Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: “Marsi i marrë” i Bashkim Hoxhës, një triller tragjikomik

Në ditën e tij të lindjes, shkrimtari Bashkim Hoxha më dërgoi nga Durrësi romanin e tij më të fundit “Marsi i marrë” (botimet URA-Prishtinë, 2026, redaktore Lumnie Thaçi Halili). E lexova pa humbur kohë dhe po shkruaj shkurt disa refleksione. Sinqeriteti i rrëfimit dhe lakonizmi ndihen qysh në faqet e para.

Në vepër spikat një mesazh filozofik i qartë, që i kundërvihet jetës së përditshme: Të jetosh jetën tënde! Mesazhin qëndror të romanit të tij “Marsi i marrë”, autori e ka vënë në gojën e një prej personazheve, Brankos: “Jeta jonë është shumë e ngatërruar. Përplasemi me njëri-tjetrin pa e ditur se çfarë na takon si individ dhe çfarë na takon si turmë. Jetojmë njëherësh dy fate. Po të shkruhej fati i secilit në qiell, nuk do të mjaftonte i gjithë universi. Pastaj, nga e gjithë ajo hapësirë e madhe, ne jemi askushi”.

Janë pikërisht politikat abstrakte, që e kthejnë përmbys jetën tonë të përditshme. E lindur nga hiçi, liria jonë është një shpërthim hiçi, ashtu siç është një shpërthim ekzistence. Njerëzit nuk janë të lirë veëm duke ushtruar spontanitetin e tyre, por bëhen të lirë vetëm nëse e kthejnë spontanitetin drejt një çlirimi, pra drejt një personalizimi të botës dhe të vetvetes.

Ja çfarë thotë më tej Branko: “Do të jetë një ditë e lodhshme, ku liria do të vihet në provë. Liria është një balonë që fluturon lart në qiell. Fija e saj që e mban lidhur me tokën do të këputet dhe do të shkojë akoma më lart, përtej majës së malit”.

Në rrëfim njeriu i brendshëm që jeton tek çdo personazh, duket sikur e tepron me çmendurinë e tij, por në fakt rrëfen të vërtetën e madhe. B. Hoxha me artin e tij kërkon të godasë në qendër; në qendër të botës psikologjike, te njeriu që fshihet te njeriu, te njeriu abstrakt, absolut, te ai ku nuk arrijnë shtresat e kulturës, të dashurisë dhe konvencionales.

***

“Marsi i marrë” është triller tragjikomik, ku trajtohen probleme të shoqërisë bashkëkohore, si dhe një kritikë e mprehtë e hipokrizive të shoqërisë, paturpësisë dhe makabritetit të pushtetarëve, si plagë sociale.

I joshur pas absurdit dhe groteskut, B. Hoxha na shfaqet në disa plane, si shkrimtar dhe si dramaturg.

Çlirimi nga rregullat skematike, duket se i ka dhënë aftësinë autorit të përdorë dendur metaforat tragjike dhe groteskun, si element fondamental të tekstit letrar, të përdorë simbolikën fine, si dhe provokimet dramatike. Në këtë vepër gjen humorin e zi, kur të “burgosurit socialë” ndihen të lirë, kur i izolojnë larg qytetit dhe kërkojnë të mbeten të pastër. Në kuptimin më të lartë të fjalës, simbolika është e papërsëritshme.

E them me bindje se ky roman plotëson një profil të rrallë të shkrimtarit, dhe dramaturgut B. Hoxha, që e sheh të vërtetën me sy, drejtpërdrejtë, jo me syze; në sensin më autentik të së vërtetës njerëzore.

Lexuesi ka në dorë një libër të vogël në faqe, por margaritar në vlerat artistike, filozofike, jetësore, morale, të ngarkuar me dashurinë për të vërtetën, për jetën, për njeriun.

Gëzuar ditëlindjen, Bashkim! Jetofsh jetën tënde, me sa më shumë vepra si kjo!