Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Reciprocitet për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Çështja e reciprocitetit në marrëdhëniet Kosovë–Serbi nuk mund të kuptohet vetëm si një parim abstrakt diplomatik. Ajo ka një përmbajtje konkrete, që lidhet drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve. Serbët në Kosovë gëzojnë një sërë të drejtash të veçanta, të garantuara nga Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare: përdorimin e gjuhës, përfaqësim politik, shërbime publike të përshtatura. Këto janë lehtësira që synojnë të sigurojnë barazi dhe integrim. Por, kur shohim gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, tabloja është krejtësisht e kundërt.

Pasivizimi i adresave, një proces administrativ i zbatuar nga autoritetet serbe, ka prekur mijëra shqiptarë. Me një vendim të thjeshtë burokratik, ata fshihen nga regjistri i popullsisë, duke humbur të drejtën e votës, dokumentet personale dhe qasjen në shërbime publike. Ky mekanizëm, i cilësuar nga organizata ndërkombëtare si diskriminim administrativ, ka pasoja të rënda: shqiptarët e Luginës trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, të përjashtuar nga proceset demokratike dhe nga jetesa normale.

Kjo kontrast i thellë mes privilegjeve të serbëve në Kosovë dhe diskriminimit të shqiptarëve në Serbi e bën të domosdoshme ngritjen e zërit për reciprocitet. Nuk mund të ketë drejtësi nëse njëra palë gëzon të drejta të veçanta, ndërsa pala tjetër përjashtohet. Reciprociteti nuk është hakmarrje, por parim i barazisë: nëse Serbia kërkon mbrojtje për serbët në Kosovë, atëherë duhet të garantojë të njëjtat të drejta për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kjo çështje tashmë ka kaluar edhe në nivel ndërkombëtar. Padia e dorëzuar në Gjykatën e Strasburgut pritet të konstatojë shkeljen e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një vendim i tillë do të ishte një pikë kthese, sepse do ta detyronte Serbinë të ndryshojë praktikat e saj diskriminuese dhe të rikthejë të drejtat e shqiptarëve të pasivizuar.

Në këtë kontekst, roli i institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë është vendimtar. Ata duhet të insistojnë që reciprociteti të zbatohet jo vetëm si parim politik, por si realitet i prekshëm për qytetarët. Shqiptarët e Luginës nuk mund të mbeten të harruar, të trajtuar si të huaj në vendin e tyre. Barazia e të drejtave është kusht për paqe dhe stabilitet në rajon.