Albspirit

Media/News/Publishing

SKALITJE E 45 VITEVE PUNË NË DREJTIMIN TEKNIKO-ADMINISTRATIV TË “NDËRMARRJEVE SOCIALISTE” NË NJË SISTEM ABSURD!


Xhavit Neki Delvina

Kush isha unë që u bëra protagonist në këtë histori? Në vitin 1949 pas arrestimit të babait tonë hyra në punë të ndryshme sepse kështu e deshi lufta e klasave . Për respekt të njohjeve të vjetra familjare më morën në punë disa mjeshtra kollosë të asaj kohe që ishin edhe të deklasuar. Ata në mënyrë absolute ishin më të kërkuarit për zgjidhjet e shumë problemeve teknike të asaj kohe, sidomos për problemet elektro – mekanike. Po përmend disa prej tyre: Astrit Xhuli, Ramazan Stërmasi, Qazim Xhepa, Koço Vasili, Skënder Dako, italianët: Filippo Fumagali, Mario Masarini, etj, ndër ta kishte inxhinier, teknik të Fultzit, praktikant, etj. Nga këta unë përfitova shumë si nga ana profesionale e për çdo gjë tjetër që duhej për të jetuar në këtë botë. Nga puna me ta edhe unë arrita të bëjë emër dhe të kërkohesha në punë të mira. Po kujtoj diçka për jetën dhe punën që bëhej në këto “Ndërmarrje – Socialiste” të vitit 1950 e prapa. Ndërmarrja “Rruga” ku punoja edhe unë, kishte detyra me të vërtetë të vështira dhe njëkohësisht shumë të rëndësishme për atë kohë. Punohej në një kohë në shumë objekte që nga veriu në jug të vendit. Ndërmarrja jonë “Rruga” administronte dhe përgjigjej për një sërë objektesh, si ndërtime të reja, asfaltime, ndërtime urash, apo edhe vepra arti, etj.
Më të rëndësishme ndër to ishin: kantjeri i asfaltimit Vorë-Milot, kantjeri për ndërtimin e rrugës Shëmri-Kolgecaj, kantjeri për ndërtimin e rrugës Gramsh-Lozhan, kantjeri që kryente punimet përfundimtare në rrugën e rinisë Kukës-Peshkopi, njëkohësisht punohej për hapjen e rrugës së “Dritës” – Milot – Ulëz – Burrel, në vazhdim nuk po përmend edhe shumë punime të tjera të kësaj natyre, por me volum pune relativisht pak më të vogla apo ndërtime të veçanta veprash arti nëpër Shqipëri si barriera nëpër anë të rrugëve, kanalizime rrugore, etj. Këto detyra duhet të realizoheshin patjetër në kohën e planifikuar sepse siç thuhej atëher ishin “Detyrë Partie”. Por këtu egzistonte një kontradikt “parimore – ideologjike” ndërsa thuhej se njeriu ishte “kapitali” më i çmuar, në fakt ai nuk përfillej fare edhe nëse i rrezikohej jeta e tij ose mund të them pa frikë se kjo çështje nuk përbënte asnjë problem. Dihej shumë mirë nga të gjithë se puntori gjatë punës realisht ndeshej me shumë mungesa të rëndësishme në lidhje me teknikën e sigurimit në punë, në ato kondita të atëhershme ishte e sigurtë matematikisht se puntori do të merrte sëmundje të rënda profesionale të pashërueshme apo mbetej edhe i gjymtuar deri të humbte edhe jetën. Këto nuk ishin raste të pakta apo të rralla. Nëpër kantjeret e “punës socialiste” të atëhershme, punonjësit punonin dhe jetonin tamam si skllevërit e dikurshëm. Primitiviteti teknik i ndërmarrjes tonë në sensin e mekanizimit të punëve, ishte në shkallën më të lartë. Ky ishte dhe një nga shkaqet kryesore që vështirësonte shumë punën e puntorëve dhe i vinte ata në pozita të një pune sistematike të sforcuar, ata për të realizuar detyrat ditore, detyroheshin të shkelnin çdo rregull sigurie në dëm të tyre.
Pajisjet kryesore apo mekanizmat e ndryshme të punës prodhoheshin brënda mundësive të organizuara keq që kishte aktualisht ndërmarrja, psh karrocat e dorës me gjithë rrotat metalike realizoheshin tek marangozët dhe farkëtarët e ndërmarrjes, po kështu edhe tezgat e dorës të cilat së bashku me karrocat përbënin kompletin më kryesor të transportit – mijra metrash kub me materiale brenda sektorit apo objektit të punës, po kështu prodhoheshin edhe qysqit, barominat për shpim me matrapik për minatorët, varet, kazmat, lopatat, kazanë tip kaldaje për shkrirje dhe sprucim bitumi në proçesin e asfaltimit komplet me sistemin e injektimit të bitumit, etj. Puntorët gjithnjë kishin pretendime për këto prodhime sepse nuk ishin të përshtatshme apo të manovrueshme brënda nivelit të fuqive fizike të njeriut, ato kishin të meta të rëndësishme jo vetëm nga ana cilësore, por njëherësh përfaqësonin konstruksione shumë të vjetra dhe jashtë kohës, kishin peshë të madhe, ishin dhe shumë “kaba” duke ia vështirësuar në maksimum punën puntorit, por ja që asnjëherë këto probleme nuk u ndreqën kurrë, pasojat gjithnjë binin në kurriz të puntorit. Përsa i përket grupit të barakave që përfaqësonin “Qytezën” e kantierit dhe qendrën administrative, ato zgjidheshin dhe ndërtoheshin në vënde kryesisht rrëzë maleve dhe anës vijave të ujit ose lumenjve me qëllim për të patur lehtësira në sigurimin e ujit apo dhe ndërtimin e komplekseve të “nevojtoreve” në natyrë, të cilat nuk kishin nevojë për kanalizime dhe pastrim të veçantë sepse ndihmohej nga rrjedha e lumit apo vijës së ujit.
Këto baraka mbuloheshin sipër me llamarina të zeza që siguroheshin nga çarja e fuçive të bitumit kur boshatiseshin, ndërsa për krevate ishin disa platforma dërrase nga fillimi deri në fund të barakës me dy kate dhe pa asnjë lloj nivelimi. Këto sheshe dërrase apo platforma përbëheshin edhe nga disa si tip shkallësh për të lehtësuar ngjitjen si biçim krevate marinarësh për në katin e sipërm, gjithashtu kishin dhe një korridor të ngushtë në mes që ndante të dy anët e sheshit të dërrasës për lëvizjen e skllevërve ose puntorëve. Më kujtohet gjerësia e këtij korridori që ishte sa të kalonte një njeri i vetëm normalisht, ama kur ndeshej me ndonjë tjetër përballë duhej që njëri prej tyre të kthehej në profil që të lejonte tjetrin që të manovronte duke u përdredhur që të realizonte me vështirësi kalimin. Muratura anësore e këtyre barakave përbëhej nga montazh dërrasash që kishin hapsirë ndërmjet tyre me qëllim që të ndërrohej ajri brënda barakës sepse ato ishin të mbipopulluara, së paku kështu e justifikonin atëherë drejtuesit e kantjerit cilësin e dobët të ndërtimit të “kampanoneve” apo “palo – barakave” të banimit që më vonë, me forcimin e pushtetit popullor si edhe të organizatave të masave, ato u quajtën “Fjetore e puntorëve”. Por ky kualitet i dobët ndërtimi kishte një të keqe shumë të madhe në dimër, sepse ju frynte era nga jashtë puntorëve mu në shpinë apo kur ishte shi i spërkaste duke i bërë qull. Pamje shumë e papëlqyeshme ishte kur shihje puntorin fakir ditën e parë që paraqitej në zyrën e punës së kantjerit që ishte si në “ferr” për të filluar punë. Së pari ai shkonte në magazinë për të marrë pajisjet e punës dhe plaçkat që i duheshin për të jetuar. Pajisjet shtëpiake përbëheshin gjithë e gjithë nga dy copë këllëf, një për jastëk dhe tjetri për dyshek, por ky i dyshekut kishte një të çarë në mes nga ku futej bari ose gjethe të marra në pyllin përreth “kantjerit” si dhe dy batanije të (U.N.R.A) Organizata Ndihmëse Amerikane e pas luftës të holluara në trashësin e fanellatës nga konsumimi i tepërt ndër vite, dhe në fund po me firmë merrje dhe instrumentin e punës sipas planifikimit, kazëm, lopatë, karroc, qysqi a tezgë. Ata puntorë që dalloheshin për madhësi trupore dhe forcë “nderoheshin” duke ju dhënë në ngarkim suplementar një qysqi apo vare. Këto vegla apo instrumenta gjithkush i mbante pranë krevatit tek koka me qëllim për t’i ruajtur. Pas gjithë këtyre veprimeve puntori duhej të shkonte tek intendenti i kantjerit i cili ishte personi më i rëndësishëm, atij duhej ti dorëzohej triska e bukës në rast se ishte nga qyteti, ndërsa po të ishte nga fshati, duhej një vërtetim nga këshilli i fshatit që nuk kishte triskë ose në rast se ishte në sistemin që merrnin miell për frymë, deri në ç’datë e kishte marrë, pastaj ai mund të futej në forcë për t’i dhënë bukë dhe ushqim.
Pas pune dhe netët ishin me të vërtetë shumë interesante, puntorët e lodhur deri në rraskapitje nga puna dhe hallet e ditës, shkonin tre herë në ditë sipas vakteve në mensën e kantjerit për t’u ushqyer në nivelin e urisë. Menyja ishte fikse, groshë “qore” dhe në vend të mishit ato ishin me “miza” dhe rrall – herë për festa na bënin grosh të bardha të shoqëruara për të tre vaktet me 800 gr bukë misri të kuqe në të verdhë. Mëngjezi kishte çaj mali, ndërsa darka supë me groshë ose me oriz ose edhe me ca makarona “mikroskopike”. Ky ishte ushqimi i përditshëm, ndërsa për festat e 8 Nëntorit ose 29 Nëntorit ushqimet e lartpërmendura “zbukuroheshin edhe me nga një pjatkë” me makarona suplementare, helbete festë. Kur binim të flinim sigurisht për dritë as që bëhej fjalë, “rroftë bishtuku”, dëgjohej vetëm krisma e gërhitjes së thellë në korr dhe të shkretët thonin se lezeti ma i madh asht kur bie shi, “atëherna të zen gjumi dekun”. Kjo ishte mëse e vërtetë se shkak për këtë bëhej muzikaliteti që krijonin rëniet e pikave të shiut mbi llamarinat e tavanit. Kjo kakofoni ishte aq e lezeçme sa e zëvendësonte plotësisht “nina – nanën”, e paharruar do të mbetet edhe bukuria e ditës së pushimit javor brenda këtij “kantieri burg”.
Ja se si e kalonim këtë ditë të “lumtur”. Dikush rrinte në diell, dikush thyente ndonjë tullë të kuqe për ta bër gur për të luajtur tresh, nënç ose dam, këtë lojë nuk e dinin të gjithë veç ata të shëtiturit, dikush tjetër lante rrobat poshtë në lumë dhe bënte pastrim vetjak javor ose mujor, kishte të tjerë që kontrollonin kokat për “gjueti parazitësh, morra” ndërsa nuk mungonin dhe “nikoqirët” që harnonin rrobat e tyre veshur pa i hequr. Sa e bukur po aq edhe për të ardhur keq ishte kur shikoje ata që shkonin te berberi anës lumit, ku ai kishte ngritur “dyqanin” e tij ambulant i cili përbëhej vetëm nga një trung druri për të ulur “viktimën” gjatë operacionit qethje – rruarje. Klienti ulej tek trungu, berberi i prekte flokun e kokës me dorë dhe sipas madhësisë së flokut i caktonte dhe çmimin e qethjes, e nëse “viktima” pranonte, ai fillonte menjëherë nga puna. Berberi “xhelat” nxirrte nga brezi prej shajaku të kuq “thikën brisk” dhe fillonte të mprehte tek ndonjë gur lumi, ndërsa klienti “viktim” menjëherë fillonte të punonte vet me një brisk dore të veçantë një copë druri për të bërë lugë me bilbil në bisht dhe kur e pyeta njërin nga këta që do të “operoheshin” në kokë që pse ju të gjithë që qetheni, gjatë këtij proçesi punoni lugë? Kjo gjë sikur është bërë zakon i përgjithshëm, më çudit! Nuk gjeni kohë tjetër më të qetë për këtë lloj pune? Ku i çoni të gjitha ato lugë që prodhoni? Ma shpjego të lutem se e vras mëndjen time dhe nuk e gjej dot!
Ai mu përgjigj në vend me një dialekt të tyre shumë veriak: “Heu, a s’po e merr vesh ti or mik që pse punojmë na kur çajm? Berberi na shkul flokun me çat thajk, a s’po e shef taj”? – Jo vallahi, iu përgjigja unë, se marr vesh hiç këtë punë e prandaj po të pyes. Ai mu përgjigj prap: – Me hijek menien prej dhimet (dhimbjes) se të lun menia e kres or ti, pa lene kur të hudh duhanin apo ta fërko me to, met nal rrëken e gjakit që rrjedh prej votrave të veta. – A a a tashti po e marr vesh që e paskeni pas hak! – Ho pra, ç’ashtu osht e se lu as topi!
Me tërë mend qethja ishte interesante, e vrojtova vet nga fillimi e deri në fund. Berberi “xhelat” pasi ja lagu kokën me një gjymë me ujë, filloi t’ia fërkoj kokën me një top balte dhe kur e pyeta se ç’ishte ai top, ai më tha se oshtë “VOD” e ka ynyr ma shum se sapuni juj, po osht pak i sikletshëm se kur po i rruj po ankohen se s’po pret thejka e ku ta di un. Kur e mbaroi mu drejtua mua e më thotë: e… e… a e shef, e bana b… të pastër, ene në fund i thomi meshnet e mirardhsh…!
Ky qe stili dhe puna e atij berberi xhelat e kur i thashë berberit se “në Tiranë qethin me makinë të posaçme, shumë më lehtë e më mirë”, heu – tha ai, po me se punojnë çato makina, me naftë a me benzinë?

– Jo, i thash, veçse me dorë e fare lehtë. – Vallahi nuk kom pa e nuk kom ngju, nuk kom ra ndonjëher me to, nuk kom qen kurr ndonjëher në “Shehër” (qytet). Ngjo: kur të vish no ni her tjetër ktu në Rragam, Vlad a Shumri e ku e di un, ma bjer ni makin si ajo që po thue ti, e ta paguj në ven. – Më vjen keq i thash, nuk besoj të vij më këndej dhe kështu u ndava prej tij. Po rrija ulur tek pedanët e gabinës së një kamioni tip “Fiat 634” të kantierit dhe po shihja një pamje shumë të bukur mali e më afrohet njëri prej tyre puntorëve, më rri karshi – karshi duke më vërejtur me kujdes në fytyrë dhe po qeshte me mua. E pashë edhe unë atë si ai mua dhe fillova dhe unë duke qeshur njësoj si ai me mua. Vura re që ky veprim i imi nuk funksionoi ashtu si e mendova unë, ai nuk reagoi fare dhe atëher iu afrova unë dhe po e pyes: – Hë… hë…hë… ç’ke që po qeshesh me mua?

– Hiç… hiç… pasha të madhin Zot s’kam kurr nisen, veç se si po më dukesh.
Atëherë iu afrova edhe më shumë dhe e pyeta se si po i dukesha! – “A – sha – zaten” i but bre i but po më dukesh, tha ai. I ofrova një cigare, e mori me kënaqësi dhe prap po më sheh dhe po qeshet. Atëher për të hyrë në muhabet e pyeta se çfar pune ke bër më përpara se të vije këtu në kantjer?

– Bari bre, bari gjithnjë që në kohën e Italis me “dhaj” (dhi).
Atëherë unë kot prap për muhabet e pyeta se si të dukeshin italianët?

– A-sha zaten boll të mir, të urtë e të nigjushëm ishin.
Më bëri përshtypje ky opinion i këtij fshatari, ish – bari dhe tashmë puntor dhe e pyes:

– Pse po flet kështu për italianët? A i ke provu ti ata ndonjëherë? Apo ke pas të bësh me ta si milic apo ku e di unë?

– Jo, jo… – më tha, veç ni rast kom pas me ta dhe nisi të më tregoj. – Isha ni dit në pyll me dhajt me i kullot e po kalon ulët, pothuj mbi kok temen ni “ballon” (aeroplan) me di flet Italian, zani i tij (zhurma) mi tromi dhajt, ene u shpërndan ato krejt, atëhernaj un i mërzitur i bërtita fort, fort me za: “or shefer asojshe pak ballonën se mi trome dhajt” – (ore shofer mënjanoje pak aeroplanin se mi trëmbe dhitë), ishte kon sheferi mir, fkjeti krit e kieshi me mu… he… he… dhe e asojshi ballonën, ou.ou.. dhe s’mi tromi dhajt. A e shef pra sa t’mir e t’nigjushëm ishin italianët?

– Po… po… vallahi i thashë, – paske pas hak…

– Ho pra – tha ai.
-Po pas lufte çfarë pune ke bërë?

– Prap bari dhajsh mbeta e çfar të bojshe tjetër? Hikën italianët e shkret se e hupën luftën dhe erdhën amerikanët.
Atëherë i them unë: – Po amerikanët si t’u dukën?

– A… a… ata nuk ishin gjo.

– Po pse, – i thashë?

– Aha, ata nuk ishin veçse budallenj, budallenj kret (krejt), ata ne i grabitëm, ja futëm ronçëm edhe hikën “a pët” prej frike.

– Po si ndodhi kjo? – i them unë atij.

– Epo ja, – fillon të tregoj ai: – Kishim dal naltë në mal për punët tona, kur po shofim pri nolt, se po hipin Qafën e Malit shumë makina ushtarake të ngarkume me thas mielli dhe sheqeri, i njoftëm prej ngjyre. Ata po u dukshin se ishin amerikanë prej flamurve që mbajshin ngreh në makina, e njifnim çat flamur se e patëm vu niher tek Uji ftoft në Qaf-Mali kur na patën dhanë niherë ndihma në vietin 1946. Priherit vendosëm me i vjedh se nuk kishte rrugë tjetër, pa bukë e me triska ishim, për me thonë të pangopur. E bomë priherit ni plan vjedhje, e kishim zanat atë punë dhe po qesh me mua. Shpejt e shpejt mblodhëm nja 60 vetë gjithsej, nja 8 a 10 vetë i hipëm nalt në mal mbi rrugë dhe ju thamë që të mblidhnin gur e t’i lëshojnë kur ne t’u japim shenjë me një plaçkë të kuqe, ne të tjerët të gjithë ramë poshtë rrugës dhe u fshehëm me fjalën e të parit ton Afmetit, çaji e mori komandën. Ishte ni nat zi asha – zotin, ata ishin plot drita se ra nata dhe po ngjiteshin malit përpjet. Na po qesim ni shokun tonë shumë plak e me gungë në shpinë, por ama ishte dreqi vet e po ju zen rrugën makinave, ata u ndalën se veç se me e shkel. Ai Kol Nikolli i thoishin kishte në dorë ni cigare duhan të pa nezme dhe po kërkon me e nez bash te feneri i ndezun flakë i dritës së makinës së parë. Po mundohet dhe po shef që cigarja nuk po i ndizet, shkon te feneri i krahut tjetër e po mundohet prap për s’pari me e nez dhe nuk po bon gjo as aty. Ata amerikanët u shkulën gazit prej këtij budalle, zbritën tre a katër vetë e pastaj të tjerë dhe e vun në mes tu u tallë me to dhe tu i bo fotografi natën, fotografi me zierm (blic). Në kët kohë i vjen plakut afër ni oficer e po i nez çakmakun, plaku bon sikur tremet e ia jep vrapit taposhtë rrugës nëpër shkoma. Ata u shkulën gazit me këtë plak budall, atëhernaj oficeri dha urdhër të hipin të gjithë nëpër makina e me u nis a pët (menjëherë) dhe ashtu e bonë. U ndrit i gjithë mali, plaku kishte dal në ni kthesë pak sa larg që ishte si patku kali e po shifte sepse ma vonë ata aty do të kalonin. Kur ata po nisen po dallojnë që makinat ishin lehtësu ose ma mirë me thonë ishin vjedh të gjitha ato makina që u ndodhën pas kthese. Në këtë kohë Afmeti jep shenjë atyne nalt dhe ata po lëshojnë do gur që i kishin pas bo gati ma parë. Kështu që ata amerikanët e panë situatën dhe vendosën për mos me e zgjat mo se ju duk pa leverdi dhe u nisën “a pët”, duket që e menduan se për 50 – 60 thasë të lejnë ndonjë kokë në atë mal nuk ishte gjë, por masnaj e morëm vesh se ato ushqime me thasë që i vodhëm na, ata i kishin pas pru me na i shpërnda ne të vorfnëve, por në fund të fundit ata morën fotografit e plakut gungaç, ndërsa no murëm miellin dhe sheqerin tonë. “Ho pra, kush o i mençmi e kush o budalla?
Unë i thash se ju paskeni qenë të mençmit. Kështu e mbyllëm muhabetin me këtë fakir – fukara por hajdut si “gjithë shqiptarët”. Këta njerëz të thjeshtë të popullit me prirje për të vjedhur e pa mend, do të ishin e ardhmja e sigurt e Shqipërisë Socialiste!

***
Përsa i përket stafit drejtues e teknik të ndërmarrjes “Rruga” ai ishte i përbërë kryesisht nga gjeometra dhe asistentë, pa përjashtuar dhe kantonierët të cilët ishin në fakt të emërtuar si krye – puntorë, por e gjithë ndërmarrja vetëm një inxhinier kishte në atë kohë dhe ky ishte Anastas Pilika, ndërsa personeli drejtues administrativ përbëhej i gjithë nga komunistë gjysëm analfabet si: Drejtori i Ndërmarrjes Hasko Bejo, N/Drejtori, Nazif Duli, Shef i kuadrit, Lutfi Luzati, Kryetar i Degës Mekanike Vangjel Niko, Kryetar i Degës Furnizimit, Sotir Jarazi, etj. A mund të imagjinohet sot se si me këtë kualitet njerzish pa shkollë, të merrnin inisiativa ndërtimi të niveleve të larta teknike si psh Rruga “Shëmri – Kolgecaj” që ishte rrugë nga më të vështirat, malore dhe me vepra arti të shumta, pa projekte të përfunduara e të analizuara në të gjitha planet? Pavarësisht nga kjo situatë, vazhdonin punimet me vizatime operative të bëra në çast, duke marrë dhe disa materiale studimore të ndodhura nëpër arkivat e Ministrisë së Ndërtimit apo të Mbrojtjes, të përpiluara për nevojat e ushtrive pushtuese nga sektorët e xhenjove të tyre ndër vite, por falë aftësive të disa gjeometrave të vjetër e shumë të talentuar, të cilët gëzonin eksperiencë të madhe të fituar si në Ushtrinë Italiane apo nëpër sipërmarrjet po Italiane që vepronin në Shqipëri, siç i kemi përmendur më lart (Impresa “Tudini Talenti”), etj. Këta ishin të shquarit e të paharruarit: Mefail Pustina, Skënder Janina, Mehmet Alimuça, apo asistenti i paharruar dhe shumë i talentuar Kamber Shevroja, etj.
Pavarësisht nga kontributi i këtyre specialistëve të shquar, të metat ishin të shumta sepse ato rrjedhonin dhe drejtoheshin nga politika shterpe e Partisë me levat e saj deri në hallkën më të vogël të punës. Mungesa e preventivave dhe e situacioneve të parapërgatitura e të përfunduara, dhe bazat e furnizimit që kishin të meta të konsiderueshme, nuk garantonin plotësimin e nevojave të punimeve në kohën e duhur dhe pa pengesa, lëre pastaj të kapërceje situatat që rridhnin nga koha me një dimër të papërballueshëm në çdo pikpamje, pa folur edhe për skllevërit punëtorë që ishin të pa ngrënë e të pa veshur. Por një gjë ishte e qartë për të gjithë sepse dukej açik (hapur), sigurisht nëse doje ta shihje, për të gjitha këto të meta dhe ngecje, asnjëherë nuk u bënë përgjegjëse organet e Partisë që në fakt dihej nga të gjithë se ata drejtonin çdo hallkë të shtetit. Por gjithmonë zakoni e donte që të ngarkoheshin me përgjegjësi individë të veçantë si nga pushteti, biles edhe ndonjë komunist që i kishte marrë koka erë, dhe shembuj të tillë kishte plot. Këta armiq nuk gjendeshin vetëm në super – strukturën shtetërore, por kishte edhe në bazë, si Drejtori i kantjerit “Shëmri – Kolgecaj”, Fiqiri Koçi; Drejtori i kantjerit “Gramsh – Lozhan”, Gogo Bajo, të cilët për “Sabotim në Ekonomi” dhe për “Mos Realizim Detyrash” u dënuan deri me vdekje, por “zemër – gjerësia” e Partisë me anë të Presidiumit Kuvendit Popullor, me sa më kujtohet dënimet e tyre i ktheu në burg të përjetshëm. Kështu këtyre qyqarëve ju ngarkoheshin të këqijat dhe fajet, pra mbyllej një dështim për tu hapur një tjetër më vonë. Më kujtohet kur u hap rruga e “Dritës”, Milot – Ulëz – Burrel e lidhnin komunistin hero Sali Vata me litar nëpër shkëmbinjtë e Shkopetit, që ai të punonte i varur me matrapik për të bër vrimat e minave që do t’i mbushte me eksploziv (kallëp tritoli) për t’i plasur, e kështu hapej vendi për të avancuar gjatësinë e rrugës, pas plasjes bëhej transportimi i gurëve me dorë, me tezga dhe karroca dore dhe të gjithë këta punonjës së bashku këndonin këngë revolucionare duke hedhur dhe parrulla për Partinë gjith ditën, por ama rendimenti ishte qesharak dhe puna mbaronte atëherë kur i vinte fundi dhe jo kur duhet të përfundonte. Këto ishin kantjerët dhe njerzit e socializmit që “do të linin prapa dhe do të shkatërronin edhe Amerikën”!

***
Shumëkush mund të pyes: – Pse ti Xhavit punoje shumë edhe me devocion të dukshëm, biles ke qenë gjithmonë në rradhët e para të punonjësve pararojë, kur e dije që puna jote shkonte në dobi të regjimit komunist, dhe dashje pa dashje ky ishte një faktor kontribues për zgjatjen e jetës së komunizmit? – Pse e bëj këtë vallë? A nuk arrije ta kuptoje?

– E para: Ne punonim për të mbajtur veten dhe familjen, sepse ajo punë ishte i vetmi burim të ardhurash për të jetuar. Përsa kohë isha vetë direkt në punë prodhuese, tejkalimi i normës të jepte të ardhura diçka më shumë se rroga bazë, dmth të lehtësonte diçka jetën. Sado të pakta që mund të ishin ato të ardhura suplementare, për kushtet e familjes sonë, ishin më se të domosdoshme. Motra ishte e vogël, babai i sëmurë rëndë dhe kishte nevoja imediate që kalonin në mbishpenzime për t’u përballuar, si dietën apo blerjen e ilaçeve shumë të shtrenjta të cilat i gjenim vetëm tek privatët, që kishin njerëz në emigracion dhe i binin me raporte mjeksore, si penicilinë apo streptomicinë oleoze etj. Kështu që këtë bilanc ekonomik të domosdoshëm për familjen e ndihmonte vetëm tejkalimi i normës ose puna jashtë orarit të cilën e mirprisnim. Këto halle na erdhën bashkë me qeverinë komuniste në 1944 dhe nuk na u ndanë edhe sot që po shkruaj këto rreshta.

– E dyta: Megjithëse ne punën jashtë orarit apo tejkalimin e normës, siç e thash më lart, e kërkonim sepse ishte i vetmi derman për të jetuar, ajo punë shumë e sforcuar na imponohej edhe nga sistemi i mallkuar ne të deklasuarve, pavarësisht se nuk ishte e shkruar në ligjet zyrtare, shfrytëzimi barbar i joni kish qëllim që ne të lanim “borxhet dhe gjynahet” e të parëve tanë që i kishin pirë gjakun këtij populli martir dhe e kishin lënë në mjerim. Prandaj puna e tepërt për ne ishte ligj e detyrim. Imagjino se sa herë më e rëndë bëhej kjo praktikë pune e përhershme kur dihej nga të gjithë se drejtuesit tanë veç padijes që kishin dhe mungesës së aftësive organizuese, ishin dhe imoralë dhe dembela ose më qartë ishin pasqyra e njeriut të ri të Partisë.

– E treta: Ne gjithmonë kemi shpresuar se komunizmi do të falimentonte një ditë, këtë as që e diskutonim, prandaj neve të quajturit “Reaksionar” i kishim vënë detyrë vetes sipas mundësive, që të shfrytëzonim çdo rast apo moment të zbutjes së luftës së klasave, për t’u shkolluar pa shkëputje nga puna dhe të punonim më shumë se parazitët komunistë, me qëllim që në një të ardhme të bëheshim njerëzit më të shquar dhe më të aftë të prodhimit kudo në të gjitha fushat e jetës. Gjithashtu mendonim dhe kishim dëshirë që kur të binte komunizmi së bashku me qeveritë shterpe të tyre, të bëhej “rokada” me njerëzit e sërës sonë, si kuadro të përgatitur nga kultura profesionale, me moral të lartë, punëtorë të mirë dhe mbi të gjitha njerëz të zotit, t’u tregonim atyre maskarenjve se si duhej punuar. Aq sa na shkonte mendja se kur të na ktheheshin pronat e grabitura sipas ligjit, neve do të investonim pikërisht atje ku kishim punuar. Unë në K.A.T. duhej të isha një nga aksionerët e rëndësishëm, me siguri duke qenë më në gjëndje se kushdo tjetër që ta shndërroja prodhimin atje, nga defiçitar në rentabël dhe t’ju mësonim komunistëve parazitë që ne jo vetëm që nuk u asgjësuam, por jetuam apo mbijetuam dhe kemi forcë edhe për të ardhmen, t’i shërbejmë vetes dhe shtetit me urtësi pa asnjë tendencë revanshizmi me ata “mender” ish – komunistë.

– E katërta: Puna jonë e tepërt kishte edhe karakter human, mirëmbajtja e fabrikave siguronte vazhdimësinë e prodhimit i cili ishte i vetmi burim të ardhurash për jetën e familjeve të puntorëve të thjeshtë. E shikonim konkretisht që në rastet e bllokimit të prodhimit për arsye difektesh se sa binin të ardhurat e puntorëve, dëshpërimin e tyre e dallonim edhe në sytë e tyre apo dhe në mënyrën e sjelljes së tyre me ne, dukej sikur kërkonin shpëtim nga ne riparuesit e difekteve. Kjo sjellje e tyre ndaj nesh ishte rrjedhim llogjik, ata nuk mund të protestonin në asnjë llojë forme sepse konsiderohej gabim politik shumë i dënueshëm dhe i përlante neni famëkeq “55” për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit” prandaj neve na kishte bërë vaki të rrinim në punë dhe 60 orë rresht pa vajtur në shtëpi, por ama pas kësaj pune me sakrifica, merrnim nga ata urimet më të përzemerta të cilat iu dilnin nga shpirti i tyre…!

***
Siç e kam përmendur edhe më lart gjatë punës mbi dhjetë vjet në sektorin e mirëmbajtjes dhe shfrytëzimin e mjeteve të transportit automobilistik, veç kualifikimit tim të lartë apo edhe dekorimeve, u propagandova dhe si një organizator i dalluar i punëve që më ngarkoheshin. Vlerat e mia profesionale dhe organizative u shtuan kur mbarova dhe shkollën e posaçme dy vjeçare në Politeknikumin “7 Nëntori”. Këtë mundësi shkollimi suplementar ma siguroi burri i vajzës daiut tim Pupo Shyti, që ishte Zv/Kryetar i Komisionit Planit Shtetit, por pasi mbarova studimet, fatkeqësisht me motivacionin për “nevoja shtetërore”, siç ishte koha atëherë, Ministria e Industrisë më transferoi në Hidrocentralin “Karl Marks” në Ulëz. Por për fat, përsëri mu gjend Pupo Shyti, që nëpërmjet Kostaq Lazrit – Drejtor në Ministrin e Industrisë, manovroi dhe më dërgoi si përgjegjës i mirëmbajtjes së makinerive në Kombinatin Ushqimor “Ali Kelmendi” në Tiranë. Kjo detyrë për tipin tim m’u duk një punë e rëndomtë dhe nuk më pëlqeu, mendova se do përsërisja të njëjtën punë çdo ditë e përherë. Këtij sikleti iu shtuan edhe mardhëniet e mia të ftohta me Drejtorin e Kombinatit – Selfo Bylykbashi, i cili ishte një vegël qorre e Partisë. Ai zbatonte në çdo hap direktivat e Partisë në mënyrën më banale. Kisha bërë shumë tentativa për t’u larguar që andej, por ai me një insistencë të çuditshme e kundërshtonte dëshirën time. Sërish për fatin tim, këtë hall ma zgjidhi burri i kushërirës sime Sabri Godo, i cili e kishte shok lufte Selfon. Ai më la të largohem dhe Sabriu më mbajti si shofer të tij.
Ndërkohë disa miq të mi që kishin pushtet, duke më njohur aftësitë dhe dëshirat e punës që më karakterizonin, më sajuan një transferim zyrtar timin, për në Uzinën e “Auto – Traktorëve” (në atë kohë ishte në ndërtim e sipër), ku Drejtor ishte një mik i imi, Halil Kraja. Ai më priti tamam si duhej duke më siguruar se në këtë uzinë të re do të gjeja të gjitha kushtet Europiane të përparuara, sepse kjo uzinë ishte projektuar nga një Institut i posaçëm në Kinë, që do të interpretonte prodhimin me një teknologji të përparuar, dhe si rrjedhim do ta flaknim njëherë e përgjithmonë rrugën e prodhimit të prapambetur dhe defiçitar që rridhte nga subjektivizmi i gjithsecilit prej nesh. Kështu që edhe ne për herë të parë do të ndienim kënaqësinë e munguar. Kjo bisedë e bërë me Halilin në 13 Maj 1962, më kënaqi jashtë mase aq sa i besova dhe fillova punë, sigurisht me ritmin e vjetër mbi 8 orë punë, duke përjashtuar dhe të dielat si ditë pushimi javore etj, por fatkeqësisht e them edhe sot se asgjë nga parashikimet e mia nuk u realizuan kurrë. Optimizmi im që do të punohej ndryshe, në mënyrë të re e moderne u mbështet edhe nga puna që bënë kinezët në periudhën e parë, para dorëzimit të uzinave. Ata me prodhimet që realizuan, vërtetuan plotësisht të gjithë treguesit ekonomiko-teknikë, të projektuar fillimisht. Por fatkeqsisht mungesa e traditës në këto profile, u bë shkak për të kundërtën e keqe, nuk u arrit të rikuperohej diçka për të mirë. Inkompetenca e aftësive për drejtuesit e prodhimit, inxhinierë, teknologë, apo mjeshtëria e prodhimit u duk realisht. Një gabim edhe më i madh u bë me ndërrimin e shpesht të drejtuesve kryesor të ndërmarrjes. U hoq Halil Kraja duke u zëvendësuar me Niko Shulin; u largua Niko Shuli duke u zëvendësuar me Pilo Peristerin; sërish u largua Pilo Peristeri duke u zëvendësuar nga Llambi Gegprifti; sërish largohet Llambi Gegprifti duke u zëvendësuar nga Hamit Shamku. Këto lëvizje të shpeshta nuk ishin rentabël por s’kishe ç’të bëje, ishte politika e Partisë. Metodat e reja ishin forcimi i luftës klasore dhe interpretimi i këtij zhvillimi të ri apo metodikave të reja të prodhimit, të mbështeteshin dhe në revolucionin tekniko-shkencor të drejtuar nga klasa punëtore. Ky budallallëk nisi dhe përfundoi deri në shkatërrimin e plotë të Kombinatit në periudhën e “Demokracisë” të drejtuar nga Kryeministri i asaj kohe Aleksandër Meksi i cili bëri stazhin e Partisë tek ne, në zyrën tonë, në grupin tonë.
Më ka mbetur në kujtesë një takim rastësor me një shok puntor veteran dhe më vonë Drejtor karriere, Hajdar Qiro, vajtëm e u ulëm në një lokal për të pirë një kafe, biseda solli bisedën dhe prekëm të gjithë historinë e zhvillimit të sektorit të Industris Mekanike të vendit. Ai si punonjës i uzinës “Enver”, shprehte dhe bënte një kronikë sipas periudhave të asaj kohe dhe gabimet që ishin bërë, duke fajsuar të dy palët, si shtetin ashtu edhe ne punonjësit, por kritikën më të ashpër e bënte ndaj Pilo Peristerit duke e akuzuar atë, pse ai nuk përfilli punonjësit e uzinës “Enver” në shkallën e duhur më të lartë, sepse ata do të ishin të vetmit që me eksperiencën e tyre të vyer, do ta çonin prodhimin në nivelet bashkëkohore dhe nuk do të kishim asnjë pishmanllëk për përparimin apo për të metat që dallonim edhe sot. – Unë kurrsesi nuk ia pranova këto vërejtje që i bënte shokut Pilo dhe i them, pavarësisht se ai është një zanatçi shumë i vjetër hekur-punues, ai bashkëjetoi me të gjitha periudhat e punës që nga ajo më artizanale e deri më sot. Ai i kishte kuptuar shumë mirë të metat e atij sistemi që vetë e kishte kultivuar me të gjitha të mirat dhe gabimet në sensin e një përparimi progresiv bashkëkohor, por ai sistem rezultoi vet – frenues. Tek Pilo vumë re shumë mendime të tij që binin realisht në kundërshtim me ideologjinë e asaj kohe, por ai me kurajo ecte përpara si të ishte më e mira. Pavarësisht se ai s’kishte kulturë të fituar nëpër shkolla, sic e thoshte shkoqur vet se pata lexuar në atë kohë vetëm romanin “Nëna” të Maksim Gorkit të përkthyer nga Tajar Zavalani, ai ishte bërë për ne “Manifesti Teorik” i së ardhmes së lumtur për ne komunistët e rinj, por ja që nuk doli tamam ashtu. Kjo ishte jeta e këtij militanti që përfundoi tek ne si Drejtor i Kombinatit Auto – Traktorëve. Por djersa dhe lodhja e tij për të mos thënë shqetësimet apo vuajtjet që ai hoqi aty s’kanë të shkruar. Ndërmarrjet tona të K.A.T. kishin një efektiv rreth 3000 punonjës siç e kam thënë më lart, trashëgonim dhe një teknologji moderne të para – projektuar nga Institute Kineze me prestigj profesional, vijushmëria e prodhimit interpretohej nëpërmjet linjave të përqëndruara me prodhime të serive të mëdha, por ama ky realitet i ri pune kërkonte edhe aftësi dhe dije bashkëkohore, por ku ti gjeje ato? Pilo Peristeri nga inteligjenca e tij natyrale apo eksperienca e tij e madhe në punë drejtuese, e kishte bërë të kuptonte më së miri që i kishte ikur koha e atyre metodikave të vjetra të punës dhe, atij drejtimi me “sy” e me hov revolucionar e proletar, tani duhej drejtuar me mënd. Mirëpo duhej t’i kuptoje drejt këto probleme të kësaj kohe të re apo moderne të cilat ne nuk i zotërojmë absolutisht, duke u nisur nga unë i pari. Megjithatë këtë realitet ai luftoi vazhdimisht, por zgjidhja ishte relative, natyrisht aq sa ishin mundësitë. Ai përdori mënyra krejtësisht origjinale të tijat që në shumë raste rrezikoi dhe personalitetin e tij. Këto veprime të tija shumë të domosdoshme, për mendimin tim, arritën të frenonin diçka nga humbjet apo cilësit që rridhnin nga sistemi i asaj kohe, s’kishe ç’të bëje! Shumë komunistë që ishin caktuar të drejtonin prodhimin, pothuajse nuk kishin aftësitë e duhura profesionale. Ky stil pune i tij e ndryshoi mjaft situatën, u arritën disa rezultate pozitive. Evitoi mjaft rrëmujën e drejtimit të diktuar nga Partia që gjeneronte të gjithë të këqijat dhe të metat, e uli mjaft faturën e humbjeve. Duke i patur parasysh këto kontribute të Pilo Peristerit e them me bindje se ai mbetet Drejtori më i suksesshëm në krahasim me të tërë drejtorët që përshkrova më lart. Pra dua të spjegoj konkretisht se ku qëndron pozitiviteti i punës së tij, në ato situata ku ai punonte dhe a mund të bënte më tepër?
Pilo Peristeri e dinte mirë që uzina “Enver” ishte e para uzinë mekanike e përmasave relativisht më të mëdha të asaj kohe në vendin tonë e ngritur nga Partia jonë e Punës, dhe pikërisht këtu ishin zbatuar dhe kristalizuar plotësisht organizimi dhe mendimi komunist, ai i ëndërruari prej shumë kohësh nga udhëheqja e lartë e Partisë që në kohën e grupeve komuniste ku aderonte edhe vet, Pilo dhe antarët e këtyre grupeve nga historia e Partisë konsideroheshin si arkitektët në rrugën e drejtë të komunizmit. Por mesa dukej Pilo shpesh bëhej nervoz, deziluzionohej, shfrynte pishmanllëkun me duf siç thoshte ai, edhe ndaj uzinës “Enver”, sepse ai pikërisht në këtë uzinë të parë shihte Zhgënjimin! Organizimi i uzinës “Enver” ishte “special”. Drejtor u bë siç e kemi thënë më gjërë lart Sovjeto – Shqiptari Artion Spartak; Kryeinxhinier – komunisti i ri me arsim fillor të pambaruar, shoku ynë i “mëvonshëm” – Koço Çaçi, i cili në fund të jetës së tij militante u bë inxhinier mekanik, ndërsa shumica e puntorëve – mjeshtra të prodhimit, shefat e sektorëve, kishin dalë nga “kursi i kuadrove” dhe “rezervat e punës” e cila konsiderohej si shkollë e specializimit të ngushtë. Shumë e rëndësishme ishte se në atë kohë këta punëtorë, të gjithë ishin të rinjë dhe me biografi të shkëlqyer sepse ishin me origjinë nga klasa punëtore ose nga fshatarësia e varfër, kishte ndërmjet tyre edhe pjestarë të organizatës “Debatik”, madje edhe nga ata që kishin qënë në rradhët e forcave partizane, gjithashtu ishte dhe një brez pak më i moshuar që kishin punuar në të njëjtat profesione përpara çlirimit në shoqëritë italiane me vënde pune po në godinat që sot janë: uzina “Enver” apo dhe Ndërmarrja Shtetërore e Riparimit të Automjeteve të Komunikimit (NSHRAK)! Ky kontigjent njerzish që konsideroheshin si super – kualitet, formoi bazën e uzinës “Enver”, por fatkeqsisht me një organizim perfekt Rus dhe me të gjitha tiparet komuniste të kohës. Kjo ishte mëse e domosdoshme për kohën sepse kjo uzinë mbante dhe emrin e Enverit. Në krye të çdo gjëje natyrisht edhe këtu qëndronte organizata e Partisë e cila përmbushte më së miri kërkesat e Komitetit Qëndror të Partisë. Kjo organizatë Partie dallohej edhe në zbatimin e “luftës së klasave” dhe rezultatet ishin konkrete si demaskimi i shefit të financave Fekeçi për qëndrim të padrejtë ndaj politikave të Partisë, apo dhe demaskimi i grupit që kishte brënda Hasan Fejzon – spiun i Sigurimit të Shtetit që përgatisnin pjesët për motorin e motoskafit që do të arratiseshin bashkë me krye – ustain Italian Mario Masarini, etj. Përballë këtyre turpeve vlenin për t’u “lavdëruar” rezultatet e larta të arritura në prodhim nëpërmjet zbatimit të emulacionit socialist apo përhapjes së metodave të përparuara Ruse si metoda: Kulikov, Agafanova, Zhandarova, Lefçenko, Muhanov, etj. U shpallën Stakanovistët e parë, etj. Propaganda Shtetërore njoftonte me të madhe se kjo uzinë plotësonte të gjitha nevojat mekanike të Kombit Shqiptar, biles me rezultate tekniko – ekonomike shumë të larta, pra kështu po arriheshin “kulmet e zhvillimit ekonomik”.
E thënë drejt, në Diktaturë (fol po deshe) “Humbjeve t’u thuhej Fitim”. Ky qe komunizmi shqiptar, këto “arritje tejet të konsiderueshme” do të ishin në perspektivën e afërme “baza e shkatërrimit apo e falimentimit të kapitalizmit”. Shprehja: linja prodhimi sipas ngjashmërisë teknologjike apo dhe prodhimit në grup, apo i serisë së madhe, apo sektorët e veçantë apo specialë për prodhimin e pajisjeve, nuk egzistonin realisht, ato egzistonin vetëm nëpër faqet e gazetave apo filmat dokumentarë dhe përfshiheshin në emulacionin socialist për propagandë. Nënkuptohet që këto ishin vetëm gënjeshtra dhe ne “nuku duhet të bëhemi si ata”, thoshte shoku Pilo Peristeri. Primitivitetin në prodhim duhet ta frenojmë dhe të arrijmë rezultatet që realizuan ata “verdhacukët” këtu. Në të vërtetë aty në uzinën “Enver” kishin filluar të përdoreshin sado pak vizatimet e punës, por ato ishin vetëm në fazën fillestare dhe kjo ishte meritë e padiskutueshme e dy zanatçinjve shumë të talentuar, Abdulla Nallbani dhe Bajram Metani, pa arsimin përkatës. Ishte shumë e bukur dhe e çuditshme sepse rreth këtyre vinin vërdallë shumë inxhinier etj. Këta të dy zgjidhnin çdo sekret që realizonin firmat e huaja për të penguar riprodhimin për nevojat e blersave të pjesëve të tyre. Por Pilo Peristeri si “stek e vjetër” e kishte kuptuar efektivitetin real të kësaj propagande “shterpë”, ai i kishte hyrë thellë njohjes së hershme të situatës dhe të realitetit të prodhimit të uzinës “Enver”, në të gjitha hallkat që e përbënin atë dhe ishte i bindur plotësisht për falsitetin e treguesve dhe të çdo gjëje tjetër, ai e dinte që ishin vetëm gënjeshtra. Pilo shpesh thoshte se aty në atë uzinë mbizotëron drejtimi me sy subjektiv, praktik e artizanal sipas mendimit të secilit drejtues, problematika e punëve të ditës apo më tej, realizohet në bazë të bisedave të rastit të punonjësve nëpër kafene, rrugë apo mejhane. Në të shumtën e rasteve në këtë uzinë si në asnjë rregull teknologjik, po në të shumtën e rasteve, punohet edhe me “yrnek” (monstër) e jo me vizatime pune. Megjithëse Pilo i njihte mirë këto të meta të atjeshme dhe na i tregonte me dëshpërim duke ditur se në kolektivin e ri të K.A.T. ishin shumë militantë të uzinës “Enver”, ai shpresonte që e ardhmja e tyre dhe e të gjithëve do ishte krejt ndryshe në sensin e modernes.
Këtë ndryshim pozitiv ai e shpresonte tek eksprienca e ustallarëve të vjetër të atjeshëm të cilët do të punonin në kushte krejt të reja dhe vuri re se edhe tek një pjesë e tyre u lindi dëshira për t’u shkolluar edhe më tej. Tek të vjetrit kishte shumë shpresa, se ndër ta kishte, Deputetë, Heronjë të Punës Socialiste, etj. Ata gjatë punës në vazhdimësi, gjithashtu morën dhe detyra të rëndësishme shtetërore e shoqërore, mbi të gjitha ata për Pilo Peristerin ishin dhe “militantë partie”. Këtu ai gabonte dhe nuk kish ç’t’i bëje se kështu ishte “gatuar” ai. Këto anë pozitive të tyre, thoshte Pilo janë avantazhet dhe leverditë për ne sepse e kemi të lehtë dhe njëkohësisht të mundshme t’iu kërkojmë llogari atyre, mjafton që këto merita t’jua kanalizojmë për mirë sepse ata kanë nevojë për ndihmë. Prandaj Pilo Peristeri këtë element puntor, specialist e militant njëkohësisht, me të mirat dhe të këqijat që mbartnin, i konsideronte të pazëvendësueshëm për të ardhmen e K.A.T., që do të ishte baza e zhvillimit të mekanikës industriale në rrugë shkencore. E prandaj Pilo Peristeri nga uzina “Enver” zgjodhi njerzit më me zë të atjeshëm për ti sjellë në K.A.T. Autoriteti i tij e lejoi Pilon të marrë në uzinën “Enver” me zgjedhje dhe të seleksionojë me kujdes njerëz të ndershëm, si nga prodhimi ashtu dhe nga administrata, si: Ing. Sotir Janço, Ing. Kristaq Koneshka, Ing. Gugash Tafa, Ing. Ismail Sharra, Ing. Hamit Shamku, Ing. Gëzim Kallçiu, Ing. Dodona Doko, etj, mori edhe teknikë të mesëm si: Dhori Qirjako, Sotir Qirjako, Xhemal Tafaj, Abdyl Karakashi, Vesim Xhango, Sali Huta, Baki Baholli, Përparim Kaica, Mina Mino, etj. gjithashtu mori edhe puntorë “mjeshtra” të vërtetë në profesion si: Lluka Novosela; Dhimitri Dhejto, Nake Llavda, etj. Pilon e shqetësonte edhe një fakt tjetër dëshpërues, pasi e pa dhe i provoi nivelet e të diplomuarve në Universitetin e Tiranës që linin shumë për të dëshiruar dhe që vërshyen me sasi të mëdha sepse u hapën vende të reja me bazë organikat e reja. Ata faktikisht ishin pa asnjë përvojë praktike dhe nuk e njihnin fare prodhimin, por e keqja më e madhe ishte se atyre iu ishte mbushur mëndja që ishin të gatshëm të drejtonin prodhimin, madje asnjëherë nuk bënë ndonjë përpjekje për të lidhur dijet e tyre teorike të përfituara gjasme në Universitet me prodhimin, lëre pastaj ti progresonin ato. Pilo Peristeri bëri shumë eksperimente provë për të lidhur “punëtorët e vjetër me shumë eksperiencë me inteligjencën e re” dhe për çudi në atë kohë egzistonte dhe një parrullë kineze që mbështeste përpjekjet e Pilo Peristerit. Në këtë parrullë thuhej: “Ushiang – shy e shi”, dmth “mësojmë nga njëri – tjetri”, por ai e pa që kjo parrullë nuk funksiononte këtu në Shqipëri dhe siç duket, thoshte Pilo, se kjo vlen vetëm për “verdhacukët” kinezë e jo për ne. Arsyet e kësaj të keqeje ishin se të gjithë kuadrot e reja pa përjashtim, mendonin se kishin kryer të gjithë atë shkollë për të mos prekur punë me dorë, dmth të mos jetonin në ambjente prodhimi por të merreshin me shkencën e madhe nëpër Institute Shkencore, Akademi, etj, ndërsa specialistët “militantë” duhet të realizonin prodhimin e projektuar nga këta, mjedisi i ndotur në vendin e punës, lodhja, etj, ishin për këta e jo për ata “biçim” shkencëtarësh. Specialistët apo militantët konservatorë nuk mund të pranonin pozitat inferiore që iu diktonin ata “shkenctarët”, plus kësaj ishte edhe mentaliteti konservator komunist për të ruajtur “vigjilencën revolucionare” në lartësinë e kërkesave të Partisë, sepse dihej që këtyre të “shkolluarve” sikur u binte kualiteti revolucionar dhe me siguri mund të bëheshin pre e armikut, prandaj të dy këto grupime: militantë e inteligjentë ishin në luftë të ftohtë gjithmonë dhe ruheshin nga njëri – tjetri. Kjo gjë i pengonte për një bashkëpunim të përbashkët (marrëzitë e kohës), por problemet në atë sistem të mallkuar nuk kishin të sosur dhe, si rrjedhim lindi dhe një problem tjetër, ndoshta dhe i paparashikuar.
Shumë militantë duke përfituar nga pozitat që mbanin në shtet apo dhe në Parti, mbaruan universitetet, ca me pula e raki, dhe ca me të ashtuquajturat “programe personale”, për këta “studentë të veçantë” nuk kishte rëndësi se çfarë shkolle kishin kryer (sikur filluan arsimin e lartë) sepse disa ishin me fillore, ca me shkollë të mesme të natës dhe shumica me shkollë partie që ekuivalentohej me universitetin, apo kurset tre mujore të Partisë që vlenin sa shkolla e mesme. Këta që ishin me shkollë të lartë dy vjeçare partie e konsideronin studim pas – universitar dhe ishin të gatshëm për në “Organizmat Akademike”. Por fakti ishte se me marrjen e këtyre diplomave të reja universitare ata arrinin me motivacione nga më të ndryshmet, që t’i largoheshin prodhimit për ti hyrë rrugës së “Shkencës së madhe”. Pikërisht këtë pretendim të këtyre “shkenctarëve” të rinjë nuk e parashikoi Pilo Peristeri. Ai e kuptoi që bëri gabim që i ndihmoi këta të merrnin “diplomën e lartë” sepse ata menjëherë kaluan në vënde pa vlerë apo u “parazituan”, siç thoshte ai. Pra përfundimisht mund të themi se viktima e vetme në fund mbeti prodhimi, pa asnjë shpresë për tu përmirsuar. Humbjet arritën limite të pallogaritshme dhe që nuk përballoheshin më, do të ishte leverdi e madhe nëse do të mbyllej K.A.T. dhe populli do të shpëtonte nga mbishpenzimet e kota. Por s’qe e thënë të mbyllej ajo qendër humbjeje. Por e çuditshmja është edhe sot kur thonë ish – drejtuesit e djeshëm “aventurierë komunistë” se: “nuk kishe ç’të bëje se ashtu ishte koha” dhe e mbyllin bisedën. Ky përcaktim po përdoret aktualisht edhe nga dy partitë kryesore Neo – komuniste: Socialiste & Demokratike, bija të PPSH! Prandaj i them Hajdar Qiros dhe shumë shokëve të mi më të vjetër, ish – militantë në PPSH, ta harrojnë të kaluarën, të paktën për respekt të djersës që derdhëm në boshllëk për shumë vite të pa vlera! Në momentet më të rënda për popullin tonë pas shkëputjes nga Kina, sidomos për Industrinë Mekanike, me “pallavrat komuniste” për hovin revolucionar në revolucionin tekniko – shkencor dhe mendimin krijues të punonjësve të udhëhequr nga Partia “novatore”, pikërisht në këto momente del në skenën shqiptare një Donkishotizëm i rrallë për nga lloji nga ish – Kryeministri, kryekrimineli sadist i asaj kohe, Mehmet Shehu. Kjo në të vërtet vetëm thellonte akoma më shumë humbjet në ekonominë kombëtare. Meqënëse vet “Robespieri shqiptar” Mehmet Shehu kishte bërë disa vite shkollë teknike për mekanikë – bujqësore te “Harry Fultz” në Golem të Kavajës, hiqej si njohësi më kompetent dhe i thellë i Mekanikës Bujqësore. I bazuar në këtë “auto – bindje” mendoi t’i bëj një “dhuratë” këtij populli të varfër që po kalonte një periudhë kaotike. Realizimi i kësaj detyre do ta lehtësonte ekonominë shqiptare por mbi të gjitha do të lartësonte emrin tonë të “nderuar” në përjetësi. Pikërisht për këtë çështje që siç e kam përmëndur disi, por që ishte periudhë realisht tejet e nxehtë, thërret në Kryeministri Dekanin e Fakultetit të Elektro – Mekanikës (i paafti i përmasave industriale) të diplomuar në Rusi – Dr. Pr. Fehmi Shehu dhe i thotë: Çfarë kanë më shumë se ne italianët që mburren me Fiatin e tyre në të gjithë botën dhe neve akoma edhe sot rrimë në nivelin Ruso – Kinez? Pse nuk hidhemi dhe ne me më kurajo si shqiptarë trima e komunistë siç jemi?, të përvetësojmë dhe biles ta prodhojmë atë “mut” Fiatin këtu në Shqipëri dhe në seri biles e për t’u hedhur pastaj edhe më tej? A e kupton o Fehmi se sa do ta lartësojmë emrin e Partis sonë?… Hëë… ç’thua?… ti ç’thua!

– Keni plotësisht të drejtë i përgjigjet Dr. Prof. Fehmi Shehu, dhe vetëm me punë dhe me vendosmëri komunisti sigurisht që mund ta realizojmë këtë direktivë tuajën.
“Dërr… Përr..”! Fehmi Shehu, (siç ironizoja unë në rrethin tim shoqëror), ishte njeriu me pozitën më të madhe “shkencore” në mjediset e asaj kohe për sektorin e automobilizimit në kompleks, por realisht ai përfaqsonte njeriun më injorant, të paaftë e intrigant, pavarësisht se studjoi në vendin e “Sovjetëve” dhe kishte personalitet të cilit ia jepte dhe ia hiqte Partia sipas nevojave të veta. Vlera nominale e tij ishte mëse e saktë: “Fshatar i trashë Petrele”, pa asnjë përvojë praktike, nuk e njihte prodhimin apo ligjet reale të punës, e ç’mund të prisje prej tij?! Gradën e lartë në “shkencë” për merita si komunist ia kishte dhënë Partia e tij këtij militanti. Prandaj duke u mbështetur në “meritat” që përshkrova më sipër, Kryeministri urdhëroi “Profesorin” që të merrej ai dhe ta udhëhiqte këtë punë shumë të rëndësishme duke qenë i sigurt se kishte për ti thyer hundët social – imperializmit rus, kinez dhe imperializmit amerikan. Pas këtij urdhëri ai e porositi veçanërisht duke ia përsëritur edhe njëherë se atdheu sot të kërkon ty në krye të këtij misioni, por të jesh i bindur se edhe mua më ke nga pas si mbështetje të sigurtë, si koleg, dhe si Kryeministër. Prandaj të pres një orë e më parë të më paraqesësh një program të detajuar ku të përfshihen edhe nevojat që ke për fillimin e detyrës. Si rrjedhim Kombinati ynë u caktua me vendim qeverie si baza ku do të zbatohej kjo perspektivë e shkëlqyeshme komuniste. Plani “Don Kishotesk” se si do të operohej për të realizuar prodhimin e Fiatit u përpilua, u detajua dhe u llogarit nga ekonomistët më të mirë të kohës, si Profesor Gorica etj. pa përjashtuar dy të mëdhenjtë, katundarin nga Çorushi i Mallakastrës që nuk arriti të mbarojë shkollën teknike të Harry Fultzit dhe Petrelsin – Fehmi që shkoi dhe u diplomua në Moskë, duke kaluar rrugën që përshkova më lart e që më pat treguar Bukurosh Peza. Është për t’u çuditur se si mund të shpresohej për arritjen e këtij objektivi për prodhimin e Fiatit që përfaqësonte rezultatet e punës kapitaliste të një shteti me traditë industriale? Ky angazhim shtetëror u bë objekt diskutimi në rrang kombëtar, kuptohet për këtë problem u njoftua Drejtori Pilo Peristeri se Kombinatit tonë i ishte ngarkuar detyra dhe nderi njëkohësisht, për prodhimin e Fiatit Shqiptar! Pilo Peristeri duke qenë Drejtor i hershëm i Kombinatit i njihte mirë vlerat tekniko – organizative të uzinave të Kombinatit apo edhe të punonjësve në veçanti, gjithashtu njihte edhe nivelin cilësor të prodhimeve tona të cilat ishin nga më të dobtat apo për turp, siç thoshte ai në rrethe të ngushta dhe i vinte shumë inat që nuk arritëm kurrë nivelet kineze këtu, aq më keq për ne thoshte ai, që erdhën “verdhacukët” këtu dhe na treguan se si punohej. Për gjashtë muaj e bënë këtë, arritjet e tyre mbetën në shpresën tonë se do të vij një ditë që edhe ne do ti bëjmë, gjë që se bëmë kurrë! Mor po ç’bëhet – thoshte ai, si mor të marrim për prodhim “Fiatin”! Ky kërcu mbi samar nuku është lugë për gojët tona, ne nuku arritëm prodhimet kineze, pa lëre ato të Perëndimorëve që janë ku e ku me tonat, imagjino se në ç’pozita do të biem po të pranojmë Fiatin.
Por kur i ra në vesh Kryeministrit dhe Profesorit mendimi i Pilo Peristerit që nuk iu duk i logjikshëm marrja e Fiatit nga K.A.T. “Enver Hoxha” për prodhim, u shqetësuan shumë sepse Mehmet Shehu e dinte mirë që Pilo Peristeri kishte një vend të privilegjuar në zemrën e Enver Hoxhës, ai i takonte shoqërisë së dyqanit “Flora” apo “grupit të 200 – petritave”, për më tepër Pilo kishte detyra të larta në Komitetin Qëndror të Partisë së Punës (K.Q.P.P.), ishte ciceroni personal i shokut Enver Hoxha që fliste për çdo 16 Tetor për meritat e “Zeusit Shqiptar”. Kjo kundërshti ishte fiksuar nga Pilo Peristeri që nuku e marrim për prodhim kurrën e kurrës Fiatin. Të them të drejtën edhe mua më ra në vesh ky mendim i Pilo Peristerit dhe u gëzova pa masë, gjithashtu mendoja se si ky e kishte menduar kaq drejt këtë problem, me cilin njeri të mençur duhet të ishte konsultuar, megjithëse e dija që në atë kohë nuk para gjëndeshin njerzit e aftë sepse i tërë populli ishte shndërruar në “urdhëro – si urdhëron” çdo njeri e dinte se ç’donte të thoshte që të shprehje mendimin tënd e jo atë të Partisë. Për koençidencë një pasdreke tek po rrinim në orët e vona duke pirë nga një kafe pas punës që pata me të në zyrën e tij, ai më thotë:

– Or Xhavit, kam dëgjuar që edhe ti je kundër mendimit të Qeverisë për prodhimin e Fiatit nga Kombinati ynë, e di që ti nuku je budalla por je kodosh i zoti për këto punë e muhabete, a nuk më thua pse nuku të pëlqen kjo iniciativë e Qeverisë, po të flas kështu se ti e di që jemi miq të vjetër, gjithashtu e di që ti je punëtor pa llafe dhe punon me “Gongël” tamam bir i Asimesë, më thuaj e ma shpjego por pa fjalë të mëdha, si puntori – puntorit pa e përdorur atë të “flamosurën” fjalën teknologji, kështu e dua!
Atëherë i përgjigjem unë: – A do ta bëj muhabetin si mik apo do të të bëj një autokritikë e të them që kam dhënë një mendim të gabuar i cili rrjedh nga papjekuria ime sepse, po ta kisha mendjen në rregull nuk do të të thoja që ne nuk e prodhojmë dot “Fuatin”! Ndal! Mor gomar, Ç’Fuat? Fiat mor thuaj! Jo mor jo, i them. Fiatin mund ta prodhojë Italia, ndërsa ne maksimumi mund të prodhojmë “Fuatin”…!
Ai qeshi me të madhe dhe më thotë: – Mos më çaj kokën po fol, hajde të rrijmë tek kolltukët e zyrës, që kishte karshi skrivanis së tij, se kështu e doni ju bejlerët, e shijoni rehatllëkun ama “tërr…tërr” ju shkojnë prej frikës që keni nga ne.
Unë qesha dhe fillova t’i spjegoj: – Tipi i Fiatit që kemi zgjedhur ne, i takon një niveli “teknologjiko – konstruktiv” prej rreth 3800 kg. peshë për 1 kal/fuqi, dmth një motor i tillë prej 100 kuaj/fuqi peshon 380 kg pesh e përgjithshme. Ndërsa niveli “teknologjiko – konstruktiv” i uzinës sonë sipas projektit kinez është 14 – 15 apo dhe 16 kg peshë për kal/fuqi, dmth një motor i tillë prej 100 kuaj/fuqi peshon nga 1400 kg deri në 1600 kg peshë të përgjithshme, biles edhe këtë rezultat nuk e kemi arritur nga aspekti cilësor. Diferenca prej rreth 1000 kg peshë ndërmjet këtyre dy motorëve të së njëjtës fuqi është pikërisht ky shkaku i pamundësis sonë si Kombinat për të prodhuar “Fiatin” e Kryeministrit. Prandaj të bazuar në këta tregues shumë domethënës, neve sot nuk duhet të marrim angazhimin për të prodhuar atë motor pa bërë një rikonstruksion shumë të shtrenjtë, për të sjellë nivelet dhe mundësit tona teknologjike në kufijtë e kërkesave të reja. Ju personalisht thoni shpesh që “t’i shtrijmë këmbët sa e kemi jorganin”, por ju siguroj nga eksperienca ime se këto shpenzime janë kaq të larta sa po të bëjmë një preventiv, do të shikoni se janë katërcipërisht të papërballueshme nga ekonomia jonë sot. Prandaj këto objektiva mund ti arrijmë me faza.
Atëherë ai më përgjigjet direkt: – Më të lumtë, më bëre një krahasim shumë bindës e më hape sytë, tani di unë të mbrohem kudo. More me kë të ka Asimeja ty? Mos të ka me ndonjë çifut (hebre)?

– Pasha Zotin shoku Pilo nuk e di, të pyesim Partinë?
Qeshëm të dy dhe përqafuam njëri – tjetrin.

– Dëgjo, – më tha Pilo Peristeri, – unë nuk e kisha analizuar dhe arsyetuar në këtë këndvështrim këtë problem, më kënaqe dhe njëkohësisht më binde për shumë gjëra të reja që duhet të bëjmë. Unë kam mendimin se duhet të lëvizim shpejt për të realizuar rikonstruksionet. Xhavit, duhet të bëjmë një plan të detajuar me faza për një perspektivë sa më të afërt që të arrijmë të prodhojmë një motor më të përparuar nga ky që bëjmë sot, por të arrijmë që ky prodhim i ri të justifikohet nga ana ekonomike dhe ishalla shpëtojmë nga humbjet e deri tanishme. Atëherë e mbyllim për sot këtë bisedë, – më përcolli deri tek dera dhe u ndamë.
Mua më gëzoi pa masë fakti që atij iu mbush mëndja për domosdoshmërinë e rikonstruksioneve të reparteve të Kombinatit. Këto rikonstruksione përfaqësonin një volum pune të madhe ku pjesën më dërmuese do ta kryenin brigadat e mia. Kjo ishte një punë me të vërtetë shumë interesante dhe me bujë të madhe, njëkohësisht unë do të përdorja fondin e vizatimeve që kisha kopjuar në Kinë. Kjo në fakt dihej nga të gjithë që projektimet e reja si psh pajisjet, makineritë e deri tek godinat moderne me konstruksione metalike ishin monopol i brigadave të mia. Gjithashtu punonjësit e mi punonin të gëzuar sepse merrnin paga nga më të mirat në Kombinat, vetëm ne na lejohej të punonim pa kufizim kohe apo siç thuhej atëherë jashtë orarit. Përsa i takonte cilësisë së këtyre punëve të reja të cilat konsideroheshin dhe vlerësoheshin shumë lart, veç meritave të mia për menaxhimin perfekt të tyre, e plotësonin “nivelin e lart shkencor” dhe saktësia apo dhe zgjedhja e projekteve të kopjuara nga ana ime atje në Kinë, pa folur për meritat e jashtëzakonshme të njerzve që pata zgjedhur. Ata ishin mjeshtra të vërtetë dhe nuk më zhgënjyen kurrë. Fama jonë doli në ballë të propagandës të asaj kohe të ndyrë, efektiviteti ynë në punë ishte shumë herë më i madh se puna e Instituteve idiote të kohës, më e çuditshmja ishte që unë personalisht mora merita sepse më detyronin të firmosja si autor të projektimeve me mendimin absurd që të mbaja përgjegjësi! Kështu e kërkonin “rregullat e kohës” komuniste! Plani ynë kaloi me sukses në të gjitha instancat shkencore të kohës dhe na u vunë në dispozicion fondet e nevojshme. Rikonstruksionet duhet të fillonin nga repartet e fonderive pasi çuditërisht “drejtuesit idiotë të kohës” e morën vesh se motori kishte rreth 90% të peshës së vet derdhje fonderie. Me urdhër nga lart u ndërrua Drejtori K.A.T., u hoq Pilo Peristeri dhe në vend të tij erdhi një tjetër Kandidat i Byros Politike, inxhinieri – gjeolog dhe me Akademi Ushtarake – Llambi Gegprifti. Ardhja e shokut Llambi nuk ndryshoi gjë për ne sepse ishte sërish merita personale e Pilo Peristerit që e bindi atë për domosdoshmërinë e rikonstruksioneve dhe rolin tonë të vërtet në këto probleme. Pilo Peristeri i rekomandoi grupin tonë për t’i materializuar këto punë si grupi më me eksperiencë dhe i la amanet, lidhu dhe besoi Xhavit Delvinës se është njeri i mirë dhe se i “ka” dhe i “bënë” projektet që duhen duke mos shqetësuar asnjë njeri, vetëm kur i sheh që lartësohen dhe ngrihen objektet njëra pas tjetrës. Kërkoi atij ç’të duash, se veç atij këtu nuk të bën derman njeri, as Institut apo Profesor qoftë, le t’i ketë një thes me grada. Ky rekomandim i tij u mbajt nga shoku Llambi në mënyrë të përkryer. Ne u hymë këtyre punëve me shumë dëshirë, nuk kishim asnjë vështirësi teknike, përshtatnim projektet e mia të kopjuara. Suksesi ishte i garantuar sepse ato ishin kolauduar në Kinë në të gjitha planet e nevojshme. E gjej me vend të përshkruaj shkurt disa nga punët që realizuam e përmendëm si premtimet e mia ndaj Pilo Peristerit:

– Kështu në mënyrë të rrufeshme ndërtuam dhe realizuam repartin komplet me magazinat përkatëse, me konstruksione metalike të veshura me eternit për prodhimin e të gjitha fraksioneve dhe llojet e kaolinës me një cilësi të paparë këtu dhe që ishte lëndë kryesore për fonderitë.

– Marshallitin komplet me magazinën voluminoze të depozitimit të lëndës së parë; – Një mrekulli e veçantë ishte dhe ndërtimi i një fonderie të re të Derdhjes Preçize me një mekanizëm shumë modern të nivelit bashkëkohor europian.

– Bëmë rikonstruksionin e fonderis nr.3 ku u përfshin makineri me të dhëna të larta teknike të prodhuara totalisht nga ne që e riaftësuan këtë fonderi në nivele e tregues bashkëkohor.

– Vlen të përmend se guxuam dhe ndërtuam për herë të parë në Shqipëri një furrë shkrirje me hark 2.5 ton me sistem elektrik modern me gjysëm përçues dhe me ngarkim automatik nga sipër me kapele të rrotullueshme nga më modernet e kohës.-U prodhua konvejeri formimit dhe derdhjes me efekt pune të pandërprerë.

– U ndërtua reparti i ri për prodhimin e unazave elastike komplet me godinën me konstruksione të lehta metalike dhe me veshje të jashtme po me materiale të lehta, ku përfshihej dhe konvejeri me efekt pune të pandërprerë për formim e derdhje.

– Gjithashtu ndërtuam dhe linjë automatike pneumo-transporti për qarkullimin e dherave etj. duke i krijuar kësaj fonderie mundësi teknike e teknollogjike të nivelit bashkëkohor.

Bëmë edhe plot punë të tjera të këtyre natyrave si: vinça urë me karel, telfera ngritës, etj.
Këto realizime u konsideruan shumë të rëndësishme edhe nga qarqet e larta shtetërore, pikërisht për këto punë mua si person më dekoruan me “Urdhëra Pune të Klasit të I – rë” dhe më vonë më dhanë edhe “Çmimin e Republikës” për kontribut të lartë në ekonominë e vendit. Pas këtyre punimeve vijuam me ndërtimin dhe mekanizimin e lëvizjes së prodhimit të Kovaçanës së re për në magazinën e çeliqeve ku përfshihej dhe një vinç urë 5 ton me hapsirë drite 16 metra dhe që mbuloi shumë probleme. – Jo më pak e rëndësishme por dhe krenari për ne si grup ishte marrja përsipër për të ndërtuar një fabrikë të re fonderike për prodhimin e Gizës Sferoidale me aftësi prodhuese 2000 ton. Gjatë vitit ky tonazh do të realizohej në dy turne, ndërsa turni i tretë do të ishte pregatitor. Ishte shumë interesante kur morëm vesh reaksionin që kishte bërë në Ministrin e Industrisë, Institutin e Projektimeve Mekanike dhe në Universitetin e Tiranës kur paraqitëm projektin e plotë të kësaj fonderie për të na u akorduar fondet e nevojshme për fillimin e punimeve. Në këtë projekt përfshiheshin rikonstruksioni i godinave egzistuese dhe ndërtimi i sektorëve të rinjë me konstruksione metalike të lehta, shtesa ambjentesh të reja pune të cilat siguronin manovrueshmëri të lartë në interpretimin e prodhimit, transport nëntokësor i mekanizuar plotësisht etj. Por gjëja më interesante ishte se gërshetuam teknologji moderne italiane për Gizën Sferoidale që interpretohej me teknikën kineze që dispononim të kopjuar. Kjo qe një gjë e re që na bindi dhe ne si kolektiv që kishim arritur një nivel të lavdërueshëm profesional. Për herë të parë ne me dorëzimin e objektit premtuam dhe shumë shpejt e dorëzuam një material të plotë teoriko – teknologjik që përfshihej në një libër me plot 386 – faqe, të përpiluar nga një grup autorësh me shumë autoritet profesional të një Instituti për studime fonderike italiane, posaçërisht për Gizën Sferoidale. Në këtë material paraqiteshin dhe krahasimet në mënyrë shumë shkencore të vetive fiziko-mekanike të detaleve motorike të prodhuara (të derdhura) me këtë llojë gize përkundrejt të njëjtave detale të stampuara me çelik si psh, trupi i bjellës, kollodoku, boshti me gunga, etj. dhe bashkëngjitur me të ishte dhe analiza e plotë ekonomike. Këtë material e kaluam në shtypshkronjë, e përgatitëm në 35 – kopje me fondet tona, me format dhe cilësi shtypje të nivelit të dispensave të zakonshme, e shpërndamë në Ministrinë e Industrisë, Komisionin e Planit Shtetit, Universitet, Institutin e Mekanikës, etj. Në mënyrë të menjëhershme pati një reaksion tejet armiqësor kundrejt nesh. Ky material i ri injoronte komplet librin egzistues të bërë nga Profesor Tahir Haxhiymeri, i cili s’ishte gjë tjetër veçse një përkthim i vjetër rus dhe përdorej dhe si tekst mësimor në Katedrën e Metalurgjisë në Universitetin e Tiranës.
Dua të tregoj se si arritëm ta shtiem në dorë këtë material të rëndësishëm teorik. Për këtë material apo libër meritë absolute ka vëllai im Sherif Delvina që punonte pranë meje. Ai arriti ta sjellë këtë libër këtu në Shqipëri nëpërmjet një qëndre humanitare katolike të Romës, e cila asistonte besimtarët katolikë në nevojë në të gjithë botën. Mënyra se si e shkruajti letrën tip kërkese, të prekte me të vërtetë. Kjo letër u nis me aprovimin e Pilo Peristerit se kuptohet të “gjente belaja”. Përkthimin në shqip e bëri po Sherifi jasht orarit të punës. Filluam me shumë entuziazëm nga puna zbatuese, ritmi ishte i kënaqshëm dhe shkonte me përpikmëri në të gjitha zërat, si në ndërtim objekti, ashtu edhe në prodhimin e makinerive të reja. Kjo fonderi e këtij lloji do të kishte një rentabilitet të sigurtë pozitiv që në fillimet e punës, dhe do të ishte gjithashtu një shembull që do të përmbyste çdo gjë të vjetër duke sjellë një erë të re në fonderitë tona. Për këtë isha më se i sigurtë se këto metoda të reja tekniko-teknologjike të marra e të kopjuara atje, kishin arritur rezultate të larta në tërë treguesit tekniko – ekonomik, plus dhe të rejat që sillte teknologjia moderne italiane. Për fat të keq më ndërprenë nga puna kur Reparti i ri për Gizën Sferoidale për 1800 ton në vit, ishte materializuar në përqindje të konsiderueshme. Me një urdhër urgjent më nxorën në pension. Pse? Natyrisht që unë i kuptova arsyet e kësaj sjellje të ulët e të dëmshme ndaj meje, por më erdhi keq në rradhë të parë për punën apo dhe për ata njerëz të mrekullueshëm që ishin bashkpunëtorët e mi, pastaj natyrisht edhe për vete. Autori i kësaj lufte ishte inxhinieri i natës, tiranasi i trash, “Laurat i Çmimit të Republikës” për këtë llojë gize sferoidale, Drejtori i fundit i Kombinatit, Antar i Komitetit Qëndror, Hamit Shamku, i cili e ndjente veten se ishte i pari që e kishte realizuar këtë gizë në Shqipëri, por ama njihte edhe skarcitetin masiv në prodhimin e saj, i cili rrjedhonte kosto të lartë të pajustifikuar në planin ekonomiko – financiar. Si mund të duronte ai që kjo e re të hynte në jetën e prodhimit me autor të tjerë dhe “pa merita biles”, prandaj ai e inicioi nxjerrjen time në pension, sepse iu mbush mendja se mund ta vazhdonte vetë dhe të “vilte” suksesin. Këtij “rrypi” apo shokut Homit iu bashkuan edhe disa të quajtur inxhinierë fonderish, kryesisht anëtarë partie. Ata nuk e duronin dot autoritetin dhe prestigjin që fituam në këto llojë punësh, u bëmë të njohur në të gjithë vendin nëpërmjet propagandës së atëhershme dhe mesa dukej e kishim tejkaluar kufirin e lavdisë. Problem…! Ndoshta i shqetësonim pasi neve nuk i përfillnim fare për këto çështje sepse ata ishin “Bosh apo Nul” është më e drejtë të thuash. Budallallëqet e kohës mua më vendosnin në nivelin e “shkenctarit të mirfilltë” të socializmit dhe po të bazoheshin në numrin apo volumin e vizatimeve që unë si “autor” projektimi hidhja në zbatim, kështu që diskutimet, mendimet, propozimet e mia në super – strukturën shtetërore tashmë zinin vend dhe unë përfitova nga ky rast i “lavdisë së madhe personale” të bind shokët e Ministrisë deri tek Zv. Kryeministri Besnik Bekteshi apo Hajredin Çeliku, dhe t’ju imponohesha atyre për më vonë se vetëm pas këtyre rikonstruksioneve mund të prodhohej apo na lindte e drejta e bazuar në mundësitë e reja shumë më të larta tekniko-teknologjike, të fillonim tentativat për prodhimin deri edhe serial të një motori teknikisht shumë më të përparuar, dhe gradualisht të zëvendësonim nivelin e motorëve: DT 75 k.f.; Zis, etj. Mirëpo largimi im i çuditshëm në këtë fazë “lavdie” për në pension, bllokoi punën në vend sepse të gjitha vizatimet e mia “private” me të cilat punohej, unë i kisha në shtëpi dhe i sillja sipas nevojave ditore të rrjedhës së punës.
Largimi im në atë mënyrë shumë ofenduese, mua më nervozoi jashtëmase, mendoja, madje flisja me vete po mirë mua që nuk më duan, por për punën si nuk mendojnë? Të them të drejtën po atë ditë pata një ngarkesë nervore të atillë sa duke humbur logjikën, dhe nga marazi, mora të gjithë arkivin e kopjuar nga unë në Kinë dhe e çova poshtë në lumin e Lanës, aty fillova djeg’jen e tyre një nga një. Si rrjedhim i natyrshëm u pezulluan punët e vazhdimësis për atë objekt duke marrë fund çdo gjë. Smira, xhelozia, inati mbylli dhe këtë histori të dhimbshme për Shqipërinë. Ishte e pamundur që të vazhdoje më sepse veç “Institutit privat të projektimeve Xhavit Delvina” nuk e merrte më përsipër njeri sepse nuk e dinte se ku do shkonte. I gjithë ai shpenzim pak e nga pak degjeneroi sipas zakonit tonë shqiptar derisa u braktis plotësisht. Ndërsa libri teoriko – teknologjik për Gizën Sferoidale që përmbante arritjet më të fundit, dhe që kishte për autor një grup specialistësh nga më të njohurit për këto probleme dhe që ishte pronë e një Instituti Pedagogjiko – Studimor të specializuar për teknologjinë e lartë fonderike, u vodh dhe u përvetësua nga Universiteti i Tiranës me autorë të tjerë. Ky libër u botua më vonë me tirazh të lartë dhe u paraqit si vepër origjinale e profesorëve hajdutë të kolerës komuniste. Mëritë dhe armiqësitë ndaj meje që vinin nga i gjithë grupi i “eprorëve” e kishin burimin në një bindje të gabuar për mua, atyre ju dukej se unë punoja për vete dhe për të lartësuar emrin tim në kurriz të tyre, ndërkohë lufta ime kishte veçse një qëllim, për të shkatërruar “shterpët”. Mirëpo ata të “shkretë” nuk e kuptonin se natyra i kishte krijuar në nivelin e “Budallenjve të përmasave Industriale”!
Në vazhdim po përshkruaj një fakt për të gjykuar ju se kisha të drejtë unë apo ata? Tentativat për prodhimin e Fiatit nuk po jepnin rezultat. Kjo filloi të trondisë “rrypat që bënin shkencë”, njëkohësisht si shumë të djallëzuar që ishin, vunë re se në sektorët që kishim bërë rikonstruksionet, apo në sektorët e rinjë, rritja cilësore e prodhimeve ishte e dukshme. Këto fakte u imponuan atyre që patjetër duhet të ndryshonin strategji. Nuk guxonte njeri të deklaronte dështimet e vazhdueshme për prodhimin e Fiatit sepse kishin hall se mos merrej si kundërvënie e mendimit të udhëheqjes. Ky “hall” ishte shtrirë në Drejtori, Ministri e kudo. As mund të imagjinoni ju sot se ç’donte të thoshte atëherë të mos kënaqje budallallëqet e Kryeministrit kryekriminel sadist Mehmet Shehu! Pikërisht në këtë kohë kritike me inisiativën time personale, sigurisht duke u bazuar gjithnjë në kopjimet kineze, në duart e arta dhe mëndjen e ndritur të shokëve të mi bashkpunëtorë, kërkuam për të marrë vullnetarisht një detyrë që binte ndesh me Fiatin. Kjo çështje u bë më vonë dhe burimi kryesor i grindjeve ndërmjet nesh dhe Drejtorisë, grindja ndoshta në pamje të jashtme nuk dukej e përmasave shqetësuese, por në fakt ajo ishte e tillë që kërkonte kokën e njërës palë. Megjithëse kjo situatë u bë e padurushme, arsyet e interesave të ndërsjellta ndërmjet dy grupeve, e bënë të domosdoshme të kamufloheshin grindjet dhe të paraqiteshin në opinion si luftë për arritje më të larta. Këto lojra nuk i kishim zor t’i realizonim sepse mund të përdornim hipokrizinë kineze e cila ishte e kohës. Mirëpo shumë kush mund të bëj një pyetje me shumë logjikë që pse Drejtoria e Kombinatit na lejoi që ne të merreshim me një punë të ngjashme e paralele me grupin e Fiatit, kur ne ishim të ngarkuar me rikonstruksionet? Kjo ndodhi sepse rruga që do të ndiqnim ne ishte një rrugë krejt tjetër nga ajo e atyre dhe e kundërshtonte atë në çdo plan, kështu që suksesi i njërës palë, digjte dhe shkatërronte palën tjetër, metodat që do të ndiqnim ishin diskutuar në mbledhje të përbashkëta. Ata të bindur në injorancën tonë punëtore dhe duke paragjykuar rezultatin final, dështimin në fushën e motorëve, menduan ta përdorin dhe për të zbehur në maksimum meritat tona në fushën e rikonstruksioneve, t’i jepnin punës së tyre karakter shkencor, për të vërtetuar që shkenca është monopol i inteligjencës revolucionare, pra të merrej vesh një herë e mirë që duhej të kuptonim se deri ku e kishim kufirin e inisitivave. “Doktor – Profesor”, Inxhinier Fehmi Shehu gjithë krenari tha: – Ti lëmë të futin hundët, të dështojnë dhe të turpërohen që të biem rehat neve. Ndërsa ne zanatçinjtë thamë: – Ata “trapat” e quajnë veten “shkencëtarë” dhe nuk e dinë se neve jemi tamam zanatçinj të vërtetë e jo “shkenctarë të emëruar” nga Partia e tyre Komuniste. Unë u lidha me këtë çështje në Kinë me rekomandim të mikut tim kinez Tuanit, i cili më sugjeroi dhe më bindi si të vetmen mënyrë që bie një progres të vërtetë, dhe mendoj që mund të përballohet si shpenzim nga gjëndja juaj ekonomike kombëtare. Kinezët atje kishin në dorë një kopjim të një rikonstruktimi Rus që i kishin bërë traktorit DT 54. Këtë traktor Rusët e kishin ngritur në nivele të reja shumë më të përparuara. Logjika teknike në këtë rikonstruktim ishte me të vërtetë shumë interesante. Motori origjinal Rus TN 55, pas një studimi të gjatë dhe eksperimente të vazhdueshme në Harkov, i bënë shumë përmirësime strukturore duke ndërhyrë në teknologjinë e metaleve si dhe në anën konstruktive dhe arritën ta ngrejnë në fuqi nga 55 k.f. në 98 k.f. dmth që ky motor i njëjtë kaloi nga treguesit 11 kg.pesh motori për kuaj – fuqi në 5 kg.pesh motori për kuaj – fuqi. Pastaj këtë motor të ri e realizuan në disa variante si SMD 7; SMD 14; etj. Ky motor u vendos në po të njëjtin traktor me përmirësime të gjithanshme si në xhenerik, elektrik, etj. Këto ndryshime e ngritën këtë traktor që mund ti themi, i demoduar në nivele të reja bashkëkohore. Dhe unë nën drejtimin e Tuanit kopjova dhe u udhëzova aq sa mundëm të bënim, por më duhet të shtoj se në atë kohë miku im kinez për hir të së vërtetës më dha dhe shumë skema e katalogje për të ma bërë punën sa më të lehtë kur ta filloja në Shqipëri. Kryeministri kishte udhëzuar që Fiati të prodhohej në disa variante dhe të vendosej që nga automobili, traktori e deri te tanku dhe të emërtohej “motori i unifikuar shqiptar”, por “fatkeq’mirësisht” kërkesa e Kryeministrit nuk u realizua kurrë dhe mbeti një bllof në llojin e vet. Grupi ynë këtij problemi i hyri me shumë qejf kur u njohën me materialet që kisha sjell unë, të gjithë pa përjashtim menduan se mund ta realizojmë dhe të shtrihemi më tej, gjithashtu u bindëm se shpenzimet e prodhimit ishin shumë të ulta se edhe shumë pjesë të motorrit TN 55 Rus apo “Kahu i hekurt” Kinez, ishin në nomenklaturën e prodhimit të Kombinatit dhe mjaftonin disa përmirsime në pajisjet e prodhimit. Kështu që ishim pranë një “Bumi” në mekanikën bujqësore apo transport. Të gjithë ne të grupit tonë ishim në pritje të një ballafaqimi me Fiatin shumë të kushtueshëm dhe i pamundur për tu realizuar. Udhëheqja e lartë që nga organet shtetërore e deri në shkallët më të ulta, na autorizoi të fillonim nga puna menjëherë duke na caktuar edhe afate njëkohësisht, ç’ësht e vërteta na u dha “carta biancha” sepse u konsideruam dy grupe të barabarta, vetëm me ndryshimin se në grupin e Fiatit punonin shkencëtarët, ndërsa tek grupi ynë që na emërtuan: grupi për fuqizimin e motorit “TN”, punonin puntorët zanatçinjë.
Suksesi tek ne u arrit brenda një kohe të shkurtër. “Kopimi ishte i përkryer”, rezultatet ishin të provuara si në Kinë dhe në Rusi. Realizuam disa variante të tij, e vendosëm tek traktori – DT 75; Auto – Sonda Zis e gjeologjisë për shpime, gjithashtu vazhdonim për ta prodhuar me 2 – cilindra për traktorin me goma T 28, dhe me 6 – cilindra për autobus dhe kamionin Zis 7 – ton që ishte me të vërtet sukses. Imituam autorët origjinalë që ishin në Harkov dhe për këtë çështje po punonin dhe kinezët që na mundësuan kopjimin. Rezultatet ishin të menjëhershme, dhe të sigurta në të gjitha planet, si në ato teknike ashtu dhe në ato ekonomike. Ministria e Bujqësisë kur u njoh me këtë fakt të ri, bëri menjëherë porosi për 60 copë traktorë me motorin tonë me variantin 98 kuaj/fuqi, ndërsa gjeologjia dhe transporti bënë porositë e tyre në sasira të konsiderushme. Rikonstruktimin e thelluam edhe më tej, filluam të bëjmë ndryshime konstruktive edhe nëpër sistemet e tjera të mjeteve që po trajtonim në përgjithësi, psh. traktorit DT 75 i vendosëm kontrapesha përpara për të kompesuar peshën që hoqëm në motor, rikonstruktuam pllakat e zinxhirit vendosëm një reduktor special ndërmjet kutisë së shpejtësisë dhe motorit, për pasojë morëm dy fishin e shkallëve të shpejtësisë dmth u bë traktori me 10 – marshe, vendosja e kontrapeshave uli rrëshqitjen gjatë plugimit, çka bëri të mundur rritjen e madhësisë së sipërfaqes së plugimit për të njëjtën njësi kohe, gjithashtu e dubluam dhe me ndezës elektrik, etj. Këtë punë të re menduam ta paraqesim edhe nëpërmjet një studimi të plotë të cilin e realizuam në bashkëpunim me Ing. Gugash Tafën, aty u përllogaritën shpenzimet e prodhimit për realizimin e këtij motorri së bashku me përfitimin ekonomik. Kjo rrjedhojë që ish – traktori DT 54 që tërhiqte në plugim maksimumi 3 – plugje me thellësi 32 cm, tani mund të tërhiqte 4 – plugje. Pra traktori ynë i rikonstruktuar dyfishoi fuqinë, dyfishoi shkallët e shpejtësisë, rritej rendimenti i plugimit 25 % në aspektin e konsumit të karburantit që rrjedhonte nga rritja e fuqisë së tërheqjes në njësinë e kohës, dhe shumë avantazhe të tjera psh nga ndezësi me motor me benzinë në ndezës elektrik (motorino), etj. Të gjitha avantazhet që rrjedhonin nga ky rikonstruktim, i paraqitëm në mënyrë të plotë në qeveri, por fatkeqsisht u tërhoqëm nga kjo punë për të filluar në një periudhë të mëvonshme. Kjo ndodhi pas një vizite kortezie që më bëri në shtëpi Drejtori Kombinatit Ing. Llambi Gegprifti i cili ma kërkoi këtë shtyrje provizorisht sa të nxirreshin konkluzione të reja nën dritën e rikonstruksioneve tona, të cilat bindën këdo për rritjen e mundësive të përvetësimit më të lehtë e të garantuar të tipeve të motorrëve më të përparuar. Kërkesën për pezullim të përkohshëm të rikonstruksioneve të traktorëve unë nuk iu a thashë shokëve që ishte kërkesë e Drejtorisë së Kombinatit, por ju thashë të mos e diskutojnë se ishte një taktikë në strategjitë e mia dhe ju duhet të keni besim se veproj për interesat e grupit dhe kaq. Por vura re një farë nervoziteti të brendshëm e të padeklaruar tek disa, sidoqoftë, e kaluam me parrullën e zakonshme, “këto gjëra i di më mirë Xhafa”! Megjithatë punët tona u propaganduan në mënyrë superlative në të tërë nivelet e propagandës së kohës si, në emisione të veçanta, me filma dokumentar posaçërisht për brigadat e mia, shfaqje televizive, shtyp, radio, revista krejtësisht të veçanta etj, si punë novatore e pashembullt. Me kërkesë të Drejtorit të Drejtoris Mekanike të Ministrisë së Bujqësisë, Bashkim Jupi, u kërkua që për të vërtetuar praktikisht dhe në mënyrë zyrtare karakteristikat e reja që kishte përfituar traktori i vjetër, tashmë i transformuar, të çohej në fushë nëpërmjet stacionit të mekanizimit të tyre në provë, me ngarkesë sipas të gjitha rregullave të caktuara të kolaudimit, nën drejtimin e specialistit të tyre Ing. Maks Begeja i cili sot ka lënë traktorët për t’u marrë me “politikë”.
Veprat tona po ndërtoheshin pa ndërprerje e me shumë suksese pa asnjë vartësi teknike nga byroja jonë apo Instituti i Mekanikës etj. organizma të këtij lloji që ishin me shumicë në atë kohë. I gjithë dokumentacioni teknik që përdorej mbante vetëm firmat tona si “Projektues”. Ky fakt ju propozua Drejtorit nga ata me mendimin se ne do të dilnim blof shumë shpejt dhe si rrjedhim do të bëheshim qesharak në tërë opinionin shqiptar. Një gjë ishte interesante se me fillimin e prodhimit nga objektet tona të reja, u ndje përparësia e kësaj teknike të re që sollëm dhe realizuam ne në të gjitha aspektet, kështu që dhe mjetet e propagandës vërshyen në Kombinat madje edhe në familjen time, llojet e intervistave ndiqnin njëra – tjetrën duke lartësuar me superlativa rezultatet e Revolucionit Tekniko – Shkencor të realizuar nga klasa puntore siç “rekomandonte Partia”. Në kulmin e kësaj situate pune më lajmëruan që të paraqitesha urgjentisht në zyrën e shokut Llambi Gegprifti. Natyrisht vajta menjëherë. Ai më thotë aty për aty duke më pritur në këmbë: – Shko menjëherë në shtëpi, të çon makina ime, bëj dush, rruhu dhe vishu “krëk” me kostum dhe kravatë dhe kthehu sa më shpejt, të pret makina ime te dera e shtëpis, dëgjove? – dhe ma bën me dorë për nga dera e zyrës për të ikur.
Natyrisht të gjitha këto fjalë mu drejtuan në mënyrë konfidenciale dhe me shumë mirësjellje dhe gjysmë me të qeshur. Urdhëri u zbatua dhe unë pa u mbushur një orë u ktheva në zyrën e tij. Aty vura re se kishin ardhur disa persona e ndërmjet tyre njoha, Pirro Kondi, Skënder Hoxha, Leandro Zoto, etj. Sapo unë hyra në zyrë, ata më duartrokitën ndërsa shkëputet prej tyre shoku Llambi dhe më drejtohet mua me këto fjalë: – Në fakt e ke merituar këtë nder që po të bëhet, por ama edhe fati të ka caktuar që të çosh dhe t’ia japësh në dorë shokut Enver maketin e motorrit të ri të fuqizuar që ia keni inkorporuar me ndryshime, përmirsime, traktorit egzistues DT 54 k.f. i cili ka marrë tashmë një pamje krejtësisht të re. Kjo punë është vlerësuar si një sukses për të gjithë kolektivin e Kombinatit dhe mëshiron më së miri rezultatet e përpjekjeve të këtij kolektivi luftarak në drejtim të Revolucionit Tekniko – Shkencor të udhëhequr nga Partia.
Menjëherë duartrokitën të pranishmit dhe në mënyrë krejt të papritur, hynë në ambjentet e zyrës, një vajzë e re me maketin e motorit në dorë të punuar në mënyrë të shkëlqyer me dru arre, të llustruar nga mjeshtrit e repartit të modeleve dhe ma bënë me kokë duke buzëqeshur që të dalim jashtë. Ashtu u bë dhe të gjithë zbritëm poshtë tek makina që po na priste me dyert e hapura. Në këtë kohë “solemne” më drejtohet mua si protagonist kryesor, Skënder Hoxha – Kryetar i Bashkimeve Profesionale të Tiranës me këto fjalë “prekëse e të paharruara”:

– I gjithë Kombinati është me ty dhe të presim që të vish sa më parë me detyrë të realizuar, por të lutem atë dorën tënde që do të takojë udhëheqësin e madh shokun Enver, mos ia jep askujt përpara meje se e dua unë të… ta… puth për së pari, a e dëgjon porosinë?
Unë pohova me kokë dhe në mes duartrokitjeve u nisëm për në Selinë e Komitetit Qëndror të Partisë. Të them të vërtetën u deziluzionova plotësisht për ç’ka po ndodhte, tamam si nëpër përralla apo filma. Më kaluan fillimisht historitë e hershme të marrdhënieve tona familjare me të, mendova pastaj fazën e dytë atë të shkatërrimit të familjes sonë me urdhër të posaçëm të tij, madje ai ishte vënë në dijeni të plotë dhe për rrugën e fatkeqësive që na u imponuan si familje, dhe ja për çudi mua pjestar i kësaj familje, fatkeqe më çojnë përpara tij si “njeriu më përfaqësues i jetës së re”! Çfarë të jetë kjo lojë? Dijenitë e tij për hatanë që na ndodhi, i kishte të plota sepse ai diskutonte vazhdimisht me daiun tonë Esatin, ky i fundit e ruante intimitetin e një jete, si vëllai i tij binjak siç jam shprehur më parë. Këto probleme më turbulluan shumë dhe nuk po e mblidhja dot veten, madje nuk arrita as ta mendoja se çfarë sjellje do të mbaja përpara tij, a më besoni se u bllokova mendërisht, mendova njëherë se po të vinte biseda e historisë së familjes sonë, për të cilën reciprokisht e dinim që ai ishte “regjizori i saj”, ç’të bëja? të tregohesha hipokrit…? Kurrën e kurrës nuk e bëja dot atë sepse ajo kohë e pistë, këto gjëra donte dhe unë duhej t’i thosha se: – masat që mori Partia jonë ndaj familjes sonë ishin më se të drejta e të domosdoshme sepse na kishte marrë koka erë. Pikërisht duke vënë dorë Partia mbi ne, na bëri sot njerëz të nderuar, e këtë nuk ia harrojmë kurrë Partisë, por prap vetëm një pishmanllëk kemi, mendojmë a do të jemi vallë në gjëndje që ne me punën tonë t’ia shlyejmë Partisë nderin që na bëri? Na hapi sytë dhe na vuri në rradhën e njerzve të popullit?
Sot ju mund t’ju duket i çuditshëm ky qëndrim në rast se do ta mbaja, por po ju a them se nuk ishte ndonjë gjë e madhe për t’u turpëruar sepse unë e dija që dëm nuk i bëja askujt, mjaftonte që këto fjalë kundër vetes të shërbenin për të na zbutur keq – sjelljen e tyre ndaj nesh. Por shpejt e mblodha veten dhe mendova se një veprim i tillë do të ishte një turp për familjen tonë, babai do të ma dënonte maksimalisht këtë veprim dhe do të thoshte se ti u bëre shkak që na njollose nderin karshi atij “Ibnes” (pushti), sepse ai këtë priste nga viktimat e tij për të kënaqur instiktet dhe epshet e veta kriminale. Dhe me të vërtetë kur thonë, kockat do t’i luanin në varr në rast se unë do ta bëja këtë turp!
Nuk mund të imagjinoni se në ç’hall të madh rashë, për mua ato pak kilometra rrugë më lodhën pafund. Më shkonte mëndja dhe mendoja se si do ta vlersonte bisedën me mua dhe nuk dija çfar të bisedoja, sepse e dija që ai ishte njeri “pervers” apo siç i themi ne me “penallti në kokë”. Perversiteti i tij ishte në shkallë të paimagjinueshme, etja e tij për krime të reja në vazhdimësi ishte karakteristikë e tij personale dhe e shquajti atë që ditën e parë që hyri në politikë. Zoti na ruajt se si do të gjykonte për rastin tim sepse e dija gjithashtu, dhe isha mëse i sigurt që motorri im as që i interesonte, madje e bezdiste si çështje. Zoti na ruajt mendova sërish me vete për të disatën herë, fati i keq më solli përpara “arkitektit të ç’burrërimit të një populli të tërë”, sido që të jetë unë hipokrit nuk do të bëhem pasi nuk e kisha për natyrë, për më tepër me krahët e mia, mundin e djersën e kisha ngritur dhe mbajtur gjithçka deri në këto çaste që po gjykoja vetveten, por të them të drejtën dhe rolin e trimit përballë atij nuk mund ta luaja. Unë e dija se ç’hoqa nga Kombinati në Komitetin Qëndror kur mendoja se do të ndodhesha përpara diktatorit, përbindëshit Enver Hoxha që i vinte era gjak. Por në fund shpëtova, e zgjidha me një metodë proletare dhe mendova të mos stresohesha më duke shfryrë keq, por do të shoh e do të bëj sipas situatës që do të më paraqitej dhe nuk do ta trazoj shpirtin e babait në varr!
Sapo mbërritëm në Selinë e Komitetit Qëndror të Partisë, ajo shoqja me maketin në dorë përpara dhe unë duke ecur pas saj, ngjitëm shkallët dhe hymë drejt e tek salla e pritjeve, të gjithë ata që ndodheshin anash mureve të korridoreve e të shkallëve, na përshëndesnin me buzëqeshje dhe aty e kuptova që edhe kjo shoqja që më shoqëronte ishte e atij “takëmi” apo e “shtëpisë”. Salla e pritjes ishte me të vërtetë fantastike, u ula në një poltron klasik me gdhëndje aty ku ma bëri shoqja me kokë, ajo la maketin e motorrit në një tavolinë anësore në anën time dhe u largua për të mos e parë më. Ooo Zot!… Ndodhesha në një sallë të madhe tepër luksoze, pak si e errët nga perdet gjysmë të mbyllura ku zotëronte një qetësi varri, nuk pashë askënd brënda dhe të them të drejtën u shushata fare duke menduar me vete se ç’është kjo lojë me mua! Nuk po kuptoja asgjë se ç’po ndodhte, të papriturat ndiqnin njëra – tjetrën dhe mendova se ç’mund të ndodhte më pas.
Më rrihte zemra jo si zakonisht, kur pas pak nga një derë që ishte pas meje hyn një njeri si hije që nuk e kisha parë kurrë, u ngrita në këmbë dhe ai më jep dorën e më përqafon shumë fort sikur të ishim miq të vjetër dhe më vet – prezantohet, Ajet Simitxhiu, i cili me dorën e djathtë më propozon të ulemi gjithë etiketë e buzëqeshje. Ndërkohë hyn një kamariere me uniformë të zezë dhe përparse të bardhë, me një pjatancë shumë të bukur me doreza inoksi ku në të ishin qerasjet e rastit, të cilën e la në tavolinë përpara nesh dhe u largua. Ngritëm nga një pije “Sherry Brand” të dy për shëndet të shokut Enver dhe për Partinë, morëm dhe nga një bombone. Ndërkohë ndërhyn Ajeti: – Sa do ti bëhet qejfi shokut Enver për këtë dhuratë shumë të çmueshme dhe më beso, për ideal të Partisë, ai personalisht është njohur në detaje për gjithë historikun e realizimit të suksesshëm të këtij objekti dhe mezi e priste që të njihej gojë më gojë me ju, por ç’e do, për fat të keq ai në këtë moment ka thirrur një mbledhje shumë të rëndësishme me shokët e udhëheqjes dhe nuk vjen dot në këtë moment, koençidencë e çuditshme! Sa do të gëzohet kur të shoh maketin, po aq do të dëshpërohet që nuk e mori vetë nga ju këtë dhuratë shumë të çmueshme por…! S’ke ç’bën, dhe menjëherë u çua në këmbë që të nënkuptoje që takimi mbaroi. Atëherë nuk më mbetej tjetër veç të çohesha dhe si i çoroditur u përshëndeta, ndërkohë menjëherë më mori një shoqërues oficer për të më përcjellë deri në dalje. Ky qe “takimi im” me Enver Hoxhën.
Aty poshtë më priste “Peugeoti” i shokut Llambi dhe u nisëm menjëherë. Më thotë shoferi: -Si shpejt mbarove ore Xhaf…!

– E po ç’të bësh, kështu e kanë këto punë.

– Po si vajti? – më pyeti ai.

– Çfarë të të them që punët e mëdha të Partisë nganjëherë bëhen shkas të mos na plotësohen dëshirat tona e nuk ke çfar të bësh.

– Kështu është, – pohoi ai.
Më duhej të isha i kujdesshëm me shoferin e Llambit sepse ai ishte antar Partie megjithëse ishte shok i mirë. Kur erdhëm në hyrje të Kombinatit i gjeta të gjithë ata që ishin në zyrën e Llambit që po më prisnin aty poshtë, sa më panë shpërthyen në duartrokitje dhe entuziazëm. Më afrohet shoku Llambi dhe më thotë:

– Hë… si vajti? – dhe duke hapur duart të më përqafojë në distancë.
Unë menjëherë i “dëshpëruar” iu përgjigja që nuk munda ta takoj.
Ai u vrenjt menjëherë, ndërsa përgjigja ime ishte e fortë dhe u dëgjua nga të gjithë të pranishmit, por për çudi brenda disa sekondave i gjithë ai ambjent kuadrosh e funksionarësh që ishin aty, u zhdukën menjëherë e kështu që aty u krijua një ambjent sikur kishte rënë zia. Atëherë shoku Llambi i vetëm më pyet se ç’ndodhi?
Unë iu përgjigja që shoku Enver ishte në krye të një detyre Partie shumë të rëndësishme, prandaj nuk mundi të më presë!

– Po, po, – ia bëri ai dhe u largua pa bër zë, siç duket dhe ai u “pushtua nga një hidhërim i madh”. Pas këtij çasti dhe çështje të “dështuar” u zhdukën të gjithë dhe mbetëm vetëm unë dhe roja i portës. Me të vërtetë ishte e rëndë sepse mu duk vetja sikur u trembën nga unë, biles edhe “Peugeoti” u largua dhe mbeta aty me kostum e kravatë në qafë. Atëherë edhe unë si “trung nga dëshpërimi” vajta te stacioni autobuzit duke u kthyer në shtëpi “i pikëlluar dhe i braktisur”. Shpëtova pa takuar njeri sepse nuk po e duroja këtë komedi, u ndërrova dhe menjëherë u ktheva te shokët e punës pranë stacionit të mekanizimeve ku po eksperimentonim mjetin origjinal të maketit që i çuam shokut Enver. Vazhduam punën në plugim nën drejtimin e figurës kryesore shkencore të Ministrisë së Bujqësisë Ing. Maks Begeja. Kështu vazhduam edhe për disa ditë me problemet e kolaudimit me ngarkesë të plotë pune. Maksi shquhej për korrektësi në punë në të gjitha aspektet deri edhe tek orari i punës, por për çudi atë ditë ai nuk po vinte, rast i rrallë për të, pas disa orësh ai u duk rishtazi por i ngrysur dhe nervoz, kishte humbur çdo gjë të mirë të tij sikur demonstronte një dëshpërim të jashtëzakonshëm dhe për çudi të të gjithëve na drejtohet në formë urdhëruese duke thënë vetëm këto fjalë:

– Mos më pyesni e mos e zgjatni, mbyllni traktorin dhe largohuni sepse nuk do të punojmë për ca kohë dhe pikë, – dhe menjëherë u largua me nxitim. Mënyra se si ai na u drejtua dhe pamja e tij shumë e pikëlluar na la përshtypjen se atij do ti kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi në familje. Atëherë i këshillova shokët të shkonin aty afër në një lokal për të pirë ndonjë kafe sa të shkoja unë aty afër në Drejtori për të sqaruar këtë çështje të paraqitur nga Maksi në mënyrë të habitshme për të mos thënë pa asnjë llojë takti. Vajta në Drejtori dhe aty më priti Drejtori i Stacionit të Mekanizimit Ing. Xhelal Shkreta, ai ishte njeri i mirë dhe i urtë. Ju drejtova atij duke i shprehur çudin time ndaj sjelljes së pakuptimtë të Maksit dhe i thashë se neve nuk jemi shegertët e tij që ai të mos dënjojë së paku të na sqarojë. Ai pasi po më vërente me kujdes, e kuptova që edhe ai ishte po aq i dëshpëruar sa dhe Maksi. Ai mu drejtua me shumë dhimbje:

– Shiko shoku Xhavit, po ta them në besë një sekret shumë të rëndësishëm sepse akoma nuk është konfirmuar zyrtarisht kjo “gjëmë” dhe të lutem mos e zër në gojë se është me shumë zarar.
Ky më habiti edhe më shumë dhe e pyeta se çfarë është e çfarë ka ndodhur, shumë i habitur!
Thonë se mbrëmë natën ka vdekur shoku Enver Hoxha. A e kupton tani pse Maksi ishte në atë gjëndje depresive? E po të jetë e vërtetë mjer ne.

– Po, po, – i thashë dhe ika menjëherë nga zyra pa folur.
Mesa duket kjo “Fatkeq – Mirësi e madhe e shumë pritur” më kishte pushtuar edhe mua. Vajta menjëherë tek shokët dhe i urdhërova edhe unë si Maksi të mbyllnin traktorin dhe ju dhashë lajmin e “kobshëm”, gjithashtu i porosita që të mos diskutonin njëherë për njëherë se mund të jetë edhe vepër e armiqve, atyre të “shkretëve sikur u ra ujë i vluar në kokë”. Kur hymë në Tiranë e kuptuam se lajmi “fatkeq – mirësisht” ishte i vërtetë sepse kishte hyrë e gjithë Tirana në zi të plotë, pra kishte vdekur “Zeusi”…!
I shkrova këto ndodhi të kaluara të cilat i jetova vetë, që ju pasardhësit të besoni Tragji- Komedinë që jetonim dhe hajde gjeje se kush e luante këtë teatër, ata apo e gjithë Shqipëria. A thua Llambi Gegprifti, Kandidat i Byrosë Politike apo Hamit Shamku, Anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë, duke përfshirë dhe të gjithë ata funksionarë të lartë të Partisë dhe të Shtetit që u ndodhën pak ditë më përpara në ceremoninë festive, që më nisën mua tek “Zeusi” në mënyrë butaforike, u dëshpëruan kur ju thashë se ai ishte në një mbledhje pune shumë të rëndësishme dhe, pavarësisht se unë e dija nga daj Esati që ai kishte marrë fund me kohë. Këto situata po ju a lëmë ju pasardhësve tanë t’i diskutoni për humor, por njëkohësisht për t’ju ardhur keq për ne. Një pishmanllëk më ka mbetur edhe sot në ndërgjegjen time “proletare”, ne i gjithë populli i kishim “premtuar” shokut Enver se do t’i jepnim jetë nga ditët tona, por fatkeqsisht as edhe një njeri nuk e mbajti fjalën, biles as ata që u përlotën dhe qanin me dënesë për të.
Të kuptoje se ç’ndodhte! Të gjithë e dridhnin, biles siç e vutë re edhe “udhëheqja e lartë”. Këta ishin njerëzit e rinj që i krijoi vetë ai dhe Partia e tij. Zëvendësimi i Llambi Gegpriftit me Hamit Shamkun, i cili në thellësitë e zemrës së tij nuk më donte, më centrifugoi në pension si hallk e tepërt, por sukseset dhe arritjet në punë nuk janë vetëm merita ime që kopjova në situatën që mu krijua në Kinë, por ishte meritë absolute që gjeta dhe bashkova njerzit e duhur për këto probleme që thamë, siç ishin Mbreti i konstruksioneve metalike Pavllo Spiro, që me krijimtarinë dhe fantazin e tij jo vetëm që nuk ngeci ndonjëherë, përkundrazi prodhimi rridhte gjithnjë normalisht. Meritë të padiskutueshme kanë edhe bashkpunëtorët dhe miqt tanë, mjeshtrat Tomorr Gostivari, Irfan Shehu, Arben Zenuni, Kastriot Ahmeti, Shyqyri Çaushi, Abdulla Kasmi, etj. Kështu u mbyll kjo periudhë e artë pune që njëherazi ishte edhe fundi i punës sime 41-vjeçare në Socializmin e shokut Enver Hoxha…!