Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: “SHTEGU I ËNDRRAVE” QË HAP POEZIA E ANA KORÇËS

Ana Korça, një emër tashmë i njohur i letrave shqipe, vjen sërish me poezinë e saj për të hapur një shteg në zemrat e lexuesve. Ajo e quan përmbledhjen e saj poetike “Shtegu i ëndrrave” dhe me të drejtë çdo poezi, çdo varg, çdo shkronjë është si një shteg që të çon përtej reales, në botën e magjive, në moshën e fëmijërisë, në stinët e dashurive të mëdha, në dridhjet e befta të shpirtit që përballet me vdekjen dhe përjetësinë.
E kam ndjekur poezinë e Anës që herët dhe përkushtimi i saj ndër vite është i jashtëzakonshëm. Një grua që gjen kohën të jetë nënë, së fundmi edhe gjyshe, por që s’ndalet së shkruari poezitë e saj, shumë aktive në rrjetet sociale, jo vetëm me krijimtarinë e saj, por edhe si lexuese e rregullt e poezisë së miqve. Një poete tashmë me mjaft libra, me një eksperiencë të pasur, me një mënyrë të shkruari jo vetëm të rafinuar e moderne, por edhe shumë të pasur në detaje intime e gjendje të ndjera emocionale.
Ana Korça është një punëtore e zellshme e fjalës; ajo e end atë me kujdes, ashtu si artistja që thur qilimin në tezgjah. Fjala e saj është e saktë dhe e përmbledhur, tingulli i ëmbël dhe shija që ndjen është si e atij frutit të ëmbël. Poezia e Anës është si një verë e nxehtë, ku trupi dehet nga ngjyrat dhe rrezet diellore. Poezia e saj ka shijen e luleshtrydhes, ka vitalitet, ka gjithçka i duhet një krijimi për të qenë i vlerësuar.
Shpesh ne lexojmë libra, përpiqemi të hyjmë në botën e tyre, por jo të gjithë i ndiejmë njëlloj. Ka libra që vetëm i lexon, por ka edhe libra që të hyjnë në shpirt dhe bëjnë fole brenda teje. Kështu do të thoja, për shembull, për poezitë e Dritëroit apo të Frederik Rreshpes, të Petrit Rukës apo Agim Bajramit, dhe këta libra të shoqërojnë gjer në fund, gjer kur mbyllet sipari i jetës tënde. Por ka dhe libra me të cilët nuk krijon dot një ndërlidhje: i hap, përpiqesh t’i lexosh, por të duken të lodhshëm dhe i mbyll prapë. Është një sfidë e vërtetë; do doje t’i çoje gjer në fund, por nuk mundesh. Nuk e kupton dot përse ndodh kjo; mbase librat janë si dashuritë me njerëzit: disa i do, e disa të tjerë jo.
E tani, libri i Anës vjen tek unë si një frymë e qetë dhe e ngrohtë, më mbështjell me magji, më kthehet në një kujtim që nuk kërkon të largohet. “Shtegu i ëndrrave” është një prej atyre udhëtimeve të brendshme shpirtërore që unë as nuk mundem dot ta mas me faqe, por përpiqem të lë aty gjithë ndjesitë e mia. Në shpirtin tim, gjithë këto poezi të përfshira në libër nuk flasin me zë të lartë, nuk ulërijnë as trumbetojnë, por më hyjnë ndër deje pa bërë zhurmë, krejt në heshtje, dhe unë, si një fëmijë i mahnitur, ngurroj të flas e të prish këtë heshtje nga frika se mos prishet gjithë kjo qetësi përrallore. Që në vargjet e para, na hapet një botë e brishtë dhe e përmbajtur:
“Po të mundja të heshtja,
do të mbetesha në lëkurën e fjalëve,
në rrudhat e një përqafimi që s’u dha…
në atë çast ku shpirti ngurron të flasë,
nga frika mos prishet qetësia e ndjenjës”.
(Poezia “Mungesa ka aromë”).

Këto vargje shprehin një ndjenjë të brishtë që kërkon të mbetet e paprekur nga fjala. Heshtja paraqitet si një mënyrë për ta ruajtur thellësinë e emocionit, ndërsa fjala shihet si rrezik që mund ta zbehë ose prishë atë. Imazhet poetike, si “lëkura e fjalëve” dhe “përqafimi që s’u dha”, tregojnë për ndjenja të pathëna dhe mungesa që lënë gjurmë të thella.
Në thelb, poezia flet për atë çast delikat kur shpirti zgjedh të mos flasë, nga frika se mos humbet bukuria e ndjenjës.
Gjatë shfletimit të librit do të ndeshni mjaft poezi që do t’ju tërheqin vëmendjen. Njëra prej tyre është edhe poezia “Në shtëpinë e kohës”. Ja disa nga vargjet e saj:
“Në dritare, një rreze hyn me drojë,
si një letër e harruar që s’ka
mbërritur.
Rrallëherë e prek kornizën e
kujtimeve,
se pluhuri aty është më i sinqertë
se shumë fytyra që kam takuar”.

Sa bukuri dhe ndjenjë në këto vargje!
Ato na përçojnë një melankoli të heshtur, ku drita hyn si një kujtim i vonuar dhe i ndrojtur. Rrezja bëhet simbol i një komunikimi të humbur, ndërsa “pluhuri” në kornizën e kujtimeve fiton një të vërtetë më të pastër se vetë njerëzit. Në thelb, unë e kuptoj si një poezi për mungesën, zhgënjimin dhe një vetmi që gjen më shumë sinqeritet te heshtja sesa te fytyrat. Të shkojmë tek poezi të tjera të librit:
“Mbi tavolinë,
mbi faqen e bardhë,
dy kujtime rrinë faqe më faqe,
dhe nga druri i vjetër i orës
shkasin çastet ngadalë,
si lot që s’gjejnë vend të bien”.
(Poezia “Fryma e fjalës sime”).

Një qetësi e rënduar nga koha: kujtimet përballen në heshtje, ndërsa çastet rrëshqasin si lot të përmbajtur. Gjithçka mbetet pezull mes asaj që u jetua dhe asaj që s’u tha. Kjo është poezi, me pak fjalë që thonë shumë. Imazhet që përshkojnë librin janë të buta, por të qëndrueshme. Ato nuk imponohen, por qëndrojnë si gjurmë në kujtesë. Një rreze drite që hyn me drojë në një dritare, “si një letër e harruar që s’ka mbërritur”, bëhet simbol i komunikimeve të humbura, i fjalëve që nuk gjetën kohën apo guximin për t’u thënë. Dhe aty, në kornizën e kujtimeve, pluhuri fiton një të vërtetë më të sinqertë se vetë fytyrat, një pohim i heshtur mbi zhgënjimin, por edhe mbi kthjelltësinë që vjen pas tij. Në këtë univers poetik, koha nuk rrjedh me ngut. Ajo peshon. Ajo dëgjohet. Ndalem për pak tek poezia “Rrugë e gjatë deri tek prindërit”:
“Ne, të larguarit,
i ngjajmë barit që rritet në çarje
betoni,
as rrënjë të thella, as frymë të plotë”.

Kjo poezi është një metaforë e fortë e mërgimit: ekzistencë që mbijeton, por s’rrënjoset kurrë. Si bari në beton, jeta vazhdon me këmbëngulje, por pa thellësi e pa ajrin e plotë të përkatësisë.
Nga poezia “Ç’të bëj me veten time”? ndalemi tek vargjet:
“Kam mbajtur shumë
pa e lënë të bjerë.
Kam buzëqeshur
kur duhej të pushoja.
Tani ia heq këpucët shpirtit
dhe e lë të ulet”.

Këto vargje shprehin një lodhje të thellë emocionale dhe një akt çlirimi të brendshëm. Fillimisht ndihet forca për të mbajtur gjithçka në këmbë dhe për të fshehur lodhjen pas një buzëqeshjeje, por në fund vjen dorëzimi i butë, një lehtësim kur shpirti lejohet më në fund të pushojë. Është një poezi intime për durimin dhe nevojën për t’u çliruar. Dhe në fund mbyllet me vargjet:
“Nëse nesër vjen dhimbja,
do ta pres.
Do t’i hap derën,
do t’i jap një karrige,
por nuk do ta lë
të flejë në shtratin tim.
Sepse tani po mësoj
ta mbaj veten
jo si barrë,
por si shtëpi”.

Siç e shohim, vargjet krijojnë një figurë të fortë të kufijve të brendshëm: dhimbja pranohet si mysafire, por nuk lejohet të marrë strehë të përhershme. Ka një pjekuri të qetë në këtë qëndrim, një vetëdashuri që nuk është më barrë, por hapësirë që mban dhe shëron. Një poezi e butë force dhe dinjiteti. Duke hyrë gjithnjë e më tepër në thellësi të librit lexojmë:
“Malli nuk erdhi si stuhi,
erdhi si kripë në gjak,
e tretur, e qetë,
por e pamundur për t’u ndarë
nga unë.
Dhe kuptova:
ndarja nuk është humbje,
është një zbrazëti që merr formën
e atij që iku
dhe mëson të rrahë
brenda teje
me një ritëm tjetër”.

(Poezia “Largimi”).
Pra, siç e shikojmë, malli në këtë poezi nuk bërtet, por rrjedh si një det i heshtur brenda vetes. Është ai boshllëk që nuk kërkon të mbushet, por të mësohet të dëgjohet. Dhe në atë ritëm të ri, zemra nuk shërohet, ajo thjesht mëson të jetojë ndryshe. Na bëjnë për vete edhe këto vargje:
“Çdo vit që largohet
është një gur i hedhur në pus.
Zëri i tij bie gjatë,
derisa uji e përpin pa gjurmë.
E megjithatë,
në fund të kësaj dite pa muzikë,
në këtë lundrim pa port,
një fije drite qëndron
si një varg i pathënë”.

(Poezia “Ditëlindje në brigje të largëta”).
Koha nuk zhduket, ajo thellohet brenda nesh si jehonë e butë. Edhe kur gjithçka duket e humbur në heshtje, ajo fije drite mbetet, si një premtim i vogël që refuzon të shuhet. “Shtegu i ëndrrave” i autores së njohur Ana Korça është pikërisht një udhëtim brenda shpirtit: një ecje e qetë mes heshtjes dhe fjalës, mes mungesës dhe pranimit, mes dhimbjes dhe një forme të re paqeje. Për mua është një libër që nuk kërkon përgjigje të menjëhershme, por hap hapësira për të ndjerë, për të kujtuar dhe për të pranuar. Shpresoj që edhe lexuesi që do ta mbajë ndër duar ta mendojë kështu.
Në këtë shteg, lexuesi nuk do të jetë thjesht dëshmitar; ai do të bëhet bashkëudhëtar i denjë. Dhe ndoshta, në fund, do të kuptojë se disa ndjenja nuk janë për t’u zgjidhur, por për t’u mbajtur me kujdes, si një dritë e vogël që vazhdon të qëndrojë, edhe në errësirë.
Ana Korça, poetja e palodhur që me fjalën e saj shpreh gjithë universin njerëzor, meriton vëmendje.

Savona 5. 4. 2026.