Albspirit

Media/News/Publishing

Marash Mirashi: ODE PËR DHIMBJEN

Dhimbja ka qenë e madhe
erdhi kur nuk e dija kuptimin e saj
isha i pambrojtur
në mes të një humbëtire
ku kryqëzohen shinat
mbi shpinën time
të rëndë si tren.

Ende i ndiej
tingujt e sirenës që u shua
kur mësoi se dhimbja ime
ka nevojë për qetësinë
e një stacioni të braktisur
ku një fije bari
më thotë
se prej dhjetë vitesh
s’ka pirë ujë.

Unë nuk e kam ditur
se dhimbja
do ma gërryente pak nga pak
harenë e dikurshme
teksa thërras
udhëtarin e vetmuar brenda vetes
e bashkë me të
hipim në një tren bosh
përshëndetim fijen e etur të barit
dhe flemë të lodhur
duke ëndërruar një hapësirë
me ajër.