Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: FILMI SHQIPTAR

FILMI SHQIPTAR

Në skenë, me shkronja të mëdha:

FILMI SHQIPTAR

Sa përrallë e bukur!

Në njërën anë qëndron ZYRTARI I MINISTRISË SË KULTURËS. Përballë tij, REGJISORI I FILMIT.

Në sfond, gjatë gjithë kohës, shëtit ngadalë një grua si manikin mode. Në kokë mban një kurorë mbretërore ku shkruhet:

PRODUCENTE FILMI

Gruaja nuk flet. Shëtit. Ndalet. Pozon. Pastaj vazhdon të shëtisë.

REGJISORI:

Mund të më thoni cili është projekti juaj konkret për mbrojtjen, zhvillimin dhe të ardhmen e filmit shqiptar?

ZYRTARI:

Patjetër. Politikat e qarta të Rilindjes Kombëtare përbëjnë një vizion të qartë dhe gjithëpërfshirës për zhvillimin e ekonomisë së kulturës, në funksion të një qasjeje bashkëkohore dhe integruese, e cila lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin urban, infrastrukturën, turizmin, agroturizmin dhe promovimin e imazhit të Shqipërisë.

REGJISORI:

Po për filmin shqiptar?

ZYRTARI:

Filmi shqiptar është pjesë e këtij vizioni të gjerë dhe gjithëpërfshirës.

REGJISORI:

Cili është projekti?

ZYRTARI:

Projekti është pjesë e strategjisë.

REGJISORI:

Cila strategji?

ZYRTARI:

Strategjia është pjesë e vizionit.

REGJISORI:

Dhe çfarë parashikon vizioni?

ZYRTARI:

Një të ardhme më të mirë.

Heshtje.

Manikini kalon ngadalë pas tyre. Kurora shkëlqen.

REGJISORI:

Sa filma shqiptarë do të prodhohen?

ZYRTARI:

Kjo do të përcaktohet në kuadër të objektivave.

REGJISORI:

Sa para do të jepen për prodhimin?

ZYRTARI:

Financimi do të jetë në përputhje me prioritetet.

REGJISORI:

Cilat janë prioritetet?

ZYRTARI:

Prioritetet janë ato që përcakton strategjia.

REGJISORI:

Mirë. Po strategjia ku është?

ZYRTARI:

Është në proces.

Regjisori e vështron gjatë. Pastaj sheh manikinin me kurorën “PRODUCENTE FILMI”.

REGJISORI:

Po producentët?

ZYRTARI:

Janë pjesë e ekosistemit.

REGJISORI:

Po filmat?

ZYRTARI:

Janë pjesë e industrisë kreative.

REGJISORI:

Po industria?

ZYRTARI:

Është në zhvillim.

REGJISORI:

Po zhvillimi?

ZYRTARI:

Është në funksion të së ardhmes.

Heshtje.

REGJISORI:

Kuptova.

Ngrihet dhe largohet.

Pas disa hapash ndalet. Kthehet nga publiku.

REGJISORI:

Pyeta për një film.

Pauzë.

REGJISORI:

Mora një fjalor.

Shikon zyrtarin.

REGJISORI:

Dhe fjalori nuk kishte asnjë film brenda.

Dritat bien mbi manikinin. Ajo ngre kokën. Kurora ndriçon.

PRODUCENTE FILMI

Errësirë.