Albspirit

Media/News/Publishing

NJË BALADË E PETRIT RUKËS E PËRNDEZUR SI AMANET DHEMBJEJE DHE MALLI

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Ishte shtator. U gjendëm në qytetin e Tepelenës, në përvjetorin e poetit popullor, Maliq Lila. Në ato rrugë të këtij qyteti magjik, pranë kalasë së Ali Pashë Tepelenës e deri te Turizmi dhe Ujët e Ftohtë, kishim shëtitur sa herë edhe me poetin Qazim Sheme, por edhe ai iku një mëngjes në botën pa kthim. U ulëm me poetin brilant Petrit Ruka dhe bardin Lefter Çipa në një stol pranë Pallatit të Kulturës. Petriti nxori nga xhepi një baladë për Qazim Shemën, mikun e tij të rinisë dhe poezisë, të cilën e recitoi me zë të lartë përballë lumit të Vjosës, sikur do ta dëgjonte edhe Qazimi. Një kopje të kësaj balade e mora unë dhe e botova diku. Ishte mars i vitit 2021.

Balada e Petrit Rukës (tashmë dhe ky në amshim), është një jehonë klithëse dashurie dhe malli për poetin Qazim Sheme edhe ky një poet i shquar lirik nga anëbrigjet e Vjosës. Poeti Petrit Ruka këndon me një tonalitet dhembjeje të thellë, i cili s’e ka dashur kurrë këtë humbje, por “zar i fatit ra i tillë”. Poeti është gjithnjë në lëvizje, gjithnjë synon që rrjedha e frymëzimit të tij të kapë shtigje e brigje të panjohura dhe paralelizmi figurativ që përdor ai, e pranëvënë imazhin e poetit të ikur me Vjosën që lodhet e “kthesë pas kthese kërkon gjumë”.

Duke i kënduar me dhimbje kësaj ikje poeti ende nuk e beson ikjen e poetit tjetër, ndonëse kjo është e vërtetë, këtu ai ndërton një imazh të fuqishëm të kujtesës që e spraps të shkuarën dhe rri gjithmonë e tashmë i duket sikur poeti po loz me të. Poetët kanë trille, ata vdesin përkohësisht, po në të vërtetë janë të gjallë me trillet e tyre. Dhe në këtë këngëtim ai sjell ndërmend dhe këtë ndërmendje e stolis me vargje të bukura, që rrjedhin rrëmbyeshëm, ashtu sikurse Vjosa është e zemëruar dhe e trishtuar duke kërkuar një vend më të gjerë, aty ku brigjet afrohen me njëri-tjetrin.

Petrit Ruka-rend pas trilleve të poetit në dëshirat e tij, në natyrën e vendlindjes, duke e sjellë peizazhin me një teknikë detajuese funksionale, atij i ngjan se poeti është fshehur në natyrë dhe lojërat e tij e çojnë tek e pabesueshmja. Dhe natyrisht është rasti që të përmenden këtu vlerat e tij si lirik dhe si përkthyes, si njeri dhe si poet, që me vargun e tij e solli lirizmin e brigjeve të Vjosës si një fllad të saj dhe e flatëroi drejt dhe në ambientet urbane të jetës shqiptare.

Poeti i shkrin kohërat, atij i duket se kohërat për një çast kanë ndalur edhe pse koha ka rrjedhën e saj. Këtë përfytyrim mund ta krijojë vetëm dhimbja dhe dashuria e poetit për poetin, larg çdo lloj indiference dhe zilie.

Në letërsinë botërore njihen raste të tilla, krijime kushtuese, ku shprehet dashuria dhe dhimbja për artistin e ikur, siç njihet vjersha e Lemonotovit për Pushkinin, të cilin, këtë të fundit, poeti Qazim Shemaj e ka përkthyer. Dhe në këto raste fjalët gjithmonë dalin e rrjedhin vetiu, ato sikur janë gati për t’u rreshtuar e për të zënë vend në ngrehinën e poezisë. Dhe imazhi që përfton nëpërmjet prozopopesë, se poeti tjetër nuk ka vdekur, por ende po thur këngë, sepse kënga kurrë nuk pushon- është një nga mbresëlënëset në këtë baladë të bukur e të ndjerë me një organizim ritmik plot vërshim ndjenje të mallit dhe të dhimbjes.

Miku im Poeti Petrit Ruka, që e nis poezinë me “zarin e fatit” e mbaron po me këtë fjalë në strofën e fundit. Midis shumë gjërave që nuk pranon poetikisht, ai detyrohet të pranojë se jeta është e tillë, ajo ka mbarimin fizik, por kurrë nuk mbaron kujtesa, sidomos për artistët e fjalës, për njerëzit që lënë pas emër dhe vepër. Këtu toni elegjiak kalon në arsyetim poetik dhe poezia fiton mbylljen e saj përmes një arsyetimit të tillë. Strofa e fundit është ndoshta një pranim psherëtime ndaj sfidave që sjell jeta.

BALADË PËR POETIN QAZIM SHEMAJ

Nga Petrit Ruka

Zar i fatit ra i tillë

Të të mbuloja unë me dhé,

Siç rrëshqet një shpatë në mill

Qazim Sheme shkoi, u fsheh.

Ra vëllai, shkoi poeti

Tha: Po fle, jam lodhur shumë,

Siç lodhet Vjosa pas detit

Kthesë pas kthese kërkon gjumë.

Shkoi atje ku shpirtrat piqen

Me nënën në vatër;

“dhe ku manushaqet rriten

T’i korrësh me drapër”.

Humbi si një mjegull prilli

U kthye në lot,

Luan symbyllazi me mua

Petrit, s’më kap dot.

Të të kap, po ku je fshehur

Je në Qesarat?

Mos je bërë ulli e tallesh

Me të ziun fat?!

Mos po pi pa mua, “djall”

Ca raki Turani,

Aty ku ne mbetëm gjallë

Për ca këngë xhani.

Ku më fshiheshe Tepelenës

Për ndonjë vajzuke,

I merr puthjet-ilaç zemre

Si tri herë pas buke.

Mos përkthen Pushkinin fshehur

Dhe ke lënë mësimin;

Më nis mua nëpër fshatra

Të shpjegoj Naimin.

Boll u fshehe, dil nga varri

Me ndonjë metaforë,

Me balluket si çaj mali

Të shtrira me dorë.

Si lirikë e brishtë Jugu

Shfaqu ndonjë natë,

Prit e prit këtu si murgu

Po bëhem baladë.

Një baladë ku muroset

Malli për një shok,

Ku Qazimi, gjuhës shqipe

Kalon si një zog.

Si një zog që ka në gojë

Fjalë dhembshurie,

Iku dhe më la tek shkoi

Dhembje Perëndie.

Zar i fatit ra i tillë

Të të qaj me ligje,

Ti më prit me këngë, kur unë

Të shkel në ato shtigje.