Shkëlqim Hajno: Në Libohovën e danezes Olga dhe pakëz më tej
Kisha kohë pa shkuar në Libohovë. Maji i luleve, është ndoshta më i bukuri në qytetin me atraksione historike e kulturore. Rrapi gjigand, monument i rrallë gjeonatyror me rrënjë te burimet e gjirit të Buretos, ka shtrirë tendën e blertë të ftesës.
Sigurisht, investimet e viteve të fundit i kanë shtuar vlerat e hapësirave urbane dhe atyre private me bare, klube e restoranteve.
1. NË KËRKIM TË NJË BUSTI TË MUNGUAR
Gjëja e dytë që mund të bëja në Libohovë ishte të shikoja bustin e një figure interesante. Më saktë, të një heroine, të injoruar për dekada e dekada të tëra.
Kisha mësuar nga vendasit dhe burime të tjera pikërisht, historinë e OLGA SCHWEITZER LIBOHOVA e kësaj gruaje daneze, bashkëshortja e shtetarit të njohur Myfit bej Libohova, Ajo, edhe mbas vdekjes së të shoqit, më 1927-n, nuk u largua për në Danimarkë, por vendosi të qëndrojë në atdheun e saj të dytë.
Të dhënat thonë më tej se në vitin 1944, në operacionin e qershorit, ajo u tregua trimëreshë, hyri midis njëqind burrave, që gjermanët donin t’i pushkatonin, te Rrapi i madh, në qendër të fshatit.
Ajo e kërcënoi oficerin, se, nëse ai do të vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të.! Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, Olga, duke folur gjermanisht, u shpëtuan nga vdekja e sigurt pikërisht 100 burrat shqiptarë nga Libohova…
Në sheshin e madh publik ishte në vendin e tij vetëm busti i Avi Rustemit, bir i Libohovës.
Prit! Mos u nxito, thashë dhe shkova te ndërtesa Monumentale në qendër të Libohovës.
Në një fasadë pranë trotuarit, pashë një skicë të realizuar mbi një cope mermeri. Fytyra e nje gruaje: Olga Schweitzer Libohova. Realizime të tilla sheh rëndom, gjithkund në varrezat publike të qyteteve dhe fshatrave tona, anekënd Shqipërisë. Në Libohovë përdoret ende shprehja popullore “sa për të larë gojën”!
Në krahë të pllakës, për hir të së vërtetës nuk mungonte edhe një pllakëz ku shkruhej një fjali për aktin e heroinës daneze. Sigurisht nuk ishin harruar autorët. Viti 2024, Shoqata Daneze-Shqiptare”.
Kjo, është mirënjohja e ne, shqiptarëve për Olgën e Libohovës?!
Sa TURP!
Sepse frika traumatike kolektive shqiptare megjithëse kane kaluar mbi 35 vite nga diktatura, vazhdoka!. Ndoshta, jo në trajtën popullore që përdoret në Libohovë “si lepuri në bark!” por në trajta të reja moderne me “lepuj të tjerë të kohëve moderne”, poshtë kostumeve firmato të të zgjedhurve që u japim votën për të qeverisur e ruajtur edhe vlerat kulturore e historike, edhe kujtesën tonë kombëtare.Jo, se jane më të mençur (nga ç’u duket).
Por kësaj figure, Olgës, pas Luftës së Dytë Botërore, i mbetemi të gjithë borxhlinj sot: Ata të 100-tët që shpëtuan nga plumbi, po edhe bijtë e bijat e tyre, edhe nipërit. Edhe ne që nuk kishim asgjë.!
Përse po?
Ndërsa shteti komunist shqiptar, më 1945-n, i grabiti të gjithë pasurinë, përfshirë këtu edhe 2500 libra të bibliotekës së Myfit Libohovës, të cilët u dogjën në mes të fshatit, që ajo i kishte shpëtuar njëqind jetë njerëzish.
Shpërblimi i veprës së saj unikale e trimërore, kërkonte pakëz dinjitet dhe burrëri se, ne shqipot, nuk i kemi, patur të huaja këto cilësi!
Mirëpo në kohën e “njeriut të ri me kubik”, Danezen fisnike e detyruan të jetojë në mjerim. E detyruan.Të punonte nxirrte kucka në skërkat përreth Libohovës. Më pas e internuan në vende të ndryshme, i burgosën djalin e vetëm që u kthye nga Italia për t’i shërbyer vendit të tij. Dhe e mjera jonë, e mira, Olga vdiq e dëshpëruar në fshatin Tresh të Lezhës më 1963-in. E hidhur të mësosh se Olga Schweizer Libohova, ishte e arsimuar në art dhe muzikë.Dhe nuk iu gjet dot të mjerës një pune qoftë në një zyre koopertive,,, Ajo ishte rritur në Paris dhe kishte ndjekur studime për piano në Stamboll (Konstandinopojë), ku edhe njohu Myfit bej Libohovën. gjë që e mundësoi të ndërhynte tek oficerët gjermanë në qershor 1944 dhe të shpëtonte rreth 100 burra të Libohovës nga pushkatimi (siç vëren edhe Memorie.al). Si gazetar dhe shkrimtar, besoj se sot, bijtë e Libohovës dhe të zgjedhurit saj, do ta venë në vendin që i takon nderin dhe dinjitetin e tyre. Vlerësimin e një memorie historike me nje vepër arti dinjitoze me portretin/bust të Olgë Libohovës , gruas së bukur, princeshës që i deshi aq shumë që kur këmba e saj, aso motesh, kur burrat ishin vërtet burra; shkeli me këmbë frikën e vdekjes poshtë hijes së Rrapit gjigand që ështe një kujtesë historike edhe njerëzore.
2. A.D.N. E MEMORIES KOLEKTIVE KOMBËTARE, DICKA KA PËSUAR
Kur nisa idenë e këtij Shënimi mendova vetëm: “Olga e Libohovës” ose “Në kërkim të një busti të mungur” për një heroine daneze që shpëtoi njëqind burra libohovitë, duke rrezikuar jetën e saj.
Por nuk mjafton, e përtypa mendimin. Kur prekim fakte që na mbushin sytë me lotë edhe kur njeriu është në moshë pensioni, si i bëhet të MOS i anashkalosh?
Tashmë dihet historia dhe episodi i doktorit të shquar, Jani Basho, i cili mbaroi shkëlqyer studimet në Austri dhe ishte caktuar me punë po në vendin e studimeve nga autoritetet e kohës. Por një takim rastësor me mbretin Zog kishte një ftesë nga Mbreti: “Ktheu në Shqipëri!”.
Basho, pjesë e inteligjencës së argjentë të viteve ‘20-‘30 në Shqipëri., i vendosi “një kusht”: Unë kthehem nëse ju do të ngrini një spital shtetëror në Tiranë. Dhe Monarku e mbajti fjalën. Të tjerat dihen. Basho shërbeu me përkushtim e ithtarit të vendi të tij të varfër deri në fund të jetës. Punoi edhe si mjek i Mbretit dhe këtë e pagoi shtrenjtë tërë jetën, sa përfundoi në mjerim .
Sot, as në Tiranë e as kurrkund nuk ka një gjurmë të memories së kthyer ne art, për një figurë të tillë si Doktor Basho, një nga organizatorët kryesorë të sistemit modern mjekësor; themeluesin e shërbimit mjekësor ushtarak shqiptar dhe drejtor i parë i spitalit ushtarak në vitet 1928–1935. Njeriu me studimet në Vjenë,që mori pjesë në ngritjen e spitaleve moderne në Tiranë dhe konsiderohet nga studjues të fushës si një nga themeluesit e obstetrikës dhe gjinekologjisë moderne shqiptare, përtej faktit që punoi për hapjen e shkollës së mamive dhe për krijimin e Institutit të Lartë Mjekësor në Tiranë.
Njeriu modest Basho që ndërhyri për pajisjen me në pasaportë shqiptare në arrati nga kolera e ortekut nazist, për hebreun më të famshëm në botë, te njohurin e tij në Vijenë, Albert Ajnshtajn (Albert Eistein).
**
Ishte një njeri që e ktheu pasurinë e tij në dobi të së mirës publike në Korçë me origjinë nga Vithkuqi. Filantropi Thoma Turtulli dhe familja tregtare “Vëllazëria Turtulli”. Këto vepra janë në këmbë edhe sot.
Biblioteka e Korçës, spitali, shkolla e mesme (Liceun), Jetimorja dhe Kinemaja “Majestic”,) etj. E vërtetë: Thoma Turtulli e përdori pasurinë për të ndërtuar institucione që e kthyen Korçën në model qytetarie evropiane. Themeloi kinemanë “Majestic” më 1927, një nga të parat në Shqipëri dhe i dhuroi qytetit bibliotekën publike të inauguruar në vitin 1930 me rreth 30 000 libra .etj,.
Por me ndërrimin e regjimit, familja Turtulli u persekutua dhe varri monumental i filantropit, u shkatërrua; eshtrat e tij mbeten të humbura.
Megjithatë, emri i tij ruhet sot, në Bibliotekën e Fëmijëve të Korçës dhe në bustet që ai ndan me bashkëshorten në hollin e saj. Figura e Thoma Turtullit nderohet sot si simbol i qytetarisë korçare dhe e frymës së bujarisë që tejkaloi vërtet kohën .
E megjithatë, kjo familje sot nuk ka varr. Pushteti që zbriti nga malet i shkatërroi në mënyrë barbare varrin monumental të familjes së shquar dhe eshtrat e filantropit të madh nuk dihet ende ku përfunduan!
Të gjesh sot një bust të denjë për njeriun e madh korçar, në hapësirat e bukura pubike të Korçës sonë, është e pamundur…!
Por të realizohet një i tillë, do të ishte veç të tjerash një kurim i memories së traumatizuar kolektive dhe një ilaç për vetë ndërgjegjen e qytetarëve korçaë.
**
Vëllezërit EVANGJEL dhe KONSTANDIN ZHAPA ishin ndër filantropët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XIX. Ata vinin nga Labova e Madhe e krahinës së Lunxhërisë, pranë Gjirokastrës, dhe pasurinë e krijuar në Rumani e përdorën gjerësisht për arsimin, kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.
Veprimtaria filantropike e Zhapave është shumë planëshe. Financuan hapjen e shkollave në jug të Shqipërisë, ndihmuan botimin e librave dhe teksteve shkollore, jepnin bursa për të rinjtë shqiptarë që të studionin jashtë, mbështetën përhapjen e arsimit në gjuhën greke dhe shqipe, sipas frymës arsimdashëse të kohës.
Nuk e harruan edhe vendlindjen, Labovën e Madhe: ndërtuan rrugë, ujësjellës dhe ndërtesa publike; ndihmuan kishat dhe institucionet fetare; dhanë fonde për njerëzit e varfër dhe jetimët.
Më i njohuri ndër vëllezërit ishte Evangjel ZHAPA, i cili: financoi ringjalljen e Lojërave Olimpike moderne në Athinë para Olimpiadës së vitit 1896; sponsorizoi “Olimpiadat Zhapiane” në vitet 1859, 1870 dhe 1875 në Athinë.
Për këtë arsye ai konsiderohet edhe një nga pararendësit e Rilindjes Olimpike moderne, përpara baronit Pierre de Coubertin.
Atje ku dijnë si ruhet trashëgimja veprat e filantropëve unikalë shqiptarë; sot janë ende në këmbë dhe i sheh me admirim në funksion plotë në kryeqytetin helen Athinë, tok bustet e tyre që admirohen nga të gjithë.
…A.D.N. e memories kolektive kombëtare, ka pësuar medoemos diçka të keqe. Një krisje e tjetërllojshme, apo amnezi prej një aureje toksike këmbëngulëse dhe dhunës permanente me eksperimente në kudhrën metalike mbi karakterin historik të njeriut shqiptar, deri, në deformim dhe, mosozot shpërbërje, nga mungesa e empatisë për vlerat kombëtare dhe një megallomanie mjerane butaforike kur flitet për retorikë politike e patriotike.
https://www.gazetatema.net/dossier/ne-libohoven-e-danezes-olga-dhe-pakez-me-tej-i562556