Albspirit

Media/News/Publishing

Hiqmete Daja: Tradhëtia

Ai dimër sikur po zgjaste shume këtë vit. Megjithëse ishte fundi i shkurtit nuk dukej asnjë shenjë e pranverës.
Ca shira inatçorë shoqëruar herë-herë me breshër kokërrmadh, godisnin pamëshirshëm jo vetëm mbi çati e taraca, por edhe mbi lulet që sapo kishin filluar të nxirrnin ndonjë syth duke e shkatërruar në çast. Nuk di seps më dukej sikur pranvera këtë vit kishte frikë të vinte. E po kështu i trazuar ishte edhe shpirti im. Kishte vite që nuk gjeja qetësi. Jeta ime ishte rrokullisur keq dhe nuk di a do të dilte gjëkundi ndonjë pengesë që kjo rrokullimë të ndalej.
Kisha mbaruar fakultetin e drejtësisë, por ende nuk dukej ndonjë punë e mirëfilltë për mua. Kisha një tavolinë pune në një zyrë avokatie, ku i paguaja pronarit për një tavolinë pesëmbëdhjetë mijë lekë të rinj, kur qëllonte as t’i nxirrja ato lekë nga puna e munguar, sepse megjithëse kisha mbaruar studimet shkëlqyeshëm, nuk kisha mësuar si të luaja xhonglerin e të jepja ryshfete, të shisja klientin, të mashtroja e lloj-lloj pelivanllëqesh, që dinin të bënin avokatët pasanikë.
Ulur pranë kompjuterit, po luaja një lojë për të kaluar kohën në pritje të ndonjë klienti. Isha vetëm në zyrë, sepse kolegët ishin në gjykatë. Befas dëgjova një zë femre të ndrojtur që pyeti:

– Këtu punojnë avokatët?

– Po, – iu përgjigja unë, kë kërkoni?

– Njërin, a jeni edhe ju avokat?

– Avokat jam, civilist.

– Atëherë mund t’ju drejtohem juve?

– Si e ke hallin? – pyeta unë i interesuar për këtë punë të mundshme.

– Dua të divorcohem nga bashkëshorti, – tha ajo me sytë përdhe.

– Eja, ulu të bisedojmë, – e ftova unë në njërën nga dy karriget që ishin pranë tavolinës sime.
Ajo u ul si e trembur dhe m’i nguli sytë sikur donte të hetonte sa vleja unë si avokat dhe a do ta zgjidhja hallin e saj.

– Keni fëmijë? – e pyeta.

– Po kam dy fëmijë, vajzën 3 vjeç, kurse djalin tre muajsh.

– Po pse do ta prishni familjen?

– Familjen?! – pyeti ajo, sikur e dëgjonte këtë fjalë për herë të parë.
Kaq e madhe ishte habia e saj saqë edhe unë dyshova në ekzistonte kjo fjalë, apo ishte imagjinata ime. E përmblodha veten dhe pyeta:

– Po përse doni të divorcoheni? Më duhen argumente bindëse për të bërë padinë.

– Nuk e dua ose më saktë e neveris, – tha ajo pa i lëvizur asnjë muskul.

– Po ai? – e pyeta.

– Nuk e di, – u përgjigj ajo pa e ngritur kokën.

– Ke pretendime për fëmijët?

– Fëmijët do t’i rris vetë dhe ai nuk do t’i shohë më sa të jetë gjallë.

– Besoj e di që fëmija tre vjeçar do të takohet me psikologen dhe do t’i nënshtrohet testimit se me kë mund të jetojë.

– Më fal, po përse po marr avokat unë që t’i zgjidhë këto probleme? Fëmijët e mi janë të vegjël dhe kanë nevojë për përkujdesjen e nënës së tyre.

– Të shpresojmë që me kaq pak informacion që ju po më jepni t’ia dal. Më duhet një prokurë që do ta bëjmë tashti te noteri dhe nesër në këtë orë do të vini të nënshkruani padinë.
U ngritëm të dy dhe dolëm nga zyra për tek Anita, noterja me të cilën punoja unë. Po kështu të heshtur, pasi mora prokurën, u ndanë duke i dhënë dorën njëri-tjetrit dhe duke u përshëndetur me një mirupafshim!
Klejdi kishte menduar të kthehej në studio dhe të përgatiste padinë, por befas iu kthye mendja dhe mori rrugën për në shtëpi. Kishte ditë që e ëma ishte e sëmurë dhe ai duhej t’i rrinte sa më shumë pranë. Zemra i rrihte si një motor i prishur dhe Klejdi ishte fëmija i vetëm i saj. Të shoqin, babanë e Klejdit, kishte dy vite që e kishte humbur.
Mbas largimit të babait Klejdi kishte vënë re se e ëma kishte rënë shumë si nga shëndeti, ashtu edhe moralisht. Natyrisht që ishte i shqetësuar dhe ku nuk i shkonte mendja. Sikur të humbiste edhe të ëmën?! Zemra fillonte të punonte si e çmendur dhe të rrihte me vrull, a thua se do të çahej më dysh. Hapi derën dhe shkoi pa hequr këpucët drejt në odën e nënës. Ajo po dremiste dhe Klejdi doli heshturazi dhe si u zhvesh shkoi në kuzhinë për t’i përgatitur diçka për të ngrënë. Së pari një supë me lëngun e mishit që e kishte zier një ditë më parë e më pas edhe diçka për vete.
E ëma hapi sytë e përgjumur dhe vuri buzën në gaz:

– Erdhe bir, më duket sikur je kthyer herët? – e pyeti ajo duke e hetuar në sy, se mos i kishte ndodhur ndonjë gjë në punë të birit. Ajo e dinte se ai bënte çmos që së paku të nxirrte ndonjë pagë në studion ku punonte, se as që bëhej fjalë që, me zotësinë e tij, të gjente ndonjë vend më të mirë pune.

– Po nënë mbarova punë në zyrë, do të punoj në shtëpi për një padi divorci dhe do të rri pranë teje. Ta kam vënë supën që ti do ta hash tashti, e kam prerë me vezë e limon sikurse ia bëje ti babit.
Ajo buzëqeshi lehtë dhe ngriti kokën nga tavani i dhomës sikur të shihte qiellin e të falënderonte Zotin për këtë djalë që i kishte falë, pa vese e plot dashuri.
Sakaq supa ishte gati. Ai e ngriti të ëmën ndenjur dhe ajo hëngri ngadalë pak supër, po ashtu edhe ai hëngri supën që mbeti në tenxhere dhe pak djathë. Si mbaroi së ngrëni lau ato dy pjata dhe tenxheren e supës dhe mori laptopin për të shkruar padinë, ndonëse klientja e tij ishte kaq e rezervuar dhe e dhëna e vetme ishte që ajo nuk e donte dhe fëmijët e saj do t’i rriste vetë.
“Ej dreq o punë! E si u bëka kjo padi kështu pa pasur asnjë fakt, por vetëm urrejtjen e klientes”? – pyeti veten duke shkruar skeletin siç mund të thuhet për një padi divorci dhe duke hamendësuar shkaqet që duhej të rendiste si argumente pse kjo martesë nuk mund të vazhdonte. U përpoq me mendjen e vet të përfytyronte të dy fëmijët e klientes së tij dhe mendja i shkoi në çast se kujt do t’i ngjanin asaj apo atij. Ai nuk e njihte dhe nuk e kishte parë asnjëherë bashkëshortin e saj. Befas diçka sikur lëshoi një shkëndijë në trurin e tij. Ishte mbiemër shumë i njohur ky i bashkëshortit. Vuri trurin në punë dhe sikur u përmend më duket se këtë mbiemër kishte një profesor i gjimnazit.
Dredha, po, po kështu e kishte emrin profesor Viktor Dredha, që na jepte histori. Ishte i sapodalë nga bangat e universitetit dhe e kishin emëruar profesor në shkollën e tij, i kujtohej fare mirë. Ishte i pashëm me flokë të dendur gështenjë vishej me gusto dhe gocat e klasës së tij thonin midis njëra-tjetrës që ishte king. Të ketë ndonjë lidhje thua ky person me klienten e tij? Nuk e besoj, diferenca në moshë sikur nuk shkonte. Ajo nuk ishte më shumë se njëzet e tre vjeç, kurse ai ishte tani te tridhjet e pesat. I mbylli letrat dhe vendosi të nesërmen, kur ajo të vinte në studio, do ta ftonte për një kafe dhe do të mësonte në ishte profesori i tij, apo ndonjë familjar i tij, apo ishte thjesht një rastësi dhe i duhej patjetër të merrte prej saj arsyen e divorcit. Ajo ditë u mbyll me studim ligjesh dhe leximin e një autori që e pëlqente shumë. Nuk ishte fort i dëgjuar ose më mirë të thuash nuk i kishin bërë reklamë, por ai e pëlqente dhe ndiqte me kujdes krijimet e reja, të cilat i blinte dhe i lexonte me një frymë.
Iu kujtua Etleva, shoqja e tij e gjimnazit, pa e zgjatur i ra telefonit të saj.
Etleva ishte mjeke dhe kishte rojën e natës. Po dremiste kur ra telefoni. Kërceu përpjetë se mos ishte ndonjë urgjencë, por erdhi në vete, kur dëgjoi zërin e Klejdit:

– Ka ndonjë problem me mamanë, sille se jam rojë, – i tha ajo duke ditur që këto ditë nëna e Klejdit ishte e sëmurë.

– Jo, jo, duket më mirë, por desha të të pyes për profesor Viktorin e historisë.

– Çfarë ka, mos ka vdekur? – pyeti Etleva si e hutuar.

– Futja kot, ku di unë, që në gjimnaz nuk di gjë për të, por më erdhi një kliente me mbiemrin Dredha dhe thashë mos kanë ndonjë lidhje, ndaj të pyeta.

– Kam dëgjuar që u martua pas ca vitesh me një vajzë që sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe shumë e bukur. Sikur kanë edhe dy fëmijë. Nuk di asgjë tjetër. Sonte jam në punë, po nesër mund të pyes një pacienten time që kanë punuar në gjimnaz bashkë, kanë qenë kolegë. Mbase na jep ndonjë informacion te saktë. Po klientja jote nuk të tha ty me kë ishte martuar e pse po ndahej? – e pyeti Etleva e habitur.

– Hiç, asnjë informacion dhe, kur i thashë që duhen biseduar e vendosur disa gjëra, ma ktheu gjithë inat, prandaj kam marrë avokat që t’i zgjidhë dhe iku pa firmosur prokurën. Nesër besoj do të marr ndonjë informacion, por atë profesor Viktorin, nuk di pse nuk e honepsja, me dukej si skuth, sikur gjithnjë fshihte diçka, – i foli ai mendueshëm.

– Nejse, po të lë që të pushosh pak dhe mbase dëgjohemi nesër po zbulove gjë. Klientjha ime quhej Vesa.

– Natën e mirë, – e përshëndeti Etleva, ndërsa Klejdi ra në mendime. “Si koklavitej jeta” – mendoi.
Të nesërmen Vesa hyri në studio dhe po e kërkonte me sy. Ndërsa një ditë më parë ajo kishte gjetur vetëm Klejdin, sot studio ishte me gjashtë persona dhe asaj i duhej të gjente avokatin që kishte biseduar një ditë më parë. Klejdi u ngrit në këmbë dhe e ftoi në tavolinën e tij të punës, ku ishin edhe dy karrige. Ajo me hapa të nxituar pasi përshëndeti me një tundje të kokës, shkoi drejt tij.

– Mirëmëngjes, – foli ajo.

– Mirëmëngjes, – iu përgjigj ai. – A dëshiron të pimë një kafe te kjo kafeneja këtu afër, bisedojmë më të qetë.
Ajo tundi kokën në shenjë pohimi dhe Klejdi me dosjen në dorë i priu drejt derës së studios për të shkuar te kafeneja.
Ajo nuk e kishte ngritur kokën dhe ai ende nuk e kishte parë mirë fytyrën e saj. Etleva kishte thënë se gruaja e Viktorit ishte e bukur, kurse Klejdi po priste ta shihte atë kur të uleshin përballë njëri-tjetrit në kafene.

– Një makiato sade, – foli ajo, kur u ndesh me fytyrën e Klejdit që po priste t’i jepte kamerierit porosinë.

– Dy makiato, – porositi Klejdi dhe u dystua në tavolinë duke pritur të këqyrte fytyrën e saj që ishte sikur Zoti ta kishte qëndisur me nge.
Kamerieri nuk vonoi dhe makiatot erdhën. Ajo mori filxhanin dhe filloi ta pijë me surbulla të vogla si për ta shijuar deri në fund.

– Si quhet bashkëshorti juaj? – e pyeti Klejdi, pa pasur kurajë ta shihte në sy.

– Ish bashkëshorti, – nxitoi ajo ta korrigjonte Klejdi pohoi me kokë.

– Quhet Viktor Dredha, është profesor historie në një gjimnaz dhe unë kam qenë nxënësja e tij.

– Edhe unë, – i shpëtoi Klejdit, – dhe sikur e parandjeva, kur pashë certifikatën tuaj.

– Ashtu, si do t’ia bëjmë? – pyeti ajo.

– Po të më tregosh shkaqet e divorcit do të luftojmë që të fitojmë gjyqin dhe të marrim kujdestarinë e fëmijëve, – i tha Klejdi duke e parë drejt në sy, pa i lënë shteg për kundërshtime. – Për këtë ti duhet të flasësh sinqerisht me mua dhe të më tregosh gjithçka të detyroi të prishësh familjen dhe të ndash fëmijët nga i ati.

– Ke kohë të më dëgjosh se është pak histori e gjatë?

– Patjetër që kam, duhet të di të vërtetën e më pas të bëj mbrojtjen.

– Isha vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç kur e pashë për herë të parë. Ne kishim ardhur nga Berati dhe unë isha e re në klasën time. Ai i njihte të gjithë nxënësit dhe vetëm për mua pyeti nga vija, ku kisha studiuar më parë, pse vinim në Tiranë dhe më mbajti në këmbë më shumë se pesëmbëdhjetë minuta duke iu përgjigjur pyetjeve të tij. Më në fund u rehatova në bankën time dhe lëshova një psherëtimë lehtësimi që sikur më çliroi nga një brengë që më kishte mbërthyer trup e shpirt. Ai ishte rreth tridhjetë vjeç dhe ishte beqar, kurse unë vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç. Në shtëpi më trajtonin si të vogël dhe vëllanë e kisha gjashtë vite më të madh. Ai kishte mbaruar universitetin për inxhinjeri dhe punonte në një kompani me një pronar nga Berati me familjen e të cilit kishim miqësi familjare. Geri, vëllai im u dashurua me Eglën, vajzën e pronarit dhe pas tre muajsh u martuan se ajo i tha që kishte mbetur shtatzënë, gjë nuk doli e vërtetë. Që atëherë vëllai zëre se ishte djali i shtëpisë. Ai mori nga vjehrri një apartament luksoz te Blloku dhe vinte në shtëpi një herë në muaj. Kjo gjendje e kishte rënduar shumë nënën time që nervat ia nxirrte tim eti, që e detyroi të vinte në Tiranë. Unë shkoja nga vëllai dhe Egla më mirëpriste, kështu pa e kuptuar, megjithëse nëna ime nuk dëshironte që unë të miqësohesha me vëllanë e të shoqen, por meqë unë nuk njihja askënd tjetër në Tiranë dhe megjithëse Egla ishte moshatare me vëllanë, pra gjashtë vite më e madhe se unë, për mua ishte mikesha e vetme që mund t’i besoja sekretet e mia dhe të ishte konfidentja ime, si dhe t’i hapja, si i thonë një fjale, barkun. Unë bija në sy në shkollë, më mbanin për vajzë të bukur dhe shumë djem më afroheshin e kërkonin miqësinë e ndonjëri edhe dashurinë time, por mua më punonte mendja te profesori i historisë. Ai ishte trembëdhjetë vite më i madh se unë dhe vajzat tregonin se kishte pasur shumë histori me vajza në Tiranë, por në shkollë, ai nuk u afrohej vajzave, sepse kishte frikë se mos bëhej problem dhe mbase humbiste punën. Kur erdhi koha e provimeve të maturës, mesa dukej ai kishte parë rezultatet e larta që kisha arritur dhe një ditë po më priste në sallën e mësuesve. Ishte vetëm dhe me ftoi të ulesha afër atij. Unë po fluturoja nga gëzimi, do të isha vetëm me të. Nuk më kishte vajtur në mendje se profesori për të cilin unë kisha provuar dashurinë e fshehtë, pa ia shprehur kurrë, jo atij që nuk bëhej fjalë, por as Eglës që i besoja çdo gjë dhe as vetes sime do të ishte vetëm me mua. I besoja asaj bestytnije që po e nxore sekretin e zemrës prishet ajo që ti e dëshiron dhe unë kisha frikë të mendoja shumë sa edhe vetes nuk i besoja.
U ula pranë tij në karrigen që më tregoi dhe ndërsa zemra rrihte sikur donte të më dilte nga krahërori, unë prisja fjalët e tij.

– Dëgjo Vesa, i pashë rezultatet e tua dhe ti mund të aplikosh për ku të duash në universitet.
Unë ngrita kokën dhe e pashë. Ndërsa unë po vdisja për t’u futur në gjoksin e tij e t’i dorëzohesha me gjithçka timen, atij nuk i lëvizte asnjë muskul, dukej fare i qetë.

– E di si është puna, unë e di që ti më don dhe nuk dua ta zgjas këtë punë se edhe ti më pëlqen, por që kjo lidhje të ecë, unë nuk dua që ti të shkosh në universitet. Vetëm kështu do të na krijohet mundësia që të martohemi dhe të krijojmë familjen tonë. Unë kam mbetur i vetëm, para një muaji më vdiq nëna dhe tashmë jam fillikat dhe dua të kem familjen time. Sonte të pres në shtëpinë time që të bisedojmë si do të veprojmë, po nuk erdhe domethënë që nuk don të jesh e imja.
Ai nuk e zgjati, më kapi dorën duke parë rreth e rrotull se mos e shihte dikush e vuri në buzë, me luajti syrin dhe doli nga salla e mësuesve, duke më lënë mua pa frymë dhe me mendje të prishur. Unë isha shumë e re. Atë burrë e kisha dashur që herën e parë që e kisha parë dhe me padurim e prisja orën e historisë që ta shihja, përpija çdo fjalë të tij dhe flija çdo natë duke e parë në ëndërr, duke e ndier pranë vetes, saqë, kur zgjohesha në mëngjes më dukej sikur në buzë kisha shijen e puthjeve të tij dhe buzët e tij do t’i njihja sikur të isha nëntë pash nën dhe apo lart në qiellin e shtatë.
U nisa për në shtëpi dhe e vendosa, nuk do të shkoja në universitet duke zhgënjyer prindërit e mi, që kishin ardhur enkas nga Berati që unë të shkollohesha më mirë dhe të kisha universitetin afër. Por unë do të rendja pas dashurisë sime, tashmë e kisha vendosur. Në orën gjashtë isha bërë gati. Kisha veshur një fustan të verdhë me lule të kuqe që më thonin të gjithë që më shkonte shumë, kreha flokët e gjatë të verdhë dhe bëra një tualet të lehtë. Kur dola mamaja ime ishte në oborrin e pallatit dhe po fliste me një fqinjë.

– Ku po shkon Vesa? – më pyeti ajo.

– Ka një shoqe e klasës datëlindjen, – i thashë dhe si e putha me dorë u largova pa e kthyer kokën.
Në shtëpinë e profesorit kisha shkuar vetëm një herë, kur i vdiq e ëma dhe nuk isha e sigurt, por për fat në pallatin ku jetonte ai kishin vënë një listë ku ishin emrat e banorëve dhe një zile telefonike nga përgjgjej banori. E gjeta emrin e tij dhe nga ana tjetër u dëgjua zëri i tij:

– Eja në katin e tretë, hyrja përballë ashensorit.
Për dy minuta u gjenda para derës së tij që ishte e hapur. U afrova e ndrojtur dhe nuk arrita të trokisja se ai më doli në derë, më tërhoqi brenda dhe shtyu derën me këmbë, pasi duart i kishte zënë duke rrethuar trupin tim që po e mbulonte me puthje që nga buzët e deri në të gjitha pjesët e zbuluara të tij. Unë e pafuqishme i isha nënshtruar puthjeve të etura të tij. Kisha lexuar e dëgjuar që puthja e parë përvëlon, por mua po më duhej të mbrohesha nga kjo stuhi puthjesh që nuk kishte të ndalur. U çlirova me pak vështirësi që të mbushesha me frymë dhe fola me gojën mbuluar nga buzët e tij:

– Të lutem prit pak profesor, të lutem!
Ai u largua dhe ia dha të qeshurit:

– Profesor, po çfarë po thua Vesa, ti sot pranove që dëshiron të bëhesh gruaja ime, apo jo? Eja e dashur, eja pranë meje të shkrihemi te njëri-tjetri.
Pa pritur miratimin tim, e pashë veten të zhveshur dhe fustanin tim të bukur të hedhur pamëshirshëm në dysheme. Unë fillova të mbuloj gjoksin dhe trupin lakuriq me duart e mia që nuk i mbulonin të gjitha, por kjo nuk zgjati shumë sepse e pashë veten në krahët e tij dhe të lëshuar mbi një shtrat dopio dhe profesori im i zhveshur mbi mua që egër dhe pa më pyetur, po më bënte të tijën. Unë isha e virgjër dhe natyrisht kisha dhembjen e virgjërisë, por ai nuk donte t’ia dinte për këtë. Ai kishte humbur mbi trupin tim dhe puthjet e tij ishin bërë të dhimbshme, kur e pashë që u shtri i lodhur në shtrat, mendova se mbaroi punë. Sa vulgare m’u duk e gjitha kjo. Nuk kisha shijuar asgjë. I isha nënshtruar një shpërthimi epshi dhe kjo nuk afronte aspak me atë çka kisha menduar për të dashurin tim, që do të prishte virgjërinë time. Nuk di pse, por do të doja të isha edhe unë e marrosur në atë shtrat dhe të ndieja dashuri…
Profesori u ngrit, ashtu i zhveshur shkoi në dush dhe pas pak minutash doli i mbuluar me një peshqir dhe më tha edhe mua të futesha në dush. Unë kisha mbetur e kruspullosur në cep të shtratit dhe po prisja një ledhatim, një fjalë të ëmbël dashurie, por asgjë e tillë nuk ndodhi. U ngrita dhe me vrap sikur nuk isha unë ajo që pak më parë isha lakuriq në atë shtrat poshtë atij burri dhe ai duke ofsharë nga epshi, kurse unë e çoroditur për atë çka po ndodhte me mua dhe duke pritur një shenjë dashurie nga i dashuri im.
E pashë veten në një pasqyrë të madhe në dushin e tij dhe u tmerrova. Nuk e njoha vajzën që u pasqyrua në atë pasqyrë me avull dhe për t’u siguruar me duart që dridheshin pastrova avullin dhe shpërtheva në vaj. Ajo isha unë jo e dashuruar, por e përdhunuar. Kështu filloi nata e parë e dashurisë sime. Ajo që kishte ndodhur, nuk ngjante me asnjë mendim timin për dashurinë. Unë isha vetëm tetëmbëdhjetë vjeç dhe isha e vogla e prindërve të mi. Ata me donin si sytë e ballit dhe prisnin që unë të isha dikush në jetë. Duke lënë ujin e ngrohtë të rridhte në trupin tim më ngërthyen disa mendime të çuditshme dhe shpejtova të dilja nga ajo shtëpi, pa thënë asnjë fjalë, por me një vendim të prerë:
“Unë do të vazhdoja universitetin dhe nuk do të flisja me askënd për këtë që më ndodhi”. Shpejtova në dhomën, ku dergjej fustani dhe mbathjet e mia, u vesha shpejt, rregullova disi flokët dhe dola nga dera e atij apartamenti thuajse me vrap, e tmerruar dhe duke shtyrë profesorin tim të historisë. Ai ishte thuajse i zhveshur dhe unë munda të largohesha për në shtëpi duke shpresuar që të mos më shihte asnjë e sidomos prindërit e mi. Për fatin e keq, vëllai që rrinte me javë pa ardhur te ne, po dilte. Ai mbeti në derë së bashku me nënën që po me shihte e tmerruar.

– Ç’ke pësuar kështu? – më pyeti ai më shumë i çuditur sesa me dhembjen se ç’mund t’i kishte ndodhur së motrës.

– Makina e ujit, ishte një shofer idiot që me siguri lagte vajzat, – i fola unë shpejt dhe disi e lehtësuar nga gënjeshtra që më erdhi aty për aty.
Hyra në dhomën time dhe shpejt u ndërrova dhe u futa në shtrat. Mamaja ime e çoroditur hyri në dhomë dhe si u ul buzë shtratit tim filloi të bëjë hetuesen se nuk e kishte besuar gënjeshtrën time.

– Zemër, ç’të ka gjetur, dole nga shtëpia tërë gëzim dhe u ktheve si mos më keq? – tha e tromaksur.
E përmblodha veten dhe i thashë:

– Nesër do të shkoj të regjistrohem në fakultet. Të vijë dhe babi dhe të vendosim se kam fituar në tre fakultete. Kur erdhi im atë, unë e kisha marrë veten disi dhe ne vendosëm të regjistrohesha në Fakultetin e Informatikës. Të nesërmen, u vesha dhe shkova në fakultet, u regjistrova dhe po prisja me padurim të filloja studimet dhe të harroja atë që më ndodhi, ndonëse në thellësi të shpirtit ende e dashuroja Viktorin. E gjykoja zemrën time, ajo më dukej e pabesë, sikur më tradhëtonte që ende e ruante këtë dashuri poshtëruese. Që nga ajo ditë ai nuk ishte bërë i gjallë, tentoja t’i telefonoja formoja numrin, por oh, nuk mundesha, e çfarë do t’i thoja, “pse e bëre, s’të erdhi keq për ëndërrat e mia që i shkele me këmbë”? Koha derisa të filloja studimet po afronte dhe unë dilja për të blerë librat e duhur.
Ishte fillim vjeshte, gjethet kishin filluar të binin ashtu të verdha si një qilim në të gjitha parqet. Lulet e vjeshtës, që çelnin si toptha të bukur kishin mbuluar lulishtet, dikur me lulet e bukura pranverore. Kisha një çantë me libra, blloqe shënimesh e mjete që do të më duheshin dhe i rashë mespërmes parkut rinia dikur me bar të gjelbër e tashmë mbuluar me gjethe të verdha. U ula të pushoja, kishte disa ditë që më kishte humbur gjallëria, këputesha, më merreshin mendtë dhe herë-herë më përzihej.
Nuk doja t’ia pranoja vetes, por kisha filluar të dyshoja se mos kisha mbetur shtatzënë. “Jo, jo” – e ngushëlloja veten. – Unë vetëm një kontakt pata me atë burrë, si ka mundësi të ndodhë kjo”. Nuk e vazhdova rrugën nga shtëpia ime, por nga gjimnazi ku kisha mbaruar dhe kisha marrë dëftesën e pjekurisë. Te dera ishte po ai rojë që kishte qenë edhe kur isha unë në maturë. Më njohu dhe më përqafoi, iu luta që nëse ishte në shkollë profesor Viktori ta njoftonte që kisha ardhur dhe po e prisja. Ai u nis brenda në shkollën që përgatitej të priste nxënësit dhe, si gjithnjë, mësuesit ishin në përgatitjet e tyre të fundit dhe ishin në shkollë. Në pritje të daljes së Viktorit instiktivisht ngrita kokën nga kati i dytë ku ishte edhe salla e mësuesve dhe pashë siluetën e Viktorit që po shihte nga dritarja, më pas kjo siluetë u bë njësh edhe me Hakiun rojën që shkoi ta njoftonte dhe sakaq u zhduk, më pas erdhi Hakiu dhe më tha që profesori do të futej në një mbledhje në drejtori dhe më priste sonte në orën shtatë në shtëpinë e tij.
E falënderova Hakiun dhe u largova me një boshllëk në zemër, e braktisur, e poshtëruar, e mbetur në mëshirën e këtij burri duke menduar e tmerruar se brenda meje po rritej krijesa e tij. “Nuk mori mundimin as të dilte për një minutë dhe të më përshëndeste”, – mendova, ndërsa doja të harroja faktin që kishin kaluar dy muaj që nga ajo “dashuri” në mund të quhej e tillë dhe ai nuk ishte bërë i gjallë. “Si t’ia bëj? – fola me vete. – Të shkoj t’i përulem, t’i lutem, të kërkoj shpjegime, të qaj”, – sepse tashmë e kisha shumë të lehtë të qaja e të pikëllohesha.
Shkova në shtëpi dhe doja të flija. Për të ngrënë nuk më binte ndërmend sidomos, kur mendoja të përzjerat e në ndonjë rast të vjellat. Kur ora po i afrohej shtatës u ngrita, vesha fustanin e parë që më doli përpara dhe u nisa drejt shtëpisë së Viktorit.
Nëse herën tjetër ai po më priste me derën hapur, kësaj radhe i rashë ziles dhe ai doli në derë i prishur në fytyrë.

– Eja, – më ftoi duke më hapur udhë. Hyri para meje dhe më drejtoi në një dhomë me kolltuqe që mesa duket ishte dhoma e pritjes.

– Mirë se erdhe! – më tha me një buzëqeshje të sforcuar.

– Si u zhduke kështu? Mora vesh që ishe regjistruar në Informatikë.
Unë tunda kokën në shenjë pohimi. Më pas e pyeta:

– Mirë je me shëndet, se fakti që nuk më kërkove më, mendova se ose je shumë i sëmurë, ose ke dalë jashtë Shqipërisë.

– Më duket se ike ti si furtunë nga shtëpia ime dhe jo unë, – u përgjigj ai pa u skuqur e pa u zverdhur. – Unë të kisha bërë një propozim, kurse ti u zhduke pa më dhënë asnjë përgjigje.
Kisha mbetur pa gojë. Atë nuk e vriste ndërgjegjia për atë çka kishte bërë me mua.

– Erdha sepse nuk dyshoj më që atë natë që dua ta harroj kam mbetur shtatzënë, nuk kërkoj të më mëshirosh dhe të martohesh me mua për mëshirë, por duhet ta dish këtë fakt.
Nuk e prisja reagimin e tij kështu. Kisha menduar se do të bëhej një bisedë e pahijshme dhe unë do ta rrisja e vetme fëmijën tim, por jo kur unë nuk e prisja, ai u ngrit vring në këmbë, më mbërtheu në krahët e tij dhe filloi të më puthë barkun i lumtur sa të habitesha a ishte i njëjti me atë që më përdori aq keq në marrëdhënien tonë të parë. Unë kisha mbetur e hutuar, pa ditur ç’të thoja dhe i isha dorëzuar dashurisë së shfrenuar të tij. Atje në divan ai më shtriu dhe mbas puthjesh të ëmbla bëmë dashuri. Më pas u ngrit, u vesh dhe erdhi me mua në familjen time, ku u bisedua deri në mes të natës, por ai nuk iku pa më marrë me vete megjithë kundërshtimin e babait tim, që kërkonte që unë të vazhdoja shkollën edhe se barku im dhe pak do të dukej. Shkolla ime u harrua pa filluar, unë jetoja dashurinë time. Viktori kthehej nga puna dhe pasi hanim ne ishim në shtrat ai më puthte më pas ne shkriheshim me njëri-tjetrin. Unë mendoja se këtë mrekulli e solli foshnja jonë. Pas ndonjë muaji prindërit e mi bënë një darkë të madhe me njerëzit e afërm dhe me merak të madh mua më veshën nuse. Egla, nusja e tim vëllai, që as merrte mundimin të pyeste për prindërit e mi dhe im vëlla Geri ishin organizatorët e asaj dasme të vogël. Viktori po fluturonte që unë isha aq e bukur dhe erdhi së bashku me disa të afërm të tij dhe dy profesorë të gjimnazit, shokë të tij. Kur darka mbaroi, ne vrapuam në folezën tonë të dashurisë. Megjithëse kisha shumë dëshirë të shkoja në Universitet, kjo mbeti një ëndërr në sirtar. Erdhi koha dhe unë linda vajzën tonë Jonën, emrin ia vuri Viktori, sepse ai ishte me origjinë nga Himara dhe shtëpia e prindërve të tij ishte në një fshat buzë detit Jon. Vajza jonë ishte e bukur dhe mirë me shëndet. Te ne erdhi nëna ime që na ndihmote për Jonën dhe vonë shkonte në shtëpinë e saj. Kishte filluar të vinte edhe Egla që sapo hynte e deri kur i vinte koha për të ikur nuk kishte bisedë tjetër veçse të më nënvizonte mirësitë e tim shoqi, edukatën e tij, bukurinë e tij dhe më habiste, kur tregonte për tiparet e Viktorit që i kishte vëzhguar më mirë se unë që ndaja me të shtratin e vinim kokën në të njëjtin jastëk. Kjo ndërsa mua sikur më lodhte e nuk më shkonte si të thuash për shtat, tim shoqi i pëlqente shumë dhe kështu Egla u bë e domosdoshme për ne. Po të qëllonte që Egla nuk kishte ardhur ndonjë ditë, Viktori pyeste i shqetësuar për mungesën e saj. Kishte filluar të më shqetësonte kjo, sepse më vinte keq edhe për tim vëlla që mbetej vetëm në shtëpi, kur e shoqja ishte te ne çdo ditë pa asnjë shkak, ose arsye.
Kur unë isha jo më shumë se njëzetenjë vjeçe, pra thuajse fëmijë dhe Jona ishte vetëm tre vjeçe, kisha mbetur përsëri shtatzënë. U gëzova dhe siç kisha dashtë gjithnjë që fëmijët të rriteshin bashkë, kjo shtatzani ishte e dëshiruar dhe nuk ishim ruajtur fare. Këtë fëmijë e donim të dy. Kur ia thashë Viktorit, ai e mirëpriti por jo si me gëzimin e fëmijës së parë.

– Unë mendova se do të gëzoheshe më shumë, – i thashë.

– Natyrisht që u gëzova, por situata ekonomike na e vështirëson rritjen si duhet të fëmijës, por ai erdhi dhe ky është një bekim.
E vështrova gjatë, sesi më dukej sikur ai më fshihte diçka të rëndësishme dhe sikur ky lajm që mua më kishte gëzuar, sikur e vuri në mendime. Dyshimet e mia ishin rritur qëkurse një ditë, ndërsa ai ishte në dush dhe unë ende në shtrat, në telefonin e tij erdhi një mesazh. Nuk e kisha bërë kurrë, por nuk e di mbase me ngasjen e dreqit e hapa telefonin e tij dhe lexova një mesazh ku dërguesi kishte një emër të çuditshëm: “tdsh”.
“Mirëmëngjes dashuria ime! Sapo jam zgjuar dhe mendja po më punonte te ti. Isha e lumtur, megjithëse kisha vapë e futur në strehëz. Tashti që ngroh moti atje është shumë vapë dhe unë isha me djersë. E putha gjoksin tënd dhe tashti po shkruaj. Ti me siguri je në gjumë. Megjithëse dje kaluam pak kohë bashkë me kafen e mëngjesit, po sot, nesër, po pasnesër? Nuk di sesi, por duhet zgjidhur kjo punë. Nejse të shpresojmë që ditë e re, nafakë e re. Të puth i dashuri im, të dua shumë dhe të përqafoj zemra ime! Këto i ke sapo të hapësh sytë”.
Kisha mbetur e shokuar, një letër dashurie në telefonin e tim shoqi dhe pa emër. Viktori doli nga dushi dhe më gjeti me telefon në dorë.

– Mos vallë po më kontrollon telefonin? – më pyeti ai.

– Jo, as më kishte shkuar në mendje, por mendova se ishte ndonjë gjë e rëndësishme dhe u befasova nga çka lexova.

– Çfarë lexove? – foli ai pa e prishur terezinë.

– Ishte një letër dashurie pa emër.

– Ha, ha! – ia shkrepi të qeshurit Viktori. – Ç’janë këto budallallëqe Vesa! E kush i shkruaka një letër dashurie një burri të martuar që pret të bëhet baba me fëmijën e dytë dhe nuk ndahet nga gruaja e tij asnjë çast?

– Viktor, nuk ke pse nervozohesh, mbase ka ardhur gabim, por merre telefonin dhe lexoje.
Ai rrëmbeu telefonin dhe unë po e vëreja me vëmendje. Në fytyrën e tij nuk lëvizi asnjë muskul.

– Budallallëqe, nuk e kuptoj se ç’don kjo letër me budallallëqe në numrin tim.

– Mos u mërzit i dashur, dërguesja mund ta ketë nisur gabimisht. Unë të besoj ty, – i thashë dhe ashtu siç ishte i zhveshur me peshqirin rrobëdëshambër iu futa në trupin e tij ende të lagur. Ai më pushtoi fort dhe ne përfunduam në shtratin tonë duke bërë atë që dinim të bënim më mirë, të shkriheshim me njëri-tjetrin. Më pas Viktori u ngrit, u bë gati shpejt dhe pa ngrënë mëngjes u nis për në shkollë se ishte shumë vonë. Unë u mundova ta harroj atë letër të çuditshme, ndonëse për të qenë e sinqertë edhe mendja ku s’më çonte, te ndonjë lidhje e fshehtë e Viktorit, kur unë shkoja te prindërit e mi, apo në shkollë, por gjithsesi vendosa të mos e besoja. Viktori më donte dhe ne bënim dashuri si në ditën e parë të martesës sonë. Kur Viktori u kthye nga puna, ne drekuam të tre edhe me Jonën që nuk i ndahej të atit nga prehëri e filluam të flisnim që nëse unë nuk filloja një punë, megjithë ndihmën e prindërve të mi, nuk do t’ia nxirrnim vetëm me rrogën e Viktorit, kur të vinte fëmija i dytë. Në këto fjalë e sipër, te ne mbërriti si thuajse çdo ditë, Egla. Nuk më pëlqente që në të gjitha problemet e bisedat tona të ishte e pranishme Egla. Më vjen heraherës një si pështjellim që më bezdiste, sikur kisha një njeri që po ndante jetën me ne dhe kjo nuk më pëlqente. Gëzohesha, kur ndonjëherë, por shumë rrallë me të vinte edhe im vëlla, por kjo jo vetëm ndodhte shumë rrallë saqë mua kishte filluar të më vinte inat që ai nuk ndërhynte dhe të bënte që e shoqja të kuptonte që nuk e kishte shtëpinë tek unë. Për të demonstruar që nuk po e duroja më ndërhyrjen e saj në familjen time i thashë Viktorit që po dal pak me vajzën në park, sepse ia kam premtuar.

– Po unë erdha për ty, – më tha Egla, duke bërë të ofenduarën.

– Nëse erdhe për mua, eja me mua në park, i kam premtuar vajzës dhe nuk e dija se ti do të vije, se mbrëmë ishe te ne, – ia ktheva.
Ajo u ngrit dhe erdhi me ne në park, por mbas pak minutash tha që po shkonte në shtëpi se Geri mund të kthehej herët në shtëpi dhe mund të dilnin.

– Si të duash, – i thashë unë, ndonëse u habita me shpejtësinë që erdhi e po ikte nga ne, duke gjetur si sebep Gerin, tim vëlla, për të cilin nuk ia ndiente fare.
E ndoqa me sy dhe sesi me erdhi ndërmend mënyra e reagimit të saj, kur unë i thashë që do të bëhesha përsëri nënë.

– Ua, si macet që pjellin çdo vit! – më tha me një inat që nuk arrita ta kuptoja.

– Por Jona u bë tre vjeçe, – i thashë unë, – dhe mendoj se rriten më mirë kur nuk kanë shumë diferencë se rriten me njëri-tjetrin.
E ndoqa me sy derisa u largua nga parku. Nuk kisha dyshuar kurrë te pastërtia e saj, por si vetëtimë më erdhi në mendje që ajo kishte një dobësi për Viktorin e justifikuar se kishte vetëm një kunat dhe sikur më shpoi diçka dhe u ngrita mora Jonën për dore dhe u nisa nga shtëpia. U afrova te dera ime dhe futa çelësin në bravë, duke pasur kujdes që të mos bënte asnjë zhurmë. Sapo u hap dera nga dhoma e ndenjes dëgjoj Viktorin që po thoshte i nxehur:

– Përse, ty do të jap llogari sa herë fle me time shoqe dhe sa fëmijë do të bëj me të?

– Si? – erdhi si klithmë zëri i inatosur i Eglës. – Po mua si më vjen, kur ti bën ato që bën me mua edhe me atë?

– Nuk të kam premtuar asgjë, ke dashur dhe ke ruajtur Vesën, kur dilte për të ardhur e për t’u futur në shtratin tim të më provokosh e të kryesh marrëdhënie me mua. Të kam thënë që po sillemi keq, por ti më ke thënë se jeta duhet jetuar dhe unë dua të bëj dashuri me ty dhe nuk më intereson ai hajvani që kam në shtëpi.
Vesa kishte mbetur e shtangur pas dere. Mori Jonën në krahë dhe doli nga apartamenti duke përmbajtur veten që të mos lëshonte ndonjë klithmë, që i kishte pllakosur shpirtin. “Ja pra përse vikërka çdo ditë! O Zot këta na tradhëtokan pa pikën e turpit edhe mua edhe tim vëlla. Iu kujtua e ëma që nuk e kishte dashur asnjëherë nusen e të birit dhe kur fliste për të thoshte gjithnjë që ajo sikur diçka fsheh”. Pyesja veten si i besova Viktorit? Kur bënim dashuri me aq pasion unë mendoja se ai më donte shumë, por ai po këtë gjë bënte edhe me Eglën, po Egla sa e pafytyrë, sa e ligë! Si mund të futej në shtratin tim dhe të bënte dashuri me tim shoq. Sa bukur e mbanin veten dhe kur unë i thoja Viktorit që po kjo çdo ditë te ne dhe ai tundte kokën në shenjë pohimi, sikur të thoshte që na mërziti vërtet, por ai jo vetëm që nuk qenka mërzitur, por qenka zhgërryer me të në shtratin tonë bashkëshortor. Nuk di pse më erdhi ndërmend fjala zhgërryhen? Ajo ishte më e përshtatshmja për ata të pabesë dhe të pamoralshëm. Po çfarë këkonte më shumë ai plehrë, unë isha trembëdhjetë vite më e re se ai, të gjithë flisnin për bukurinë time, por atij nuk i kisha mjaftuar dhe ishte përlyer edhe me gruan e tim vëllai, që ishte po aq i pafajshëm si edhe unë. Shkova me vajzën në krahë te shtëpia e prindërve dhe nuk u tregova asgjë. Unë duhej të mbyllja hesapet njëherë me Viktorin e më pas të bisedoja me tim vëlla e të shihte edhe ai si po mashtrohej çdo ditë nga gruaja e tij e përdalë.
Kishte ardhur pranvera dhe sesi m’u kujtua fshati i gjyshes, ku thuajse kisha kaluar fëmijërinë. Atje në mes të oborrit ishte një bajame, një dardhë dhe një kumbull. Në këtë kohë lulet e tyre çelnin dhe oborri merrte një hijeshi të veçantë. Ngjyra rozë e bajames në mes të bardhës së kumbullës dhe dardhës formonte një kolorit që ta kishin zili edhe piktorët me të talentuar edhe tablotë e tyre. Sikur të isha atje, mendova dhe pa e zgjatur u nisa për tek autobus i Beratit, ku rrugës do të ndalonte në fshat. Gjyshja ishte ende në jetë dhe më donte shumë. Atje do të strehohesha derisa të sillja në jetë fëmijën tim të dytë. Jonën e kishte zënë gjumi, ishte e pangrënë, sikurse edhe unë dhe kur u afruam te dera e gjyshes unë me një zë të shuar thirra:

– Nëno erdha unë.
Sakaq në derë u dha gjyshja ime e ëmbël që pa bërë asnjë pyetje zgjati krahët dhe na përmblodhi të dyjave. Ajo mbahej mirë. Ishte rreth të shtatëdhjetave. Ishte shumë e dashur, mbase të gjitha gjyshet kështu janë si ajo, ushqeu vajzën më nxori edhe mua supën që nuk e bënte kurrkush si ajo dhe më detyroi që të shtrihesha pranë vajzës dhe të flinim për t’u çlodhur nga rruga.
Kur u rehatuam fola gjatë e gjerë me gjyshen time dhe iu luta që ajo të mos tregonte asgjë që unë dhe vajza ishim tek ajo. Isha rezervuar për të treguar gjithçka që të mos ia lëndoja atë zemrën e saj të butë. Më vonë do të flisja me prindërit, por Viktori nuk duhej të dinte asgjë. Ai do të përdorte të gjithë miqtë e tij ngado dhe mund të mi merrte fëmijët.
Mbas dy muajve, kur Viktorit vetëm gjyshja ime nuk i kishte shkuar në mendje, barku im filloi të dukej dhe në një ditë të tillë, kur mamia e fshatit erdhi dhe më vizitoi duke më pyetur e çuditur përse nuk po shkoja të ndiqesha në Tiranë, gjyshja ime njoftoi nënën time duke i thënë që nuk ishte mirë dhe kur ajo erdhi nuk u habit aspak që unë isha te gjyshja. Nuk më pyeti, por vetëm më tha që këto janë gabimet që unë i kisha bërë dhe, ja shpërblimi.

– Viktori kërkon Jonën dhe babai e përzuri nga shtëpia, por ai vjen me Gerin dhe sherri fillon nga e para. Ai mendon se ne e dimë ku je ti dhe nuk bëjmë mirë që të mbështesim për të shkatërruar familjen. Sa muajshe je? – më pyeti mamaja duke treguar barkun tim që dukej bajagi.

– Gjashtë, – iu përgjigja unë.

– E di që edhe Egla është shtatzënë dhe është shtatë muajshe, – tha mamaja dhe shtoi: – Do Zoti i vijnë mendtë dhe përmblidhet në shtëpi, se u çapërdis ai djalë.
Unë kisha mbetur pa frymë. Një mendje më thoshte se fëmijët tanë nuk janë kushërinj, por vëllezër. Isha e bindur se Egla fëmijën e kishte me Viktorin. Ajo nuk duhej të fliste para kohe, por kur të lindte fëmija ajo do të këmbëngulte që i vëllai t’i bënte fëmijës analizën e ADN-së.

– Bijë, pse ike nga shtëpia sikur kishe ndonjë faj dhe pse nuk erdhe te ne e të bisedonim si i ke hallet. Yt shoq kërkon fëmijën dhe ka të drejtë.

– Lëre vajzën rehat e mbylle gojën! – e kërcënoi gjyshja.

– Kot nuk ka ikur. Ku ka grua që ikën nga shtëpia, nga sytë këmbët, merr rrugë e udhë me një fëmijë në krah e vjen çin e ma çin për të shpëtuar nga ai palo burrë!
Megjithëse me gjyshen nuk kisha biseduar asgjë konkrete, ajo kishte kuptuar gjithçka, kurse mamaja ende nuk po e merrte vesh që kishte ndodhë diçka shumë e madhe që unë isha detyruar të ikja nga shtëpia.
U ktheva nga mamaja dhe vura kokën në prehërin e saj. Lot të nxehtë më rodhën nga sytë dhe fillova të qaj me dënesë.

– E shkreta unë, vajza! – psherëtiu mamaja dhe më futi në gji. – Thuaji mamasë çfarë të ka ndodhur?
I tregova me dy fjalë që Viktori më tradhëtonte, por nuk e zura në gojë Eglën dhe ika nga frika se më merrte vajzën.
Te ju më gjente kollaj, ndaj erdha te nëna dhe nuk lëviz që këtu derisa të lind. Më pas do ta ndaj dhe do të vij në shtëpi.
I thuaj babit që vajza e tij nuk ka bërë asnjë gabim. Fëmijën e pamë në maternitet dhe është djalë, emrin ia ka zgjedhur nëna do ta quajmë Leo. Kur të vij në Tiranë Egla do të ketë lindur dhe atëherë unë kam dy fjalë me tim vëlla. Tani nuk flas asgjë. Më jep fjalën edhe për një gjë, a do të më ndihmosh të rrisim bashkë fëmijët e mi dhe unë të vazhdoj shkollën?

– O Zot na ruaj, nuk e di por zemra më ndjell për keq. Çfarë i bëmë Zotit që ia prishi mendjen tim shoqi dhe erdhëm në Tiranë e u përziem me lloj-lloj njerëzish. Jeta e vajzës shkoi dëm, e djalit edhe më keq me atë grua që mua më duket se as e do e as e llogarit për burrë, por e ka kthyer djalin në lolo.
Me sebepin që kishte të ëmën të sëmurë mamaja ime shkonte e vinte nga fshati ynë në Tiranë. Një ditë, kur askush nuk e priste u duk në derën e gjyshes Viktori. Ne u tmerruam, por ai me qetësi u ul dhe kërkoi që të na linin vetëm e të bisedonim.

– Jo, – i tha gjyshja, – vetëm jo. Po të duash këtu, ku jemi edhe unë edhe e ëma.
Pa ç’pa Viktori pranoi:

– Zemër a mund ta di pse më braktise dhe u largove nga shtëpia, pasi më dhe lajmin e bukur që do të bëheshim përsëri prindër?

– Më kishe braktisur ti me kohë duke më tradhëtuar me tjetër grua dhe këtë e dëgjova me veshët e mi, se me kë ti e di mirë, po kur të vij koha do ta marrin vesh të gjithë.

– Të vijë turp që sajon gjëra të paqena dhe pale më merr edhe vajzën. Vetë mund të shkoje ku të duash, por jo me fëmijën tim, – tha ai i skuqur në fytyrë duke kërcëllitur dhëmbët.

– Nuk më tremb Viktor, nuk jam më ajo Vesa e vogël që mund të luaje si të doje edhe disa ditë bëhem nëna e dy fëmijëve të tu, por që nuk do t’i lë kurrë t’i rrisësh e t’i edukosh ti, sepse kush tradhëton nënën e fëmijëve të vet është në gjendje të bëjë gjithçka. Mora vesh që Egla lindi djalë, nuk di a pret urime, por me jetë të gjatë gjithsesi!

– Moj, je ndër vete, apo ke shkalluar, çfarë janë këto budallallëqe që flet, ajo është gruaja e vëllait tënd dhe uro tët vëlla jo mua.
Qesha hidhur, tunda kokën dhe kur ai nuk e priste iu ktheva gjyshes se mamaja ime ishte bërë meit e po i binte të fikët:

– Nëno, nxirre jashtë këtë kërmë, se nuk e shoh dot me sy! Më shkatërroi jetën dhe tashti po vjen e po bën të pafajshmin.
Gjyshja ime sikur këto fjalë po priste u ngrit në këmbë dhe hapi derën duke iu drejtuar Viktorit me dy fjalë:

– Dil jashtë!
Mamaja ime kishte dalë para meje sikur do të më mbronte me jetën e saj dhe Viktori pa folur asnjë fjalë doli jasht dhe me kokën ulur u nis për në vendin nga do të kalonte autobusi që vinte nga Berati dhe shkonte në Tiranë. Pas dy ditësh im atë erdhi e më mori në Tiranë, ku pas një jave solla në jetë tim bir Leon. Viktori tentoi në maternitet të më shihte e ditën që dola po më priste me një buqete me lule, por unë shkova me prindërit e mi në taksinë që kishin porositur ata.
Prita që së paku Viktori të bëhej burrë dhe të pranonte gjithçka kishte bërë me Eglën, por kjo nuk u bë, ndaj kur nuk e prisnin një mbrëmje shkoj me tim atë në shtëpinë e vëllait që po mbante në krahë djalin, ndërsa e shoqja kishte dalë.

– Hajde urdhëroni! – na ftoi vëllai, – Mirëse erdhët!

– Ku e paske gruan? – e pyeti duke e parë drejt në sy im atë.

– Ka dalë me një shoqe, por do të kthehet se do t’i bëjmë djalit banjë.

– Ta shoh pak këtë bukuroshin? – i thashë tim vëllai dhe e mora fëmijën në krahë. Ai nuk po flinte. Sytë e tij të mëdhenj si të Jonës, m’u dukën sikur ishte zvogëluar Viktori. E përkëdhela foshnjën e pafajshme, por nëse më parë kisha dyshuar, tashti isha e bindur se ai ishte vëllai i fëmijëve të mi.

– Të gjithë thonë që i ngjan Jonës, – tha Geri.

– Epo kushërinj të parë janë, – foli si me ngutje im atë që tashmë e kishte të qartë se çfarë mendoja unë.

– Mund ta lesh djalin pak në shtratin e tij dhe të bisedojmë për diçka të rëndësishme? – i thashë tim vëllai që po më shihte i hutuar në sy, dukshëm me një shenjë pakënaqësie.
Ai e la fëmijën dhe unë i fola:

– Vëlla unë kam ikur nga shtëpia dhe jam ndarë nga Viktori, ndonëse ende nuk e kam bërë padinë, sepse gruaja jote, Egla, shkonte me tim shoq. I kam dëgjuar me veshët e mi. Ti si të duash, në daç besoje, në daç jo, por të këshilloj që të mos bëhesh gomar siç të quan ajo, shko e bëj ADN-në e fëmijës, pastaj mbaje në duar e thuaj që i ngjan Jonës, ka sytë e Viktorit. Për këtë erdha vëlla. Na kanë tradhëtuar të dyve dhe tradhëtia nuk falet kollaj sikur të jetë kryer në rrethana të tmerrshme, jo më prej qejfit.
Babai ishte ngritur në këmbë nga frika se im vëlla do të më vërsulej, por ai u tulat në qoshe të divanit, ku ishte ulur dhe nuk foli asnjë fjalë.
Nëse unë kisha reaguar ndaj tradhëtisë, poshtërsisë dhe mashtrimit, atij nuk i kishte shkuar ndërmend, se kur e shoqja po i thoshte se po shkonte nga motra e tij, po shkonte me tradhëtinë ngjitur në trup e shpirt për të shkatërruar gjithçka.
Duke e lënë tim vëlla në atë gjendje dhe me shpirt të copëtuar i futa krahun tim eti dhe morëm rrugën për në shtëpi. Nuk folëm asnjë fjalë. Babai im ishte sikur t’i kishte rënë në kokë tulla e Pirros. Hymë në shtëpi dhe ai thirri mamanë dhe i tha t’i bënte një kafe se po i plaste koka.
Mamaja ime, një grua e urtë dhe tepër e ndjeshme, dinte gjithçka për historinë time, por asgjë për vëllanë. Ajo po më shihte mua me zemrën në dorë dhe me sy të shqyer. Nuk vonoi shumë, kur trokiti fort dera e shtëpisë dhe mamaja doli ta hapte. Para derës sonë ishte Egla që po ziente nga inati. E shtyu nënën time dhe m’u afrua mua duke folur fjalët më të fëlliqura që kisha dëgjuar ndonjëherë.
Nuk e di po mbase Zoti më dha një qetësi të pajustifikueshme për situatën në të cilën ndodhesha. Iu afrova edhe më dhe i thashë:

– E di sa mirë shkoni me Viktorin, nuk e kisha vënë re kur vije çdo ditë në shtëpinë time dhe mbas shpinës sime më tradhëtoje me tim shoq, por sot më habiska ngjashmëria juaj, qenkeni njësoj dhe gjetët dy viktima për t’i zënë grykën e për t’i shkatërruar jetën, por je gabuar. Fjalët që po përdor tregojnë edhe një herë sa vlen. T’ju rrojë djali, megjithëse i ngjante shumë kushërirës, ke harruar që Jona ka sytë e të atit si edhe yt bir. Nuk keni nga lëvizni, më e mira e të mirave është të bashkoheni se jeni njësoj. Shko tashti, mos na bërtit në shtëpinë tonë, dil jashtë dhe lëre të qetë tim vëlla, se ai nuk është gomari që doje ta bëje ti, por një njeri i ndershëm që të besoi derisa kishte nisur të harronte edhe njerëzit e vet. Hajde jashtë, shko te Viktori dhe i thuaj se sikurse thotë gjithnjë im atë, asgjë e fshehtë nuk mbetet pa dalë dhe turpi juaj ka kohë që ka dalë, por tashti do të dalë nëpër gjykata.
Ajo që erdhi e ngrefosur dhe me një ulërimë sikur po i binin në qafë, uli kokën dhe doli nga shtëpia. Që atë mbrëmje u kthye edhe im vëlla me një valixhe me plaçkat e tij.

– Doje të dije historinë time për të pasur argumente për padinë, apo jo, – i thashë avokatit. – Nuk ka nevojë besoj për shumë fjalë, por ama njëra duhet theksuar mirë dhe ajo quhet tradhëti.
Kishte mbi tri orë që avokat Klejdi dhe klientja e tij Vesa po bisedonin dhe ai e kishte të qartë sa kishte hequr ajo vajzë dhe sa krenare ishte ajo, që me të gjitha lutjet dhe faljet që kërkonte i shoqi, të pranonte të rriste dy fëmijë vetë dhe të mos pranonte tradhëtinë, që i ishte bërë asaj dhe të vëllait.
“Nuk di”, – mendoi Klejdi me vete. Sesi i erdhi në mendje një poezi e shkurtër e Dritëroit:
Kur humb një grua
Humb një krua
Dhe shkrënd të mbetet vetja
Kur humb një grua
Shterr një krua
Dhe vdes në zall nga etja…
E nxori nga përhumbja zëri i Vesës:

– Më duhet të shkoj, im bir, Leo, pi gji çdo tri orë dhe tashti me siguri është duke qarë, se është llupës i madh, qeshi ajo, ndonëse ishte një e qeshur e një vajze që jeta e kishte goditur, vetëm pse kur ishte ende fëmijë dashuroi me gjithë zemër pa e ditur se, përveç dashurisë, ekzistonte edhe tradhëtia.

(Marrë nga libri me tregime dhe novela “Ata të dy dhe deti” të Hiqmete Dajës).