Albspirit

Media/News/Publishing

DERVISH MIKEL ONJEA, KLERIKU BEKTASHI, SHENJTORI SHPIRTBARDHË, PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË

Në respekt dhe mirënjohje për djalin e Fushëbardhës, Dervish Mikel Maksim Onjea, lindur më 28. 9. 1977, por që nuk e harroi kurrë thirrjen e të parëve të traditës bektashiane, veshi “rrobat e bardha të shenjta”, një traditë shekullore kjo e Haxhi Bektashit, për klerikun fisnik të urtë dhe të mençur që ofron për njerëzit qetësi shpirtërore, melhem për hallet e dertet njerëzorë, humanizëm, besim në të ardhmen, që ka ngritur një prej komplekseve më të bukura Bektashiane në Shqipëri dhe ka merituar mirënjohjen e mijëra njerëzve…

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Fshati Fushëbardhë është mjaft i njohur në Labëri, ndërkohë që Labëria është e njohur dhe e moçme sa vetë jeta. Fushëbardha është një pjesë e djepit të historisë labe, sikurse gjithë fshatrat e krahinës së Kardhiqit. Këtu në këto troje janë kalatë e historisë, legjendave, trimërive, besimeve, lavdisë, punës, mençurisë, këngës, artit e poezisë labe. Udhëtimi historik është mbresëlënës dhe i mahnitshëm, me peizazh e natyrë gjelbëruese, me njerëz të fortë që kanë qenë bashkëudhëtar të historisë dhe e kanë përcjellë atë nga brezi në brez. Rrugëtimi është gjarpërues nëpër luginën përbri lumit të Joshe. Rruga e re e asfaltuar “zgjoi” dhe po gjallëron fshatrat e krahinës së Kardhiqit dhe Rrëzomës, ku çdo gjë në këtë mjedis gjeografik është si e gdhendur me dorë, duket sikur janë në llogore lufte, që mbikqyrin vetë jetën, nga manastiri i Cepos, karakoll mijëravjeçar i ngjarjeve heroike kuvendore në Kardhiq, nga Kardhiqi tek Rapet e Agait midis Fushëbardhë e kalasë së Zhulatit historik dhe më tej deri në Shpellën e famshme të Zhulit ku u zhvillua marrëveshja e parë në Labëri më 1081-in në Fushëbardhë. Nga ana tjetër Fushëbardha është edhe e gjashtë dervishëve bektashi, në Fushëbardhën e të mirënjohurit Dervish Mikel Onjea, ku ky fillimshekulli XXI e ka destinuar të ngrejë një prej objekteve të kultit bektashian, pasi Bektashizmi është bekimi atdhetar dhe i shenjtëruar që në flamurin e vet shkruan “Pa Atdhe nuk ka fe”.

***

Në vështrimin mbi klerikët bektashi të Fushëbardhës nga hulumtimet rezultojnë gjashtë klerikë të njohur bektashianë dhe jo vetëm, pasi ka pasur edhe shehlerë.

Dervish Mehmet Golemi, Dervish Pëllumb Veliu, Dervish Myftar Ago Golemi, dervish Lutfi Meçe, dervish Luftfi Kondi dhe dervish Mikel Onjea. Por aty ka kanë qenë dervishët e shehlerët ishte parija, ishte besimi, ishte shqiptarizma, pasi besimi për Atdhe, lidhej me besimin në idealet e zhvillimit kombëtar. Dervish Mikel Onjea është lindur dhe rritur në një mjedis me tradita të shquara patriotike, atdhetare dhe kulturore. Oxhaku familjar i tij ka qenë pjesë e unitetit të vlerave të bashkësisë së fshatit, krahinës e më gjerë, ndërkohë që krahas vlerave thelbësore jetësore sikurse gjithë Fushëbardha ka qenë mbijetesa përballë pushtuesve, dashuria njerëzore, përkrahja e gjithë zhvillimeve dhe përparimit si dhe mbi të gjitha humanizmi dhe dashuria njerëzore. Babai i tij Maksimi si dhe nëna e tij Qëndrimja janë njerëz të thjeshtë e punëtorë që gëzojnë respektin e Fushëbardhës si dhe respektin e mbarë krahinës së Kardhiqit dhe Rrëzomës bashkë.

Mikel Onjea pas ardhjes në jetë ka përjetuar gjithë zhvillimet e bashkësisë së Fushëbardhës, ka parë dhe ndjerë nga afër gjithë problematikat e hallet e kohës, ka qëndruar shumë pranë gjyshërve dhe pleqësisë së fshatit për të mësuar e dëgjuar më shumë dhe më thellë për historinë, traditat luftarake e patriotike, sidomos mjaft i interesuar ka qenë për të dëgjuar dhe përzgjedhur copëza tregimesh për të parët e veçanërisht për baballarët e dervishët që simbolizonin mençurinë e fisnikërinë e Fushëbardhës. Të dhënat bigrafike të shenjtorëve popullorë dalin nga korrnizat standarde të formatit biografik ekciklopedik pasi shkojnë përtej trungut stërgjyshëror, gjyshërve, nënës dhe babait, datëlindjeve, shkollimit, ambjentit familjar e shoqëror, pasi momenti i dorëzimit si klerik dhe aktiviteti i tij janë të lidhura me veçoritë e të qënit klerik, me momentet e ngritjes dhe lartësimit si klerik e shenjtor, si dhe me rrethin e gjerë njerëzor e shpirtëror, që i kuptojnë vetëm ata që veshin “rrobat e bardha të shenjta”, një traditë shekullore kjo e Haxhi Bektashit.

Të lindësh në Labërinë e vlerave dhe të njerëzve fisnikë të besimit me zemër

Dervish Mikel Maksim Onjea është lindur më 28 shtator të vitit 1977 në një familje me tradita bektashiane, praktikante e besimit Islam dhe tarikatit Bektashi. Stërgjyshi i tij Zenel Onjea ishte bërë muhib në teqen e zallit tek udhërrefys Ali Haqi Baba rreth vitit 1895. Zeneli ka qenë martuar me Fatime Alush Bineri/Onjea e vitlindjes 1882 (e vërtetuar me dokumenta zyrtare shtetërorë). Gjyshi i Dervish Mikelit quhet Teki Onjea që ka lindur rreth vitit 1915, por ka ndërruar jetë herët që në fakt as i biri i tij Maksi nuk e ka njohur. Tekiu ishte martuar me Veziko Nuredin Çafai/Onjea nga fshati Prongji e vitlindjes 1919. Babai i Dervish Mikelit është Maksi që është lindur më 2.4.1952. Maksi u martua me Qendrime Sejdo Miho/Onjea që është lindur më 28.9.1958. Maksi e Qendrimja kanë lindur tre djem: Mikelin, Olsin dhe Orlandon. Jeta përtej në lagjen “Onjeraj” të Fushëbardhës rridhte si lumi që përshkon mes përmes fshatin Fushëbardhë, me halle e vështirësi si e gjithë Labëria dhe më gjerë. Atje mes fshatit të rrethuar me kurorë malesh vlonte jeta dhe ato copëza gëzimi njerëzit i gjenin tek mbështetja e njeri-tjetrit, tek uniteti njerëzor, humanitar e besimtar në të ardhmen.

Urtësia dhe mençuria njerëzore që ka rritur Fushëbardha

Mikeli që kur ka qenë i vogël ka qenë fëmijë shumë kurioz, rrinte pranë të moshuarve. Ai ishte fëmijë i urtë, i duruar, i papërtuar, i urdhruar si dhe nuk trazonte njeri. Të moshuarit e donin, e mbanin afër duke i thënë njeri-tjetrit se, “është Dede”, që nënkuptonte djalë i mbarë, i urtë dhe i respektueshëm. Fëmijëria e tij ishte si gjithë moshatarët me varfëri e halle të kohës, por e mbushur me aktivitet jetësor dhe mbi të gjitha me dashuri për njeri-tjetrin. Arsimimin e ka marrë në Shkollën e Fushëbardhës, shkollë e hapur që në vjeshtën e vitit 1907 nga Nexhip Efendi Çarçani, shkollë me traditë, që ka qenë ndër më elitaret e krahinës dhe me emër në gjithë rrethin e Gjirokastrës. Që fëmijë është marrë me punë të ndryshme duke i ardhur në ndihmë prindërve sadopak si gjithë fëmijët kryesisht për të mbledhur bimë medicinale gjatë beharit në mal për të përmirësuar mirëqënien veçanërisht për blerjen e rrobave për vitin e ri shkollor, çantës, librave dhe pajisjeve mësimore etj. Fryma e bashkëpunimit ishte maksimal dhe angazhimi në përvetësimin e programit në shkollën e Fushëbardhës ka qenë i kënaqshëm, pasi aty ishin bashkë të tre ciklet: fillore, tetëvjeçeren dhe e mesmen në një godinë të re të ndërtuar në vitet 70-të të shekullit të kaluar. Krahas mësimeve Mikeli djalë adoleshent ishte sy e veshë nga historitë e së shkuarës ku më shumë e tërhiqte tarikati stërgjyshor i Bektashinjve, ku edhe përqëndrimi dhe angazhimi ka qenë shpirtëror drejt një vështrimi mistik hyjnor. Përthithja e historive mistike e bëri Mikel Onjenë një djalë me vështrim të kthjellët tek e ardhmja por pa e definuar plotësisht të ardhmen, pasi përpara kishte stadin real të pjekjes së plotë dhe të kristalizimit se ku e shikonte të ardhmen.

Rrënjët stërgjyshërore, frymëzim brezash për punë të mira

Fakt është se mësimet e para për tarikatin Bektashi, dervish Mikeli i ka dëgjuar në formë historish nga gjyshja e tij Vezikua, e cila i kishte të gjithë njerëzit e saj baballarë në teqe para shpalljes së paligjshme dhe prishjes së objekteve të kultit nga sistemi i kaluar në vitin 1967.

Njeri nga xhaxhallarët e gjyshes së dervish Mikelit ka qenë Baba Xhaferi, i cili ka shërbyer dervish i Teqesë së Shtufit në Gjirokastër i dekretuar Baba nga Hirësia e tij Baba Ahmet Turani në Turan të Tepelenës dhe i emëruar prind shpirtëror në teqenë e Martaneshit ku edhe prehet në tyrben e fshatit Peshk në Martanesh. Stërgjyshja e tij nëna e Vezikos quhej Ruki, po nga fshati Prongji nga oxhaku “Skreli”. Rukia kishte xhaxhain e saj Baba Teqeje i quajtur Baba Husni, i cili prehet në fshatin Turan të Tepelenës. Baba Husniu është mjaft i njohur për atdhetari pasi krahas detyrës si dritë bektashiane, hapi shkollën e parë shqipe në fshatin Kardhiq, që dikur ka qenë fshat me kala dhe 18 lagje, për të cilin kanë shkruar mjaft historianë e udhëtarë botërorë. Rukia stërgjyshja ishte kushërirë e parë me Baba Sulejman Kardhiqin të teqesë së Shtufit në Gjirokastër dhe me nënën e patriotit Çerçiz Ago Topulli, Hasije Mullai (Topulli), sepse Çerçizi e kishte dajo Baba Sulejman Kardhiqin. Këta kishin dhe kushëri të parë klerikun e lartë të tarikatit Halveti Sheh Ali Hormovën. Në familjen e Mikelit përmendeshin përherë histori, bëma, mrekulli të klerikëve disi fshehtas, sigurisht pas vitit 1967 sepse rregjimi nuk lejonte rritet dhe besimet e tyre për gati një çerek shekulli (1967-1990). Fakt është se me këto histori u rrit dervish Mikeli në familjen e tij. Në vitin 1990 Mikeli ishte trembëdhjetë vjeç dhe filloi ta shprehte haptaz përkatësinë e tij të besimit me bashkëmoshatarët, të cilët habiteshin duke thënë se, “nga na doli ky besimtar, e ku i dinte gjithë këto të dhëna për bektashizmin të pa dëgjuara më parë”.

Në vitin 1991 i ranë në dorë libra si Kurani e Bibla, dhe ato i studioi dhe ju fut edhe më shumë besimi për Zotin duke ju shtuar dita ditës dashuria shpirtërore filloi t’i kuptonte me mirë mësimet e shenjta, që për Mikelin ishte një shkollë e madhe jetësore, mistike e hyjnore. Në vitin 1994 ka takuar Sheh Jonuzin i cili e kishte teqenë në lagjen Dunavat të Gjirokastrës e më pas po në këtë vit ka takuar dervishë e baballarë Bektashi në teqen e Zallit. Në atë kohë ju shtua dashuria për tarikatin Bektashi duke i shpejtuar vizitat në këtë teqe ku të parët e tij ishin bërë muhibë dhe e kishin teqenë si shtëpinë e tyre.

Gjyshja e Mikelit nga ana e nënës së tij Gjylsua ishte bijë nga fisi Shalari. Ajo e kishte idhull Baba Selimin sepse Babai i saj Bilbil Shalari ishte muhib i Baba Selimit dhe shumë në fshat bënin benë, “për Baba Selim”, një mençuri e urtësi më vete. Ka qenë viti 1995 kur Mikeli 18 vjeçar ju përgjigj thirrjes për kryerjen e detyrimit ushtarak, në një kohë kur një pjesë e djalërisë shqiptare anashkalonin shërbimin ushtarak duke emigruar e rendur pas parasë. Mikeli korrekt dhe i përgjegjshëm kreu me sukses të plotë atë që në atë kohë quhej “detyrë ndaj shtetit”. Pasi kreu me sukses karantinën, kreu edhe betimin ushtarak për shërbim të denjë karshi atdheut dhe më tej shërbeu në repartin e artilerisë në fshatin Krane të Sarandës.

Në vitin 1996 përfundoi ushtrinë dhe pas tre muajsh shkoi për punë në kurbet si gjithë djemuria, për të rregulluar mirëqënien e familjes në Fushëbardhë.

Në kurbet në shtetin fqinj në Greqi punoi rreth dy vjet e gjysmë dhe në të pastajmen u kthye për pak muaj në fshatin e tij të lindjes në Fushëbardhë. Gjatë kësaj kohe më datën 6.8 1999 shkoi për të ushtruar zanatin si kuzhinier në Teqen e Zallit me qëllim për t’u afruar më shumë me teqenë e për t’u njohur më shumë me doktrinën Bektashiane.

Në këtë shërbim punoi deri më datën 9 janar të vitit 2000. Kushtet e dërguan përsëri në Greqi ku punoi edhe një vit dhe një vit më vonë më 2001 u kthye përgjithmonë për të vijuar udhëtimin e tij dhe  për të përmbushur ëndërrat dhe dëshirat e tij në rrugëtimin hyjnor bektashian. Ai u zhvendos në qytetin e Sarandës drejt ndërmarrjes së Monumenteve të kulturës në fushën e Arkeologjisë, si në qytezat monumentale të Ilirisë si në Butrint, Finiq (dikur Foinike), Mesopotam etj. Gjatë kësaj periudha shkonte vinte gjatë fundjavave dhe ditëve të pushimit për shërbime të ndryshme në Teqenë e Zallit në Gjirokastër. Ndjenja e dëshirës për të përbashkuar me familjen e madhe të bektashinjve ishte brenda tij si një zjarr dëshirash e ndjenjash, por edhe si një dritë ndriçuese e udhërrëfyese që u rrënjos dhe trupëzua tek dervish Mikeli për gjithë jetën. Njerëzit dhe vetëm njerëzit, dashuria njerëzore dhe përafrimi me ta u bë shpejt objeksion i së ardhmes, deri sa erdhi dita e dorëzimit tek shenjtori i madh Baba Reshat Bardhi tek i cili shërbeu gjatë dhe mori e u pajis si doktrinar bektashi si shërbëtor dhe udhërrëfyes.

Rrugëtim në vite. Amanetin se tret dheu, në besën e shqiptarisë!

Në gusht të vitit 2003, 67 vjeçari Baba Haxhi Salia i Teqesë së Zallit në Gjirokastër e kërkoi Dervish Mikelin për t’i dorëzuar teqenë amanet pasi ai vetë do shkonte në Turqi për t’u kuruar nga një sëmundje e pashërushme. Ai e dinte që edhe mund të mos kthehej i gjallë dhe i la amanet vendin e tyrbes ku do prehej në rast se nuk vinte i gjallë. Dhe amanetin nuk e tret as dheu. Baba Haxhi Salia ndërroi jetë më 22.10.2003. Trupin e tij e sollën në Atdhe duke u varrosur pikërisht në vendin që i kishte lënë amanet Mikelit djalit nga Fushëbardha dhe kujdestarit në teqe se bashku me Nazmi Basha nga Lazarati. Më 25 tetor 2003 diten e diel shenjtëria e tij Haxhi Dede Reshat Bardhi lajmëroi në Gjirokastër se do hapet mejdani dhoma ku kryhen ritualet bektashiane dhe do pranohen dy kandile të ri për anëtarë shpirtërorë: Njeri është Mikel Onjea që i ka qëndruar kësaj teqeje besnik i pa lëkundur dhe tjetri është Myrteza Shehu në Teqen e Melanit në Nepravishtë. Kontributi i Myrteza Shehut ishte dhe më i madh se i Mikelit pasi këta dy djem me vetmohim pasi u graduan muhibë vendosën të nisnin udhëtimin e tyre shpirtëror për dervishë duke shërbyer për disa vjet në teqetë ku kishin shërbyer si besimtarë. Shoku i Mikelit, Myrtezai ishte djalë i vetëm në familjen e tij. Mikeli kishte edhe dy vëllezër të tjerë. Nga ky dorëzim i këtyre djemve për dervishë ishte një hap shumë i shenjtë dhe i guximshëm kur bashkëmoshatarët e tyre jetonin qejfet e rininë e tyre ndërsa këta u bënë shembull bindjeje besimi, përuljeje, pastërtie, bujarie, sakrifice e vetëmohimi për të mirën e besimit komunitetit të besimtarëve, traditës e atdheut duke i treguar botës se Shqipëria ka bij që sakrifikojnë pa u lëkundur e po ta lyp nevoja përsëri do sakrifikojnë për Atdheun duke ecur në gjurmët e etërve shpirtërorë.

I përzgjedhuri personal i Dede Reshatit. Më i miri në njëzetë klerikë.

Dervish Mikeli filloi kështu një rrugëtim pa kthim drejt një qëllimi të lartë, si askush më parë në oxhakun e vet të Onjere. Pas tre vjet shërbim si muhib anëtarë i brendshëm në tarikatin Bektashi shenjtëria e tij Haxhi Dede Reshat Bardhi lajmëroi nga Tirana se ditën e premte më 7 Prill 2006 do mblidhemi në Teqenë e Zallit dhe do t’i veshim petkun e pastërtisë e durimit dervishit më të ri Mikel Onjesë. Kështu u bë. Në Gjirokastër erdhi vetë Dede Reshat Bardhi dhe e veshi Mikel Onjenë “Dervish”. Ky veprim i dede Reshatit bëri që nga Fushëbardha të shtonte edhe më tej vargun e margaritarëve të vijimësisë së dervishëve bektashi të Fushëbardhës. Dede Reshati ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian momentin që hapi derën për t’ju drejtuar besimtarëve që të uronin dervishin e ri ju tha: “Sot bijtë e mi u hap edhe një derë. Ditën tjetër shkuan shumë njerëz për ta uruar si Kryegjyshin ashtu edhe Dervishin e ri, Mikel Onjenë. Pasi njerëzit u rehatuan u qerasën nga dervishi dhe uruan dikush i bëri një pyetje Dede Reshatit duke i thënë: “Dede Reshat, pse zgjodhe datën  shtatë prill për të veshur këtë dervish të ri kur kjo datë korespondon me datën që na ka pushtuar Italia Fashiste?. Dede Reshati vuri buzën pak në gaz e ju tha: “Bijtë e mi, pikërisht pse na ka pushtuar Italia, në këtë ditë kësaj dite i duhen ushtarë më shumë për të mbrojtur Atdheun e tyre prandaj dhe unë e zgjodha këtë ditë për të shtuar një ushtar më shumë për të sakrifikuar për besimin dhe për Atdheun”. Dervish Mikeli shërbeu në teqenë e Zallit vetëm 53 ditë deri më datën 30 Maj 2006, pasi Dede Reshati i dërgoi haber Dervish Mikelit që të vinte dhe të shërbente në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane sepse “..në njezetë klerikë që kam veshur me dorën time ty të kam zgjedhur për të qenë Dervishi im personal këtu pranë meje”.

Nga 30.5.2006 deri më 2.4.2011, shërbeu pranë Shenjtorit të jashtëzakonshëm Dede Reshat Bardhi, që për të vitet, muajt, ditët dhe orët që shërbeu pranë tij ishin sa një universitet, një shkollë e shkollave, si mësim i mësimeve në një udhë pa kthim që gjithënjë e më shumë të çon shpirtërisht, moralisht, fizikisht vetëm tek njerëzit, të obligon, të përfshin dhe të përbashkon me gjithë hallet e brengat e fukarenjve. Madhështia qëndron pikërisht tek urtësia dhe njerëzillëku. Për tre vite ka shërbyer si kuzhinier dhe njëkohësisht në kujdes të të moshuarve që pleqëroheshin në teqe. Ai merrej me pritjen e mysafirëve, turistave duke qenë dhe ciceron për njohjen e Bektashizmës. Dervish Mikeli mbante postin e “Rehberit” një grade kjo për ceremonitë e ndryshme shpirtërore sipas tarikatit bektashi, ishte zëdhënësi i Kryegjyshatës Botërore duke përcjellë më së miri mesazhet e Kryegjyshit Botëror, ka mbuluar trupin diplomatik në vizitat e tyre zyrtare në ambasada, konferenca, seminare etj. Ka bashkëpunuar me komunitetet e tjera fetare duke përcjellë mesazhe urimi paqeje e harmonie midis të gjitha komuniteteve. Ka qenë afër besimtarëve në raste fatkeqësie dhe vdekje duke qenë pranë tyre jo vetëm në Tiranë por edhe në Dibër, Elbasan, Gramsh, Kukës, Krujë, Ersekë, Korçë, Skrapar, Vlorë, Gjirokastër, Durrës, Mallakastër etj. Ai ka qenë promovus i vlerave bektashiane shpirtërore kombëtare e tradicionale në televizionet e vendit si për ditët e festave ashures pelegrinazheve muajit e shenjtë të ramazanit, ditët e Nevruzit etj.  Dervish Mikeli ka marrë pjesë edhe në koferenca jashtë vendit duke përfaqësuar Kryegjyshatën Botërore Bektashiane si në Turqi, Iran, Rumani, Greqi e Kosove dhe brenda vendit nëpër rrethet ku ato organizoheshin.

Për pesë vjet pranë Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi u pajis me kulture e dituri admiruese, aq sa Dede Reshati deklaroi, sa të jem unë gjallë Dervish Mikeli do jetë me shërbim pranë meje, kur të kaloj unë nga jeta Dervish Mikeli është i lirë të shkojë e të ndërtojë teqe ku të dëshirojë nga unë ka uratën me shpirt dhe kudo që të jetë do ketë një njeri ta respektojë e t’i shërbejë nëse e lyp nevoja siç ai më ka respektuar me përkushtim mua. Pasi Dede Reshati ndërroi jetë Dervish Mikeli nuk iku nga Kryegjyshata por shërbeu me devocion edhe katër vite të tjera pranë Kryetarit të Komunitetit Bektashian Hirësisë së tij Haxhi Baba Edmond Brahimaj për t’i lehtësuar barrën e rëndë që atij ju ngarkua nga vëllazëria  për të drejtuar komunitetin Bektashian.

Me mendje të lartësuar dhe me duar me kallo për objektet e kultit.

Dervish Mikeli pas gati nëntë vite shërbim në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane shprehu dëshirën për të ndërtuar dhe ai një teqe e për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të besimtarëve në trevën e Labërisë, njerës prej krahinave më vitale të Shqipërisë. Ai zgjodhi të rindërtoje teqenë Bektashiane plotë vlera, tradita trimërie, shenjtëri e histori të Baba Aliut e të Baba Ahmetit në fshatin Turan të Tepelenës. Pikërisht më datën 4 tetor 2014 mori udhërin dhe autorizimin nga Baba Edmond Brahimaj bashkë me pëlqimin e vëllazërisë së baballarëve Bektashi dhe ja filloi punës për rindërtimin e teqesë e cila përveç tyrbes çdo gjë tjetër ishte e rrënuar. Ai pati një përkrahje të madhe nga besimtarët e zonës po më shumë nga djemtë besimtarë që ju gjendën pranë duke punuar vullnetarisht për ngritjen e objekteve të kultit Bektashian. Kanë qenë forcë puntore nga Lazarati, Fushëbardha Zhulati Tepelena Turani, Dukaj, Kopaçeza Kalasa Dhemblani e Tatzati Kardhiqi e Gjirakstra. Fakt është se brenda një viti u mundësua ngritja e konakut të parë të teqesë së Turanit. Dervish Mikeli me përulësinë e një shërbyesi fisnik, me konktaktet e bashkëpunimet e shumta me intelektuale të Shoqatave “Labëria”, “Fushëbardha”, por edhe me dëshirën e tij të madhe për të lënë gjurmë të dukshme të bektashizmit në trevën e Labërisë pas lejes së marrë filloi ndërtimin sikurse di ai, duke gdhendur çdo gur dhe bekuar çdo mur e çdo punë për t’ja ndërruar faqen dhe për ta ndërtuar teqen e famshme të Turanit. Ishte një ogur i mirë të fillonte  rindërtimin nga themelet të Teqesë së famshme gati dy shekullore të Turanit. Puna e tij në Labëri në Turan dhe më gjerë në gati shtrirje gjeografike në katër Bashki të jugut të Shqipërisë ka qenë e prekshme në ndihmë të komunitetit. Ai vijon të eci i sigurt dhe i bindur në “rrugën e sfidave”, drejt të mirës dhe dritës njerëzore në mbështetje të komunitetit, gjithmonë pranë njerëzve. Drita e fisnikërisë ndriçon e shëron hallet e shumta të kësaj bote kaq komplekse, ku besimi ndaj tij është gjithmonë në rritje. Koha do hedhë dritë për punët e mira dhe për veprat që do jetojnë përgjithmonë, e mbi të gjitha për farën e mirësisë që ka mbjellë në zemrat e njerëzve kudo ku ka shkuar, ka punuar dhe ka bekuar.

I bekuar nga breza shenjtorësh zemër e shpirtbardhë

Më 15.10.2015 u inagurua kjo teqe dhe Dervish Mikeli u shpërngul përfundimisht në Turan, për të filluar një jetë të re shpirtërore në Teqen e Turanit ku pararelisht me ndërtimin e teqesë u ndërtuan edhe tyrbe në Salari, Krahës, Memaliaj, Bënçë, Kalasë, Delvinë, Zhulat e duke vijuar me besim për të ndërtuar e mirëmbajtur të tjera sa të ketë jetë, që është edhe angazhimi shpirtëror i tij. Dëshira dhe ëndërra e tij është të ndërtojë objekt kulti bektashi edhe në Fushëbardhë, në fshatin e tij të lindjes, fshat i më shumë se pesë baballarëve e dervishëve që ka nxjerrë në kohëra të ndryshme ky fshat, sikurse kanë qenë Devish Mehmet Golemi, Baba Pëllumb Veliu, Baba Mustafa Çarçani, Dervish Myftar Ago Golemi, Dervish Lutfiu (që duhet saktësuar mbiemri), Dervish Dervish Lutfi Kondi dhe dervishi aktual Mikel Maksim Onjea ndoshta arkiva historike do të zbulojë edhe të tjerë shërbëtorë klerikë të denjë të bektashizmit shqiptar).

Për nderimin e atyrë që shkruan faqe mençurie, krenarie e besimi janë një armatë ndërtuesish që mbështesin Dervish Mikelin në çdo hap të tij dhe më konkretisht: kryeustai Astrit Hajdin Muho nga Fushëbardha ai i cili ka ndërtuar këto vepra të shenjta, Aleks Ndreu nga Tatzati, Gazmir Rjepi nga Kalasa, (me banim në Ksamil), i ndjeri Alim Shurdhi nga Lazarati, Sefer Hajdin Muho nga Fushëbardha (edhe marrës i shkëlqyer i këngës labe), Gramoz Çako nga Kopaçez në Delvinë me shumë kontribut, ku për një vit rresht na binte nga Gjirokastra në Turan Shërbente vullnetarisht me makinën e tij, por edhe materialet, skelat, kadronet, dhogat, ishte kallupaxhi i talentuar dhe punonte përkrah ustallarëve, Venetik Aliko nga Kalasa, Cane Çako nga Kopaçez, Drini Sala nga Dhëmblan, si dhe ndihmësa të tjerë plotë djem: Gramoz Mahmuti nga Lazarati, Ani Mahmuti nga Lazarati, Magrip Shurdhi usta nga Lazarati, Jakup Shurdhi nga Lazarati, Azem Babameto nga Gjirokastra, Klevis Kaba nga Dukaj, Erjon Kordha nga Dukaj Tepelenë, Ali Muçobega nga Memaliaj, Skënder Shaha nga Turani, Maradon Shaha nga Turani, Laert Shaha nga Turani, Arjan Çela nga Dhëmblan usta, Alush (Lushi) Kerra nga Zhulati usta dhe marrës i shkëlqyer i këngës labe, Lesko Zhuli nga Gjirokastra elektriçist, Daniel Lazaj golemas elektriçist, Zani Ndreu nga Gusmari usta, si dhe plotë djem të tjerë nga të gjithë trevat labe, sidomos djemtë e Fushëbardhës që nuk kanë qenë të kursyer në këtë dekadë pune, të gatshëm sa herë që janë thirrur, të dashur, të papërtuar dhe gjithmonë të gjindshëm, prandaj edhe Dervish Mikeli është krenar për djem të tillë.

Tek Dervish Mikeli në Turan të Tepelenës nuk shkohet vetëm për 22 Marsin, për festën e Sulltan Nevruzit, këtë natyrshmëri në çdo shtëpi për besimtarët bektashianë, ku besimin e kanë pjesë të pandarë në ditë të të shenjta, por edhe në të gjitha ditët e vitit, pasi kushdo që veten e quan bektashi të vërtetë me zemër dhe rrënjë,  është ai që përqafon etikën e sinqeritetit, respektin e dashurinë e të gjithëve, me bindje, disiplinë e ndërgjegje ndjek rrugën mistike apo tarikatin, duke hedhur poshtë arrogancën, padrejtësinë e urrejtjen, e jeton besimin e tij si një urë lidhëse njerëzore, me rrënjë të thella në kulturën shqiptare. Respektimi i etikës së rreptë, i bashkuar me të tjerët me vullnet të lirë u përmbahet parimeve të ndershmërisë, kontrollimit të përdorimit të gjuhës dhe ndihmës e mbështetjes për të tjerët. Kjo kërkon durim me fëmijët e vegjël, respektim të të rriturve, tolerancë, traditë, ndërgjegje të pastër, thellësisht i lidhur me territorin dhe identitetin shqiptar, respektim të vlerave morale, si dhe nga ana tjetër shpifja, padrejtësia, sjellja jo e denjë në shoqëri, janë të ndaluara për çdo besimtar bektashian. Në aspektin e kërkimit  të  së vërtetës, bektashinjtë e kërkojnë të vërtetën gjithnjë brenda thelbit të tyre, ku nëpërmjet jetës dhe sjelljes së tij, mishërohet dashuria, paqja, sinqeriteti, Atdhedashuria dhe besimi.

Kontribut sinjifikativ, personalitet atdhetar dhe vlerë shpirtërore e trevës labe

Dervish Mikeli është edhe një krijues i apasionuar edhe përtej Bektashizmës, duke sjellë në vëmendje në rrjetet sociale, dritë nga përhapja e shkollës dhe diturisë. Krijimtaria e tij mbart hallet e brengat e të gjitha kohëve por edhe besnik i atdheut dhe fesë së Bektashizmës, një kërkues i apasionuar në rrënjët historike të kërkimit të vlerave të trashëgimisë kultuore e historike të fshatit Fushëbardhë, të zonës, të dy krahinave të Kardhiqit si dhe të Rrëzomës. Ai është edhe një udhërrëfyes e drejtues i apasionuar ndërtimesh i vlerave të së bukurës të objekteve klerike aty ku kanë qenë dhe që edhe sot e kësaj ditë rrojnë në zemrën e popullit si në Teqe të Zallit, Kryegjyshatë, Turan, Greshicë Mallakastër, Memaliaj, Bënçë, Salari, Tepelenë, Krahës, Fushëbardhë, Zhulat, Kalasë, Tatzat, Delvinë, rrepet e Taroninës, Kardhiq etj., ku janë edhe sot rrënojat e një objekti kulti bektashi që bashkë me Shërbëtorët e tjerë të mirësisë njerëzore të Kardhiqit, Zhulatit, Fushëbardhës, Kolonjës e më gjerë mbështetën në zhvillimin e kuvendit tre ditor të zhvilluar në Taroninë gjithë trevat e Jugut të Shqipërisë në Prillin e vitit 1773, që ishte edhe kuvendi i dytë pas atij të Senicës të mbajtur në vitin e largët 1770, dhe që i dolën zot popullit të shtypur dhe pushtuar, i dolën zot në kohën më të zezë të pushtimit osmanlli të hapësirës shqiptare.

Talentin e tij Dervish Mikeli e ka treguar duke shkruajtur poezi, këngë, bejte, tregime, mbledhës i apasionuar i fjalëve të urta, këshilla dhe dhënie të shquara dervishësh, të cilat i shpreh hapur në rrjetet sociale për të gjithë miqtë e tij, si një risi e kohës sonë. Pena e tij është e admirueshme nga një rreth i gjerë intelektualësh për rimën dhe frymëzimin e tij të veçantë, dhe që i ngjajnë stilit naimjan, stilit të Naim Shqipërisë. Në këtë stil ka pak njerëz prandaj dhe e vlerësojnë Dervish Mikelin njohës të poezisë dhe vargut mesazhpërcjellës. Vargëzimi i tij është real dhe i prekshëm, kuptimplotë dhe komunikues me gjuhën e zemrës e të shpirtit. Këto poezi janë me qindra por ato presin dritën e botimit, sigurisht në një kohë të përshtatshme. Në vargjet e dervish mikelit janë hallet e brengat e kohës, gëzime e hidhërime, traditë, kulturë, etnografi, doke e zakone, traditë, kulturë e dituri, dhimbje, trimëri, luftra e beteja të mbijetesës së shqiptarëve, mall e lotë kurbeti, lumenj, pyje, fusha, burime të kristalta, përulje e besime. Janë një thesar i vërtetë për të gjithë ne që e njohin dhe krenohen me Dervish Mikelin.

Referenca bazë e krijimtarisë së Dervish Mikelit ka qenë atdhetaria, arsimimi, shenjtërimi dhe drita e shenjtërimit dhe e bashkëekzistencës paqësore e harmonike fetare në Shqipëri. Kështu në gusht 2003 Dervish Mikeli shkruante për një shenjtor të madh të Fushëbardhës: “Këtu në Fushëbardhë dergjet një shenjtor,/Është Dervish Mehmeti me qitap në dorë./Ref. Në Dylbe atje kur vijmë, të puthim gjunë e pëlqinë./Trupi si pëllumbi harkaja si era,/Iku fluturimthi e kërkoi teqeja./O Shenjtor i shquar, Prijës në këtë fshat,/Të biem në gjunjë,/Ti na jep uratë./Dervish Mehmeti shenjtori,/ Dervish Lufto pastërtori,/Dervish Taro i dëgjoi,/Si zemra me kraharorin!”.

Krijimtaria në vargje e tij është tashmë shumë e njohur është një gurrë e pashterrshme dhe pjesë e pandarë e trevës popullore të krahinës së Labërisë, ku vlerëson edhe ata që i kanë dhënë dritë e nur shenjtërues, por dhe mirësi e dashuri njerëzore, sikurse vargjet i derdh nga shpirti i tij poetik: “O dervish Mehmet Golemi,/malli na ka marrë/për ata muhibë të parë/me fjalësi margaritarë,/me shpirtin zemër beharë!”. Krijimtaria e Dervish Mikelit ka kapërcyer tashmë dete e male, qafa e gryka e lugina dhe ka shkuar plot ndjenjë tek treva labe dhe jo vetëm, tek njerëzit kudo ku punojnë e jetojnë edhe përmes rrjeteve sociale, por edhe kur njerëzit me plot halle e derte të kohës sonë gjejnë prehje shpirtërore në takimet e Dervish Mikel Onjesë në Turan, por edhe kudo ai gjendet brenda apo jashtë vendit, ku ja kërkon misioni si klerik dhe kudo ku e presin njerëzit me dashuri dhe respect, për atë çka krijuar vetë në jetë, që nga koha kur jetën ja kushtoi Babait të madh shenjtorit Baba Reshat Bardhi dhe Bektashizmës. Dervish Mikeli është trupëzuar me njerëzit, prandaj dhe gëzon besimin dhe dashurinë e tyre pa kushte. Kjo e bën të jetë përkrah gjithë aktiviteteve të Labërisë kudo ku janë zhvilluar ato.

Dervish Mikeli gjatë këtyre viteve në shërbim të komunitetit ka qenë disa herë në konferenca për promovimin e paqes, në pajtimin e gjaqeve, në promovimin e vlerave të këngës, traditës, kostumografisë, etnografisë të trevës së Labërisë. Ai ka mbajtur fjalime përshendetëse me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës si dhe inagurimit të katedrales Katolike në Prishtinë. Ka marrë pjesë së bashku me vëllezërit e tarikateve të tjera në konferenca në Mal të Zi, Ulqin në homazhet për kalimin nga jeta të At Zef Pëllumbit në inagurimin e Xhamisë së Parrucës në Shkodër, në inagurimin e medresesë dhe Xhamisë në Tepelenë, në inagurimin e Muzeut të Musine Kokalari, në promovimin e librave me vlerë edukative kulturore e historike, në Muzeun Historik Kombëtar, në Akademinë e Shkencave etj.

Dervish Mikeli dhe Dervish Ermal Hoxha sup më sup në misionin dhe rrugëtimin Bektashian

Në Turan, në këtë stacion mirësie të Bektashizmës kemi takuar një djalë që ka pesë vite angazhim serioz në rrugëtimin Bektashian. Dervish Ermal Hoxha është lindur në fshatin Krahës nr.2, të rrethit të Tepelenës më 17.12.1989. Pas përfundimit të shkollës fillore vijoi shkollën e mesme “Vëllezërit Frashëri” në Vlorë, por gjatë kryerjes së shkollës së mesme ai ka punuar në servisin familjar me paisje elektrike, por edhe në punë të ndryshme për ti ardhur në ndihmë familjes së bashku me të Atin Selam Hoxha.

Pas mbarimit me sukses të shkollës së mesme ka vijuar studimet “Bachelor” në degën e Informatikës në Universitetin “Ismail Qemali” në qytetin bregdetar të Vlorës. Gjatë këtyre viteve para dhe pas shkollimit të tij nga vitet 2006 deri në vitin 2017 ka jetuar për disa kohë edhe në Greqi ku ka punuar si bojaxhi me babain e tij, për ta ndihmuar ekonominë familjare. Për pak muaj ka punuar edhe në një kompani pastrimi në kryeqytetin Budapest të Hungarisë. Fakt është se njohja me Dervish Mkelin i la përshtypje të thellë duke marrë njohuri tarikatin Bektashi dhe që i zgjuan atij kujtimet e gjyshërve, të cilët i kanë treguar shpesh herë gjatë fëmijërisë së tij për patriotizmin dhe rolin shpirtëror që luanin teqetë bektashiane nëpër shekuj. Komunikimet e shpeshta lanë në shpirtin e tij që të zgjohej një dashuri e madhe për tu angazhuar në udhën bektashiane të themeluar nga Seid Muhamed Hynqar Haxhi Bektash Veli. Kështu ai i bë Muhib (anëtarë) nga Haxhi Baba Edmond Brahimaj. Pas tri vjetësh shërbim në Teqen e Turanit Tepelenë, u vesh dervish në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane më 17 Mars 2021, me rastin e përkujtimit të ish Kryegjyshit Botërore Abaz Ilmi Dede. Përgjatë këtyre viteve shërbim në Teqen e Turanit Tepelenë, ai pranë Dervish Mikelit dhe nën kujdesin e tij filloi studimet në mënyrë rigoroze të Kuranit dhe librave të tjerë të jurisprudencës dhe misticizmit Bektashian. Dervish Ermali është një studiues i apasionuar dhe zotërues i gjuhës angleze, italiane dhe greke, ku përveç shërbimit e studimeve ai është mjaft praktik në disa zanate si  mekanik, saldator manovrator, eskavatorist, bletërritës etj. Është një njeri me shpirt e kulturë të gjerë, analizues i thelluar i zhvillimeve njerëzore, që është shumë i admiruar edhe nga intelektualë eruditë. Shquhet për disiplinë e përkushtim në çdo aspekt të jetës shpirtërore, këmbëngulës deri në fund në qëllimet e tij duke arritur me durim, bindje e besim atë që dëshiron, por natyrisht ka përkrah dorën e ngrohtë të Dervish Mikelit.

Vlerësimet për vlerën e atdhetarisë shqiptare

Duke e njohur nga afër kupton qartë vlerat e një njeriu të veçantë, që kurrë nuk ka vështruar për vlerësimin personal të meritave, edhe pse institucione e shoqata kanë drejtuar shikimin tek ai, me plotësisht të drejtë. Dervish Mikeli është nderuar, vlerësuare respektuar për atë çka është dhe që ka bërë në të vërtetë. Kështu ai është nderuar nga institucione të ndryshme si: “Krenaria e Qarkut Gjirokastër” nga Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës, “Certifikatë mirënjohjeje” nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, “Qytetar Nderi i Komunes Greshicë Mallakastër, nga Këshilli i Komunës, është vlerësuar me titull nderi nga Tarikati “Rufai” i Shqipërisë me Kryetar Haxhi Sheh Qemaludin Reka, titull nderi nga Tarikati Halveti i Shqipërisë me Kryetar Haxhi Sheh Hysen Ali Hormova, si dhe Qytetar nderi i Komunës Vergo në Delvinë. Sikundër gdhenden gurët e objekteve të kultit që udhëheq dervish Mikeli, ashtu edhe Shoqata Kulturore-Atdhetare “Fushëbardha” ka marrë një vendim dhe ka nderuar Dervish Mikelin me titullin e lartë “Krenari e Fshatit Fushëbardhë”, si simbol i qytetarisë dhe mirësisë njerëzore, pasi në mëngët e tij të gjera ai mban peshën e halleve dhe brengave dhe është shëronjës dhe melhem në hallet më të vështira të Fushëbardhës dhe krejt trevës së Labërisë. Dervish Mikel Maksim Onjea është një njeri i dashur human e shpirtbardhë si dhe mjaft aktiv në mbështetje të punëve të mira që bën Shoqata “Labëria”, kudo në trevën labe ka ndihmuar dhe mbështetur në shumë aktivitete me sens atdhetar e patriotik, ka kontribuar me të gjitha mënyrat e mundëshme duke qenë edhe një klerik i Bektashizmit që është bërë mjaft i dashur në gjithë trevën labe veçanërisht në këta dhjetë vitet e fundit ku kontributi ka qenë sinjifikativ në Bashkinë e Tepelenës, të Memaliajt, të Gjirokastrës dhe të Delvinës. Kontributi i tij është i dukshëm dhe i prekshëm në fshatin Turan në ngritjen e një objekti kulti bektashi që i ka themelet gati dyqind vjeçare dhe që ka qenë mbështetëse jo vetëm e trevës labe, por edhe më gjerë. Ai ngriti nga themelet një pasuri shpirtërore dhe hyjnore popullore, në vendin ku kanë bujtur korifenjtë të shqiptarizmës si Fan Noli, Avni Rustemi, ku shenjtori Baba Ahmet Turani ishte një nga organizatorët kryesore të Luftës së Vlorës të 1920-ës, si dhe vendi i shquar në Republikë për humanizëm e dashuri njerëzore, për përbashkim të vlerave të atdhetarisë. Dega e Labërisë e Tiranës bëri propozimin për ta vlerësuar Dervish Mikelein, ndërsa kryesia e saj miratoi njëzëri propozimin që Dervish Mikel Maksim Onjea t’i jepj titulli “Personalitet i shquar i Labërisë” me motivacion: “Për kontribut të shquar atdhetar e kulturor në ruajtjen e transmetimin e vlerave shpirtërore e njerëzore të trevës labe, për kontribut sinjifikativ humanitar për komunitetin në Labëri në ngritjen e objekteve të kultit me vlerë historike kombëtare, si pjesë dinjitoze shpirtërore e kulturore, duke ofruar përkushtim, ndihmesë të spikatur e dashuri me dimension të gjerë njerëzor, për mbështetje pa rezerva në ngritjen e objekteve të traditës, kujtesës historike e etnografike popullore si dhe për pjesëmarrje të denjë në jetën qytetare e shoqërore duke manifestuar traditat më të mira të vlerave të shqiptarizmës dhe veçanërisht të përkatësisë bektashiane që në thelb ka moton e jetësuar “Pa Atdhe nuk ka Fe”. Kjo u mundësua në përvjetorin e ditëlindjes së tij në vjeshtën e parë të vitit 2024, e ndërsa punët e tij të mira vijojnë edhe si anëtar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”, por edhe si anëtar i kryesisë së SHAK “Fushëbardha”.