Letër e hapur Këshillit Bashkiak dhe kryebashkiakut, Gjirokastër

Letër e hapur Këshillit Bashkiak – Gjirokastër.
Kryetarit të Bashkisë z. Flamur Golemi.
Të nderuar Këshilltarë!
I nderuar Kryetar!
Sot në ditën e Shenjtë të Fjetjes së Hyjlindëses, Mari, për ne ortodoksët, ju lutem të konsideroni kërkesën sa më poshtë:
1. Në dobi të historisë së Shqipërisë, dhe të qytetit, të vlerave e kontributit të çmuar të Grigor Gjirokastritit, në redaktimin, kujdesin e botimin e Dhiatës së Re në 1827, gati 200 vjet më parë në gjuhën shqipe,të vendoset një pllakë përkujtimore te shtëpia ku ai lindi.
Grigori lindi në Shtëpinë (në foto) në lagjen Pazar i Vjetër, në oborrin e Mitropolisë së Shenjtë në këtë lagje.
Ai bëri një karrierë të shquar fetare deri Kryepeshkop i Athinës, dhe mbahet në historinë e kishës si botuesi i parë i Dhiatës së Re në shqip.
2. Këtë shtëpi e zbuloi( tregoi) në vitin 1999, Hirësia e tij Bartolomeu, kur vizitoi Gjirokastrën.
Edhe kjo një datë historike, një Bekim për qytetin e pas 1997- ës
Patriarku Bartholeme, sëbashku me Fortlumturinë, Kryepeshkopin e Kishës Orthodhokse Autoqefale, Anastasin e Shqipërisë, në vizitën zyrtare në Bashkinë e qytetit, i kërkuan Kryetarit, z. Asllani, t’i lejonte e shoqëronte në vizitë nderimi në shtëpinë e Grigorit.
Z. Asllani e priti me kënaqësi kërkesën, por i zënë ngushtë pasi nuk e dinte adresën, mësoi nga Ata shtëpinë e Grigorit.
Patriku – tregon z. Ylli, dëshmitar – u ul në gjunjë te shkallët e shtëpisë, i puthi dhe i bekoi ato.
Shtëpia ndodhet, fill në të djathtë, sa kalon portën hyrëse në oborrin e Mitropolisë. Një shtëpi tre katëshe tipike gjirokastrite, me vështrim nga mali i Lunxhërisë, me hajat, bodrum, sterrë dhe hyrje edhe nga poshtë.
Dhiata e Re e hartuar e mbetur në dorëshkrim nga i nderuari Vangjel Meksi, u botua nga Grigori.
Dorëshkrimi në mbi 1500 faqe pas 150 vjetësh, të lëna pas dore në Biblotekën Biblike, u gjend nga Profesori i nderuar, gjuhëtari shkencëtar Xhevat Lloshi në 1972, për të cilën ai shprehet se ishte kontributi i pa çmuar kjo Dhiatë e Re për gjuhën shqipe.
Me besim e mirënjohje ndaj asaj Bashkije, shpresoj e besoj se qytetit tonë do t’ i evidentohet edhe një pasuri e kontribut kombëtar, një aset historik e turistik edhe religjioz .
Me nderime ish banor i lagjes Pazar i Vjetër, që nuk e dinim këtë aset.
Vasil Muka.
Post Scriptum
Shkruan z. Ylli Asllani, Kryetar Bashkie në 1999, dëshmitar okular i vizitës:
“Shumë mirë e ke menduar Prof. Baci! Mendoj se kjo është një kërkesë modeste për një figurë kaq të madhe si Grigor Gjirokatriti…!
… I dashur Kryetar, – më tha Shenjtëria e tij Bartolomeu – e kam patur me kohë dëshirë të zjarrtë të vija e të përulesha tek streha që lindi këtë Shenjt…! Ju si Gjirokastër nuk e imagjinoni çfarë nderi të madh i keni dhuruar krishterimit dhe albanologjisë me këtë shqiptar të famshëm!