Xhavit Neki Delvina: NË MBROJTJE TË SË VËRTETËS
Shekspir: “Mosmirënjohja është kryevesi i të gjitha veseve të këqija”.
Ing. Maqo Bleta në disa numra rrjesht të gazetës “Telegraf” bënë një përshkrim të jetës së punës në ish – uzinën Traktori. Ai nëpërmjet këtyre shkrimeve mbivlerëson veten e tij duke e denigruar në mënyrë të turpshme figurën e të paharruarit Z. Pilo Peristeri, ish – Drejtor i kësaj uzine. Kjo sjellje përçmuese e Maqo Bletës ndaj këtij drejtuesi të Kombinatit të Aautotraktorëve, na ka prekur edhe ne bashkpunëtorëve të afërt të tij që punuam për shumë vite bashkë pranë njëri – tjetrit. Unë Xhavit Delvina, ish – mjeshtër në këtë uzinë e më pas Kombinati i Auto – Traktorëve, që në fazën fillestare kur filloi ndërtimi atje, punoja në të quajturën “Përfaqësi e Industrisë”, them se jam dëshmitar i vërtetë për të treguar historikun real të asaj uzine që në fillesat e saj. Drejtor aty, siç e kam thënë, pas të ndjerit Halil Kraja që kryesonte “Përfaqësimin e Industrisë” erdhi për pak kohë Ing. Niko Shuli e menjëherë pas tij erdhi shoku Pilo Peristeri së bashku me kryeinxhinierin me përvojë Llazar Donati. Pas disa kohësh vjen dhe grupi i të specializuarve në Kinë pranë uzinës mëmë “Lindja është e kuqe”, të cilët do të punonin sipas specialitetit që kishin fituar atje për sektor të ndryshëm të kësaj uzine. Ndër këta të rinjë ishte edhe inxhinier Maqo Bleta, të cilin kryeinxhinieri Llazar Donati e caktoi të punonte pranë sektorit që do të merrej me teknologjinë në administratën qëndrore. Maqo ishte ing. fillestar pranë Uzinës Rajonale Shkodër, prej andej ai shkoi në Kinë, aty ai u njoh për herë të parë me traktorin. Pra siç shihet nga biografia e tij profesionale, ai në uzinën tonë erdhi pa përvojë në këtë profil të ri profesional, por si të gjithë edhe ai do të aftësohej nëpërmjet punës. Maqo dhe të gjithë të tjerët shokë të tij, patën fat se në përfundim të të gjithë proçeseve nga pala kineze, specialistët kinezë duhet të drejtonin prodhimin për një kohë të caktuar sipas marrveshjes ndër – shtetërore, që të vërtetonin të gjithë treguesit tekniko – ekonomik të projektuar prej tyre, gjë që u mundësoi personelit inxhinjero – teknik shqiptar të ndiqnin proçesin drejtë për së drejti se si duhet të punohej.
Shoku Pilo me shumë të drejtë dha urdhër që për këtë kohë të “artë” eksperience, i tërë personeli inxhiniero – teknik të ndiqte kinezët në prodhim. Çdo gjë u bë si jo më mirë dhe që nga ky çast, zot të vërtet të uzinës u bëmë ne shqiptarët. Në fakt u krijua një situatë shumë e rëndë sepse lindën probleme të panjohura gjer më atëherë. Përvoja jonë e punës e gjeratëhershme nuk vlente më sepse puna e re ishte shumë më e përparuar. Nuk vlente më ajo metodologji e drejtimit të prodhimit dhe e punëve të tjera me sy dhe çdo vendim merrej aty për aty nga drejtuesi i sektorit apo repartit. Për efekt të çështjes që po trajtojmë, jemi të detyruar për vijë logjike e praktikë pune, të përsërisim disa hapa pune të përmendura më lart dhe idetë largpamëse nga shoku Pilo:
Gjer më atëherë ishim mësuar që porositë në prodhim të bëheshin me kampjonaturë dhe shumë vonë hyri praktika e “re” që porosit në prodhim të bëheshin me vizatime pune. Deri atëherë nuk njiheshin në mënyrë absolute në të gjithë vendin që operacionet e fazave të prodhimit të përshkruheshin në kartën teknologjike nga projektuesi i teknologjisë dhe nuk lejohej për asnjë arsye, t’i shmangeshe qoftë edhe për një gjë të vogël këtij proçesi. Shoku Pilo shprehej se: Proçesi teknologjik është tamam Kushtetuta e prodhimit dhe prandaj ajo nuk duhet shkelur, por vetëm duhet zbatuar me përpikmëri. Një nga masat e para që u mor për të përballuar këtë metodologji të re pune, ishte nevoja e grumbullimit të njerzve me më shumë përvojë nga ndërmarrje të ndryshme, si brenda dhe jashtë Tiranës, ndër këta të zgjedhur kryesisht duhet të predominonin puntor prodhimi të dalluar: mjeshtër prodhimi, drejtues sektorësh, ekonomistë, kontrollorë, laborantë, etj. Megjithë këto masa që shoku Pilo po merrte, ndryshimi për mirë ishte shumë i vogël dhe kishte raste që ai binte në dëshpërim. Ai e shihte konkretisht se niveli inxhinierik ishte shumë i ulët dhe nuk u përgjigjej kërkesave të reja të prodhimit. Ky realitet reflektoi direkt në cilësinë e prodhimeve për keq, ato lanë shumë për të dëshiruar në vazhdimësi duke e rënduar në maksimum ekonominë e vendit. Shoku Pilo thoshte se ky realitet i hidhur rrjedhon për dy arsye:
– E para, është se inxhinierët tanë që pretendojnë që zotërojnë teorinë dhe që projektojnë teknologjinë e prodhimit deri në operacionet më të imta, realisht nuk jan të zotë të udhëheqin prodhimin në praktikë sepse ata realisht janë shumë nën nivelin e mjeshtrave të prodhimit. Puna e mirë do dije, do ustallëk dhe jo llafe.
– E dyta, është se e kundërta e inxhinierëve janë mjeshtrat e prodhimit, të cilëve pothuaj ju mungon teoria dhe nuk kanë respekt për disiplinën, tashmë ligjore të proçesit teknologjik që duhet të zbatojnë, por e bëjnë punën ashtu si dinë ata dhe s’ka kush kompetencë të plotë të ndaloj këto shkelje, si rrjedhim të dy palët bezdisen nga njëri – tjetri në kurriz të cilësis. Në fakt deri atëher ky realitet ishte i panjohur nga të gjitha hallkat apo nivelet e pushtetit të atëhershëm sepse ishte gjë e re. Ndërkohë Pilo pasi reflektoi vendosi të bëj një zgjidhje origjinale që mund ti afronte apo edhe miqësonte këto dy kategori “antagoniste” inxhinier – mjeshtër, për këtë ndërtoi pranë uzinës “koloninë” e vilave që në të ardhmen veç bukurisë, do t’u shërbenin familjeve që do të instaloheshin atje edhe si ekonomi ndihmëse. Bisedat e tyre profesionale të bëra në prezencë të fëmijëve do t’ju induktonte atyre dashurinë për profesionet e etërve të tyre, duke krijuar trashëgiminë profesionale që do të shndërrohej në “traditë familjare” siç e kanë edhe në Perëndim. Për këtë arsye pas përfundimit të vilave, ju a ndau specialistëve më të aftë të uzinës duke përfshir: inxhinier, nënpunës, teknik, mjeshtra, punonjës, etj. dhe jo siç thotë Maqo Bleta që ju a jepte çifteve që ai i martonte. Por ja që këtu në këtë rast nuk i eci parashikimi Pilos, dmth edhe ai u gabua, ç.ka në të vërtetë kishte arsyet e veta. Politika e atëhershme me çuditë e saj të njohura, zgjodhi shumë nga këta punonjës që merituan të marrin shtëpi në koloninë e uzinës, dhe i ngriti në përgjegjësi apo në pozitë duke i bërë Deputetë në Kuvendin Popullor, Drejtorë Qëndror, Funksionarë në organet e larta të Partisë etj.
Pas marrjes së posteve gjëja e parë që ata bënë, ikën nga kjo koloni e uzinës dhe u instaluan familjarisht në qëndër të Tiranës sipas gradës, dmth e lanë mënjanë apo e tradhëtuan mendimin fisnik të Pilos, dhe në fakt “nuk mund të qëndronte një Deputet pranë Shkozës”. Zgjuarsia apo kapaciteti i lartë organizativ i shokut Pilo ishte edhe në sferën teknike, pikërisht aty ku e sulmon me pa të drejtë Maqo Bleta, i cili nuk është veç një inxhinier i ri, pa asnjë traditë familjare e pa asnjë përvojë në mekanikë, i cili u ngrit në pozitë vetëm për besnikëri ndaj Partisë. Gradimi i tij në postin e Zv. Ministrit nuk na habiti fare sepse ishte koha e tyre kur Ministra u bënë shoferët e skodave, tornitor, saldator, mjelse, etj. Këto ishin gabimet e rënda të asaj kohe.
Përpjekje të jashtëzakonshme bënte shoku Pilo për të rritur në uzinë shkallën e mekanizimit dhe të automatizimit në tërë aspektin e prodhimit, ai këtu nuk kishte mendimin për rritjen e aftësive prodhuese në aspektin sasior, por lakmonte dhe donte me çdo kusht të arrinte një realitet Perëndimor që cilësia e prodhimit të varej nga perfeksioni i makinës dhe jo më nga inxhinieri apo mjeshtri i prodhimit. Ai bëktisi sepse e pa për kohë të gjatë kontributin e Maqos me shokët e tij në aspektin cilësor, psh unazat elastike të importuara nga Kina shkonin në punë 5 – 6 herë më shumë se tonat, pavarësisht se ishte e njëjta teknologji dhe me kushte të barabarta prodhimi në tërë aspektet, për më tepër siç e thamë më lart në periudhën e kolaudimit kinezët i prodhuan këtu tek ne unazat elastike. Pra ne për të prodhuar një palë unaza elastike të nivelit kinez, prodhonim 5 apo 6 palë, pra humbja ekonomike ishte shumë e lartë. Po kjo logjikë dhe ky realitet ishte për të gjithë prodhimet e uzinës tonë, pavarësisht se ne si kolektiv ishim në krye të “emulacionit socialist” apo autorët e vërtetë të këtij skarciteti gradoheshin në pozitë, dhe sot për çudi nuk kanë vënë mend madje krenohen me këtë të kaluar profesionale të turpshme siç bën Maqo Bleta. Në vitin 1971 sipas marrveshjes ndër – shtetërore Kinë – Shqipëri, nga uzina u nis një grup i dytë për specializim të ri në Kinë, në të cilin bëja pjesë edhe unë. Akoma edhe sot kur i kujtoj ato kohra dhe udhëzimet që mora prej Pilo Peristerit, më bënë përshtypje saktësia e ideve të qarta, prioritetet e kërkesave teknike ndaj meje, duke njohur arritjet e punëve të mia, duke njohur natyrën time, familjen, pa folur për mënyrën e trajtimit të bisedës duke dhënë kurajo e mbështetje, në konfidencë absolute edhe për shfrytëzimin e situatës që ndodhej Kina në “Revolucionin Kulturor”, për të “vjelë” çdo lloj dokumenti a informacioni nga specialist të zotë që duhet t’i kenë internuar në Llojan nga Shangai, Mankini, etj dhe për mllef ndaj Maos, ata mund të të japin çdo gjë, dhe ti e di mirë se ç’duhet bërë, biseda për të cilat duhet ti riktheksoj sërish, përderisa Maqo “vë në dyshim” aftësitë e Pilos. Porositë dhe shqetësimet e Pilos i kam shprehur të detajuara më lart.
Pra a ka të drejtë Maqo Bleta të thotë se aty në uzinë, unë isha Drejtor Teknik dhe Pilo Peristeri Drejtor Politik? Unë dhe shokët e mi e themi me bindje absolute se jo Maqo, po askush tjetër veç Pilos nuk kish mundësinë të dallonte hallet e asaj uzine dhe të vendoste se ç’duhej bërë në ato kohra për të ndryshuar diçka për mirë. Fal Zotit pothuaj të tëra kërkesat e Pilos i realizova dhe u nderova me të. Ai duke më krijuar të tëra kushtet për të realizuar kopjimet e atjeshme, mund të them se në përqindjen më të madhe arritëm dhe i realizuam duke kontribuar për mirë në cilësinë e prodhimeve. Por marrëzitë e politikës së madhe shtetërore nuk njihnin as logjikë dhe as kufij, prishja me Kinën na zhyti në aventura shumë defiçitare për ekonominë e vendit. Një nga këto marrëzi ishte se i duhej mbushur mendja botës që prishja e mardhënieve me Kinën, jo vetëm nuk na dobësoi por përkundrazi na forcoi sepse situata e re i dha hov Revolucionit Tekniko – Shkencor të udhëhequr nga Partia novatore, duke e shndërruar uzinën e pjesëve të ndërrimit për traktorë në Kombinat për prodhim traktorësh. Po në këtë kohë marrëzia e Kryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehu, që e lavdëron Maqo, tregoi shkallën e mosnjohjes nga ai të teknikës bujqësore duke i dhënë personalisht urdhër të prerë mediokrit Dr. Pr. Fehmi Shehut, të marrë përsipër që të prodhojë motorin Fiat në Kombinatin tonë. Shoku Pilo e kundërshtoi këtë marrëzi groteske, duke u arsyetuar se neve nuk po arrijmë të realizojmë me rentabilitet një motor si DT 54 që është mbi 3 – herë më i rëndë në peshë për 1 kal/ fuqi se Fiati.
Ore thoshte Pilo me shumë të drejtë: Neve duhet të bindemi se sot për sot jemi të pazot, neve akoma nuk kemi arritur të shfrytëzojmë mundësitë teknike që kemi, a e dini që shtete si Gjermania, Franca, Italia, etj, Luftën e I Botërore në vitin 1914 e kanë bërë me aeroplan “kaçator”?, ama ky aeroplan kish një motor konstruktivisht dhe teknologjikisht shumë më të vështirë për t’u prodhuar se motorët tanë sepse ai ishte i tëri me derdhje alumini e me ftohje me ajër, jo si motorët tanë me gizë dhe ftohje me ujë. A thua që ata atëherë kishin laboratorë makro – mikro strukturë apo bareno kordinative, glison, torno të programuara, furra shkrirje me induksion apo me hark elektrik, etj.? A e dini se ata, motora të tillë i bënin me torno me rrypa e me grapeta e me pulexho në tavan?
Ja pra ku janë dijet apo aftësit tona realisht, pa le se ç’themi ne. Fakti tregoi se prodhimi i Fiatit dështoi plotësisht. Pra pse të mos themi se ky eksperiment i Fiatit i propozuar dhe i ndjekur në prodhim nga super – strukturat intelektuale dhe ato shtetërore dështoi me turp, dhe turp të madh biles duke bërë që ekonomia jonë të ngarkohej me humbje kolosale. Por fatkeqësisht kjo kundërshti e Pilos për të bllokuar prodhimin e Fiatit e që ishte shumë e drejtë, u bë shkak që me shumë marifete e djallëzi, ai u zëvendësua, por shyqyr që turpi u mbeti atyre pseudo – intelektualëve dhe pseudo – shtetarëve që mburren sot me turpet e vjetra.
Është shumë e çuditshme kur Maqo Bleta thotë se unë isha Drejtor Teknik dhe Pilo Peristeri – Drejtor Politik. Unë dhe shokët e mi që merreshim me rikonstruksionet dhe zgjerimin e uzinës për të rritur përmirësimin cilësor të prodhimit, ishim të lidhur vetëm e vetëm me Pilo Peristerin dhe për asnjë rast me Maqo Bletën. Ju mund të shihni dhe foto të cilat janë në këtë botim, ku dëshmohet prania e Pilos mes nesh me rrobat më të ndotura se tonat sepse ai nuk na ndahej për asnjë çast deri në orët e vona të natës, ndërsa me Maqo Bletën nuk kemi arritur të fotografohemi sepse ai nuk vinte asnjëherë në bazë ku bëheshin punimet.
Pra të kritikosh shokun Pilo apo ta ironizosh është turpi më i madh, është zili dhe mosmirënjohje. Lulet ai i donte, pastërtia dhe estetika janë kulturë – thoshte, dhe në ndonjë rast dashurie ndërmjet të rinjve puntorë të uzinës, ai kish ndërhyrë për mirë vetëm si prind. Përfundimisht zoti Pilo Peristeri do të mbetet në historikun e asaj uzine si Drejtori më i mirë e më i zoti, si dhe mësues i të gjithëve, përfshi edhe Maqo Bletën. Pilo Peristeri do të mbetet përjetësisht në zemrat tona.
Në emër të shumë shokëve – Xhavit Delvina 2009!
MOSMIRNJOHJA, kjo ndjenjë e ligë që përçon negativitet nga egoizmi, smira, dhe tradhtia pritet nga gjithkush, ndodh që ta kemi në krah, përballë, mbase edhe në bukën e shtëpisë, miq, shokë, bashkëpuntorë, komshinj, të njohur, edhe kushërinj, por kur ajo ndodh te më të afërmit e tu siç ndodhi aktualisht në vitin 1947 në familjen tonë, është tradhëti vrastare e pabesë e që uroj e shpresoj, që të mos ndodh sërish në të ardhmen për të mos qënë e trashëgueshme kjo ndjenjë e ligë, që shpërdoron “çelësin” e bujarisë dhe mbetet reflektim i karakterit. Mosmirnjohja të vret pabesisht edhe pse është kryeves i çdo të keqeje, megjithatë Zoti vonon po s’harron dhe e drejta del si drita e diellit sado re të zeza ta mbulojnë!
Viktor Hygo ka dhënë definicionin më ideal për mosmirnjohjen, të qenësisë së nihilizmit në errësirën e skutave të ndërgjegjes së degraduar, sepse nëse respekton mirënjohjen, bëhesh më i arsyeshëm, më racional, më shpirtmadh, më besnik, më njerzor, më largpamës, më mëndjehapur, më i kujdesshëm, më vëllazëror dhe jo skutaxhi, i pabesë, manipulator, gënjeshtar, egomanjak e smirëzij dhe nëse humb moralin, ke humbur gjithçka, dhe çfarë do të bësh për ta, nuk ua mbush dot humnerën që kanë në shpirt. Mosmirnjohësi e urren diellin që e ngroh dhe e ndriçon, “dmth” – Jetën! Bamirësia dhe nderi janë bahçja e virtytit që vijnë natyrshëm nga burimi i shpirtit. Virtyti e gjen veten kudo, duke i shërbyer qëllimit të jetës!
Mendoj se mjafton edhe me kaq ngjarje e ndodhi të jetuara, sepse jeta ime është e mbushur aq sa nuk do të mjaftonin as 1001 netë për të treguar, pasi në çdo pëllëmbë tokë të shkelur në Shqipëri ka gjurmë historish, nga veriu në jug, kudo kam larmi ndodhish, të dhimbshme për mbijetesë e për të rilindur më pas, plot aventura, nga fëmijria plot ngjyra, transformimi total i jetës, nga shkatërrimi fatal deri në përshtatjen me mënyrën e re të jetesës, në vazhdim si shofer personal i rusëve për drejtimin e Hidrocentraleve, shoqërimi hap pas hapi pas vëllait në shtegtimin e vazhdueshëm të tij si arsimtar në shumë qytete e fshatra, ku më ka ndodhur rast të shkoja për të takuar atë apo edhe për ndonjë ndihmë financiare, dhe qëlloi të mos e gjeja për arsye të transferimit të tij nga Gjirokastra në Bënçë të Tepelenës, të qëndroja jashtë në rrebesh shiu e të ftohti nëpër skuta për afro dy ditë, derisa të shisja rrobën e trupit për të siguruar kthimin, në vazhdim me jetën time profesionale që më dha mundësinë të shkel në çdo skaj, duke patur natyrën time vitale e “karizmatike” për të mbuluar brënda vetvetes çdo shqetësim e brengë familjare, dhe përpos gjithçkaje arrita të mbush shpirtin me lumturinë e nipit tim të vetëm të cilit mund t’i lë si trashëgimi emrin e mirë e të nderuar, si për nga prejardhja, por edhe më tepër si person me vlerat më të larta njerëzore, humane, profesionale e intelektuale, me shpresën dhe besimin që edhe Egest Baruti, djali i vajzës time, do ta lartësojë këtë emër duke ecur mbi këto gjurmë të bardha…!
“Babai im, Xhaviti, ishte emblemë e sakrificës, një figurë e rrallë që dha shembullin më të lartë të dashurisë njerëzore. Ai mbeti njeriu i idealeve, që zgjodhi qëndresën dhe flijimin përballë së keqes. Në gjurmët e jetës së tij gjejmë afreske rrëqethëse të një kalvari të gjatë vuajtjesh”.
Medela Delvina.