Sadik Bejko: “Portat e kujtesës” së Vasil Mukës
Duke qenë në erën e teknologjisë komunikimet tani ia kemi lënë në dorë asaj; shkruajmë në ekranin e vogël të telefonit statuse, urime, përkujtime e gjithëfarë mesazhesh, që druaj se do t’i bënim ballë për ballë me njerëzit që ua dërgojmë me postën elektronike.
Ndonjëherë kjo lloj marrëdhënieje në largësi është e mbarë, e pëlqyeshme për një rreth më të gjerë. Ky rreth pastaj ndërvepron, shton diçka në mbresat a kujtimet, një tjetër mund të shpreh rezerva… Dikush mund vetëm të të miratojë. Dhe komunikimi vazhdon…
Ditë pas dite e muaj pas muaji bisedimi krejt i shlirët nga çdo interes tjetër, veç atij që “të flasim”, të themi, të bëhemi të gjallë… të ngjallim kohë e njerëz që nuk janë më, që nuk janë pranë nesh në kohën kur po flasin… nis e bëhet vërtet i rëndësishëm. Pa dashur ky lloj të shkruari del përtej qëllimit që le të flasim, të mbushim kohën a largësinë.Të flasim nga matanë kontinenteve e oqeaneve. Të “mblidhemi” dhe një herë në rrugët e shtëpitë, në punët e mjediset e qytetit tonë.
Ky komunikim në rrugë e sipër vetvetiu ka portretizuar njerëz, ka ndërtuar ngjarje që në këtë kohën tonë, kohë që rend e nuk e kthen kokën pas, mund të ishin vënë nën pluhur. Të ishin hedhur pas krahëve.
Ç’ta bësh këtë lëndë? T’ia lësh fb? Ta hedhësh në harresë atë që ringjalle e ringrite nga kujtesa? Atëherë mendon që këtë komunikim ta ruash, ta rimarrësh ashtu siç është e ta derdhësh një libër.
Këtë ka menduar dhe ka bërë Vasil Muka. Dhe ka bërë shumë.mirë.
Njerëzit e kohës sime, njerëzit e qytetit tim mund të ishte tabloja që realizohet me gdhendjen e fytyrave e të viteve në këtë libër. A ka interes dukush tjetër veç teje? Edhe sikur të mos kishte, do t’ia vlente. Po kush nuk do të donte që këta njerëz që i ke njohur, që ke jetuar me ta, që ke dhënë e ke marrë prej tyre, t’i “shihte” të vizatuar në një libër?
Veç familjarëve e miqve kjo ndërmarrje, ky libër i bën mirë kujtesës së një komuniteti, të një qyteti, të një mjedisi.
Mbase nuk i përfshin dot të gjithë ata që ke njohur. Sigurisht dhe po të doje, nuk i përfshin dot të gjithë. Rëndësi ka që ata që kanë qenë të afërt e të dashur për ty, më të shquarit, të zënë një vend në libër. Mbase nuk vizatohen të plotë në tiparet a në kompleksitetin e tyre, por ky nuk është një libër i kriterit shkencor, ky është shfletim i lirshëm kujtimesh mbi njerëz e ngjarje të së shkuarës. E shkuara është një hambar i madh. Ke kapur aq sa ke mundur. Ato, njerëz e ngjarje, vijnë të ndriçuara nga një kënd krejt personal, ato vijnë duke kaluar nëpër filtrin e mrekullimit, të gëzimit a të mirënjohjes që të ka dhënë prania e këtyre njerëzve në jetën tënde.
Vasil Muka kështu ka sjellë kohën, apo e ka ndalur kohën. I ka thënë asaj: ja cilët ishin njerëzit që të dhanë ty, kohë, koha ime, fytyrën e tyre, të bënë të bukur e të jetueshme në vështirësitë dhe pengesat e paevitueshme, që edhe këto janë, bëhen tonat, bëhen pjesë e jetës kur i kapërcejmë e mbijetojmë përtej tyre.
Vasil Muka me natyrën e tij prej njeriu që rreh nga e mira, që ka në zemër dashuri, që në gojë e në penën e tij ka fjalën e bukur dhe të ëmbël, indirekt ka portretizuar edhe veten e tij në këtë pejsazh plot jetë e plot njerëz.
Është një penë e njomë e ngjyer në burimin e gjallë të viteve që shkuar.