Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Shevqet Musaraj – shkrimtari dhe luftëtari hero

Frymëzim nga idetë dhe idealet patriotike të Luftës së Vlorës

Shevqet Musaraj zë një vend të veçantë në historinë e letërsisë shqiptare, si një nga pionierët dhe përfaqësuesit kryesorë të realizmit socialist. Në katër dekada veprimtarie letrare e shoqërore, ai ndoqi hap pas hapi historinë e popullit, njohu shpirtin dhe hallet e tij, dhe mori pjesë në luftën për realizimin e idealeve patriotike e demokratike.

Lindi më 27 prill 1914 në Matogjin të Vlorës. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe në qytetin e Vlorës, ku përfundoi arsimin e mesëm në Shkollën Tregtare të Ujit të Ftohtë. Pas mbarimit të saj, punoi pranë disa institucioneve të ndryshme shtetërore.

I frymëzuar nga idetë dhe idealet e Luftës së Vlorës (1920) dhe më vonë nga lëvizjet demokratike të viteve ’30, Musaraj u angazhua me bindje në debatet e kohës, duke mbrojtur gjithnjë anën më përparimtare të mendimit shoqëror dhe letrar. Si shumë krijues të tjerë të brezit të tij, e nisi veprimtarinë me poezi. Vjershën e parë, “Mëngjesi”, e shkroi në moshën 15-vjeçare, i ndikuar nga kujtimet e Luftës së Vlorës. Në vitin 1934 botoi poemën e njohur “Bujku i Hanko Hallës”, një nga krijimet e para me frymë demokratike në poezinë shqiptare.

Me penë e me pushkë për lirinë e atdheut

Pas pushtimit fashist të vendit më 1939, Shevqet Musaraj u rreshtua ndër të parët që reaguan me forcë kundër agresionit. Poezia “Kasollja”, e botuar menjëherë pas pushtimit, shënon një kthesë të rëndësishme në krijimtarinë e tij dhe në letërsinë shqiptare të kohës — duke i dhënë zë temës së qëndresës kundër pushtuesit.

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Musaraj mori pjesë aktivisht si me penë, ashtu edhe me armë. Ai u bë një nga autorët më aktivë të shtypit ilegal të Partisë Komuniste, duke bashkëpunuar me organet “Zëri i Popullit”, “Kushtrimi i Lirisë”, “Bashkimi” etj. Shkrimet, artikujt dhe poezitë e tij shërbyen për të frymëzuar luftëtarët e lirisë. Krahas veprimtarisë letrare, mori pjesë edhe në luftime, në radhët e Batalionit “Dajti” dhe më pas në Brigadën e V-të Sulmuese.

Në letërsinë e kohës së luftës, veprat “Epopeja e Ballit Kombëtar”, “Dje dhe Sot” dhe “Shteg më shteg me partizanët e Divizionit I Sulmues” zënë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij.

Por kulmi i poezisë së tij mbetet poema “Epopeja e Ballit Kombëtar”, e shkruar në verën e vitit 1944, në zjarrin e betejave. Siç shprehej vetë autori, ajo u shkrua për të përmbushur dëshirën e luftëtarëve që kërkonin një këngë që të demaskonte farsën “patriotike” të Ballit Kombëtar, një organizatë që tashmë populli ia kishte zbuluar tradhtinë.

Në publicistikë dhe në mendimin politik

Në një nga shkrimet e tij më të njohura, “Ç’thonë tradhtarët”, Musaraj denonconte propagandën e Ballit Kombëtar që përpiqej të justifikonte praninë gjermane në Shqipëri. Ai me forcën e fjalës e zbërthen mashtrimin:

“E para e punës, gjermanët erdhën në Shqipëri. Këtë s’kanë si ta mohojnë tradhtarët. Përse erdhën? Për të siguruar një bazë në Adriatik dhe për të rekrutuar shqiptarët në armatën e reaksionit ndërballkanik.”

Këto analiza e artikuj e rendisin Shevqet Musarajn ndër publicistët më të angazhuar të Luftës.

Pas çlirimit – një jetë për kulturën kombëtare

Pas Çlirimit, Musaraj u përfshi me energji në jetën kulturore dhe letrare të vendit. Ai ishte ndër organizatorët e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ku shërbeu si sekretar dhe kryeredaktor i revistës “Literatura jonë”. Veprimtaria e tij politike dhe letrare e bëri një figurë të spikatur publike. Më 2 dhjetor 1945 u zgjodh deputet në Asamblenë Kushtetuese që shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, dhe më pas u zgjodh disa herë në Kuvendin Popullor.

Shevqet Musaraj është nderuar me Çmimin e Republikës në vitet 1960 dhe 1965, ndërsa në vitin 1974 iu dha titulli i lartë “Hero i Punës Socialiste”.

Veprat letrare dhe trashëgimia

Në vitin 1979, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” botoi serinë e plotë të veprave letrare të Shevqet Musarajt, të përbërë nga gjashtë vëllime, ku përfshihen poezi, publicistikë, tregime, novela e romane.

Vëllimi I – Poezi: përfshin krijimet poetike të viteve ’30 dhe të Luftës, me poemat “Bujku i Hanko Hallës”, “Epopeja e Ballit Kombëtar” dhe “Do të bëhen zgjedhjet”.

Vëllimi II – Publicistikë: artikuj të periudhës së Luftës dhe të viteve pas Çlirimit.

Vëllimi III – Prozë letrare: skica, tregime dhe proza satirike.

Vëllimi IV – Novela: “Isha unë, Çobo Rrapushi”, “Llaz Qesarati”, “Dritë” dhe “Unë, Mato Labi, konservator!?”.

Vëllimet V-VI – Romane: “Para agimit” dhe “Belxhiku që këndonte vënçe”.

Ndër veprat më të njohura të tij përmenden: “Bujku i Hanko Hallës” (1935), “Këngët e sirtareve” (1936), “Shteg më shteg me partizanët” (1944), “Epopeja e Ballit Kombëtar” (1944), “Do të bëhen zgjedhjet” (1948), “Njëzet ditë në Bashkimin Sovjetik” (1950), “Të shkuara të harruara” (1957), “Isha unë Çobo Rrapushi” (1960), “Letër nga fqinji” (1964), “Para agimit” (1965–1966), “Unë, Mato Labi, konservator!?” (1974), “Novela” (1975) dhe “Belxhiku që këndonte vënçe” (1979).

Shevqet Musaraj u nda nga jeta më 28 korrik 1983 në Tiranë.

Për ta përjetësuar figurën e tij si luftëtar, shkrimtar dhe hero, rrugë dhe institucione të rëndësishme në vend mbajnë emrin e tij. Biblioteka e qytetit të Vlorës mban emrin “Shevqet Musaraj”, duke u bërë një qendër e rëndësishme e edukimit kulturor e patriotik për brezat e rinj. Po ashtu, në qendër të Tiranës një rrugë mban emrin e tij — një nder për Smokthinën dhe gjithë Labërinë, vendlindjen e shkrimtarit, luftëtarit dhe heroit.