Albspirit

Media/News/Publishing

Vladimir Marku: KUJT SHQIPTARI NUK I DIGJET ZEMRA NGA RRUMPALLIZMI?!

35 vjet rrumpallizëm dhe pyetja që s’mund të shmangim: Çfarë nuk bëmë siç duhet?!

Vitet ikin që prej përmbysjes së diktaturës. Rrimë dhe shohim pas, përpiqemi të kuptojmë çfarë kemi bërë, çfarë nuk kemi bërë dhe pse jemi ende aty ku jemi. Bëjmë analiza – herë të ngushta, herë në 360 gradë – dhe pyetja shtrohet natyrshëm: çfarë shohim sot? Çfarë kishim? Ku jemi? Përse kemi mbetur në vendnumëro? Ku kemi gabuar? Pse gabuam? Kush gaboi dhe kush e pësoi? Fati i keq është se drejtimi i vendit nuk ra në duar të mira në fillim të ndërrimit të sistemit. Pse nuk arritëm ta ruajmë atë të mirë që ishte ndërtuar me mund, me djersë dhe me gjakun e shumë shqiptarëve? U hodh për tokë trashëgimia, pa u kuptuar nëse rrumpallizmi ishte një e keqe e trashëguar apo një produkt i sistemit të ri “demokratik”. Mendohem shpesh: të gjithë kemi faj, edhe kur nuk kemi gabuar drejtpërdrejt. Po, po – kemi. Nuk kemi të drejtë të ankohemi kur vetë kemi zgjedhur – me vullnet të lirë, shpesh sipas momentit, inatit apo iluzionit. Pastaj rruga na u deformua. Po unë? Çfarë nuk bëra siç duhet? Çfarë kisha në dorë dhe nuk e bëra? Ku kam gabuar? Kaluan 35 vjet. Një rrokopujë e lodhshme: dhjetë hapa para, nëntë mbrapa – dhe ky i fundit shpesh vetëm nga inercia. A kishim mundësi të ecnim më mirë? Pa dyshim që po. U hapën rrugët, u pa si funksionon kapitalizmi botëror, njerëzit u arsimuan në Perëndim, u studiuan modelet e zhvillimit. Nuk kishte kohë për të humbur – mjaftonte të kopjonim atë që funksiononte dhe ta përshtatnim me realitetin tonë: në ekonomi, arsim, shëndetësi, bujqësi. Por këtë nuk e bëmë. Sot, pas tri dekadash e gjysmë, ikim kuturu. Shkatërruam shtyllat e ekonomisë sonë dhe nuk u lidhëm dot me përvojën dhe dijen e atyre që udhëtuan, panë botën dhe u kthyen për të ndihmuar – pa qenë domosdoshmërisht “atdhetarë” me flamur në dorë. Fjala “rrumpallizëm” më mbeti në mendje që kur e dëgjova vite më parë nga goja e kryeministrit aktual, atëherë kandidat për bashkinë e Tiranës. E përdorte për të përshkruar gjendjen e qytetit – me tregje të mbuluara me mushama, pallate shumëkatëshe pa kriter përgjatë Lanës. Ishte energjik dhe më bëri përshtypje. Nuk e fsheh që e justifikova, për disa vite, sepse kishte një vizion për një qytet të aksesueshëm për të gjithë. U prishën ndërtimet pa leje, disa hapësira publike u kthyen në identitetin e tyre – ndonëse me kosto për shumë familje. Por përgjegjësia nuk është e qytetarëve – është e institucioneve që nuk zbatuan ligjin në kohë. Më kujtohet një ngjarje tragjike në fshatin Paftan të Beratit në vitet e diktaturës, kur gjatë një prishjeje banese humbi jetën një qytetar gjatë përleshjes së turpshme me forcat e rendit dhe të ushtrisë – ndërtim pa leje, shtëpi banimi jashtë çdo vije të planit urbanistik. O bo bo… vijë e verdhë në Paftan! Mos më keqkuptoni. Nuk po lavdëroj politikën e djeshme, por ndjej trishtim për rrumpallën e sotme. Sot kemi struktura të specializuara, teknologji, sisteme që mund të parandalojnë dëmet. Pse nuk veprojmë që në hapin e parë? Pse lejojmë ndërtimet pa leje të lulëzojnë për vite të tëra dhe pastaj “i befasojmë” me fadroma e tritol? Është një farsë. Dëm ekonomik për qytetarin, për mua, për ty, për të gjithë. Nuk ka rëndësi a u fituan ato para me ndershmëri apo jo – dëmi është real. Prej vitesh kanë folur ekspertë, intelektualë, figura me mend e me penë – për rivitalizimin e industrisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë. Por kush i dëgjoi? Askush. Shohim ikjen masive nga vendi, sidomos nga fshati. Ekonomia është e rrënuar. Dëgjojmë për rritje ekonomike 3.1% apo 10%, por faktet janë të tjera: kemi mbi 800 mijë pensionistë dhe vetëm 1.17 punonjës aktivë për çdo një pensionist – krejt e pamjaftueshme për të mbajtur sistemin në këmbë. Pasuritë kombëtare i menaxhojnë kompani koncesionare që punojnë me dy bilance – një për shtetin, një për vete. Një mik më shkroi nga Franca: në një qytet me 1.5 milion banorë, zyra e tatimeve ka vetëm 3 punonjës. Si ia dalin ata? Po ne? 140 deputetë, 61 bashki, një qeveri që del në kulmin e sezonit turistik me fadroma e vinça, duke shkatërruar çfarë ndoshta vetë kishte lejuar të ndërtohej më parë. Si quhet kjo? Funksionim i ligjit apo sistem që kompromenton çdo përpjekje për të ecur përpara? Dhe rrumpalla është përditë para syve të mi. Sa dal nga shtëpia: hyrja është e bllokuar nga makina, nuk mund të kaloj me karrocën e binjakëve, s’ka një rampë. Rruga që mban emrin e shkrimtarit Vath Korreshi – pa konture, pa ndarje – s’di ku kalon qytetari e ku makina. Janë bërë 25 vjet që në lagjen ku banoj, fshatarët shesin në rrugë dhe ikin si në lojën macja dhe miu me policinë bashkiake. Kaq e vështirë është për strukturat vendore të rregullojnë mënyrën e tregtimit në çdo lagje? Kjo është rrumpalla. Kjo është Shqipëria jonë sot. Mos të hyj fare në kujdesin për moshën e tretë. Isha për vizitë në Kinë, në stadiumin olimpik të Pekinit, ndërtuar më 2008 – mbi 65 vjeç, hyrja falas. Sa i vlerësuar u ndjeva! Kurse tek muzeu i Kadaresë dhe Agollit, në Ditën Ndërkombëtare të Librit – bileta 500 lekë për person. Minimumi do të ishte hyrja falas, të paktën për këtë ditë simbolike. Kujt shqiptari nuk i digjet zemra? Çdo njeriu që e do këtë vend. Që ka rritur fëmijë këtu. Që ka ndërtuar shtëpi me ndershmëri. Që ka bërë shkollë, që ka punuar me djersë – e ndjen rrumpallën në kurriz, çdo ditë, pa u ndier. Nuk ke pse të jesh analist apo profesor. Mjafton të jesh qytetar. Mjafton të jesh prind apo gjysh. Jeta e çdo shqiptari të ndershëm sot është dinamike, por edhe sfiduese. Nuk i mohojmë gjërat e mira. Por pse, në një vend kaq të vogël, të mos e kishim fatin që çdo qytetar të takonte një herë kryeministrin e vet? Apo kërkojmë shumë? Të paktën ata që janë me thinja, që ngrejnë problematika në dobi të vendit. Mbase duhet mbledhur kuvende kombëtare për Territorin, për Ekonominë, për Bujqësinë, për objektiva emergjente dhe perspektivë. T’i largohet pak pozitës politike në emërime – qofshin ministra apo magazinierë – dhe të prevalojë kompetenca profesionale. Nëse edhe ty të djeg shpirti nga rrumpallizmi, atëherë nuk je vetëm