Dita e 86-të e protestës, qytetarët përsërisin 6 kërkesat: “Nuk jemi lodhur”
Protesta qytetare ka hyrë në ditën e 86-të, ndërsa pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesat e tyre ndaj qeverisë, duke deklaruar se do të vijojnë protestën pavarësisht kohëzgjatjes së saj.
Gjatë protestës së sotme, qytetarët theksuan se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara dhe se, sipas tyre, protesta nuk lidhet me interesa personale, por me kërkesën për më shumë përfaqësim dhe dëgjim të zërit qytetar.
“86 ditë kanë kaluar, por kërkesat tona nuk kanë ndryshuar. Nuk jemi këtu për interesa personale, por besojmë se shqiptarët duhet të dëgjohen. Kërkesat tona janë të qarta dhe të panegociueshme”, u shprehën protestuesit.
Gjashtë kërkesat e protestuesve
Protestuesit kanë renditur gjashtë kërkesa kryesore:
Dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. Krijimin e një qeverie teknike, jo partiake, për një periudhë 12-mujore. Ndryshime kushtetuese, me synimin që qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit. Shfuqizimin e Paketës së Maleve. Shfuqizimin e ligjit për Investitorët Strategjikë. Hartimin e një kontrate të re sociale, pas konsultimeve publike.
Protestuesit deklaruan se nuk kanë ndërmend të tërhiqen dhe se do të vijojnë tubimet nëse qeveria nuk merr në konsideratë kërkesat e tyre.
“Nëse qeveria zgjedh të mos reflektojë, ne do të vijojmë të protestojmë. Mbetemi të vendosur në protestë deri në realizimin e kërkesave. Nuk jemi lodhur”, deklaruan ata.
Protesta vijon ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë që kërkesat e tyre të marrin një përgjigje nga institucionet dhe qeveria.
https://noa.al/lajmi/2026/08/2610682.html