Ahmet Xhavit Delvina: SI MË NDIHMOI ZOTI TË MOS BIJA PRE E PROVOKIMIT
Më kujtohet një ngjarje shumë e rëndë dhe e rrezikshme për në atë “dreq kohe” që më kërcënonte jo vetëm mua si person, por edhe të gjithë familjen time me burg dhe internim sipas zakonit të kohës. Falë manovrimit tim i driblova me shumë sukses e maturi ata provokatorë të ndyrë dhe si rrjedhim shpëtova pa asnjë dëm.Ishte viti 1987, ndodhesha në dhomën e remontit të Fonderisë së Gizës në “Uzinën Traktori” me shokët komunistë të punës që vareshin nga unë Luigj Gjergji, Zybi Bila, Gani Daja, Nako Leka, etj.
Vjen një burrë nja 30 – 35 vjeç i cili më kërkon mua personalisht dhe më dorëzon një zarf të madh duke më thënë se e ke nga Bashkimet Profesionale të Rrethit. E mora zarfin nga personi të cilin edhe pse nuk e njihja e falenderova, dhe “për fat” pa u bërë kurioz që ta hapja e lashë mënjanë, pasi një korrespondencë e tillë me Bashkimet Profesionale, për mua ishte më se e zakonshme dhe e imagjinoja se çfarë përmbajtje do të kishte, prandaj vazhdova punën me shokët. Ishim përmbi një vizatimi pune të cilin po e përdorja për t’ju shpjeguar se çfarë duhet të bënin ata për eliminimin e një defekti. Sapo mbarova sqarimet e nevojshme i shpërndava shokët sipas detyrës që do të kryenin, dhe ata dolën bashkarisht nga dhoma për në punën e caktuar. Dhomën e kishim me dy çelësa, një e mbante brigadieri i turnit dhe një unë si shefi i tyre, përpara se të dilja dhe unë nga dhoma i fundit, mblodha vizatimet nga tavolina që po ju shpjegoja shokëve dhe sapo dilja më ra ndërmend zarfi që mora pak më parë. Në çast, biles isha në këmbë, e hapa zarfin, por çfarë të shoh brenda në të? Një tufë me shkresurina dhe një si fletë shoqëruese që më drejtohej mua personalisht e shkruar në mënyrë shumë konfidenciale duke më kërkuar edhe vërejtjet e mia.
Këtu përfshihej një “Projekt – Program” i Qeveris Shqiptare në “Ekzil” në SHBA e udhëhequr nga “Princi Mohamed Aly Khan” për të cilin thuhej se ishte me origjinë shqiptare. Aty në atë zarf të madh ishin edhe dy gazeta me fotografinë e Princit me feste të zezë në kokë e shkruar në anglisht (e ruaj edhe sot në albumin e fotografive të familjes), në gazetë ishte edhe lista emërore e pjestarëve të Qeverisë në Ekzil me karakteristikat e tyre një për një. Gjithashtu kishte edhe disa fotografi të ndryshme të kampeve të punës, të burgjeve dhe pamje të ndryshme, sidomos qytezat e të internuarve, kishte dhe disa fotografi ku skuadrat e pushkatimeve po egzekutonin disa të dënuar me vdekje nga “Gjykatat Popullore”, biles edhe fotografitë e të egzekutuarve me varje në litar si Shefqet Bejës, Riza Alizotit, etj. Gjithashtu kishte edhe pamje lagjesh me ndërtime shumë të vjetra të ndërtuara me mjete rrethanore dhe që banoheshin nga njerëz të veshur keq, të dobët, etj, pra me këto pamje fotografike ekspozohej jeta e keqe dhe vuajtja e këtij populli. Në fund të një flete shoqëruese ishte edhe rekomandimi që pasi të bëja vërejtjet, sygjerimet, konkluzionet, etj. të merrja një numër telefoni i cili ishte shkruar në një qoshe të fletës. Kur unë do të merrja atë numër telefoni dhe do t’i jepja emrin tim, kjo donte të thoshte se unë nuk refuzoja kontaktet e mëtejshme me ta. Atëherë ata do të më caktonin vendin se ku do të takoheshim dhe si do të vepronim më tej.
Kjo mënyrë kontakti bëhej për “mbrojtjen” time nga regjimi diktatorial komunist. Zarfi ishte i madh, i ngjitur mirë e me letër të fortë dhe sipër shkruhej: “Dërgon: Bashkimet Profesionale” Tiranë; Kryetari: Skënder Hoxha. Kur lexova ato shkresa që përbëheshin prej disa fletësh të ndryshme, të tëra me titull sipër: “Qeveria Shqiptare në Ekzil”, vërejta që përmbajtja e tyre ishte një apel që kërkonte dhe mendimin e bazës që të merrte vendime të pjekura pavarësisht se ata thonin që e njihnin gjëndjen e këtushme, prandaj edhe ato shkresurina i kishin shoqëruar me ato pamje fotografike që përshkrova më lart dhe si rrjedhim i të gjithave, ata na siguronin se konspiracioni ishte matematikisht i garantuar në nivelin më të lartë dhe neve ishim të mbrojtur edhe nga “trimat” e tyre që vepronin në Shqipëri prej kohësh. Kur pashë me vërejtje fotografinë e “Princit” e njoha menjëherë sepse ai për çudi ishte shoku, miku dhe i dashuri si vëlla për mua që në moshën e kopshtit e derisa mbaruam shkollën fillore italiane pa përmendur këtu dhe miqësinë familjare, unë me “Fetushin” (kështu e thërrisja) e kisha ruajtur intimitetin deri ditën që u arratis për të mos u parë më. Ky ishte Ferdinand Çela, i biri i Selami Çelës, ish – Kryetar i Organizatës Anti – Komuniste “Bashkimi Kombit” i ekzekutuar me atentat në Tiranë në vitin 1944. Organizata “Bashkimi Kombit” pas të ashtuquajturit “Çlirim i vendit” u quajt Organizatë Terroriste, rrjedhimisht edhe e tërë familja e Ferdinantit hyri në kategorinë e familjeve të deklasuara pa folur pas arratisjes së Ferdinantit si u panë ata dhe ç’hoqën e ëma dhe e motra.
Ferdinant Çela, ky Princ, siç thashë, miku, vëllai im i vegjëlisë, i shkollës italiane e pak më pas, u arratis nga Shqipëria. Punoi në fund, para se të arratisej, si xhenerik në Uzinën “Enver”. Pas arratisjes në SHBA kishte mbaruar Akademinë Ushtarake dhe u gradua atje oficer efektiv i Ushtrisë Amerikane, madje kishte luftuar dhe në luftën e Koresë duke u dekoruar.
Ndërsa i ati Selami Çela ishte vrarë nga partizanët. Nga këto materiale të zarfit ai dilte politikan biles edhe Kryetar Qeverie! Në moment mendova se mos ishte ndonjë shaka e shokëve të mi, por ky mendim nuk mu duk bindës sepse nuk kish se si të prodhohej edhe gazeta për shaka. Atëherë nuk mbeti gjë tjetër veçse të mendoja se mund të ishte ndonjë provokim i stisur nga Sigurimi Shtetit nëpërmjet aktivistëve të tij komunistë që punonin me mua. E kushedi se ku donin të dilnin! Tani mendoj se fati im i vetëm dhe më i rëndësishëm ishte rastësia që qëlloi që unë e hapa “plikon” i vetëm pa njeri prezent në dhomë dhe kurioziteti që e lexova dhe e pashë menjëherë në po atë tavolinë që isha më parë me shokët komunistë të punës. Atëherë menjëherë pa humbur kohë, mora “plikon” ndën xhaketën e punës dhe shkova drejt e tek Furra me hark 0.5 T e gizës, ajo ishte e tejnxehur pasi sapo kishte bërë derdhjen, barku i furrës ishte i skuqur, nuk kishte absolutisht njeri rreth e rrotull sepse puntorët kishin vajtur në mensë për drekë dhe me shumë kujdes se gjithsesi, i hodha brënda në furrë dhe ato në mënyrë të menjëhershme u dogjën dhe u bënë shkrumb, por ruajta për kujtim të kësaj historie sa qesharake dhe të rrezikshme fotografinë me emërtesën diçiturë: “Princi Muhamed Aly Khan” në albumin e fotografive të shtëpisë. Pas 3 – 4 orësh rikthehem në dhomë dhe i gjej shokët komunistë që po pushonin dhe pinin cigare duke më thënë se e kishin përmbushur detyrën e dhënë nga unë sipas porosisë. Në fakt ashtu ishte se unë sapo e kisha kontrolluar punën që kishin bërë duke i lavdëruar. Ndërkohë ju thashë se unë po shkoja në zyrë për të punuar, dhe shkova drejt e tek rafti për të marrë dosjen me vizatimet që ju kisha shpjeguar atyre detyrën shtetërore që do të kryenin por dhe zarfin e famshëm të Bashkimeve Profesionale, por për çudi të të gjithëve dosjen me vizatimet e punës e gjej, ndërsa zarfin, jo! Ju drejtova atyre me shumë indiferencë të egzagjeruar aktoriale se mos ndonjëri nga ju gabimisht ka marrë atë zarfin që solli ai shoku më parë? Ata u përgjigjën të gjithë së bashku njëzëri: “Jo vallahi, ne nuk dim gjo”. Ou, Ou, ju drejtova unë atyre, mos e latë derën hapur kur dolët, se unë nuk ju kam parë herën e dytë kur erdhët për të marrë tabakun me amiaut për guarnicionin e pompës ranës, di që herën e parë dolëm të gjith bashkë.
– Jo, pasha zotin e myllëm si ngahera. U shtiva si shumë i shqetësuar dhe nervoz dhe u them me deklamim se më turpëruat me Skënder Hoxhën, për të cilin ushqej respekt e konsideratë të lartë (Skënderi në atë kohë ishte Kryetar i Bashkimeve Profesionale të Tiranës) dhe kisha lidhje me të për problemet e Revolucionit Tekniko – Shkencor dhe ato të Novacioneve, probleme që na kishin detyruar t’i nxisnim dhe t’i zhvillonim.
“Fillova të bërtas si i xhindosur duke thënë se këtu tek ne humbet dhe balena apo tanku T – 54”. Nuk keni fare kujdes dhe sillesha nëpër dhomë shumë i shqetësuar. Pas pak shkova në zyrë dhe mora në telefon Besnik Qendron (Kryetarin e Bashkimeve Profesionale të Kombinatit) dhe Sekretarin e Komitetit të Partisë të Kombinatit, armik i njohur i imi, ish – puntori im Myqerem Sadikaj, i cili e manifestonte armiqësinë ndaj meje në mënyrë të dukshme. Ata më thanë të mos shqetësohesha se ishte e qartë që kishin të bënin me një pakujdesi të shokëve të bazës dhe se do të njoftonin Skënder Hoxhën.
Të nesërmen më thanë se kishin biseduar me Skënder Hoxhën dhe ai paskësh thënë që të mos shqetësohej Xhaviti se do ta përsërisim dërgesën, zarfi kishte ca tematika të reja për zhvillimin e Revolucionit Tekniko – Shkencor dhe unë duhej të qetësohesha dhe shokëve komunistë do t’i hiqej vërejtja në Organizatën – Bazë. Pikërisht ky konkluzion i tyre më bindi katërcipërisht se kjo çështje e sajuar ishte një kurth banal dhe i turpshëm ndaj meje. Por faktikisht i shpëtova kësaj belaje.
“Jazëk shokëve aktorë” – “Nder dhe lavdi komunistëve shqiptaro-serb që punuan me devocion gjatë gjithë shekullit të XX për të vet – shkatërruar Shqipërinë”.
Pra siç e spjegova më lart e evitova me mjeshtri këtë rast provokativ të Sigurimit të Shtetit.