Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Eduard A. Skufi: Kronikë mes kuintave të shpirtit

Faqe ditari

Ajo dhimbje jetonte me të, nuk shuhej, ishte stigmë që shtrihej në nënvetëdije, por nuk fshihej. Ai, sa herë i afroheshim atij vendi, shfaqte një ritual reagimi psikologjik. Ngulte shikimin lart në kodër me një mendim të thellë, që i shuante buzëqeshjen, mbetej i vrenjtur në fytyrë, i dridhej dora dhe cigari e veshte me tymin e dëshpërimit. Shmangte pyetjet, bënte sikur e harronte, por në meditim fokusonte brenda vetes, atje ku ishte e fshehur. Në ecurinë e jetës ndodhin dhe ngjarje që rrojnë si kujtime të hidhura, të padetajuara në ditar, që nuk dëshiron ti kujtosh, por ato rishfaqen e nuk humbasin kurrë. Çfarë enigmë fshihte ajo kodër romantike, mbi pejsazhin joshës të belvederes, në Ujin e Ftohtë të Vlorës…

Mbrëmjeve kur mbas shëtitjes në bregdet, uleshim me prindërit në belvedere për të shijuar diçka, im atë nuk ishte i qetë. Vështirë në një tip flegmatik e serioz si ai, të vëreje shqetësimin. Kur vitet kaluan dhe unë fillova ta shikoja botën me një tjetër sy, e perceptova plotësisht ankthin e tij dhe nuk ngurova me delikatesë ta pyesja. Doja të depërtoja mes kuintave të shpirtit të tij.

Ai më vuri dorën në sup dhe duke vështruar dallgët e detit, filloi të tregojë: Në botë na sjell dashuria dhe na merr zëvendësimi natyral, sa i trishtë por i domosdoshëm, melodia e jetës fillon me të qarë e lot dhe ashtu mbyllet. Por është e papranueshme, kur dikush tjetër vendos me forcë dhe pa arsye, të të marri jetën. Bishat naziste me hijet e Maltusit ideator dhe Führerit ekzekutues, mbas masakrës së Vlorës e Gjirokastrës, të Tetorit të vitit 1943, të etura për gjak kërkonin viktima të tjera…

Kështu një mbrëmje të ftohtë Nëndori, rreth orës 12, në terrin e natës, me romantikën e dëborës që binte e ndriçimin e pakët nga papafingua, isha duke lexuar nën dritën e kandilit, në prevazin e dritares pranë vatrës, disa poezi të Lamartinit, poetit të ëndrrave rinore. Papritmas u dëgjua një goditje e fortë mbi derën e jashtme dhe disa fjalë të ashpra në gjermanisht. Për fat të keq, vrasësit e ëndrrave u shfaqën nën petkun nazist. Ne ndodheshim të strehuar në shtëpinë e hallës time, pasi gjermanët na e kishin hequr çatinë, pak kohë më parë, na kishin bombarduar shtëpinë. Mandej e hapën derën me forcë, duke na drejtuar në fytyrë dritën e dorës. Komandanti i shoqëruar nga kryeplaku i lagjes, mbasi lexoi emrin në listë, thirri i egërsuar. “Mos lëvizni. Kush është Stefan Skufi të vij me ne”. Nëna e lebetitur, bëri një hap përpara dhe ju afrua komandantit: Pa shtëpi e katandi na latë, tani doni dhe jetën e tim biri. Komandanti mbeti i ngrirë, pas përkthimit të dragomanit, që i zgjatej tek veshi si pikëpyetje. Nëna më tiliksi një shallë të leshtë rreth qafës, më bëri kryqin dhe më përqafoi. Mbasi takova motrën, përshëndeta hallën, mora dy libra në një trastë, hodha në të ilaçet, që më kishte rekomanduar Dr.Vasili dhe i shoqëruar nga prangat në dorë dhe gjermanët, koka më mbeti prapa. Nëna bëri disa hapa e lotuar jashtë derës, duke zgjatur duartë, derisa humbi mes dëborës dhe errësirës. Mbas rrëshqitjes në kalldrëm, nën hijen e kalasë, përfunduam në xhandërmari, atje kishte një mori njerzish të ndaluar. Na habiti fakti, që bashkëpunonin me gjermanët dhe disa ushtarë të mbetur italianë. Aty njojtëm Antonion, ushtarin italian që ndihmonte në zbatimin e urdhërave. Populli ishte mbledhur në sheshin e Çerçizit dhe kërkonte lirimin tonë. Mbasi na pyetën hollësisht, na ndanë në dy grupe, njërin grup e liruan, ndërsa neve 10 të tjerë, na hipën me forcë, në një kamion të mbyllur. Aty në gjysëm errësirë dallova Jorgon, mikun tim, mësues dhe ai, Prof. Lame Zekon, më tej Taqon financierin, Kostën inxhinjerin dhe Hysen Harshovën, të tjerët nuk munda t’i dallojë, se ishin strukur në errësirë, çuditërisht të gjithë intelektualë. Por më pikëlluan lotët dhe dhimbja e një studenti rreth 20 vjeç, të ardhur nga jashtë, Daut Baboçi, quhej, ai mes lotëve thoshte “Pse moj nëne, duan të më marrin jetën në moshë kaq të re, kur i vetmi faj që kam bërë është përpjekja për dije”.

Veç prangave, na lidhën dhe me një zinxhir sikur të ishim egërsira, na ulën në shesh, duke na shtyrë. Ndërsa para mbrapa na rrethonin ushtarë gjermanë, vetëm Antonio, qëndronte veç dhe shikonte defteret. Ndërkaq ulën mushamanë e zezë të kamionit, si siparin e një skene makabër. Kamioni i shoqëruar nga autoblindat u nis, ec e ec, por nuk e dinim për ku…

Babai e ndërpreu për pak rrëfimin dhe ne shkuam e ulëm bashkë, mbi një shkëmb anës detit. Pasi ndezi një cigare tjetër vazhdoi: Diku kisha lexuar një thënie të Homerit “Njeriu që kalon përvoja të hidhura… i jeton vuajtjet e tij kohë pas kohe”… Ndërsa makina rrotullohej nëpër kthesa, rrugë pa rrugë, ne mendonim të heshtur. Ku nuk na shkonte mendja, në Auschwitz, në internim, në kampin e përqëndrimit në Prishtinë, apo diku të vendosur para togës së ekzekutimit. Mëngjezi na gjeti në kodrat mbi Vlorë, era e ngriti pak mushamanë dhe unë pashë pejsazhin e njohur të Vlorës, megjithëse një re e madhe mundohej ta mbulonte.

Por makina nuk ndaloi, vazhdoi rrugëtimin dhe para Ujit të Ftohtë, mes një rruge të pashtruar, na çoji në kampin gjerman mbi kodër, të rrethuar me tela me gjemba, pranë vilës së Q.Koculit, pra sipër belvederes së sotme. Atje na zbritën në rresht, na dhanë nga një gavetë, pagure, një lugë gjysmake dhe nga dy batanije. Kur po na ndanin në dhoma më ndaloi Antonio: Stefan, ti merr një batanije më tepër, se të dëgjova që ke kollë dhe je i sëmurë, më tha me zë të ulët. Unë e falenderova dhe u drejtova për në qeli. Ajo ishte një dhomëz, me dritaren e vogël me hekura dhe grilë, që fuste pak dritë. Në mure ishin të shkruara ose më mirë të skalitura thënie, vargje, skica, si tablo surealiste, e një historie të murosur. Sapo lashë torbën dhe bataniet, u dëgjuan goditje aritmike në mur dhe thirrje, ishte përshëndetja e të burgosureve të vjetër. Dhe ashtu në mendime i kapitur, më pllakosi gjumi… Të nesërmen, mbas çajit të mëngjezit na vunë në punë. I ftohti të futej në palcë, zhurmës së murlanit të malit, i bashkohej ajo e dallgëve të detit, në një ritmikë të trishtë. Pastruam kampin nga hidhrat dhe bimët e egra, mbollëm dhe disa lule, ndërsa grupi tjetër hapi një kanal kullues paralel me gardhin me tela dhe vendosi disa tabela të shkruara në dy gjuhë. Në mbasdite na nxirnin grupe grupe, për një ajrosje dhe ecje, nën kontrollin e ushtarëve të armatosur dhe melodisë himn për ta, të Lili Marleen

Nga njëherë na linin pak më tepër dhe ne mbasi merrnim leje, e luanim domino, të cilat na i kishte prurë Antonio nga Gambino e qytetit. Një dite shiu duke punuar, Antonio më tregoi këpucët e tij ushtarake, që kishin hapur gojën dhe fusnin ujë. Nuk e di si më doli dhe spontanisht i thashë, se në qytet ishte këpucar, një kushëriri im,Vango Mosko quhej, shko me porosinë time, i thashë. Atij i pëlqeu mendimi dhe u bë gati të zbresi në qytet. Unë e ndala pak, e i kërkova të shkojë dhe në Bankën e qytetit, ti jepte vëllait tim, Panajotit, një letër, i cili ishte nënpunës atje. Kështu munda të njoftoj vëllain për burgosjen dhe vend vendosjen time. Antonio ishte njeri me shpirt dhe me kulturë, por për çdo gjë kontrollohej. Ai në kamp bënte dhe guzhinjerin, duke i sajuar me shije gatimet e tij, si “pasta fagioli dhe polenta”, pjata e fukarait, siç i quante, dhe si ndihmës kishte zgjedhur Dautin. Një mbas dite, nuk mbaj mend çfarë feste kishin gjermanët, mbasi lozën futboll dhe bënin shakara, u grindën me njeri tjetrin.Von Heichman, i ra bilbit për ti qetësuar por ata nuk pushuan, ai bëri një kontrakturë në fytyrë që e pasoi një konvulsion nervoz dhe atëherë lëshoi qenin e zi, besnik të tij, Wulf, mbi ta dhe menjëherë u vendos qetësia. Mbas asaj me ironi vazhdoi… Antonio, muzikë dua të dëgjojmë. Dhe kur nga altoparlanti u dëgjua zëri i Marlen Dietrich, me të famshmen Lili Marleen, të gjithë filluan në kor të këndonin, ndërsa ne shikonim. Në vazhdim Antonio, me fizarmonikën e gojës interpretoi melodinë “O sole mio”. Komandanti nazi e shoqëronte melodinë duke goditur çizmet me kamzhikun e tij, me shikimin e mprehtë të fiksuar tek ushtarët. Muzikë dhe kërcënim sëbashku. Papritmas iu drejtua një togeri, më sillni Karl May-in nga dhoma ime. Ajo ishte një triologji poetike, që ata e mbanin me vete, si “livre de poche”, apo andidot të trishtimit, sëbashku me novelat e shkrimtarit francez kontrovers, doktorit Louis Fernand Celine dhe thënien e tij: “E vërteta është agonia e një vdekjeje të pafund”.

Kështu kalonin ditët në një ambjent të zi në gri, ku dhe drita kishte frikë të hynte. Një mëngjez, filloi gjyqi për të zbuluar me lupën gjermane, qoftë dhe një njollë të vogël faji, tek ne. Ai nuk ishte gjyq, ishte një telenovelë me puntata torturuese. Ata ishin tre, komandanti i përgjithshëm Von Heichman, Franz Zieres, oficeri i grupit të ekzekutimit, dhe koloneli Gerard Noiher, që kishte ardhur nga komanda e qytetit. Pranë tyre qëndronte Antonio dhe Lame Zeka që bënin përkthyesin, rrethuar nga ushtarë. Erdhi dhe radha ime, kishin mbledhur informacion, nga jeta e përditshme si arsimtar, nga kualifikimi dhe udhëtimet me fëmijët e shkollës në Itali dhe kërkonin në to gjithçka të dyshimtë. Për një gjë isha krenar, për karakterin tim dhe vizionin idealist, pavarësisht nga fundi që më priste. Nuk pranova asnjë akuzë, me edukatë dhe urtësi i kundërshtoja. Me befasoi pyetja e F.Zieres, me brutalitetin e tij: Jeni juve antar i grupit intelektual “Aristokracia e mendjes”, unë me një Jo… ju shmanga komentit. Më dukej si teatër komikotragjik. Më ulnin dhe pas pak më ngrinin përsëri, duke ndryshuar tonet e zërit, për presion psikologjik. Ndihej impakti psikoanalitik i Mathias Goring, që i inpironte, pasi Frojdin nuk e preferonin. Mbaj mend e mbylla retorikën me fjalët “Të jesh patriot i ndershëm nuk do të thotë komunist”, bëra një pauzë dhe vazhdova me zë të dridhur duke i përmbajtur emociononet, “para gjenialitetit përulem ndërsa para përzëmërsisë gjynjëzohem”… citon Gëte, i juaji dhe i joni. Ata vështruan njeri tjetrin të heshtur, ndërkaq komandanti Von Heichman, (që në emër mbante dhe Von-in e fisnikut) me një buzëqeshje cinike, më tregoi derën. Duke dalë në sallon përpara kisha fytyren e nënës, motrës së vogël dhe vëllait, por dhe shpirtin e tim eti, që më kishte lënë përgjegjësinë e kryefamiljarit, aty lotët nuk më dëgjuan…

Babai, atë çast bëri një pauzë, fshiu sytë dhe vështronte goditjen e valëve të detit mbi shkëmbinj. Dhe jeta kështu të përplas si vala në shkëmb. Unë e dëgjoja me kureshtje, i pushtuar nga një emocion, thuajse i virgjër.

Të nesërmen shpallën komunikimin e vendimit në një letër, ku në krah të çdo emri, qëndronte fjala e kobshme, “dënim me vdekje”. Atë ditë nuk pipëtinte asgjë, fjala kishte mbetur e mekur dhe hija e trishtimit mbulonte gjithçka. Asnjë prej nesh nuk e ngacmoi ushqimin, na rrethonte tymi i cigares dhe heshja. Dëgjohej vetëm fonologjia gjermane në tone ulërues, me kërcitjen në pambarim të bashkëtingëlloreve dhe tingujve grykorë, që e bënin aq të ashpër, veçanërisht në gojën e tyre. Por dhe natyra, reagoi me një furtunë të vërtetë, me erë të fortë dhe një shi të rrëmbyeshëm, kjo na dëshpëroi dhe më tepër, sepse ne do t’i hiqnim kusuret. Sapo u qetësua koha, erdhi urdhëri me trumbet dhe altoparlant, për punë. Morëm kovat dhe veglat e punës, për të hequr baltën dhe ujrat, pastruam kanalet dhe në mbrëmje të dërmuar, u mbyllëm në qeli. Pas pak bashkë me gardianin memec, Hilmiun erdhi dhe Antonio, me zërin e tij të ëmbël me kantilenë, i vetmi tingull lirik atje, të na jepte fshehtas nga një pafkë çokollate. Një ditë gjatë punës, dëgjuam borien e Opel Admiral, të komandës, të cilën e drejtonte një ushtar gjerman dhe përbri ishte Antonio. Ai na bëri shenjë me dorë të shkonim tek makina, pasi kishte prurë disa fidane pemësh të futur në thas, për t’i mbjellur dhe ne e ndihmuam t’i shkarkonim. Ndërkaq Antonio thirri Dautin dhe diçka i tha, mandej shkova dhe unë me ta. Në një qoshe të kampit pranë rrugës, Dauti energjik, hapi shpejt disa gropa dhe ne vendosnim fidanet. Për një çast italiani, mbasi vëzhgoi përreth, nxorri nga saku një amforë antike dekorative dhe i tha me zë të ulët Dautit, ta varroste me sakun e saj, pranë fidanit të parë. Mesa duket mendohej që një ditë, ta çonte në atdheun e tij. Pastaj u ngrit dhe shkoi më tej, që të preokuponte me bisedë rojen gjermane, për ti shmangur vëmendjen. Dauti me një lëvizje të shpejtë, u shtri nën telat me gjëmba dhe duke u zvaritur doli paksa, nga kufiri i kampit. E shtyti sakun shpejt në një ferr pranë, ndërkaq futi disa gurë në gropën e hapur dhe i mbuloi me marifet. Mjaft na kanë marrë, tha me mllef, nuk do të na rrëmbejnë dhe kulturën e mbetur. Antonio me kurriz nga ne, vazhdonte bisedën me rojen. Veç surprizat e ditës nuk kishin të mbaruar. Në postbllok u shfaq një veturë Fiat Chrysler, ngjyrë vishnje me shkëlqim. Njeri nga rojet u shkëput nga vendroja dhe ju drejtua komandantit të kampit, i cili me sa dukej dha urdhër të lejohen. Nga makina zbritën dy zotërinj, njeri i gjatë, brun elegant me kostum të zi dopiopetë dhe borsalino ndërsa tjetri më i shkurtër me një kostum gri. Bisedonin dhe shikonin drejt meje. Diku e kisha hasur atë portret. Ndërsa vrisja mëndjen, më thirri komandanti, Stefan Skufi, eja këtu. Duke u afruar e njojta, ishte drejtori i Bankës Italiane Giussepe Terrusi, i cili para pak vitesh ishte drejtor i bankës në Gjirokastër. U përshëndetëm dhe filluam të ndajmë të rejat. Ke të fala nga Panajoti, vëllai juaj, i cili ju dërgon dhe këtë pako, tha z.Terrusi. Po aq xhentil, ishte dhe zotnia që e shoqëronte, i cili sic mësova, quhej Ugo Belluci dhe ishte nëndrejtor i bankës. “Këta janë miq të mirë, prandaj unë bëra një përjashtim të pazakontë dhe lejova takimin”, tha komandanti gjerman duke hequr monoklin, të cilin e vendosi në xhepin e xhaketës dhe më shoqëroi me një vështrim kureshtar.

Takimin me ta nuk e kisha imagjinuar kurrë. Ai takim me ringjalli njëfarë shpresë dhe optimizëm.Të burgosurit e tjerë kishin mbetur të shtangur. Unë u bashkova me ta, hapa pakon, futa në xhep letrën që kishte shkruar vëllai dhe i ndava të gjitha mes të dhjetëve. E kuptoja që, ato çka pakua kishte brënda, si biskotini Gentilini, çokollatat Baci Perugina, amareta Sarrono, nuk mund t’i blente dot im vëlla.

Mësues, na ëmbëlsove gojën dhe shpirtin, u hodh Dauti, i dhe kurajo zemrës tonë vazhdoi, profesor Lamja dhe më përqafuan… Ata vlerësonin jo vetëm vektorin intelektual, por dhe shpirtin njerëzor të atij njeriu. Mandej im atë më nguli shikimin e thellë e me mendim, shtrëngoi me dorën e tij, timen dhe vazhdoi, me fjalën minimalisht të qetë, por me maksimumin emocional:

Mbas dy muajsh mizorie, erdhi dhe nata e fundit para ekzekutimit, më përshkonte një ngrirje emocionale dhe mendimi, të përkulura nga pesha e atij vendimi ogurzi. I cili më qëndronte sipër, si një fantazmë e akulltë plumbi, që rrëshqiste mbi mua, më përndiqte si në meditim dhe në ëndërr. Ishte kthyer në një dominante, me ankthin dhe tensionin psikologjik, ku shpresa mbetej e dëshpëruar.

Ishte vërtet fundi apo një ëndërr e frikshme, që më shoqëronte me pafundësinë e saj. Fuqia sugjestive që zbulonte tmerrin dhe absurditetin, më kujtuan novelën, “Ditën e fundit të një të dënuari” të V. Hygoit… “Dënimi i padrejtë dhe trajtim çnjerëzor…trupi im i lidhur me zinxhirë, shpirti dhe mendja e burgosur nga një ide, një ide horribël, e përgjakshme”…

Kështu ndjehesha dhe unë, në një përgjumje sy hapur, në ëndërrim kur dhe utopia mbetej një shpresë. Lutesha që nata të ecte më ngadalë, por nata nuk më dëgjonte, përçudi doja të ndalja agimin.

Nesër fundi, jeta do të këputej në 30 vjet,nesër nën tokë, sikur tani jam mbi tokë. Eshtë e çuditshme, si njeriu i kufizuar në natyrën dhe mundësitë e tij, mbetet në ëndrra dhe dëshira të pafundme.

Përreth errësirë, ndriçonte zbehtë llamba e karbitit dhe hëna nga ditarja hynte vjedhurazi në qeli, e vetmja mike që më shoqëronte.Ndërsa unë endesha rishtazi mes faqeve poetike të Lamartinit, si në reagim. U dëgjuan hapa trokitëse të çizmes gjermane, ku sëbashku me hijen e gardianit, ishin komandanti dhe Antonio. Gardiani me çelsat e rënda hapi derën e qelisë, por mbylli dritën e shpresës!

Me një lëvizje të dorës komandanti e largoi gardianin, mënjanoi dhe Antonion. Nëse do të më duhesh për përkthim, do të sinjalizojë, por nuk besoj, i pëshpëriti. Ai mbështeti dorën mbi kangjela, largoi mushamanë anash dhe në gjoks u dukën medaljet, kryqi i hekurtë dhe svastika. Mësues, më tha, i shkruajte fjalët e fundit për nënën. Jo, mohova me kokë, nuk më dilnin fjalët. Ai fiksoi monoklin nën vetull dhe vazhdoi: “Ne, i respektojmë mësuesit. Të kam vënë re, mbi libra çdo çast, të rekomandoj të lexosh Karl May-in.Ti je i krishterë më pyeti, unë pohova me kokë. Më bënë çudi, këtu dominojnë muslimanët dhe mentaliteti otoman, mesa duket dhe luftërat e heroit tuaj Gj.Kastriotit ndaj turqeve, nuk i ndryshuan ato. Duhet ti referohesh psikoanalizës së Adlerit për interpretim, por mos më përmend S.Frojdin, e “racës nën njerëzore hebraike”. Unë me gjysëm buzëqeshje e pyeta, me gjermanishten time modeste: Po Erik Jan Hanussen, mediumi juaj i adhuruar, nuk ishte hebre. Ai lëvizi kokën me nervozizëm, me shikimin e ftohtë, në atë fytyrë të mprehtë demonike dhe u përgjegj alegorikisht: “Ka shume enigma dhe mistere në jetë, ti e njeh mirë si matematikan, misterin matematik të enigmës së Arkimedit” e sa të tjera… Sidoqoftë cila është dëshira jote e fundit.

  Pasi kapërxeva ato fjalë të dhimbshme, lirova pak shallin e nënës nga fyti, që më mbështillte me aromën e dashurisë së saj, shqiptova: Mund të më sillni një violinë, që të luaj me të, “Dritën e hënës” të Bethovenit. Violinën bashkë me pedagogjinë e Hebertit tuaj, i mësova në shkollën Normale, ku u diplomova. Nëse do të më thoshnit se do të luanit Vagnerin, nuk do të nguroja tju sillja një piano me bisht Bechstein, kërceu ai.Vërtet Bethoveni është “titan i gjenialitetit”, por preferenca jonë mbetet “figura profetike” e Vagnerit ! Gjiganti i filozofisë, Aristoteli na sugjeron “Asnjë dëshirë njerëzore nuk është e keqe, nëse kontrollohet nga arsyeja, e në dakortësi me parimet etike”, reagova me mëri e mbase, me guxim të tepëruar. Mandej vazhdova: Ne mbartim mbi shpinë kryqin e vuajtjeve e të mundimeve të Jezuit, pasi çdo epokë lind Judën dhe Pond Pilatin e vet, po të mos ishte një Judë, unë nuk do të isha këtu…

Ai goditi çizmen me kamzhikun, që mbante në dorën e djathtë dhe duke u zvaritur si një hije e gremisur, mërmëriti i xhindosur: “Ti e more kalanë nga brënda. Tashmë e kam të qartë, që ky vend nuk ishte thjesht një hapësirë gjeografike, apo vend për Urlaubszeit (pushime)”!… Ishte një thurrshthurr mes nesh, ne të dy dhe nata në mes, unë me vdekjen mbi kokë, ai me vdekjen në shpirt.

…Agimi i asaj dite ishte i errët si një natë, i ftohtë në akullsi, megjithëse ishte fillim pranvere. Shpejt na nxorrën me forcë  nga birucat me duar të lidhura, njëri pas tjetrit dhe na rreshtuan përballë togës gjermane të ekzekutimit. Nga ana jonë dëgjoheshin, pjesëza lutjesh, fjalë lamtumire, lot dhe dhimbje, brengë dhe heshtje, etyde të testamentit shpirtëror. Pak më larg qëndronin komandanti i kampit dhe oficeri i ekzekutimit. Heshtjen e theu zëri i ashpër i Franz Zieres: Gati… Stop, ndërhyri shpejt komanadanti dhe mbas një pauze vazhdoi: “Mësuesit Lame Zeka, Stefan Skufi dhe studenti Daut Baboçi, të bëjnë një hap përpara, të dalin nga rreshti e të vendosen këtu në qoshe”. Ne mbetëm për një çast pa lëvizur, vështirë të çliroheshim nga ato emocione, ku vdekja e zymtë vibronte, si pjesë e secilit prej nesh.

Kur u dëgjua fjala makabre Zjarr, ne ulëm kokat, nuk mund të shikonim atë ikonë të shokëve tanë, plumbat që vranë shpresën e tyre, plagosën po ashtu dhe shpirtin tonë. Një ikonë e përgjakur, që më ngjante si ndërthurje fragmentesh të “Medea”-s së Euripidit, e cila tragjikisht vriste djemtë e saj, me mithin e Kronos, që kanibalisht hante, fëmijët e vet, në një atavizëm psikotik…

Ndërsa përballë bishat e krimit, me cingërrimin e korbave përreth, e shihnin aktin e vdekjes, si një spektakël.

Komandanti u afrua tek ne, duke na ngulur, shikimin e tij depërtues: “Ju mbijetuat dhe tani jeni të lirë, me vendim të komandës. Mund të largoheni”.

…Ne akoma nuk e besonim, ishim hutuar, dridheshim. Ishte dridhje e fshehtësisë të shpirtit të vrarë dhe e prangave të padukshme, ishte një përkëdhelje tinzare e vdekjes…

Ndërkaq morrëm torbat me teshat personale dhe dolëm nga kampi. Na kishte pushtuar një ndjenjë e pazakontë, ku dhimbja bashkëjetonte me gëzimin. Kur po largoheshim nga kampi, Dauti u shkëput për pak nga ne dhe shkoi tek teli me gjëmba, mori në ferrë sakon e fshehur me amforën antike, e përkëdheli dhe u kthye duke thënë, Shyqyr që nuk e harrova, më vjen të thërras na tha mes lotëve. O “Zot të faleminderit, veç shpirtrat e shokëve bekoji” klithi… Ajo jehonë klithëse, zë i një shpirti të trazuar, shprehje e dashurisë për jetën, me elegjinë për ata që ikën, e në pavdekësi mbetën… na kumboi në shpirt.

Pranvera kishte mbushur pemët me lule dhe qielli i ndritshëm, po i largonte retë. Unë mbeta në meditim, atë përvojë të hidhur, atë kujtim mizor, më duhej ta drejtoja në një harresë të motivuar, mbase diçka duhet ta ruaja, nga  urtësia e atij mësimi, që  rafinon  vlerat  njerëzore!

…Mes këtyre mendimeve mbritëm në qytet, unë shkova në bankë, takova vëllanë dhe falenderova z. Terrusi. Ai më premtoi se me largimin e tyre, do të më linte si dhuratë bibliotekën e tij personale, gëzimi im nuk kishte kufi. Në mbrëmje me kamionin tip “Fiat”, të Bektash Çipit, nxënësit dhe mikut tim, bashkë me Dautin, u nisëm për në Gjirokastër. Mua mu kujtuan fjalët e çmuara, të psikoanalistit hebre, të mbijetuar nga kampet Naziste, Victor Frankle: “Qysh nga Aushvici, mësuam se çfarë është i aftë të bëjë Njeriu”…

…Heshtja e tim eti mbas atij rrëfimi, shikimi i tij që akoma fliste, ai monolog i brendshëm, i ndërthurur me reflektime dhe impakt psikologjik, nga kujtimet e hidhura të atyre viteve, një e vërtetë si një dhimbje që pareshtur pulsonte, do të më mbeteshin, si mirazhi i një mësimi të paharruar!