Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Jo feja, por kombi

Më 6 korrik 2025, në emisionin televiziv PIKË të Koha Vision, gazetari Veton Surroi zhvilloi një intervistë me regjisorin dhe profesorin Fadil Hysaj. Intervista u publikua një ditë më vonë në portalin Koha.net, duke sjellë ide që prekin shtyllat themelore të identitetit shqiptar, nga roli i gjuhës standarde, përkatësisë fetare  e po ashtu edhe  kriza e rrënjëve kulturore.

Deri më tani, kjo intervistë nuk ka marrë përgjigje publike nga media apo institucione kulturore, ndonëse përmban pohime që kërkojnë ballafaqim serioz.

Në intervistë, Hysaj deklaron se gjuha standarde është “gjuhë pa shpirt” dhe produkt i dhunshëm politik.

Ky është një perceptim subjektiv që mund të kuptohet si ndjeshmëri estetike, por cilësimi si produkt politik i imponuar është i paqëndrueshëm dhe historikisht i pasaktë.

Gjuha standarde shqipe nuk është një formulim artificial, por një proces i ndërtuar me vullnet kolektiv për të pasur një mjet komunikimi të përbashkët në te gjithë hapësirën shqiptare.

Ajo është themel që ka lejuar shkollim të unifikuar, institucionet tona, librat, mediat, administratën dhe vetë përditshmërinë. Dialektet janë vlera, por standardi është ura që na bashkon.

Ta quash ‘pa shpirt’ është ta mohosh procesin që i ka dhënë frymë bashkimit gjuhësor dhe institucional ndershqiptar.

Deklarata më e debatueshme është  kur Hysaj thotë se ”po përhapet ideja se Kosova është “90% myslimane dhe se kjo po zëvendëson përkatësinë shqiptare”.

Ai e krahasoi këtë me Bosnjën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, ku identiteti fetar u politizua në kontekst lufte. Këtu jo vetëm që krahasimi është i pasaktë, por përmban një rrezik të madh në interpretimin publik.

 Në Kosovë, përkatësia fetare nuk ka pasur asnjëherë rol ndarës në politikën shtetërore, apo në lëvizjen për pavarësi ndër shekuj. Shqiptarët janë bashkuar përtej fesë, mbi parimin e përkatësisë, gjuhës, kujtesës kolektive dhe tokës së përbashkët.

Në historinë tonë, që nga Skënderbeu e deri  tek Lidhja e Prizrenit, nga Rilindja Kombëtare e deri tek lufta e fundshekullit  XX për Kosovën, shqiptarët NUK janë mobilizuar si komunitete fetare, por si komb që kanë një histori, gjuhë, kulturë  dhe një ideal.

Krahasimi me Bosnjën e ‘institucionalizon’ një ndarje që nuk ekziston as në praktikë, as në vetëdijen tonë si komb në tërësi.

Keto pohime janë një iluzion i rrezikshëm e që nuk e përfaqëson aspak shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

Po ashtu, Hysaj në vijueshmëri e përshkruan Kosovën si vend pa projekt kulturor dhe me institucione të zbrazëta.

Kjo është një pamje e errët, që ndoshta buron nga zhgënjimi i tij personal, por nuk e pasqyron realitetin me të gjitha sfidat dhe përparimet e dukshme në Kosovë.

 Ne, pas luftës, me gjithe pengesat dhe vështirësitë jemi përpjekur të ndërtojmë  institucione që funksionojnë, si  teatri, media, shkollat në të gjitha nivelet, botime, festivale, akademi dhe artistë që veprojnë e kontribojnë  me shumë përkushtim.

Jo çdo gjë është e  përkryer, por ka përpjekje të vazhdueshme dhe ka publik që reagon dhe e ndjek, ka kritikë të shëndoshë dhe shoqeri civile që e ngre zërin fuqishëm kur vetëm politika gabon.

Nëse qëllimi i Fadilit është të nxisë diskutim mbi identitetin, atëherë ky diskutim duhet të zhvillohet me transparencë, respekt dhe ide të shpjegueshme.

Të flasësh për rrënjë, pa saktësi, të përmendësh deformime pa dëshmi, dhe të përdorësh gjuhë të ngarkuar emocionalisht pa argumente historike është thellesisht gabim.

Megjithëse Fadilin dhe familjen e tij e njoh prej dekadash, këto pohime m’u dukën paksa jashtë realitetit dhe të habitshme…

Do isha pajtuar plotësisht, nëse Fadili do kishte kërkuar që në institucionet tona në përgjithësi, e në ato të kulturës në veçanti, do të duhej të ishin drejtuar nga profesionistët, nga njerëz që dinë të bëjnë arsim cilësor, ndërtojnë akademi me vlera, e art e kulturë. 

Fatkeqësisht, elemente të ish sistemit jugosllav i gjen në çdo pore të rëndësishme e në çdo institucion jetik të vendit, madje edhe disa media apo analistë që duan të krijojnë opinione apo narrativa me prapavijë….

Feja, as në kohërat më të errëta nuk na ka ndarë ne shqiptarët, e as sot, e asnjëher nuk kemi luftuar në emër të fesë. Në çdo kohë, shqiptarët kanë dëshmuar se kombi është mbi të gjitha!