Sakip Cami: Lufta e Koplikut, 105 vjet më parë
LUFTA E KOPLIKUT (26 korrik 1920 – 14 shkurt 1921) dhe heroizmi masiv i luftëtarëve malsorë
Lufta e Koplikut , 26 korrik – 14 shkurt 1921, një luftë e gjatë 7 mujore, u kurorëzua me sukses në saj të heroizmit masiv të luftëtarëve malsorëburra edhe gra, ashtu sikurse thotë edhe kanga popullore:
Krisi pushka në Prrua të thatë,
Në Koplik kan’ ardh’ dhe gratë…”
Populli
Serbia dhe Mali i Zi nuk donin të pajtoheshin me vendimin e Fuqive të Mëdha për kufijtë e vitit 1913. Ata donin të gllabëronin edhe pjesë të tjera të Dibrës dhe të Shkodrës. Malaziasit shprehnin hapur thirrjen: ”Nga Miloti në Kotor gjithçka asht Cerna Gor“.
Shkodra ishte dëmtuar shumë nga Lufta e Parë Botërore dhe fuqitë e mëdha si Austro – Hungaria, Franca, Serbia e Mali i Zi. Francezët nuk deshën ta dorëzonin Shkodrën te shqiptarët, por Ahmet Zogu, ministri i brendshëm i qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës me shokët e tij, pasi i lanë fuqitë e armatosura në Bahçallëk, hynë në Shkodër, duke e bërë fakt të kryer. Shkodranët, të armatosur u gdhinë në pozicione luftarake, duke bërë roje për të evituar ndonjë sulm të papritur të malazezëve. Francezët, më në fund, ikën dhe Shkodra u muar në dorëzim.
Ushtria Serbo-Kroato-Malazeze nga mali i Taraboshit sulmoi qytetin e Shkodrës, i cili kishte organizuar rezistencën ndaj saj. Ndaj popullsisë shqiptare në zonat kufitare organizuan një genocid të pashembullt, duke i detyruar shqiptarët të largoheshin me rrobat e trupit drejt Shqipërisë.
Por në zonën e Kelmendit ndodhi një incident që nuk duhet të ndodhte. Në vend që shqiptarët e Hotit dhe Grudës të priteshin si vëllezër e t’u hapeshin kufijtë, ndaj një grupi të larguarish u hap zjarr si të ishin armiq. Kjo ndodhi me 26 korrik 1920. Rojet jugosllave qëlluan ndaj tyre. Forcat e xhandarmërisë shqiptare e tejkaluan kompetencën e tyre dhe sulmuan rojet jugosllave. Në këtë përpjekje u vra një aspirant shqiptar. Kjo u quajt incident shtetëror dhe u shfrytëzua për sulm të plotë dhe të fuqishëm të armatosuar nga serbo – malazezët. Rojat kufitare jugosllave në pikën e kalimit të fshatit Kastrat veçuan nga rreshti i refugjatëve shqiptarë 80 burra dhe pa asnjë shkak, i vranë në sy të prindërve, grave e fëmijëve të tyre.
Të revoltuar nga ky akt barbar, qindra hotjanë, grudas e kastratas dhe dy kompanitë e xhandarmërisë kufitare shqiptare iu vërsulën vrasësve jugosllavë dhe i ndoqnin deri në afërsitë e qytetit të Tuzit.
Në përgjigje të këtij aksioni të guximshëm të shqiptarëve, me 27 korrik shtatmadhoria e ushtrisë mbretërore jugosllave përgatiti tre batalione me ushtarë. Pasi thyen qëndresën e dëshpëruar të dy kompanive shqiptare dhe luftëtarëve të mbetur pa mbështetje e municion, pushtuesit jugosllavë dhe bashkëpunëtorët e tyre esadistë arritën në fshatin Vrakë, 8 km larg portave të qytetit të Shkodrës.
Në qytet u dha alarmi. Pazari i Shkodrës u mbyll, çirakët, shegertët e qindra burra të tjerë iu drejtuan depove të armëve. Duke i zgjedhur vetë komandantët e tyre, vullnetarët, qytetarë e fshatarë vrapuan në fushën e Shtojit, ku ishin rreshtuar për luftë 500 vullnetarë nga Postriba, një mijë luftëtarë nga Hoti e Gruda, Plava e Gucia, Kosova e Rrafshi i Dukagjinit etj.
Në ditët e para të muajit gusht, pranë shtabit të mbrojtjes të vendosur në Çesme të Koplikut erdhi Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu dhe luftëtari Bajram Curri, ministër pa portofol. Ahmet Zogu e spostoi zyrën nga Tirana në Koplik dhe mori përsipër drejtimin e Shkodrës dhe të luftës. Zëvendësa të tij ishin një përfaqësues mysliman dhe një përfaqësues katolik të qytetit të Shkodrës. Qyteti e humbi gjallërinë e zakonshme dhe qindra vullnetarë u drejtuan me shpejtësi postave të xhandarmërisë duke u armatosur. Vullnetarët shqiptarë nga Shkodra e rrethinat vraponin drejt fushës së Shtojit të gatshëm për t’u nisur sa më shpejt në front si dalëzotsa të Shqipërisë.
Nga Malsia e Madhe shfaqet trimëria dhe guximi i Smajl Martinit e Bacë Kurtit të Grudës, Çun Mulës, Ded Gjon Lulit, Nikoll Mirash Hasanit e Marash Ucit të Hotit, Sokol Mustaf Bajraktarit, Meto Demës, Abdyl Kurtit, Mem Shabanit, Istref Alisë e Haxhi Metës të Koplikut, Mirash Musës e Ded Hysit të Trieshit, Fasli Gruemirës, Tafil Bishos e Ali Tahirit të Grizhës, Hajdar Hukës së Rrjollit, Mark Loshit të Recit, Ujk Gilës nga Kelmendi, Dod Preçit, Zenel Shabanit e Gjel Vuksanit nga Kastrati, Marash Dashit e Tom Nikës nga Shkreli, Tak Elezit nga Lohë e Poshtme, Bec Tahirit nga Buzë e Ujit dhe të qindra shkodranëve.
Me 29 korrik në Shkodër ishte organizuar një takim i madh, takim i drejtuar nga Ahmet Zogu, ministër i brendshëm, përfaqësues i qeverisë së kryeministrit Sulejman Delvina me qëllim shmangien e rrezikut që i vinte krahinës e qytetit të Shkodres nga avancimi i pushtimit të trojeve shqiptare të Malësisë Madhe nga ushtria shovene jugosllave… Mbledhja u bë nën “moton” e kushtrimit “Serbët ia behën në Koplik”. Revista “Agimi” do ta përshkruente kushtrimin si vijon: “Serbët ia behën në Koplik”, ishte fjala e mbrame, si nji rrufe kumbuese në vesh të Shkodranit ditën e parë të gushtit. Lajmi shungulloi e mori dhenë e kushtrimi u dha and e kand ndër fusha e male. Burra të pjekun, djelm të ri, musliman e të krishtenë, si bijtë e thjeshtë të një rrace, vllazën të nji gjaku, të nji fisi, të nji votre e të nji zjermi, shqyptarët kurdoherë, ma tepër se shqyptarë përpara të shejtit Atdhe, me vrap me guxim mbyllen dugajë e zyra, lanë ç’do punë e shërbim e menjëherë rrokën armët, tue pasë zjermin në gji e uzdajën në zemër. Burra e djelmë, sot o kurrë… Shka asht mashkull nuk shifet ma në shtëpi, po grumbullohej jashtë në potologun e trimnisë, në fushë të nderit…”.
Me 30 korrik në qytet u dha kushtrimi. Vetë Sylço Begu doli lagje më lagje me rekrutua vullnetarë “Nji pushkë për shtëpi”. U mbyll pazari. Si në qytet dhe në fshat filloi organizimi i formacioneve vullnetare , gatishmëria e popullit qe e plotë dhe e menjëhershme.
Agjentura serbe bani çmos për me përhap panik e mosbesim në masën qytetare, por zanet e elementëve të gënjyem u mbytën nga vendosmeria e përgjithshme.
Me 1 gusht 1920, paradreke, u nis formacioni i parë me 500 vullnetarë nga qyteti. Me ta u bashkuan edhe malësorët e Mbishkodrës si dhe emigrantët podgoriçanë. Ushtria zuri vend përkatësisht në Vrakë.
Shtabi zuri vend në Vrakë. Përveç Sylço Begut e Rexhep Shalës në shtab ishin të pranishëm edhe Maliq Bushati, Muharrem Kazazi, Shuk Gurakuqi, Can Mema.
Shtabi do të ndihmohej vazhdimisht në punën e tij nga prania e Ahmet Zogut, Bajram Currit dhe Mustafa Krujës e korrierve të tyre.
Kështu, më 1 gusht 1920, dymijë e dyqind luftëtarë shqiptarë, të ndarë në tri kolona, nën komandën e kapitenëve Hamit Gjylbegu e Taip Shkodra, si dhe të prijësit popullor gjashtëdhjetëvjeçar Hasan Ferri nga Plava, u nisën në drejtim të Koplikut të Poshtëm, Çezmës dhe Koplikut të Sipërm.
Banda muzikore e qytetit të Shkodrës e drejtuar nga mjeshtëri Frano Ndoja ishte ajo që në vitin 1920 i priu vullnetarëve që shkuan në luftën e Koplikut. Pas një beteje të përgjakshme, forcat shqiptare i sprapsën trupat jugosllave dhe esadiste në vijën e frontit nga Përroi i Thatë deri në Koplikun e Sipërm.
Me 21 gusht të vitit 1920 forcat jugosllave, herët në agim, nisën sulmet me artileri kundrejt kufijve shqiptarë. Brenda disa orëve serbët dhe malazezët kaluan Qafën e Podgoricës dhe përmes marshimit të shpejtë në brinjët e malit të Veleçikut, mundën të dalin në malësitë e Shkrelit. Në Shkrel dërgohet një prej oficerëve më besnik të qeverisë, Rexhep Shala, në krye të 300 vullnetarëve të Shkodrës.Fshatarët vetëarmatosen. Ata blenin një pushkë me çmimin e shtatë dhive të vathës së tyre të vogël. Por kjo forcë nuk mund të përballonte dot rreth 1000 trupa jugosllave të armatosur mirë dhe të ndihmuar nga artileria si dhe të furnizuar mirë me municion e ushqim.Në këtë mënyrë në datat 22 dhe 23 gusht forcat e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene zunë vijën në fshatrat shqiptarë Kastrat, Shkrel, Koplik e Kelmend.
Nga qyteti i Shkodrës kishin ardhur në frontin e luftës 459 vullnetarë dhe 130 xhandarë të komanduar nga Hasan Bushati, ndërsa nga rrethinat kishte 313 vullnetarë që vinin nga Drishti, Boksi, Suma, Sheldia, Shllaku, Temali, Jubani dhe fshatrat e tjerë.
U krijuan tre batalione me luftëtarë. Komandantë batalionesh ishin Sylço Beg Bushati, Hamit Gjybegu dhe Taip Shkodra.
Vullnetarëve të Shkodrës me rrethina u prinin:
Shuk Gurakuqi, Muharrem Kazazi, Zef Serreqi, Hamza Kuçi, Qamil Kadri Boksi, Shaqir Omari, Dyl Grizha, Maliq Bushati, Maliq Sokoli, Nok Gjeloshi, Rasim Gjyrezi, Cuf Kuçi, Man Hoti, Dom Loro Caka , Xhemal Bushati, Abdyl Lluja, Pater Ciril Cani, Oso Kopliku, Ramo Halluni, Ahmet Bushati, Adem Haxhia e Can Osmani,Vat Sokoli e Prekë Lula.
Forcat vullnetare shqiptare luftëtare, sipas disa kronikave të kohës, në fillim përbëheshin nga rreth 2200 veta, të ndarë në tre kolona.
Kolona e parë përbëhej nga forcat e ardhura nga Gruda, Hoti, Postriba e tjerë, me në krye Deli Metën e Adem Haxhinë, Luc Nishin e Vat Marashin e cila kishte për detyrë të marshonte nga fshatrat Gruemirë-Grizhë e në vazhdim rrëzë maleve.
Kolona e dytë, krahu i majtë ishte ajo që veprimet luftarake do t’i kryente nën rrugën kryesore Shkodër-Hani i Hotit, afër bregut të Liqenit të Shkodrës, e këto forca përbëheshin nga vullnetarë kosovarë e malësorë prej Kastratit (ata që kishin mundur të largoheshin para se të pushtohej Kastrati) shkoi buzë liqenit. Keto forca komandoheshin prej Hamit Gjylbegut e Hasan Ferri.
Fuqia kryesore me vullnetarë prej qytetit e një grupi xhandarësh vazhdoi si kolona e qëndrës duke ndjekur rrugën automobilistike Shkodër -Hani i Hotit.
Me 1 gusht me porosi të Ahmet Zogut, pranë bashkisë Shkodër ishte krijua komisioni Përkujdestar i Ushtrive Vullnetare, i cili do të lunate rol të rëndësishëm në furnizimin e frontit të luftës.
Komisioni përbëhej prej 7 vetash: Musa Juka – kryetar i bashkisë, Ndrekë Vogli- nënkryetar i bashkisë, Jonus Repishti , Elez Sokoli, Kolë Çoba, Lec Boriçi e Loro Pistulli.
Me shtimin e numrit të vullnetarëve komisioni do të zmadhohej e të kthehej në një intendencë me përbërje: Musa Juka, Pjetër Kola, Elez Sokoli, Jonus Repishti, Patuk Saraçi, Het Gjyrezi, Zenel Mandiqi, Kolë Gjinaj e Halit Rroji.
Forcave mbrojtëse të Malsisë u prinin:
Deli Meta, Luc Nishi, Zef Prel Martini, Palok Traboini, Tom Nikollë Hasanaj, Kolë Maçi–Hot, Gjokë Dodë Preçi, Gjelosh Gjoka, Gjeto Daka, Dedush Marashi –Kastrat, Prekë Cali-Kelmend, Zef Martin Ivezaj dhe Prekë Dedë Gjolaj-Grud, Pretash Zeku Ulaj-Kojë, Vatë Marashi (Vrith) e Kanto Marashi (Zagore)–Shkrel, Nuz Sokol Bajraktari, Tomë Kolnikaj, Keq Sadik Balaj – Reç, Zekë Ujka (Dodç), Bajram Hyseni (Linaj), Bisho Abdyl Sulaj – Gruemire, Islam Hajdari (Leporosh), Oso Met Beqiraj (Egç-Rrjoll), Sylo Kurt Selmani (Burgaj-Rrjoll), Selman Bajram Ramcaj (Gruemirë-Çesme), Smajl Delia e Tomë Dedë Sina –Lohe Siperme, Tafil Bejtja e Qerim Zymeri Koplik i Siperm, Mustaf Bishi -Lohe e Poshtme, ndërsa Kelmendit i printe “piramida” e gjallë me në krye Prek Calin me shokët e tij të atdhetarisë Gjon Ucë Bajraktarin, Uc Turkun, Lucë Mark Gjeloshin, Mark Tomë Pllumajn, Fran Bracaj, Tomë Bikaj, Mirash Gjoken e tjerë, që qendronin në mbrojtje të trojeve te veta nga sulmet e herë-pas-hershme të serbo-malazezeve.
Ndërsa Shkodrës me rrethina u prinin:
Sylço beg Bushati, Zef Serreqi, Hamit Gjylbegu, Adem Haxhia e Can Osmani (Postribe), Vat Sokoli (Shalë), Shuk Gurakuqi, Shan Deda, Muharrem Kazazi, Qamil Kadri Boksi, Dyl Grizha, Maliq Bushati, Maliq Sokoli, Nokë Gjeloshi, Rasim Gjyrezi, Taip Shkodra, Rexhep Shala, Man Hoti, Dom Loro Caka, Xhemal Bushati, Patër Ciril Cani, Oso B. Kopliku.
Në Luftën e Koplikut 1920, për herë të parë ushtria shqiptare aplikoi pengmarrjen e civilëve. Kjo ndodhi në Vrakë ku banonte një komunitetit i vogël malazez. Sipas një broshure të botuar nga Gjon Zeka në vitin 1932, i cili ka qenë dhe dëshmitar i këtyre luftimeve “rrugës çetat shqiptare ndeshën së parit në tre malazezë, pak përtej Vrakës, të cilët u vunë me qindrue, por pushka e shqiptarit i shtrini për tokë, tue lanë trupin e tyne pa vorrue për tri ditë si shembull për tjerë, që ushqejshin ndjesi sllave, e këto ndjesi u mundojshin me i zbulue nëpërmjet sa ‘kryengritjesh’ e gjaqesh që banë. Vraka, që ishin me shpirt kah ana e anmikut, me të shpejtë çojnë njerzë me u diftue serbëve planet e luftës dhe sasinë e ushtrive shqiptarëve. Për këtë punë u kujtuan shpejt shqiptarët dhe mblodhen Vrakën tue i marrë ka pesë robër për lagje, si nji peng deri mbas luftës, e se vrakaçorët nuk kishin për t’iu ndihmua anmiqëve të vendit tonë”.
Edhe gratë shkodrane morën pjesë në luftë krahas burrave.
Me datën 3 gusht u krijua Komiteti Bamirës “Gruaja Shqiptare“ me kryetare Shaqe Çobën, nënkryetare Age Kokën, kryetare nderi Habibe Bekteshin, sekretare Paulina Leken, arkëtare Albina Ashikun dhe anëtare bashkëshortja e Hoxhë Kadrisë, bashkëshortja e Rauf Begut, bashkëshortja e Fahri Begut, Zina Ashiku, Çia Dajçi, Kushe Kadarja dhe Tina Gurakuqi etj. Gratë luftëtare filluan të mbledhin ndihma dhe t’i çonin në front.
Vecori e kësaj lufte ishte edhe pjesëmarrja e ciklistëve në ndihmë të lë veprimeve luftarake.
Të rinjtë shkodranë krijuan grupin e çiklistëve-korrierë me Simon Rranxin, Muhamet Haxhian, Loro Nikën, Qazim Mesin, Gaspër Dabedakun, Kol Çunin e shumë të tjerë që morën dhe dërguan lajme e posta nga fronti.
Doktor Sadetini organizoi shoqatën e e mjekëve dhe infermierëve për të ndihmuar të plagosurit. Farmacisti Ndoc Ashiku ndihmoi me ilaçe dhe veshmbathje për të plagosurit.
Musa Juka, kryebashkiak i Shkodrës dha një kontribut të çmuar për këtë luftë.
Në Shkodrën e mbetur me 20.000 banorë përditë mblidheshin ndihma për 4.000 luftëtarët e ardhur nga Kosova dhe mbarë Shqipëria.
Çdo ditë nga Buna niseshin barka me ushqime, ujë, municione dhe ilaçe që shkarkonin në Grizhë dhe Dobre. Njëkohësisht niseshin edhe karroca me ndihma në rrugë toksore. Në funksion të kësaj lufte dha një ndihmesë të madhe monetare edhe Xhelal Pashë Bushati, trashëgimtari i fundit i Pashallëkut të Bushatllinjve.
Forcave mbrojtëse të Malësisë u prinin Deli Meta, Luc Nishi e Zef Prel Martini, Gjok Dod Preçi, Zenel Shabani, Smajl Shabani, Gjelosh Gjoka, Gjeto Daka e Dedush Marashi, Zef Martin Ivezaj dhe Prek Ded Gjolaj, Vat Marashi e Kanto Marashi, Nuz Sokol Bajraktari, Keq Sadik Balaj, Bajram Hyseni, Bisho Abdyl Sulaj, Islam Hajdari, Oso Met Beqiraj, Selman Bajram Ramcaj, Smajl Delia e Tom Ded Sina , Tafil Bejtja e Qerim Zymeri, Mustaf Bishi e të tjerë në krye të fshatrave të tyre.
Në formacionet luftarake të kësaj lufte bënin pjesë edhe treqind luftëtarë vullnetarë nga Kosova dhe Plava e Gucia. Këtyre trimave u printe Hasan Feri, djali i Jakup Ferit.
Në javët e para të gushtit erdhën në Shkodër edhe rreth treqind vullnetarë nga Kruja, Shijaku, Durrësi e Tirana, të cilëve u prinin Abaz Kupi e Mustafa Merlika (Kruja).
Në Shkodër qëndronin në mbrojtje të qytetit e rrethinave qindra luftëtarë të tjerë , ku rreth dyqind e gjashtëdhjetë vullnetare vinin nga Kosova, Hasi, Kukesi, Tropoja e nga vise të tjera. Në këto kohë Dukagjini ishte i tëri në kembë në mbrojtje të trojeve të veta nga invazionet e ushtrisë Sërbo-Malazeze. Edhe Lezha, Mirdita, Puka e qëndronin në gatishmëri të mbrojtjes së trojeve shqiptare.
Rënia heroike e trimit Zef Prelë Martini, Oso Kuka i Ri
Beteja luftarake të dates 20 shtator 1920, ku trimi hotjan Zef Prelë Martini, i plagosur gjatë luftimeve detyrohet të “ngujohet” në Llazan në shtepinë e Lush Pepë Smakajt (me origjinë nga fisi Ivezaj të Grudës), i cili pa hezitim , siç e kanë pasur traditë malësorët ja lënë Zefit shtepinë e tij për ta kthyer në një kullë baroti që do ti ngjante asaj të Oso Kukës në Vraninë të shek.XIX.
Nga kjo shtëpi-kullë, Zef Prelë Martini i rrethuar, do të luftonte trimërisht e heroikisht për orë të tëra kundër ushtrisë serbo-malazeze , duke vrarë katër ushtarë e një oficer armiqë e plagosur të tjerë.
Për të kapur të gjallë Zef Prelë Martinin e plagosur, serbo-malazezët përdorin dredhinë e një majori shqiptar , shërbëtor në ushtrinë serbo-malazeze, ku pas dorzimit në besë të pabesëve, ata e vrasin në Badër të Mehajve-Koplik, aty ku edhe sot ka një memorial kushtuar këtij heroi.
Beteja që nënshkroi disfatën e turpshme të sërbo-malazezëvet ishte ajo që u zhvillua në Badra të Koplikut.
Kodra e Bajraktarit ishte pikë dominante në Koplik, pranë saj kishte dhe një pyll të dëndur. Kush mbante atë kodër kishte në shuplakë të dorës tërë fushën e Koplikut dhe Buzë Ujit. Aty spikati trimëria shkodrane dhe vetmohimi malsor që të gërshetuara të dyja bashkë e shndrruan këtë luftë në epope të pa harruar.
Fronti i luftimeve ishte i gjërë, nga Buza e Ujit deri në Marshej, ku u përdor edhe artileria.Topat sërbo-malazezo-kroat ishin vendosur në njerën faqe të Prroit të Thatë dhe qëllonin kundër forcave shkodrane duke i penguar përparimin e mëtejshëm.Bajraktari i Hotit, Deli Meta së bashku me të vëllain dhe disa hotjanë iu afrua natën baterise së artilerisë, vranë rojet dhe i rrëmbyen të gjithë topat. Deli Meta, një luftëtar nga çeta e Shkrelit që kishte shërbyer si artiler në ushtri e vuri në përdorim baterinë e vogel të topave.
Forcat shkodrane e morën para armikun nga Sukat e Dobrës, në Koplik dhe në zallin e Badravet pati disa orë luftime ku forcat serbo-malazeze lanë në fushë-betejë rreth gjashtëqind të vrarë dhe ikën nga sytë këmbët. Luftëtarët shkodranë e ndoqën armikun deri në Prrua të Thatë ku u zhvilluan luftime sporadike. Të nesërmen luftimet vazhduan përsëri deri në Suka të Moksetit derisa u dëbuan përtej kufirit.
Gjatë luftimeve, kosovarët e kishim pozicionin në kodrën që quhej Kodra e Bajraktarit. Ishin katërqind luftëtarë. Me kosovarët ishin edhe dyqind krutanë.
Prekë Cali së bashku me Hamëz Kuçin, Hamid Gjylbegun, Dodë Nikollën etj., kanë luftuar për ditë e netë të tëra në frontin më të vështirë duke u përleshur me forcat pushtuese jugosllave.
Betejat mbrojtëse të shqiptarëve, në luftën mbrojtëse kundër ushtrisë shovene serbo-malazeze vazhduan deri me 14 shkurt 1921, kur ushtria shovene serbo-malazeze u detyrua të tërhiqet në kufirin e vittit 1913..
Mbetën në altarin e lirisë dhe të mbrojtjes së atdheut Kadri Selmani, Cuf Brahimi, Dylo Meti, Zeqir Hoti, Bel Cufaj, Nikoll Zefi, Brahim Sejdja , Dik Laçi, Hajdar Meta, Beqir Curri, Cul Istrefi, Sejdi Fili, Hajdar Curri, Musa Selimi, Bajram Rexha, Hajdar Duli, Zek Zeneli, Sylo Haxhia, Beqir Zeneli, Ramadan Sejdja, Çun Zeqiri, Abdyl Bajraktari, Cuf Rexhepi , Elez Ujka, Prekë Zefi dhe Fran Rroku i cili ishte edhe kryeplak i Koplikut në ato vite etj., të cilët u bënë legjenda e luftës së Badrave të Koplikut, legjendë që zuri faqet e para të gazetave të Europës.
Barrën kryesore të kësaj lufte e mbajti Malësia e Madhe, jo vetëm se fronti kryesor i luftës kundër shovenëve serbo-malazez ishte në trojet e Malësisë, në vijim të traditës shekullore në mbrojtje të trojeve shqiptare. Në frontin më të vështirë të kësaj lufte qëndronte Hoti, Kastrati dhe e gjithë Malësia e më gjërë.
Nga një dokument i kohës mësohet lista e ushtrisë vullnetare të organizuar , Malësi e Madhe -Shkodër, si vijon: Rapsha e Hotit 120, Traboini 103, Gruda 32, Kastrati 307, Shkreli 148, Rrjolli 113, Buza e Ujit 34, Reçi e Lohja 132, Drishti 76, Boksi 76, Suma 32, Kosova 160, Grizha 76, Kopliku 30, Sheldia 24, Shllak e Temal 90, Jubani 15, Xhandarë të Hasan Bushatit 130, Parruca 36, Perashi i Vogël 22, Dudasi 10, Rus i Vogël HM 29, Rus i Madh 18 , Rush i Vogël (S) 58, Rus i Vogël (N) 63, Qafa 10, Tophana 35, Ndocej 23, Rus i Madh (përsëri) 52, Bahçallek 10, Katolikët e Shkodrës 72, Hylli i kuq 6, Xhibali 1568 vullnetarë.
Në këtë luftë dhanë jetën 77 dëshmorë , nga të cilët 62 nga Malësia e Madhe me Rranxat e saja, 14 nga Shkodra e Postriba dhe 1 nga Dukagjini, si dhe u plagosen dhjetra malësorë , shkodranë e tjerë…
Referimet:
- Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë.Fondi Komiteti i Kosovës, dosja 14 , dokumenti 707.
- Mentor Quku , Lufta e Koplikut 1920, kumtesa e referate, fq.40 , Botime Camaj-Pipa , Shkodër 2010.
3.AQSH, F.nr. 252, viti 1920, dosja 115, njoftim i zyrës së krahinarit të Shkrelit në Katund të Kastratit, dt.30.7.1920.
4. Hamid Gjylbegu, kujtime
5.Revista “Agimi” , nr.5,fq.76, shtator 1920.
6.Xhevat Repishti , Lufta për mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1919-1920 , fq.197 , Sh.B “Camaj Pipa” , 1998. dokument i cituar.
7.Hamdi Bushati , Shkodra dhe Motet ,vll.I. fq.472, Shkodër 1998.
8.Gjon Zeka , Nëpër Lufta në Liri ; Kopliku në vitin 1920-1921, fq.28 , Shtypshkronja “Nikaj”, Tiranë 1932.
9.Xhevat Repishti , po aty ,fq.209 , shenime mbi luftën e Koplikut , të mbledhura nga autori Xh.R. prej pjesmarrësve në luftë , fleta 2-3 të dhëna nga Hamit Gjylbegu , mars 1970.
10.Gazeta “Populli”, nr.73 , datë 14 gusht 1920.
11.AQSH f.n.260,viti 1920, dosje nr.26 dt.13.8.1920, letër e intendancës Koplik , komandës të trupave vullnetare ,Çesme-Koplik.
12.Revista “Nëna Shqyptare”, nr.2 ,viti 1920.
13. Ndue Bacaj, Lufta e Koplikut, 1920 monografi studimore
14. Khabil Bushati, Lufta e Koplikut, 1920
15. Marin Mema, Gjurmë Shqiptare, Lufta e Koplikut, 1920
16. Dr. Hasan Bello, Lufta e Koplikut