Arben Iliazi: Me aktorin e mirënjohur Mehdi Malkaj
Edhe pse biseduam gjatë për teatrin, Mehdiu e kishte mendjen te Polloni i Hamletit, një personazh tragjikomik, që kërkon ta luajë patjetër, pavarësisht se ka një karrierë të artë mbi supe. Në tragjedinë “Hamleti” të Shekspirit, Polloni është kancelari kryesor i mbretit Klaud dhe babai i Ofelisë (e dashura e Hamletit) dhe Laertit. Ai shërben si një këshilltar i mbretit, por shquhet për natyrën e tij servile, ndërhyrëse dhe manipuluese në intrigat e oborrit, i gatshëm të përdorë edhe fëmijët si vegla për të mbajtur pozicionin e tij.
-Një sjellje ekzistenciale shumë e veçantë kjo e Pollonit, i them. Energjia e instikteve vetshkatërruese…
-Mua më pëlqejnë personazhet tragjikomikë, këta lloj personazhesh kanë lëngun e jetës dhe thonë të gjitha të vërtetat, më thotë. E kam ëndërr Pollonin. Dua të sjell një Pollon simpatik që nuk i përket vetëm të shkuarës subhistorike të llojit e të individit, por që ekzison në çdo qytetërim, edhe në realitetin shqiptar. Dhe përmend një shprehje nga një roman i Stendalit: “Mosrealizimi i një ëndrre është më e rëndë se një vdekje”.
Flasim për mundësinë e një bashkëpunimi të shpejtë. I jap monodramën “Vezullimet e ferrparajsës”, ku në qendër është një personazh tragjikomik, në një marrëdhënie të humbur mes Unit dhe realitetit.
***
Malkaj ka më shumë se 45 vjet në skenë dhe rolet që ai ka luajtur janë përgjithësisht, komikë, të dashur, por edhe që përcjellin fate tragjikë, jo si individë, por si realitet shoqëror.
Në teatër do ta gjejmë në disa role si p.sh në rolin e Babait në dramën “Babai” e Ruzhdi Pulahës, në rolin e Shëvalit në komedinë e “Darka e të marrëve” e Veberit, në rolin e Shmalcit në dramën “Franku i V-të” e Fridrih Dyrrenmatit ; “Në katin e dytë është parajsa”; “Nderi i kombit”; “Gomone”; “Darka e gabuar” , “Kopshti i dallëndysherve”, Monodrama “Marr guximin” etj.
Në kinematografi dhe telekomedi gjithashtu ai ka interpretuar në shumë role. Roli i tij i parë do të jetë ai i Milo budallait në filmin “Përrallë nga e kaluara” në vitin 1987. Ndërkaq ka edhe role të tjera në shumë filma si roli i pijanecit në filmin “Jeta në duart e tjetrit” në vitin 1990, roli i babait të Lolos në filmin “Shpella e piratëve në vitin 1991 etj. Pa harruar ato ne telekomeditë, ku padyshim me i suksesshmi mbetet Xha Braho në telekomedinë “Gjuetia e fundit” në fundvitin 1992.
Disa nga filmat dhe telenovelat e tjera, ku ka luajtur:
“Ngushtë” (2011), film metrazh te shkurter
“Tingulli i heshtjes” (2010) telenovelë,
“Ne dhe Lenini” (2008) film,
“Trapi i vjetër” (2005), komedi.
“Njerez dhe Fate” (2002), telenovelë.
Po vjen ai (1999) komedi.
“Nata” (1998) film.
Dashuri ne krisma (1997) komedi
Gjithe fajin e ka paraja (1996) komedi
Oreksi i madh (1995) komedi.
Plumbi prej plasteline (1994) film.
Nekrologji (1994) film.