Bexhet Çobani: Mufid bej Libohova, themelues i Bankës së Shqipërisë
NË 1OO-VJETORIN E THEMELIMIT TË BANKËS SË SHQIPËRISË
MUFID BEJ LIBOHOVA më 1925 emërohet ministër i Financave si vazhdimësi e qeverisë Vrioni dhe merr përsipër edhe kabinetin e Punëve të Jashtme.
Një nga meritat më të mëdha të Mufid bej Libohoves është operacioni për krijimin e BANKES KOMBETARE edhe krijimin e “Lek-ut”, monedhës kombëtare shqiptare. Falë huasë italiane prej 50.000.000 (pesëdhjetë milionë) franga ari, Shqipëria hodhi bazat për krijimin e Shtetit Shqiptar, bëri korpusin e ministrive, qendrën e Tiranës dhe shumë investime të mëdha stradegjike në te gjitha fushat. Te gjitha ndërtimet që u bënë falë kredisë italiane janë edhe sot pasuri e madhe e kombit shqiptar dhe tepër funksionale. Mufid bej Libohova ishte politikani dhe teknicieni, që realizoi të gjithë procedurat për krijimin e BANKES KOMBETARE SHQIPTARE si më poshtë vijon:
20 janar 1925
Salvatore Contarinni, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë i paraqet Benito Musolinit planin prej 9 pikash për investimin me përparësi të kapitalit italian në Shqipëri, plan i cili u miratua në Romë. Ahmet Zogu e diskutoi planin me Mufid dhe Eqerem Libohovën dhe përgjithësisht e pranuan atë, me përjashtim të koncesionit vajguror që i ishte premtuar kapitalit anglez. (Mufid bej Libohova ishte Ministër i Financave dhe Ministër i Jashtëm, Eqrem bej Libohova ishte ministër fuqimplotë i Shqipërisë në Romë).
shkurt 1925
Vjen në Shqipëri një grup kapitalistësh anglezë për të biseduar me përfaqësues të Qeverisë Shqiptare, për marrjen e koncesioneve ekonomike në Shqipëri. Ky grup përfaqësohej nga Midland Bank dhe hartoi edhe një skemë marrëveshjeje lidhur me koncesionin e bankës. Në këtë marrëveshje theksohej:
1) Të krijohej Banka e Shtetit Shqiptar me një kapital prej 500.000 lira stërlinash, prej të cilit 51 për qind do t’i rezervohej kapitalit anglez dhe 49 për qind kapitalit shqiptar. Qendra e Bankës do të ishte në Shqipëri.
2) Grupi anglez që do të merrte koncesionin e bankës do t’i siguronte Qeverisë Shqiptare një hua prej 2 milionë lira stërlinash, ndërsa 100.000 lira stërlina do të jepeshin në formë paradhënieje që në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes. Grupi anglez do të kishte epërsi në të gjitha koncesionet ekonomike në Shqipëri.
19 shkurt 1925
Ugo Sola, i ngarkuari me punë i Italisë në Durrës, i dërgonte Romës një telegram, me të cilin e njoftonte për hapat që kishte bërë kapitali britanik dhe shtonte se ardhja e menjëhershme e përfaqësuesve të interesave bankare italiane do të mund të paralizonte veprimtarinë e grupit anglez. Në këto rrethana, nisi letërkëmbimi diplomatik mes Romës dhe Londrës, për çështjen e përparësisë së Italisë në ekonominë shqiptare. Londra, e cila fill pas Luftës së Parë Botërore i kishte dhënë pëlqimin kapitalit italian për të patur një pozitë të veçantë në Shqipëri, u tërhoq nga plani i saj dhe i hapi rrugë Italisë.
21 shkurt 1925
Ministri i Financave dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Mufid Libohova, hynë në bisedime me Ugo Solën, i ngarkuari me punë i Italisë në Shqipëri. Atij iu bë prezente draft-marrëveshja me grupin anglez dhe vështirësitë financiare që momentalisht kalonte Shqipëria. Njëkohësisht, u arrit marrëveshja për këto çështje:
1) Qeveria Shqiptare do t’i ndërpriste menjëherë tratativat me grupin anglez.
2) Qeveria Italiane jepte menjëherë një paradhënie prej 500.000 frangash ar.
3) Qeveria Shqiptare do t’i transferonte Qeverisë Italiane të gjitha klauzolat e kontratës së projektuar me grupin anglez.
4) Brenda datës 15 mars 1925 do t’i jepej Qeverisë Shqiptare një tjetër paradhënie prej 500.000 frangash ar.
5) Me rastin e firmosjes së marrëveshjes, Qeverisë Shqiptare do t’i jepeshin edhe 1.000.000 franga ar.
6) Huaja 2 milionë franga ari do të ndahej në kuota për 5 vjet.
6 mars 1925
Mario Alberti i dërgonte një letër Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë me të cilën e njoftonte se sipas udhëzimeve që kishte patur nga Musolini, kishte përfunduar projektmarrëveshjen e konventës për çështjen e bankës dhe të huasë, e cila sipas konventës do t’i jepej Qeverisë Shqiptare. Ai i parashtronte Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dy çështje kryesore:
1) marrëveshja të nënshkruhej në emër të grupit financiar italian të rekomanduar nga Qeveria Italiane. Ky grup kryesohej nga Instituti Kombëtar për Këmbimet me Botën e Jashtme;
2) në krijimin e bankës dhe të shoqërisë SVEA të mos angazhoheshin në asnjë mënyrë kapitalet e Credito Italiano që drejtohej nga Mario Alberti. Për këtë arsye, para se të nisej për në Tiranë, ai u përpoq të zgjidhte përfundimisht çështjen e kapitalit të huasë SVEA kuptohet edhe të huasë për Qeverinë Shqiptare. Në krijimin e bankës dhe të shoqërisë SVEA, mori pjesë vetë Shteti Italian. Në këto rrethana, midis Qeverisë Shqiptare të përfaqësuar nga Mufid Libohova, Ministër i Financave dhe Zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Mario Albertit, përfaqësues i grupit italian, u arrit kompromisi i gjerë për themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe për huanë SVEA. Banka krijohej si instiut i Shtetit Shqiptar.
11 mars 1925
KONVENTË
Unë, Mufid Libohova, Ministër i Financave e Zëvendësministër i Punëve të Jashtme në përfaqësim të Shtetit Shqiptar nga njëra anë e Grand Ufficiale Mario Alberti nga tjetra anë, si përfaqësues i grupit financiar i rekomanduar nga Qeveria Italiane, kemi nënshkruar si vijon:
1. Grupi italian i përfaqësuar nga Gr.Uff. Mario Alberti, ka për të formuar brenda nëntëdhjetë ditëve prej ratifikimit të kësaj kontrate “Banka Kombëtare e Shqipërisë” (Banca Nacionale d’Albania) me një kapital nominal prej franga ari 12.500. 000 (dymbëdhjetë milionë e gjysmë) i ndarë në katërqind e nëntëdhjetë e pesë aksione të zakonshme me një vlerë secila 25 fr.ari e në 100.000 aksione themeltare me vlerë secili prej franga ari 1.25. Prej një kapitali të tillë nominal 2.500.000 fr. ari kanë për të qenë të nënshkruara menjëherë e banka mund të fillojë aktivitetin e saj porsa t’i ketë dhënë provë Qeverisë Shqiptare se ka dërguar efektivisht pranë një banke më në zë në Zvicër shumën në 2.500.000 fr.ari ose ekuivalenten e saj.
2. Shtetasit shqiptarë kanë të drejtën e pjesëmarrjes deri në masën 49 për qind të kapitalit aksioner.
3. Drejtoria qendrore e bankës do të vendoset në kryeqytetin e Shqipërisë.
4. Kjo konventë ka një afat 50-vjeçar, me të drejtë zgjatjeje sipas një marrëveshjeje ndërmjet të dyja palëve.
5. Banka do të jetë në harmoni me ligjet e shtetit dhe mund të çelë degë si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë.
6. Banka ka për të patur këto të drejta, ashtu siç lejohet në konventë:
a. të marrë mbi vete çdo lloj veprimi bankar e financiar;
b. privilegjin ekskluziv të nxjerrjes së kartëmonedhës, që do të ketë një kurs ligjor e një fuqi të patundshme për pagesat në Shqipëri;
c. të depozitojë fondet e shtetit, të ketë shërbimin e thesarit dhe të negociojë huanë qeveritare e të bashkive.
7. Çdo gjë që nevojitet për ndërtesën, për instalimet dhe për shtrimet në ndërtesat e bankës do të jetë e përjashtuar nga detyrimet doganore. Me përfundimin e koncesionit, ndërtesat e bankës do të jenë në pronësi të Shtetit Shqiptar sipas vlerës me të cilën do të çmohen. Çmimi do të caktohet nga një i tretë, i cili do të përcaktohet nga marrëveshja mes Shtetit dhe Bankës.
8. Të gjitha kapitalet dhe vlerat private që vendoseshin pranë Bankës së Shqipërisë do të ishin të lira prej çdo konfiskimi direkt apo indirekt nga çdo sekuestrim apo kontroll prej Shtetit, përveç rasteve të vendimeve formale ligjore të gjyqtarëve, për shkak se Banka i nënshtrohej ligjeve të Shtetit.
9. Drejtoria qendrore e bankës, në kryeqytetin e Shqipërisë, ka për t’u përbërë prej dy misave italianë e dy shqiptarë; kryesia i ngarkohet njërit nga dy misat italianë, që do të ketë votën përfundimtare. Dy misat shqiptarë do të emërohen nga Qeveria. Derisa banka nuk do të ketë zhvillimin e nevojshëm, misat e drejtorisë qendrore të lartpërmendur mund të zbriten në dy misa, njëri italian me votë përfundimtare, tjetri shqiptar.
10. Në këshillin e administratës së bankës, një misë e një komisioner do të caktohen nga Ministria e Financave të Shqipërisë.
11. Banka do të përgatisë një rezervë metalike (ar ose argjend në shufra ose monedhë) me vlerë sa një e treta e bankënotave të lëshuara.
Nënshkruar
Mufid LIBOHOVA, Mario ALBER
15 mars 1925
Mbi pranimin e marrëveshjes për themelimin e Bankës dhe operacionet e huasë (botuar në Fletoren Zyrtare, 18 prill 1925, Nr.15).
Mbasi u pa marrëveshja me datë 15 mars 1925 e nënshkruar prej Zotit Ministrit të Financavet dhe Grand Ufficiale Mario Alberti:
Mbasi u pa artikulli (neni) 88 i Statutit; u muar vendimi i Këshillit të Ministrave;
DEKRETOJMË
Art.1. Është i pranuar konvencjoni i nënshkruar ndërmjet Ministrit të Financave dhe Grand Ufficiale Mario Alberti për themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë edhe operacionet përkatëse të huasë.
Art 2. Konvencioni i lartpërmendur do t’i paraqitet Parlamentit për shndërrimin e tij në ligj.
Art.3. Për zbatimin e këtij dekreti ngarkohet Ministria e Financave.
Kryetari i Republikës: Ahmet ZOGU
Ministri i Financave, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme: Mufid LIBOHOVA
12 korrik 1925
Ligj “Mbi pranimin e Konventës për Bankën Kombëtare, të konvencionit për huanë prej 50.000.000 franga ari për punë botore, të ligjit Organik të Bankës Kombëtare, të ligjit mbi rregullimin e monedhave”. (Botuar në Fletoren zyrtare 31 korrik 1925, Nr.40.).
Kryetari i Republikës Shqiptare, urdhëron ekzekutimin e:
a. Konventës së Bankës Kombëtare midis Qeverisë Shqiptare dhe grupit financiar italian me datë 15 mars 1925, i ratifikuar me dekretin e datës 15 mars 1925 dhe i shpallur në Fletoren Zyrtare më 18 prill 1925.
b. Konventës mbi huanë për punërat botore të Shqipërisë prej 50.000.000 (pesëdhjetë milionë) franga ari.
c. Ligjit organik të Bankës Kombëtare të përbërë prej 60 artikujsh të përmbledhur në 8 kapituj.
d. Ligjit mbi rregullimin e monedhës, me gjithë ndryshimet e bëra prej dy dhomave legjislative në konventën dhe në ligjin organik të sipërcituar.
Kryetari i Republikës: Ahmet ZOGU
Ministri i Financave, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme: Mufid LIBOHOVA
Pasqyra e aksionerëve të Bankës Kombëtare të Shqipërisë më datë 2 shtator 1925.
Aksionerët Përfaqësuesit Themeltarë Të zakonshme
• Credito Italiano Mario Alberti 100.000 15.000
• Banca Nazionale di Credito Ing.P.Fonoglio 30.000
• Banco Di Roma Carlo Dazio 30.000
• Banca Commerciale Italiana Ing.L.di Stefano 30.000
• 4 banka të vogla italiane Av.A.GambinoAv.G.Bianchini 20.000
• Ugo Viali- Roma 40.000
• Vincenzo Azzolini -Roma 25.000
• Massimo Aurelio 30.000
• Banque Commerciale de Bale FredericoBrunner 50.000
• Banque Belge pour l’Etranger Av.R.Gambino 25.000
• 4 banka jugosllave Lale N.Zuber 50.000
• Ajet Bej Libohova 40.000
• Ekrem Bej Vlora 58.000
• Nexhet Pasha Vlora 52.000
• GJITHSEJ 100.000 495.000
Sipas biografëve të Mufit Libohovës, ka qenë pikërisht ai që ka propozuar emrin Lek gjatë kohës që ushtronte detyrën e Ministrit të Financave.
Suad Asllani (Çobani) nga Nepravishta e Libohovës ishte përfaqesuesi juridik në themelimin e bankës së Shqipërisë, ai hartoi gjithë kontratat juridike ishte mik dhe njeri i besuar i Mufid Bej Libohovës.
Abedin Nepravishta u emërua një nga drejtorët e parë të Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Më poshtë vijon dokumentin arkivor:
Godina e Bankës së Shqipërisë ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1936. Stili i saj arkitektonik i përket rrymës së “Racionalizmit”, rrymë e cila lulëzoi në gjysmën e parë të shekullit XX ne Evropë. Projekti i godinës është realizuar nga arkitekti i njohur italian i asaj periudhe, Vitorio Marpurgo.
Ndër detyrat më të rëndësishme që kreu Mufid Libohova ishte ajo e nënshkrimit të marrëveshjejes ekonomike me Italinë. Nga kjo marrëveshje financiare filloi të zhvillohet shteti shqiptar. Falë kësaj marëveshje në Shqipëri u ndërtuan vepra të mëdha kolosale, nga qendra e Tiranës, rrjeti rrugor shqiptar.
Homazh për shtetarin, mendimtarin, patriotin, profesorin, dipllomatin, politikanin e madh shqiptar Mufid Bej Libohova i cili nuk është vlerësuar akoma nga historia dhe politika jonë e indokrinuar.
Përgatiti: Ing. Bexhet Çobani