Ndue Ukaj: Po jeta, ç’është?
Brez pas brezi, njerëzit trashëgojnë pyetje të paqarta
dhe të shqetësuar gërmojnë përgjigje nëpër rrënoja kohësh.
Pyetja shndërrohet përpara tyre si stinët.
Në vendin tim, kjo pyetje bëhej shumë rrallë.
Se dëshira më e madhe ishte një ekzistencë dosido,
për shembull, të zgjoheshe një ditë pa ankth dhe ajo quhej lumturi.
Borgesi thoshte diku se librat janë zgjatim i kujtesës,
por në atdheun tim librat janë shkruar shumë vonë
dhe hartat e harresës janë më të mëdha se ato të kujtesës.
Po zgjatim i ankthit, lajmeve të zeza, është?
A mund të jetë një arratisje, me pengje mbetur udhëve,
ku gjithçka i përket barrës së harresës apo atij tjetrit
që të kujton se një gur është gur, një tigër është tigër?
Por cili është ai tjetri, atij që i përket jeta jonë?
Sodis nëpër shkronja, si nëpër një rrëqethje trupi
dhe më bëhet sikur ec nëpër prush.
Unë kam ecë shekuj nëpër prush,
me hirin e dëshirave të djegura brez pas brezi,
herë me sytë e errët të Homerit,
herë me dritën që shihte Dantja kur ishte në Ferr.
Borgesi mendonte se një jetë që të ekzistojë
medoemos duhet t’i përkasë tjetrit.
Por ç’ndodh kur tjetri nuk ekziston
ose kërkon me t’i nxjerrë sytë?
Errësirë. Pyetje të errëta. Të plumbta si ajri i rëndë.
Nëpër këndet e mbuluara me paqartësi,
skutave të korridoreve të zemrës,
shoh vetveten nëpër pasqyra të mëdha,
pasqyra që më kthjellojnë shikimin,
aty ku përherë fashitet një pamje,
si një ditë e gëzuar që mbytet në terr.
Sa shumë vite mund të përmbyllen në një frazë:
një jetë e lumtur ose e bjerrë kot.
Unë gjatë kam lundruar në trazirat e kësaj fraze
dhe kam parë si tingujt e ëmbël të jetës
treten në erë dhe prapa mbeten pengje,
pa sinonime, nëpër të cilat ecim si nëpër kujtime të vagullta
dhe mbledhim hirin e ndjenjave të shkrumbuara.