Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Pushkinit vjen në shqip nga Arqile Garo

Aleksandër Sergejeviç Pushkin: Gjethja e vetmuar

Jetova mes pasionit të pashuar,

ëndrrat e mia më s’i dashuroj,

kam qeshur, kam qarë, jam gëzuar,

tani veç dhimbje e vuajtje duroj.

Nën rrebeshet e fatit të poshtër, të egër,

kurora gjelbëroshe u mek, u venit,

tani rroj i vetëm, i trishtë dhe i verbër,

shpëtimin po pres: do vijë vallë një ditë?

Kështu nga i ftohti thellim e goditur,

kur turret murrlani, stuhia beter,

në degën e tharë, të brishtë, të drobitur,

gjethja e vetmuar dridhet, oh! e mjerë.

Shqipëroi: Arqile Garo, gusht 2020.

Aleksandër Sergejeviç Pushkin: Gjëmbi

Një trëndafil është shpirti im,

e unë jam gjembi përmbi të.

Veç s’dua që të merret vesh,

mikesha ime mos dijë gjë.

Se pres të vijë e mrekulluar,

një ditë të prillit, një mëngjes,

me sytë e qeshur të gëzuar,

me buzë të njoma porsi vesë.

Do ta verbojë ngjyra e kuqe,

pamja vrastare: e gjithë kujdes

me hap të lehtë e të ngadaltë,

do të afrohet të më presë.

Atëherë unë dorën bardhoshe,

që Zot, kaq shumë e adhuroj,

oh me sa gaz – gëzim i poshtër –

i keq do bëhem, do t’ ia shpoj.

Pika e gjakut kur të bjerë,

mbi ju petale gjak – hare,

në ngjyrën tuaj do humbasë,

dhe do të bëhet njësh me ne…

Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, maj 2018.

Aleksandër Sergejeviç Pushkin: Melankoli

Mjegull e dendur lëshon rrënjë në malet Gjeorgjiane,

Aragva* dridhet gjithë mundim, unë rri dhe e vështroj,

porse një mall i thellë, i rëndë, melankoli mjerane,

më sjell një pikëllim pa anë dhe vetëm të mendoj.

Melankoli dhe mall i rëndë, i qetë i patrazuar,

asnjë mundim, veç një trishtim i butë, që torturon,

por zemra dhemb, ndjen një thellim dhe ndihet e rrënuar,

se pa llahtarë e dashuri as vetë s’e di pse rron!

Shqipëroi: Arqile Garo, gusht 2020.

Aragva* – Lumë në Gjeorgji. Buron nga shpatet jugore të kreshtës kryesore Kaukaziane. Fillimisht, lumi quhet Aragva e Bardhë. Rrjedh nëpër argjilë dhe gur gëlqeror, të cilat i japin ujit një nuancë të bardhë. Pranë fshatit Pasanauri, Aragva e Bardhë bashkohet me Aragvën e Zezë, lumë i cili rrjedh mbi shist argjilor, prandaj uji ka një hije të errët. Pas bashkimit, uji në lumë në një farë mase formon dy vija paralele – të lehta dhe të errëta.