Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria hap bastet online por ‘fati’ po u buzëqesh operatorëve të huaj

Rafaela Prifti

Rregullat e reja të lojërave të fatit në Shqipëri duket se kanë përcaktuar fituesit pa filluar ende gara. Pas një ndalimi shtatë-vjeçar, projektligji, që po hartohet prej dy vitesh, përcakton lëshimin e 10 licencave për operatorë online me kritere që anojnë dukshëm nga konglomeratet ndërkombëtare. Qeveria parashikon që rikthimi i kontrolluar të sjellë rreth 250 milionë euro të ardhura publike në vit, nga të cilat 15 për qind e fitimit bruto nga lojërat (GGR) do të shkoj direkt në një “fond të posaçëm” për kulturën, sportin dhe teknologjinë.

Ende nuk janë konfirmuar detajet se kur do të fillojë aktiviteti, sa nga 10 licencat do jepen në fillim, masat për pezullimin e tyre në rast shkelje si dhe shkalla e interesit nga ana e publikut. Shqipëria kishte një rrjet masiv prej 4,000 kioskave të lojërave të fatit dhe sindroma shqetësuese të varësisë të konsumatorëve si edhe lidhjeve të aktivitetit me krimin e organizuar. Masa ndaluese e vitit 2019 nuk i eliminoi lojërat e fatit, të cilat qysh atëherë kaluan në ekonominë e tregut të zi.

Euractiv ka raportuar se federatat e sportit dhe aksionarët kanë qenë ata që kanë lobuar fort për këtë hapje duke argumentuar se aktiviteti i mbikëqyrur i lojërave në vendet perëndimore është praktikë standarde e financimit të programeve të rinisë, infrastrukturës së sportit dhe sponsporimit të sportistëve. Që kur bastet arritën kulmin në vitin 2018, popullsia e Shqipërisë ka rënë nga 2.8 në 2.75 milionë banorë dhe vendi vazhdon të ketë të ardhura relativisht të ulëta. Megjithatë, në këtë sektor, Shqipëria ka sfiduar rrethanat ekonomike duke vjelë shuma të mëdha në raport me popullsinë dhe nivelin e të ardhurave.

Tregu i ri i basteve sportive në Shqipëri do përfshijë ekskluzivisht platformat online, ndërsa kioskat fizike do jenë të ndaluara dhe do jepen vetëm dhjetë licenca për të siguruar kontroll të rreptë rregullator, sipas Gaming Compliance International

Reagimet për hapjen e basteve sportive në Shqipëri, pas ndalesës shtatëvjeçare, tregojnë një përzierje të pragmatizmit ekonomik, kontrollit të fortë operativ të kritereve për pajisjen me licenca dhe paralajmërimeve për rreziqet e varësisë dhe mungesës së konsulencave dhe qendrave rehabilituese në vend.

Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit i Shqipërisë ka njoftuar se janë finalizuar të tetë rregullat e implementimit të kuadrit të ri ligjor, që e kufizon tregun në 10 operatorë online. Analistët vërejnë se kriteret e rrepta, të cilat kërkojnë që kompanitë të jenë shoqëri aksionare, të operojnë në të paktën tri tregje të BE-së/OECD-së dhe të dëshmojnë një qarkullim minimal prej 250 milionë dollarësh, nxjerrin jashtë loje qëllimisht bizneset e vogla vendase në favor të konglomerateve të mëdha ndërkombëtare. Monitoruesit lokalë dhe ekspertët e shëndetit mendor kanë dhënë paralajmërime të forta, në raportimet nga Balkan Insight Ata vënë në dukje se në Shqipëri aktualisht nuk ka qendra të dedikuara të rehabilitimit ose këshillimit për të trajtuar rritjen e pashmangshme të varësisë nga bixhozi dhe kanë shfaqur shqetësime për sa i takon mbrojtjes së konsumatorit.