Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Heronj të heshtur…

Populli shqiptar, në çdo etapë të historisë së tij, u ka ngritur monumente bijve që kanë rënë për Atdheun. Edhe pse shpesh i varfër, ai ka kursyer dhe ka mbledhur aq pare sa ka mundur për të ngritur një monument, një statujë apo një përmendore. Dhe kur këto kanë munguar, mbi varret e tyre ka vendosur pllaka guri dhe ka kënduar këngë kujtese.

Përveç vëllimeve “Yje të pashuar”, kushtuar dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, janë botuar edhe vëllimet monumentale për dëshmorët e rënë pas Çlirimit, të njohura me titullin domethënës “Heronj të heshtur”.

Historia mijëravjeçare e popullit shqiptar ka qenë e mbushur me përballje të vazhdueshme me armiq të shumtë. Në shekuj, në luftëra e në paqe, janë shfaqur dhe janë përzier elementë armiqësorë të ndryshëm, në gjuhë, zakone, fe e forma veprimi, me një synim të vetëm: zhdukjen e kombit dhe të shtetit shqiptar. Prania e elementit armik ka qenë dhe mbetet një realitet i pandërprerë, ndërsa harresa e tij sjell pasoja të rënda për kohë të gjatë.

Në këtë truall, të bekuar nga Zoti, janë thyer armata, janë mposhtur doktrina dhe është arritur qëndresa. Që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e mëvonshme, historia njeh veprimtarinë e informatorëve dhe agjentëve, të cilët, të maskuar si të varfër e lipsarë, përpiqeshin të zbulonin kështjella, armatime, rrugë furnizimi, për të sabotuar dhe për të thyer besimin e popullit.

Këto forma armiqësore vazhduan në shekuj: me helmime, me zhdukje figurash të arsimit e kulturës, me djegie e masakra, vetëm e vetëm që populli shqiptar të mos ecte në rrugën e përparimit shoqëror.

Vepra “Heronj të heshtur” është një basorelief i madh historik, që pasqyron të vërtetën e jetës dhe të sakrificës së këtyre dëshmorëve, të cilët populli me të drejtë i quajti të heshtur. Në këto libra pasqyrohet një pjesë e jetës së tyre, mënyra se si, në kushte jashtëzakonisht të vështira, ata luftuan dhe mbrojtën sakrificat e lirisë së fituar. Ata ranë si ushtarë të Atdheut, të rreshtuar për të mbrojtur paqen dhe rendin e pasluftës.

Shqipëria e viteve të para pas Çlirimit ishte në ndërtim. Në gjithë vendin kishin nisur aksionet për ndërtimin e rrugëve dhe urave, reforma agrare, votimet, fushatat kundër analfabetizmit, këngët e reja dhe shpresa për një jetë më të mirë.

Ndërkohë, veprimet luftarake kishin pushuar, por heronjtë e heshtur vazhdonin të ishin partizanë me pushkë në krah, me bomba në brez dhe me vigjilencë të lartë. Ata ndiqnin mbeturinat e bandave armiqësore, diversantët dhe kriminelët që pengonin ndërtimin e jetës së re dhe pushtetit të popullit. Në acar e vapë, në dimër e në stuhi, ata qëndronin në shërbim të Atdheut, të heshtur, por të vendosur.

Armiku që ndiqnin ishte po aq i egër sa pushtuesit fashistë, i njollosur nga krime kundër popullit, kundër të rinjve, mësuesve, grave e vajzave që kërkonin jetën e re. Në përballje me këtë reaksion, këta partizanë të paqes pritën plumbat në ballë, në gjoks, në prita buzë rrugëve, në pyje, pranë shtëpive dhe shkollave.

Në këtë luftë, ashtu si gjatë LANÇ-it, ata kishin përkrahjen e pandërprerë të popullit. Ata ranë në llogoren e mbrojtjes së paqes dhe të lirisë së fituar.

Në vitin 1946 u krijua një varrezë e madhe e dëshmorëve të heshtur, një kambanë kujtese dhe kushtrimi, një mësim historie se paqja dhe liria mbrohen me gjakun e bijve të popullit. Ata na lanë një porosi të qartë: kujtim, nderim dhe mësim – Atdheu mbi të gjitha.

Heronjtë e heshtur janë të shpërndarë në çdo cep të Shqipërisë. Jeta dhe vepra e tyre përbëjnë një kronikë epike, të ashpër dhe heroike nga fillimi në fund. Njohja e tyre është një detyrim moral për shoqërinë dhe për shtetin shqiptar. Monumentet, edhe kur janë të venitura nga koha, vazhdojnë të flasin për një histori që nuk shuhet kurrë.

Në librat për heronjtë e heshtur është skalitur me thjeshtësi dhe lavdi vepra e tyre e pavdekshme. Po përmendim vetëm dy shembuj nga qindra dëshmorë.

Nëna Zaide Vata

Zaide Sinan Vata lindi në vitin 1905 në fshatin Surroi të Kukësit. Në vitin 1946 ajo ishte nënë e dy fëmijëve jetimë, Nailes dhe Ramës. Me mundime të mëdha i kishte rritur, pasi bashkëshorti i kishte ndërruar jetë. Një natë, diversantë u paraqitën në shtëpinë e saj duke kërkuar bukë dhe strehë. Nëna i kuptoi menjëherë. Forcat e ndjekjes kishin rrethuar shtëpinë dhe, në mes të oborrit, njëri nga kriminelët e qëlloi. Ajo ra dëshmore e heshtur, u shpall Dëshmore e Atdheut dhe u dekorua me Medaljen e Trimërisë.

Martina Nikollë Kalthi

Martina Kalthi lindi në vitin 1926 në Bushkash të Matit. Grua e thjeshtë, punëtore dhe trimëreshë, ajo u përball me kriminelët në shtëpinë e saj më 1946. Pa u trembur nga rreziku, ajo u përlesh trup më trup me një bandit, ia rrëmbeu armën dhe e shtriu përtokë, por u qëllua pas shpine nga një tjetër. Ajo ra si heroinë, duke u bërë simbol i trimërisë së grave shqiptare.

Në vitin 1946 ranë në fushën e nderit dhjetëra bij e bija të popullit shqiptar, mes tyre: Adem Mustafa Vrapi, Ethem Bajram Mustafaj, Ethem Sulçe Plaka, Fadil Refik Mezini, Haziz Beqir Dobra, Hazis All Hoxha, Hamdi Beqir Çela, Hasan Qamil Agolli, Hasan Murat Korbi, Hasan Myftar Kërxhalliu, Hajredin Sali Prifti, Hito Iljaz Majkaj, Hysni Hekuran Zotka, Hysni Shaban Mullolli, Hysni Hakik Gërbolli, Ibrahim Hasan Duka, Ibrahim Shemshi Daci, Idai Arshin Demaj, Jonuz Qazim Toska, Kadri Ibrahim Greca, Kasëm Destan Tanushi, Kin Mark Kulli, Kristaq Petro Caci, Kolë Nikollë Hubaj, Kolë Bibë Luka, Koci Pandi Jorgji, Likë Bush Doku, Liman Idriz Laçi, Martina Nikollë Kalthi, Maxhun Fetah Mehmetaj, Matosh Ukë Përkola, Maliq Ismail Pasho, Mexhan Dule Arapi, Miço Spiro Boga, Mustafa Bajram Lulja, Mustafa Dibra, Mynyr Shaban Shpata, Nazif Qerim Ibraj, Namik Ismail Osmani, Ndrec Ndue Gjoka, Ndoc Shtjefën Kini, Ndoc Bib Kaçori, Nebi Alem Llanaj, Nebi Dule Mehmeti, Nimet Sabit Muçaj, Nuri Mehmet Pashollari, Nuhi Bistim Voka, Pal Zef Lleshi, Prengë Pal Carra, Prengë Llesh Losi, Prengë Mark Pali, Petro Llasi Dhespotllari, Qermi Ram Kurti, Rahman Xhemal Dollani, Ramadan Haxhi Qorri, Rahman Rusten Xhaferllar, Ramiz Hamza Marjani, Rakip Arif Disha, Rakip Tahir Bejkollari, Ram Sabri Meshi, Rrap Sulejman Habili, Remzi Nazis Koro, Rexhë Deli Rexha, Refki Sali Menkolli, Rexhep Rahman Bajrami, Refat Mustafa Teta, Riza Man Leka, Rushit Vesel Zyferi, Rustem Fastli Qelia, Sali Haziz Kryeziu, Sabri Baftjar Jaupllari, Sadik Rrapush Koçi, Safet Abaz Jahjai, Selim Arif Musai, Selim Ali Ceka, Selim Sulejman Sulillari, Seit Seit Pepa, Stefan Risto Bino, Shaban Ali Çarçiu, Shaban Bajram Nure, Shafit Shaban Zenaj, Shyqyri Reshat Meka, Turabi Ethem Izbo, Thanas Liçi Shkurti, Vangjel Thoma Koleci, Vath Ahmet Stafa, Veledin Bajrami, Veledin Nureddin Serjani, Veli Reshit Sukja, Veli Hysen Xhymerti, Veli Arif Tosku, Vesel Myftar Çako, Xhemal Rakip Nezha, Xhemal Muharram Torovelli, Xhemal Ramadan Hysa, Xhevit Abaz Pjeçi, Xheladin Avdi Marati, Zaide Sinan Vata, Zeqo Musa Gërxana, Zenel Arshin Islami, Zef Simon Gega, Zet Mark Ndou, etj.

Të gjithë duhen nderuar dhe përkujtuar, qoftë dhe thjeshtë me një kurorë në varrin e tyre nga Organizata e Dëshmorëve dhe familjarët e tyre.