thëna dhe të pathëna, me episode legjendare, me njerëz të mençur, të besës dhe të fjalës, që përbëjnë krenari të dukshme labe e kombëtare, vendi i vatrave të ndezura, vendi ku përkunden ëndrrat, i mirësisë, ku ka mbetur dhe do mbetet në piedestalet e kujtesës njerëzore e krahinore, ngjarjet, tragjeditë, hallet e kohës, sfidat, perspektiva. Kushdo në Fushëbardhë dhe jo vetëm  i “lexonte” shekujt të shkuar nëpër luftra, prandaj kanë një traditë të pasur e të çmuar, sikurse kanë traditë në mençuri, në punë, në kuvende dhe në përballimin e halleve e brengave të jetës. Shtëpitë janë të mbledhura në shtatë mëhalla tej e këtej lumit, që e ndan dhe e përbashkon fshatin që shtrihet mes bardhësisë, kaltërsive dhe gjelbërimit. Ky lumë bashkë me përrenjtë që e “furnizojnë në prurje” janë paksa të “krisur e kokëshkretë”, të rrëmbyeshëm, që popullsia e fshatit ja njeh “huqet” dhe historitë e çuditshme, ja njeh këngët e vajet e jetës, ja ka parë sherret me përmbytje e dëme, si dhe kapërcimin e mundësive të kontrollit këtej e matanë kufirit normal. Nga fundi i Hingës tek gryka e Shurit është lëmi i halleve, brengave, sfidave. Njerëzit dinë t’i mbajnë dhe t’i përballojnë njerëzishëm dhe në mënyrë të fisnikëruar gjithë sfidat. Fiset e Fushëbardhës janë të shumta, shtrihen në një fushë të bardhë nga zalli i bardhë i lumit, një fushë e bardhë që e ka vendosur vetë emrin. Banorët e mençur të Fushëbardhës sikurse gjithë treva e Cepos, krahinës së Kardhiqit dhe mbarë Labërisë janë të përhapur anë e mbanë Shqipërisë, ndërsa sot janë “banorë të planetit”, pothuaj në të gjitha kontinentet. Punën, jetën dhe sidomos shkollimin e quanin “detyrë dhe detyrim për të gjithë”, prandaj i janë “qepur” fuqishëm dhe kanë mundësuar që ta rregullojnë disi jetën. Askush në këtë fshat nuk ndihet si “njeri pa njeri”, as të rënët e shumtë, që ranë për ideale të larta si: Xhezo Proda, Latife Nora, Karafil Bello, Sami Golemi, Tahir Xhuvani, Alem Shehu, Baxhul Nora, Zijadin Çarçani, Kutbi Gjeçi, Nishat Kondi, Gazi Kondi, Cirok Cama, Destan Nora, Mato Mato, Tajar Proda, 15 dëshmorë vetëm të LANÇ-it. Ata janë në qendër të fshatit, përjetësisht të gdhendur në memorial, që “presin” dhe “përcjellin” njerëzit, por dhe kohët e stuhishme të lavdisë që nuk harrohen dhe perspektivën e re të zhvillimit të këtij fshati. Nuk është e rastit edhe letra e ngushëllimit që ish Kryeministri Adil Çarçani (bashkëluftëtar me Xhezo Prodën gjatë luftës) i dërgoi më 11.2.1985, vëllait të Xhezos, Hulsiut për humbjen e nënë Zeneibisë, “..ishte njeriu i dashur jo vetëm për zemrat tuaja, por edhe për të gjithë ne që e njihnim dhe e donim shumë.Ajo qëndroi gjatë LANÇ-it me vendosmëri dhe me gjithë dëshpërimin që pati me humbjen e Xhezos, nuk u ligështua, por vazhdoi deri në fund me trimëri..”. Dëshmi e njohur e luftës ishte takimi i fundit me familjarët i Xhezos në prill 1944 kur BrVIS kryente veprime luftarake në Rrëzomë deri në Bajkaj, kur nëna i thotë, Xhezos së fejuar, “nëse vritësh nusen o Xhezo do ta marrin bota”. Amaneti i tij ishte: “nëse vritem kam vetëm një amanet: nusen le ta marrë një partizan”. Kështu ndodhi në të vërtetë. Fakt është se vdekjen e Xhezos në fushëbetejë u mësua në nëntor 1944, kur vëllai i tij Hulsiu ishte me bagëti në Vale të Zhulatit tek Kroi i bardhë dhe vaji ishte çelur tek shtëpia e Ali Prodës sepse shtëpia e Dervish Prodës ishte e djegur. Ndërkohë që në shtator deri në nëtor dhjetë vetë të caktuar nga Komanda e vendit në Fushëbardhë transportonin materiale luftarake e ushqime për partizanët si Ali Proda, Ulusi Proda, Fero Golemi, Namik Veliu, Bajo Onjea, Nazif Kondi, Shaban Mema, Qerim Proda, Eqerem Miho dhe Hodo Basho që ishte plagosur në dorë në Pilur dhe që Komanda partizane kishte vendosur ta dërgonte në Bari të Italisë për kurim në Shtabin Aleat të Mesdheut. Skuadra që transportonte municion kryeshisht nga gryka e Palermos në Vumlo të Pilurit dhe më tej në Kuç të Kurveleshit. Një kontribut i çmuar dhe i shquar për luftën i Fushëbardhës, që zor se shkruhen të gjitha detajet e saj. Fushëbardha është fshati i 62 dëshmorëve dhe të rënëve të njohur juridikisht dhe të përfaqësuar në qendër me dy lapidarë: një për luftën e 1914-ës dhe një të dëshmorëve të LANÇ-it. Për Dëshmorët e lirisë flet historia. Dëshmorët nuk kanë punë me “zyrat shtetërore”, “tufat shkresore, nenet e ligjet, vendimet, nuk kanë nevojë për “mbrojtje”. Dëshmorët si Xhezo Proda e bënë veprën e tyre për së gjalli, nuk interesohen se “sa i gjatë të jetë litari”, kur gjuha e të gjallëve ia kalon çdo litari. Dëshmorët bënë historinë me gjak. Ata falën jetën pa temenara, pa kërkesë, por me dëshirë e vetëdije atdhetare, ndërkohë që për ditët tranzitive që rrodhën në Shqipërinë tonë Dritëro Agolli i madh thoshte: “E mira dhe e keqja flenë nën një jorgan, por çështja është se zgjohen në kohë të ndryshme..”. Në Labëri ndoshta ka fshatra me një “shoshë” qiell, por njerëzit e kësaj treve janë të fortë si shkëmbi, trima dhe të besës me shtëpi kala, që në luftra u thoshin “shtëpi pushke, me karakteristika të rralla unitetin, që për luftën antifashiste merituan dekoratat e Trimërisë, Kujtimit dhe të Çlirimit, duke lartësuar krenarinë kombëtare. Trungu familjar i fisit Proda është një prej 56 fiseve të Fushëbardhës, është pjesë e vetëdijes, rezistencës, trimërisë, mençurisë të Fushëbardhës, Cepos, Krahinës së Kardhiqit dhe Rrëzomës bashkë, Labërisë. Oxhaku i Prode ka nxjerrë bijë e bija që me vititë dhe virtytet e tyre janë trupëzuar me mëmëdheun, atdhetarinë, kombin, kanë qenë dhe kanë mbetur misionarë të shqiptarizmës.

Xhezo Proda dhe dëshmorët e tjerë të fshatit në këngët dhe përjetësinë popullore

Xhezo Proda i plagosur rëndë do diktonte fjalët e fundit për nënën: “Nënë e dashur, ndoshta nuk do ta shikosh më birin tënd, por e di që ti do të qëndrosh kryelartë si dhe nënat e tjera shqiptarë, që humbën bijtë e bijat e tyre në luftë dhe të jesh krenare se biri yt vdes si një partizan…”. Bijua (kështu i flisnin në fshat nënës së dëshmorit Xhezo Proda), e vajtonte djalin e saj: “Luftë e madhe atë ditë,/ luftuat me pushkë e thikë,/Ç’të të them Xhezo o djalë, / Të mori plumbi gjerdanë,/ zorrët në shesh të ranë,/ gurët në gjak u lanë, /Xhezair bir o bir!” Për Xhezon kënduan këngë dhe në Labinot: “Lule, Xhezo Proda, pushka jote top”, në gazeta e revista emri i tij ishte emër krenarie. Poeti Zeqir Cama në gjashtë strofa ka derdhur talentin e tij për dëshmorin Xhezo Proda: “Plag’e vetme qe e rëndë, Ndër dy brinjë si goj’ e kuqe,/ E mbajte shpirtin me dhëmbë,/Për të bërë ca rrugë tutje,/Batalioni mori urdhër,/Të nisej dy orë pa gdhirë,/Trupi yt si nur i bukur,/Në krah shokësh rrinte shtrirë,/Një nga një të gjithë me radhë,/ gjetën kohë dhe bënë betimin,/ Bashkëfshatarët në Fushëbardhë,/ Gjer aty nuk mund të vinin,/ Të merrnin pak në duar,/ Se i kishte marrë malli,/Të qafosnin përmalluar,/Xhezo Ylli, Xhezo djali!.. more Xhezo bukuria..”. Ndërsa në “Kënga e dëshmorëve të fshatit Fushëbardhë”, kënduar nga Guro Golemi/Resuli (bijë e dëshmorit Sami Golemi): “Ç’ligje ligjërove,/Ti moj Fushëbardhë? /Prite e ç’nuk prite,/ Pesëmbëdhjetë të vrarë../ Ç’i tha nëna Xhezos, Gjith’Prodajt ç’i thanë?/djalë hallall gjinë,/ se re për vatanë..”. LANÇ-i ishte dhe mbetet epopeja më e lavdishme e të gjitha luftërave që kanë zhvilluar shqiptarët shekujve dhe padyshim nuk ka forcë që ta fshijë nga historia, rrezet e së cilës flakërojnë bindshëm mbi të gjithë ata që kanë sy e veshë. Sikurse thekson profesori Nexhip Alpan, bashkëfshatar i Xhezo Prodës: “Dëshmorët përbëjnë themelin e ekzistencës së kombeve të një populli e vendi, dhe se shqiptarët janë më i hershmi i viseve të Ballkanit, tërë jetën e ka kaluar në luftë, asnjë popull tjetër në Ballkan e kontinent s’ka dhënë kaq dëshmorë, sa kombi shqiptar. Popullin shqiptar dëshmorët e kanë bërë komb!”. Veteranët, pasardhësit, nipa e mbesa të dëshmorëve të luftës partizane, do të dinë të mbrojnë brez pas brezi LANÇ-in, vlerat e simbolet e saj, që shqiptarët në messhekullin e kaluar i renditën krah fitimtarëve. Duke vlerësuar aktivitetin e madh politiko-luftarak të Brigadës VI Sulmuese Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi asaj urdhrin “Ylli partizan i klasit I” dhe dekoratën më të lartë: “Hero i Popullit” me këtë motivacion: “Për plotësimin me heroizëm të lartë dhe vetmohim të detyrave të saj të mëdha luftarake e politike, për kontributin e shquar në çlirimin e atdheut nga pushtuesit fashistë e tradhtarë dhe në vendosjen e pushtetit popullor. Ajo ka luftuar gjithnjë me trimëri të rrallë dhe ka treguar një besnikëri të pakufishme ndaj popullit e Partisë, duke korrur fitore të shkëlqyera mbi armiqtë dhe duke mbajtur gjithnjë lart emrin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ajo ka kryer, gjithashtu, me nder dhe me frymë të thellë internacionaliste detyrën që i ngarkoi Komanda e Përgjithshme, tok me njësi të tjera të UNÇ Shqiptare, për të ndihmuar në çlirimin e popujve të Jugosllavisë. Shembulli i lartë i heroizmit dhe i vetmohimit të saj ka frymëzuar gjithë luftëtarët partizanë dhe frymëzon sot punonjësit e vendit tonë, sidomos rininë, në ndërtimin e plotë të shoqërisë socialiste dhe mbrojtjen e atdheut socialist”, motivacion që vjen sipas origjinalit. Xhezo Proda ishte dhe mbeti pjesë përbërëse e trupëzuar e kësaj krenarie. Eshtrat e Xhezo Prodës prehen në Gjirokastër në piedestalin ku nderohen të rënët e kombit shqiptar. Xhezo Dervish Proda është shpallur me titullin e lartë të nderit “Dëshmor i Atdheut” me Vendim të KE të KP të rrethit Gjirokastër nr. 65  datë 2.10.1971 si dhe është njohur në bazë të ligjit dhe Vendimit nr.4 datë 27.11.2002 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”.

*

Burimet e studimit: Historiku i BrVIS, Tiramë, 1989, faqe 235;376, nr 114, i dëshmorëve të BrVIS të Batalionit II.; Dosja historike e BrVIS të përgatitur nga Departamenti i Historisë i AFA-së, Dokumente të ndryshe të MHK, të Muzeut të luftës në Gjirokastër, të ish-Muzeut të luftës të fshatit Fushëbardhë; të muzeut të Forcave të Armatosura në Bërzhitë, Tiranë; Grushtçelik Brigad’ e Gjashtë, Tiranë, 1973, faqe 272.; Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm, Vëllimi II, Tiranë, 1976, faqe 130.; AIU, dugj, T. 314/664, datë 11.9.1944.; AQSH, Fondi dokumentar i Brigadës së Gjashtë Sulmuese, viti 1944, dosja nr.6. ; AQSH, Fondi i BrVIS, kutia nr.1. dosja 6 viti 1944; Hysni Kapo vepra të zgjedhura vëllimi 1, Tiranë, 1980, Herman Frank, “Bandenkampfe in Albanien”, Heidelberg, 1957, faqe 91.; Të dhëna të marra nga bashkëluftëtarë ish partizanë të Brigadës së Gjashtë Sulmuese, që janë shkruar në gati gjysëm shekulli si Xhule Çiraku, Esat Golemi, Resul Bedo, Janul Dango, Jaup Dabulla, Xhemil Frashëri, Kapo Kapaj, Maliq Hashorva, Lame Çekani, Avni Gjoni, Zagoll Skëndaj, Petrit Mamaj, Arif Bizhga, Jaho Gjoliku, Refik Kucaj, Xhelal Gjeçovi, Sevo Tarifa, Islam Poçi, Iljaz Peçi; Prof.As. Zaho Golemi, Dëshmorët e Fushëbardhës nder dhe krenari shqiptare, shkrime për dëshmorët e Fushëbardhës në Telegraf, Labëria, Ushtria, Mbrojtja, Revista Pavdekësia, Dielli në SHBA, në shumë portale si në Balkanëeb, Albspirit, dhe shumë të tjerë brenda dhe jashtë vendit.; Një histori e zgjeruar e BrVIS viti 1961; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Libri zyrtar në Republikën e Shqipërisë “Dëshmorët e Atdheut”, publikuar në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Tiranë, 2012, faqe 89; Hulsi Proda: Kujtime për vëllanë tim-Xhezon; Vehip Proda, “Ra i vrarë dhe prapë mbeti partizan në brigadë”, Viti botimit: 2005,  fq 96.; Zeqir Cama, Dëshmorit Xhezo Proda, Revista e MPB: “Në shërbim të popullit”, Tiranë, 1978; Seria e librave “Yje të Pashuar”, Tiranë, 1971, Vëllimi II, faqe 298; gazeta “Flaka”, organ politiko-ushtarak i BrVIS; libri “Për popullin me popullin”, Tiranë,  1968; Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, 2004-2014; Të dhëna nga përpjekja e parë për shkrimin e historikut të brigadës së gjashtë  u bë që në vitin 1945; Periodiku i gazetës “Për Mëmëdhenë”, organ i Shoqatës Atdhetare për të Rënët e Kombit Shqiptar; Broshura: “BrVIS, 40 vjet 26 janar 1944-1985, përgatitur nga drejtoria kulturore (Muzeu Historik) i Përmetit”; Periodikë revistash e gazetash të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.