PAJTIM HASANI, PERSONALITET I NJOHUR I REXHINIT TË LABËRISË
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Një jetë në shërbim të dijes, punës dhe kujtesës së Rexhinit
Rexhini i Kurveleshit është një nga ato vendbanime ku historia dhe karakteri i njerëzve janë gdhendur në njëra tjetrën. Në këtë truall të ashpër lab, por fisnik, janë rritur breza që e kanë mbajtur me dinjitet emrin e vendlindjes, por dhe ja kanë shtuar krenartinë me veprimtarinë e tyre. Rexhini ka ditur të nxjerrë burra e gra me vlera të larta, njerëz që me punën, përkushtimin dhe karakterin e tyre kanë lënë gjurmë përtej kufijve të fshatit. Një prej tyre është Pajtim Hasani, bir i këtij vendi, emri i të cilit lidhet me njeriun e punës, me veprimtarin e palodhur lab, me historinë, kujtesën dhe krenarinë e Rexhinit të Kurveleshit. Pajtim Hasani lindi më 17 janar 1955 në Tepelenë, në një familje me origjinë nga Rexhini i Kurveleshit dhe me tradita të hershme patriotike. Jeta dhe veprimtaria e tij janë të lidhura ngushtë me tri shtylla që kanë përcaktuar rrugëtimin e tij ndër vite: arsimin, punën dhe përkushtimin ndaj vendlindjes së të parëve. Pajtimi është biri i Faik Hasanit nga Rexhini dhe i File Sinajt nga Bolena. Të dy prindërit kishin një histori të lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare dhe me përpjekjet e brezit të tyre për çlirimin e vendit. Në këtë mjedis familjar, ku kujtimet e luftës, sakrificat dhe historia e krahinës përcilleshin brez pas brezi, u formua edhe botëkuptimi i Pajtimit për rëndësinë e dijes, punës dhe ruajtjes së kujtesës historike. Pajtimi erdhi në jetë në një familje me tradita të shquara atdhetare e patriotike. Familja Hasanaj e Rexhinit është një nga familjet me tradita patriotike në krahinë dhe më gjerë. Breza të saj kanë marrë pjesë në përpjekjet për liri e pavarësi, duke u përfshirë në ngjarjet e rëndësishme historike që kanë prekur Kurveleshin. Gjyshi i Pajtimit, Zaçe Asllan Hasanaj, mori pjesë me Çetën e Rexhinit në luftimet kundër andartëve grekë në vitet 1913 dhe 1914, por edhe në Luftën e Vlorës më 1920. Në këto luftime ai u plagos gjatë përpjekjeve për marrjen e Kalasë së Kaninës, që ishte një ndërt betejat e njohura të luftës kombëtare të Vlorës dhe për Vlorën. Kujtimi i kësaj ngjarjeje u ruajt në familje përmes rrëfimeve të bashkëshortes së tij, Sërma Hasanaj, gjyshes së Pajtim Hasanit. Edhe folklori i kohës e ka përcjellë emrin e tij si një nga luftëtarët e shquar të Rexhinit, prandaj ka ngelur edhe në këngë: “…Ç’tu them për Zaçe Asllanë’,/ te porta nën Kalanë,/ u plagos me italianë,/ se luftonte për vatanë,/ për Vlorë e Pashalimanë,/ por dy plumba ç’e goditnë,/ Tha, në tel çorra kërcinë…,/për ilaç i duhan i grinë…”. Përgjatë Luftës së madhe Nacionalçlirimtare, Zaçe Hasanaj u përfshi në Batalionin Territorial të Kurveleshit në Labëri. Për veprimtarinë e tij patriotike dhe luftarake u kap nga forcat fashiste italiane dhe më 7 prill 1943 u pushkatua së bashku me 14 burra të fshatit dhe në vitin 1982 ai u shpall “Dëshmor i Atdheut”, me vendim të Këshillit Ekzekutiv të Tepelenës, ku sot prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Progonat. Babai i Pajtimit, Faiku, mori pjesë gjatë luftës në Batalionin Territorial të Kurveleshit dhe ishte luftëtar territorial një mision patriotik e luftarak i të gjithë labërve në kohë pushtimi. Ndërsa pas çlirimit shërbeu si oficer në radhët e Ushtrisë Popullore dhe, pas daljes në lirim në vitin 1955, punoi në administratën e Tepelenës, ndërmjet detyrave të tjera edhe si sekretar i Gjykatës së Rrethit Tepelenë. Për kontributin e tij mbante Dekoratën e Kujtimit të 10 Vjetorit të Ushtrisë. Nëna e tij, File Hasani (Sinaj) nga Bolena, mori pjesë me armë në dorë në Luftën Nacionalçlirimtare, pasi Ajo u rreshtua në radhët e Brigadës së 8-të dhe të 16-të Sulmuese dhe qëndroi në luftë deri në çlirimin e plotë të vendit. Për kontributin e saj u vlerësua me Dekoratën e Trimërisë dhe të Çlirimit, vlerësime këto që pas Luftës Nacionalçlirimtare. Faik dhe File Hasanaj rritën pesë fëmijë dhe, pavarësisht vështirësive të kohës, arritën t’i pajisin të gjithë me arsim të lartë. Kjo ishte një dëshmi e rëndësisë që familja i kushtonte dijes dhe formimit profesional. Një nga vëllezërit e Pajtimit, Besim Hasanaj, ishte ushtarak karriere me gradën Kolonel dhe mbante gradën shkencore “Doktor i Shkencave Ekonomike”. Ai shërbeu në Ministrinë e Mbrojtjes si Drejtor i Kontrollit Financiar, ndërsa vëllai tjetër, inxhinier Hasan Hasani, punoi në sektorin e naftës dhe dha kontribut në zbatimin e metodave të reja për rritjen e prodhimit të naftës. Në krye të detyrës, gjatë një manovre në pusin DJ 38, në Kasnicë të Visokës, më 24 gusht 1985 humbi jetën në moshën 32 vjeçare. Më pas u shpall “Dëshmor i Atdheut”, me vendim nr.56 datë 17.06.2005 të Komisionit Shtetëror të Statusit të Dëshmorit. Kjo trashëgimi familjare ka ndikuar në mënyrë të dukshme në formimin e Pajtimit dhe në marrëdhënien e tij me historinë e familjes dhe të Rexhinit.
*
Arsimimi, dija dhe formimi profesional, pasion i bijve dhe bijave të Labërisë
Pajtimi kreu arsimin 8-vjeçar në Shkollën 8-vjeçare të Levanit, Fier, gjatë viteve 1961 deri në 1969 dhe më pas ndoqi studimet në Gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1973. Në të njëjtin vit nisi studimet e larta në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz, Tiranë, në Fakultetin e Veterinarisë, dega “Zootekni”. Studimet i përfundoi në vitin 1978, duke u formuar si specialist në fushën e blegtorisë dhe të mbarështimit të kafshëve bujqësore.
Gjatë periudhës së viteve të shkollimit, ai u përfshi edhe në aksione të ndryshme vullnetare kombëtare të rinisë studentore, që ishte njëfarë detyrimi për gjithë të rinjtë shqiptarë për ngritjen e Shqipërisë së re. Ndër to përmenden hapja e tarracave të Jonufrës dhe puna për ndërtimin e hekurudhës Elbasan-Prenjas. Për brezin e tij, këto aktivitete ishin pjesë e jetës studentore dhe e formimit shoqëror. Pas përfundimit të studimeve, Pajtimi iu përkushtua profesionit dhe punës në bujqësi e blegtori. Paralelisht me përvojën praktike, ai vijoi edhe formimin e tij të mëtejshëm profesional. Në maj dhe qershor të vitit 1985 kreu specializimin pasuniversitar “Përmirësimi gjenetik i kafshëve bujqësore”. Në vitet 1985 dhe 1986 kreu një tjetër specializim pasuniversitar njëvjeçar, këtë herë në fushën “Të ushqyerit e kafshëve bujqësore”. Krahas këtyre specializimeve, mbrojti edhe provimet pasuniversitare të filozofisë, gjuhës angleze dhe të specialitetit. Në vitin 1997 kreu specializim në fushën e farmacisë veterinare dhe, në këtë mënyrë, u specializua edhe më tej dhe i thelloi dijet e tij profesionale.
*
Veprimtaria dhe puna kërkimore shkencore, një nevojë e kohës
Veprimtaria profesionale e Pajtim Hasanit, sidomos në Levan, është mjaft e njohur dhe e vlerësuar. Puna e tij ka nisur që në vitin 1978, kur përfundoi studimet e larta, dhe shtrihet në disa fusha. Ai ka punuar si specialist i blegtorisë dhe kryespecialist i Ndërmarrjes Bujqësore “Levan”, si dhe në Departamentin e Bujqësisë Fier, gjatë periudhës 1978 deri në 1994. Në vitet 1995 deri në 2000 punoi në degën farmaceutike veterinare të Bazës së Armatës të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa, me nisjen e shekullit dhe mijëvjeçarit të ri, nga viti 2001 deri në vitin 2020, punoi në Postën Shqiptare. Përvoja profesionale është shoqëruar edhe me një interes të vazhdueshëm për kërkimin shkencor. Në vitin 1978 përfundoi studimin njëvjeçar për mbrojtjen e diplomës me temë “Përvoja e NB Levan në mbarështimin e dhenëve”, i depozituar në Bibliotekën e Institutit të Lartë Bujqësor në Kamëz. Në vitin 1980 kreu eksperimentin shkencor “Efekti i përdorimit të silazhit me kalli në rritjen e prodhimit të qumështit te lopët e racës laramane”, në Ndërmarrjen Bujqësore Levan. Një vit më pas realizoi studimin “Përmirësimi i skemës së përdorimit të qumështit te viçat e grupmoshës 0 deri në 4 muajsh”. Në vitin 1978 kishte trajtuar edhe përdorimin e uresë blegtorale si suplement proteinik për rritjen e prodhimit të qumështit te lopët. Këto punime dëshmojnë se, për Pajtimin, profesioni nuk ka qenë thjesht një vend pune, por një fushë ku kërkimi, përvoja praktike dhe dëshira për përmirësim kanë qenë të lidhura vazhdimisht me njëra-tjetrën. Në të njëjtën kohë, Pajtim Hasani ka pasur një angazhim shoqëror dhe sindikal mjaft të njohur. Kështu, përveç profesionit të tij, Pajtim Hasani është angazhuar edhe në jetën shoqërore dhe sindikale. Në vitet 1985 deri në 1992 ishte aktivist dhe drejtues i Sindikatës së Punëtorëve të Ndërmarrjes Bujqësore Levan. Për punën dhe marrëdhëniet e tij me komunitetin e punëtorëve fitoi respekt dhe vlerësim.
Ky vlerësim u shfaq edhe në fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri, ku, në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, ai u propozua kandidat për deputet në zonën elektorale nr. 78 në Fier. Kandidatura e tij u pasqyrua edhe në shtypin e kohës, në gazetën “Puna”, në artikullin e gazetarit Stavri Liko me titull “Pse u prit aq mirë kandidatura e Pajtimit”, botuar më 18 janar 1991. Pas transferimit në Tiranë në vitin 1995, angazhimi i tij shoqëror u lidh veçanërisht me shoqatën “Labëria”. Në vitin 2001 krijoi për herë të parë dhe vijon të drejtojë nëndegën e kësaj shoqate në Kinostudio. Ka marrë pjesë në kuvendet e shoqatës dhe në veprimtari të ndryshme të saj. Për këtë veprimtari është vlerësuar me certifikatën “Aktivist i shquar” dhe me “Mirënjohje e Labërisë”. Ai është aktivizuar gjithashtu në OKDA dhe OVLP në Njësinë Administrative 3, ku drejton organizimin nr. 16 të Këshillit Zonal. Një tjetër pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij shoqërore ka qenë angazhimi në strukturat sindikale të Postës Shqiptare. Në këtë kuadër ka marrë pjesë në aktivitete brenda dhe jashtë vendit, në kuadër të Unionit Europian të Sindikatave të Postave. Në veprimtaritë e zhvilluara në Kosovë, Maqedoni, Austri dhe vende të tjera është vlerësuar me kupa dhe certifikata. Për veprimtarinë e tij 25-vjeçare, Kryesia e SHAK “Labëria”, dega e Tiranës, edhe në kuadrin e 25-vjetorit të krijimit të nëndegës së Kinostudios dhe për një çerek shekulli vijon ta drejtojë me sukses këtë nëndegë, por edhe si pjesëmarrës në pothuajse të gjitha kuvendet e Labërisë, ka propozuar Kryesisë Qendrore të Labërisë dhënien e titullit të merituar “Personalitet i Shquar i Labërisë”, me këtë motivacion: “Për kontribut të çmuar profesional në zhvillimin e ekonomisë bujqësore e blegtorale në Levan, ku për vite me radhë shërbeu si specialist e kryespecialist, për kontributin e shquar dhe të pandërprerë në veprimtarinë atdhetare, kulturore dhe shoqërore të ShAK “Labëria”, si kryetar i Nëndegës së Labërisë në Kinostudio, Tiranë, për përkushtimin në ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e vlerave, traditave dhe historisë së Labërisë, si dhe për pjesëmarrjen aktive në veprimtari të larmishme, për kontributin e veçantë në evidentimin dhe nderimin e figurave të shquara të krahinës, veçanërisht si promotor i ngritjes së bustit të prijësit popullor dhe Dëshmorit të Atdheut, Bilbil Shakaj, në vendlindjen e tij, Rexhin, për punën e palodhur në forcimin e lidhjeve ndërmjet brezave dhe në ruajtjen e identitetit e kujtesës historike labe”. Gjykon se duhet të bëhet edhe dhënia e këtij titulli nderi deri në kuvendin e ardhshëm të Labërisë.
*
Rexhini, vendi ku kthehet kujtesa, ku bien e kthehen shpesh si bijtë tek nëna
Një nga veçoritë më të dallueshme të veprimtarisë së Pajtim Hasanit është lidhja e pandërprerë me vendlindjen e tij, Rexhinin. Edhe pse jeta dhe puna e tij janë zhvilluar kryesisht në Fier dhe Tiranë, ai nuk e ka humbur lidhjen me vendin e origjinës. Për Pajtimin, Rexhini nuk është vetëm vendi nga ku kanë ardhur të parët, por është një pjesë e identitetit familjar dhe historik, kujtesa e së cilës duhet ruajtur dhe përcjellë tek brezat e rinj. Në këtë drejtim, ai ka marrë pjesë dhe ka organizuar veprimtari të ndryshme në fshat. Ndër to është ceremonia e 80-vjetorit të përkujtimit të Masakrës së Rexhinit, më 15 prill 2023. Në vitet 2024, 2025 dhe 2026 është përfshirë në organizimin e “Takimit të Brezave” të fshatrave Nivicë dhe Rexhin. Më 19 prill 2025 mori pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit “Dëshmor i Atdheut” për Birbil Shakon dhe në vendosjen e bustit të tij pranë lapidarit të dëshmorëve. Në prill 2025 mori pjesë gjithashtu në Forumin e Intelektualëve, të organizuar në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, ku referoi mbi Masakrën e Rexhinit.
Një tjetër ngjarje me rëndësi për familjen ishte ceremonia e rivarrimit të eshtrave të prindërve, Faik dhe File Hasanaj, në vendlindjen e tyre, Rexhin, më 25 tetor 2020. Pajtimi është angazhuar edhe në përgatitjen dhe vendosjen e pllakës përkujtimore dhe stemës së familjes “Hasanaj”, e cila, sipas traditës familjare të përcjellë ndër breza, daton që prej vitit 1700, në varrezat e fshatit Rexhin. Më 16 shtator 2022 organizoi ceremoninë e takimit të pasardhësve të fisit Hasanaj në Rexhin, duke mbledhur pjesëtarë të familjes dhe pasardhës të saj rreth kujtesës së përbashkët familjare. Pajtim Hasani është gjithashtu edhe shkrimtari i kujtesës, sepse ai është angazhuar edhe në mbledhjen dhe përcjelljen me shkrim të historisë, kujtimeve dhe njerëzve të krahinës. Në vite ka botuar artikuj në gazeta dhe revista të ndryshme. Ndër shkrimet e tij përmenden “Traktor pa naftë”, botuar në gazetën “Drapër e Çekan” të Fierit në vitin 1979, “Përvoja e Brigadës Heroinë”, botuar në revistën “Bujqësia Socialiste” në vitin 1983, si dhe shkrimi “Gjithmonë të etur për dije”, botuar në gazetën “Studenti i Bujqësisë” më 13 qershor 1986. Më pas, temat e shkrimeve të tij janë zgjeruar, duke përfshirë historinë, njerëzit dhe kujtesën e Labërisë. Në gazetën “Labëria” ka botuar shkrimin “Gjithë jeta sakrifica”, kushtuar File Ajaz Hasanajt, si dhe shkrimin “Faleminderit Ing. Fatmir Çela”. Në gazetën “Telegraf”, më 13 mars 2023, botoi shkrimin “LANÇ-i dhe Masakra e Rexhinit”. Në revistën “Pavdekësia”, në gusht 2025, botoi shkrimin “Kapedan Birbil Shakaj me bust në vendlindjen e tij”. Po në vitet e fundit ka shkruar për njerëz dhe ngjarje të tjera të Rexhinit dhe krahinës, ndërsa në gazetën “Zëri i Kurveleshit” botoi, në gusht 2025, shkrimin kushtuar inxhinier Hasan Faik Hasanajt, Dëshmor i Atdheut. Pajtim Hasani, me mall dhe ndjenjë, ka derdhur talentin e tij duke shkruar edhe poemën “Rexhini” etj. Përveç shkrimeve, Pajtimi ka përgatitur edhe materiale filmike kushtuar figurave dhe ngjarjeve të ndryshme. Ndër to janë videot kushtuar Kujtim Leskajt, kolonel Besim Faik Hasanajt, Bedenë Matajt, Vait Kadri Barjamajt, si dhe ceremonia e rivarrimit të eshtrave të prindërve, Faik dhe File Hasani. Ai ka kontribuar e ndihmuar gjithashtu në përgatitjen e Enciklopedisë së Kurveleshit me materiale për fshatrat Rexhin dhe Bolenë, ndërkohë që aktualisht është i angazhuar në një punë që lidhet drejtpërdrejt me kujtesën e vendlindjes së të parëve: përgatitjen e “Historikut të Fshatit Rexhin”.
*
Familja dhe trashëgimia e Hasanajve: Dardha nën dardhë do shkojë, do bjerë soji në sojë
Në vitin 1988, Pajtimi u martua me Flora Matajn nga Bolena, me profesion ekonomiste finance, me të cilën kanë sjellë në jetë dy djem, që aktualisht janë të rritur dhe të mirëedukuar, Aldin dhe Armandin. Aldi është inxhinier elektronik dhe punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Armandi është ekonomist finance dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të dy fëmijët kanë krijuar familjet e tyre dhe, së bashku me familjet, vazhdojnë ta vizitojnë vendlindjen stërgjyshore, Rexhinin. Kjo lidhje me vendin e origjinës është një dëshmi se kujtesa familjare është përcjellë edhe tek brezi i ri. Në jetën e Pajtimit, familja ka qenë një pikë e rëndësishme referimi. Historia e prindërve, gjyshit, vëllezërve dhe e paraardhësve është bërë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mos lejuar që emrat, sakrificat dhe historitë e njerëzve të Rexhinit të mbeten vetëm në kujtesën e familjeve. Pajtim Hasani ka një jetë të gjallë e dinamike. E shkon me makinë dhe me motor, i kudogjendur në një jetë të lidhur me njerëzit, me vendin, me shoqërinë. Biografia e Pajtimit Faik Hasanaj nuk përmblidhet vetëm në një listë shkollash, detyrash dhe aktivitetesh. Ajo përfaqëson një rrugëtim disa dekadash, ku profesioni është ndërthurur me kërkimin, angazhimi shoqëror me marrëdhëniet njerëzore dhe kujtesa familjare me historinë e një fshati dhe të një krahine. Nga studimet në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz, te puna si specialist i blegtorisë dhe kryespecialist në Levan, nga angazhimi sindikal te veprimtaria në shoqatën “Labëria”, Pajtimi ka qenë i pranishëm në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Por një nga dimensionet më të rëndësishme të veprimtarisë së tij është përkushtimi ndaj Rexhinit. Ai është përpjekur ta mbajë të gjallë lidhjen me vendin e origjinës, të mbledhë dokumente e dëshmi, të kujtojë njerëzit e rënë dhe të nderojë figurat e shquara të fshatit. Në këtë përpjekje kanë një vend të veçantë familja Hasanaj, kujtimi i gjyshit Zaçe Asllan Hasanaj, i prindërve Faik dhe File, i vëllait Hasan Hasani dhe i shumë njerëzve të tjerë që kanë lënë gjurmë në historinë e familjes dhe të krahinës. Hartimi i Historikut të fshatit Rexhin, nga Pajtim Hasani dhe intelektualë të tjerë rexhinas, është një punë që e kanë ndjekur për shumë vite, për mbledhjen, dokumentimin dhe për t’ua përcjellë brezave atë që nuk duhet harruar, trashëgiminë e të parëve. Rexhini i Labërisë është vendi ku janë rrënjët e familjes së tij, është vendi ku prehen prindërit, gjyshërit dhe njerëz të tjerë të fisit, është edhe vendi ku ai kthehet vazhdimisht, bashkë me familjen, fëmijët, nipërit dhe mbesat. Jeta e Pajtim Hasanit mbetet e lidhur me një ide të thjeshtë, por të rëndësishme: një vend jeton jo vetëm përmes atyre që banojnë në të, por edhe përmes njerëzve që kujtojnë historinë e tij, ruajnë emrat e të parëve dhe ua përcjellin këtë kujtesë brezave që vijnë.
-&-