Albspirit

Media/News/Publishing

Heshtje e gurtë – Ndërron jetë profesor Ali Xhiku (1943-2026)

Rafaela Prifti

Profesor Ali Xhiku, i cili shërbeu për dhjetravjeçarë me përkushtim si pedagog, zëvendës-dekan (1983-1988) dhe dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, sot ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare. Krahas karrierës në arsimin e lartë, ai ishte kontributor i njohur në fushën e historisë së letërsisë duke marrë vlerësime si studiues dhe akademik në albanologji.

Tek vepra “Përmes mendimit historiko-letrar të Çabejt”, Xhiku ka analizuar mënyrën se si Eqrem Çabej e ndërtoi shkencën e gjuhësisë dhe historisë letrare mbi kritere të shëndosha, duke ju shmangur dogmave dhe duke mbajtur qëndrim objektiv. Në studimet e tij Ali Xhiku vë në dukje se Çabej arriti të deshifrojë gjenezën dhe zhvillimin e gjuhës shqipe përmes mijëra fjalëve, duke e shndërruar atë në themeluesin e metodologjisë moderne albanologjike. Puna e akademikut Ali Xhiku konsiderohet një udhërrëfyes për studiuesit e rinj, pasi ajo deshifron sistemin e mendimit të albanologut të madh, Çabej.

Një vit më parë, në Panairin e 28-të të Librit, ai u nderua me çmimin “Autori i librit më të mirë studimor” për veprën e tij të fundit “Faqeve të historiografisë shqiptare” (Onufri) një testament i çmuar metodologjik për studiuesit shkencorë.

Veprat e tij studimore “Letërsia shqipe si polifoni” plotësuar nga botimi pasues “Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe”, “Romantizmi arbëresh”, “Duke lexuar letërsinë e traditës”, “Nga romantizmi drejt rrjedhave të realizmit” e vendosin letërsinë shqiptare në dialog me traditat evropiane.

Nga viti 1988-1993 Profesor Xhiku drejtoi Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave. Ai la pas një trashëgimi të vyer në fushën e kritikës dhe historiografisë letrare.

Kujtesa ime studentore ruan me mall leksionet e Profesorit. Për brezat e studentëve të Gjuhës dhe Letërsisë, ai ishte ligjërues i qartë dhe metodik por edhe udhërrëfyesi ‘babaxhan’ i letërsisë. Me urtësinë e tij, Profesori përsëriste se historiografia letrare ka në themele tekstin dhe kontekstin e kohës kur u krijua.

Me dhimbjen e familjes, të kolegëve në Akademinë e Shkencave, Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, dhe të gjithë brezave që ai i formoi me dashurinë për letërsinë dhe të vërtetën shkencore, themi Lamtumirë, Profesor Ali Xhiku!

Një tjetër bir i Gjirokastrës, largohet në të njëjtën ditë, dy vjet pas ndarjes nga jeta të Ismail Kadarasë, dhe qyteti prej guri mbështillet sërish në dhembje të thellë.