Albspirit

Media/News/Publishing

Të largohet shtatorja me simbolet shoveniste serbe nga sheshi i Prishtinës


Ismet Hajrullahu
Në sheshin Adem Jashari në Prishtinë qëndron ende një monument (Monstrum) me formë trekëndëshi, i cili në mënyrë simbolike ngjason me gjestin famëkeq të tre gishtave, një shenjë e përdorur nga forcat serbe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi si emblemë e dominimit, përjashtimit dhe dhunës etnike. Ky monument nuk është thjesht një strukturë arkitektonike, por një relikt i një ideologjie që ka ushtruar persekutim sistematik ndaj shqiptarëve në Kosovë. Prania e tij në një hapësirë publike që mban emrin e një prej figurave më të shquara të rezistencës shqiptare është një ironi e rëndë dhe një fyerje për kujtesën historike të këtij populli. Edhe më shqetësuese është fakti se ky simbol është futur në mbrojtje si trashëgimi kulturore, një veprim që dyshohet se është bërë që në fillim nga strukturat serbe për të siguruar mbijetesën institucionale të simboleve të tyre në Kosovë. Kjo strategji e njohur synon të ruajë simbolet e dominimit përmes gjuhës së kulturës dhe historisë, duke i paraqitur si pjesë të trashëgimisë së përbashkët. Por në realitet, ky monument nuk përfaqëson vlera të përbashkëta, as paqe, as bashkëjetesë. Ai përfaqëson një ideologji që ka prodhuar vuajtje të mëdha dhe që nuk ka vend në hapësirën publike të një shteti demokratik.
Kosova ka kaluar nëpër një histori të rëndë, të mbushur me sakrifica, dhunë dhe përpjekje për liri. Në zonat e ndryshme të Prishtinës, si Tokbahqe, Velani dhe Parku i Gërmisë, gjenden varre masive që dëshmojnë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve. Çdo gur i atyre varrezave flet për humbjen dhe për dhimbjen që ky popull ka përjetuar. Një nga episodet më të errëta të kësaj historie është masakra e Tivarit, ku mijëra shqiptarë të Kosovës, të rekrutuar me forcë nga regjimi jugosllav në vitin 1945, u dërguan drejt Tivarit me pretekstin e mobilizimit ushtarak. Aty, në vend që të trajtoheshin si ushtarë, u ekzekutuan në mënyrë masive. Tivari u kthye në një kakofoni të vërtetë të dhunës, ku shqiptarët u vranë pa gjyq, pa mëshirë dhe pa asnjë arsye tjetër përveç përkatësisë së tyre etnike. Ky akt përbën një nga masakrat më të tmerrshme të pasluftës në Ballkan dhe mbetet një plagë e hapur në kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Largimi i monumentit me simbole shoveniste do të ishte një veprim institucional që adreson ndjeshmërinë historike të mijëra familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre, si dhe të ish të burgosurve politikë që kanë vuajtur në burgjet e diktaturës serbo-komuniste. Po ashtu, ky akt do të ishte një hap drejt drejtësisë për të internuarit dhe për ata që janë keqtrajtuar nga organet famëkeqe të UDB-së dhe KOS-it. Duhet kujtuar edhe shpërnguljet masive të shqiptarëve drejt Anadollit, si rezultat i marrëveshjes mes Jugosllavisë titiste dhe Turqisë në vitet 1951–1956, ku qindra mijëra shqiptarë u dëbuan nga trojet e tyre në një formë të pastër spastrimi etnik.
Monumenti në fjalë nuk përfaqëson vlerat e Kosovës së sotme. Ai nuk është simbol i paqes, i bashkëjetesës apo i kujtesës së përbashkët, por një mbetje ideologjike që nuk i shërben as kujtesës historike, as ndërtimit të një shoqërie të drejtë. Në vend të tij, duhet të vendoset një shtatore që nderon Heronjtë e Kosovës, ata që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit, dhe që përfaqësojnë vlerat e reja të shtetësisë dhe demokracisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta trajtojë këtë çështje me seriozitetin që meriton. Nuk mjafton të përfaqësojnë qytetarët vetëm në fjalë, e aq më pak të marrin pagat dhe të largohen në shtëpi pa e ngritur zërin për padrejtësitë që ndodhin në qendër të kryeqytetit. Heshtja e tyre përballë simboleve që përfaqësojnë shovinizmin serb është e papranueshme. Nuk mund të fusin veshët në lesh kur monumente me formë të tre gishtave, simbol i dhunës dhe përjashtimit, mbrohen si trashëgimi kulturore, ndërsa shtatorja e Heronjve të Kosovës mungon. Ata duhet të kërkojnë transparencë mbi mënyrën si ky monument është futur në mbrojtje, të propozojnë rishikimin e statusit të tij dhe të angazhohen për zëvendësimin me një simbol që përfaqëson vërtet historinë, sakrificën dhe identitetin e Kosovës. Sepse në fund, heshtja përballë simboleve të shtypjes është bashkëfajësi. Dhe Kosova nuk ka nevojë për përfaqësues që heshtin kur dinjiteti i saj historik fyhet publikisht, por për zëra që mbrojnë të vërtetën, kujtesën dhe drejtësinë.