Albspirit

Media/News/Publishing

Eseja e parë e Peter Priftit te Dielli – Shtegtim filozofik në 16-vjetorin e përjetësisë

Rafaela Prifti

Përpara se të ulej në karrigen e editorit të gazetës “Dielli” në 1958, djaloshi Peter R. Prifti (1924-2010) ishte pjesëmarrës në konkursin e parë për të rinjtë shqiptarë, një nismë e organizuar nga Kuvendi i Vatrës i vitit 1950. Ai ishte i vetmi që e dërgoi esenë në gazetë, siç shkruan redaktori në shënimin shoqërues të punimit. Krahas me botimin, ai u vlerësua me çmimin e parë në konkurrimin e shpallur nga Vatra, në numrin e Diellit të datës 18 korrik 1951. Më pas në faqet e gazetës u botuan të tjera punime e shkrime të tij. Në përmbyllje të atij dhjetëvjeçari, Peteri bashkë-drejtonte Diellin me Qerim Panaritin, redaktorin me përvojë të gjatë dhe kampionin e jetëgjatësisë në këtë pozicion.

Nga një mundësi e vogël në dukje, siç ishte konkursi për të rinj, ai arriti të bëhej pjesë e redaksisë së gazetës, duke vërtetuar se në jetë asgjë nuk është për tu nënvlerësuar. Me tone humori, Peter Prifti e kujtonte episodin e esesë së parë duke e krahasuar veten me atë që fiton garën ku ka vetëm një garues. Por, njëherazi ai theksonte idenë se në një thirrje apo detaj në dukje të vogël mund të fshihet kthesa e madhe e një jete të tërë.

Në 1951, 27 vjeçari Peter Prifti, ndiqte studimet pasuniversitare në Universitetin e Pensilvanisë, një nga tetë Universitetet e Ivy League të Amerikës. Ai kishte rreth dhjetë vjet që kish ardhur nga Rehova e Kolonjës në Filadelfia, ku kishin emigruar më herët babai, Rafaeli, (Ralph) dhe vëllai i tij i madh, Apostoli. Pavarësisht rinisë së autorit dhe jetës së tij të re në Amerikë, punimi dallohet për aftësinë analitike dhe një vështrim largpamës në shkencat shoqërore. Aty Peteri parashtron me radhë argumentet për karakterin e emigrantit shqiptar në Amerikë në mesin e shekullit XX në rrafshin ekonomik. Pas tre çerek shekulli, eseja ka aq shumë pika takimi me të tashmen sa mund të ishte shkruar edhe sot. Por këtë mund ta gjykojë vetë lexuesi.

Eseja e Peter Priftit e titulluar “Disa Ndikime Ekonomike në Karakterin e Emigrantit Shqiptar në Amerikë” është hartuar në gjuhën angleze dhe përmban rreth 1,100 fjalë. Ajo paraprihet nga një shënim i shkurtër i redaktorit të Diellit, po ashtu në anglisht, ku vlerësohet punimi dhe jepen disa të dhëna biografike për Peterin. Redaktori shpreh zhgënjimin e tij me rezultat e pjesëmarrjes në konkursin e të rinjve, nismë e re e Vatrës atëkohë, por e vlerëson “esenë vijuese nga i riu Peter R. Prifti nga Filadelfia”, “si një punim që karakterizohet nga thjeshtësia dhe origjinaliteti, tërësisht i zhveshur nga gjuha e ngurtë e librave dhe pedantizmi, e për rrjedhojë një punim me meritë të madhe”.

Eseja e parë tek “Dielli” i kushtohet sot plot mirënjohje kujtimit të albanologut, mendimtarit dhe ish-editorit të gazetës, Peter Prifti, në 16 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

<a href=”https://docs.google.com/document/d/1FmMrttuyN5ohGcWTSzlRPQw1uTQcspUa/edit?usp=sharing&ouid=100892782121314637228&rtpof=true&sd=true“>Eseja e Pare Peter Prifti 1951 Dielli Boston</a>