Eric Wendt konfirmohet nga Senati si ambasador i SHBA-së në Shqipëri
Shqipëria do të ketë së shpejti ambasadorin e ri amerikan në Tiranë. Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar zyrtarisht Eric Wendt në postin e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, duke i dhënë fund procesit të nominimit dhe miratimit të tij në institucionet amerikane.
Në seancën e zhvilluar në Senat, kandidatura e Wendt mori 51 vota pro dhe 47 kundër, duke siguruar shumicën e nevojshme për emërimin përfundimtar. Votimi erdhi pasi kandidatura e tij kishte kaluar më herët edhe filtrin e komisionit përkatës senatorial.
Me këtë vendim, Eric Wendt pritet të marrë detyrën në Shqipëri në ditët në vijim, duke zëvendësuar përfaqësimin diplomatik amerikan në Tiranë në një periudhë që konsiderohet e rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Wendt nuk vjen nga diplomacia tradicionale. Ai ka një karrierë të gjatë në ushtrinë amerikane dhe në strukturat e sigurisë, ku ka shërbyer për më shumë se tre dekada. Emri i tij u propozua nga Presidenti Donald Trump, ndërsa Shtëpia e Bardhë e paraqiti si kandidat për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të SHBA-së në Republikën e Shqipërisë.