Propaganda e “Kapërcimit Historik” përballë Amnezisë Zyrtare të PISA 2025
Fitnete Gruda
Sapo janë shpallur rezultatet e PISA 2025 nga OECD, dhe Kryeministri, Ministrja e Arsimit e zyrtarë të tjerë nxituan të trumbetojnë një “arritje historike”. Deklaratat e tyre u mbushën me terma bombastikë: “Shqipëria e para në rajon”, “kemi lënë pas edhe vende që sot janë në Bashkimin Europian”. Sipas tyre, ky rezultat është meritë e ministrave të njëpasnjëshëm, e reformave, e trajnimeve të mësuesve dhe e “Shkollës së Drejtorëve”. Në pamje të parë, nëse sheh vetëm krahasimin me vitin e errët 2022, të vjen vërtet të duartrokasësh. Por nëse hap raportin zyrtar të OECD-së për të parë se ku ndodhemi në raport me “tavanin” e pikëve dhe me botën e zhvilluar, duartrokitjet ndalin menjëherë.
Prindërit dhe publiku shqiptar meritojnë të shohin ndryshimin e madh mes interpretimit propagandistik të qeveritarëve dhe realitetit që buron nga standardi europian e nga vetë konkluzionet e OECD-së për Shqipërinë.
Parë në këtë kontekst po rëndis disa prej tyre:
- “E para në rajon”, por dy vite pas Europës
Nëse e quan arritje historike faktin që ke lënë pas rajonin, pranon vetëkënaqësinë me standardin më të ulët të mundshëm. Nga rezultatet e PISA-s, Shqipëria mbetet në mënyrë dramatike nën mesataren e vendeve të zhvilluara (OECD): 30 pikë mangët në matematikë, 47 pikë mangët në shkencë dhe 53 pikë mangët në lexim. Sipas metodologjisë së vetë PISA-s, një diferencë prej 20–30 pikësh është e barabartë me një vit të plotë shkollor humbje në nxënie. Ky hendek do të thotë se një nxënës 15-vjeçar shqiptar është 1 deri në 2 vite shkollore pas një bashkëmoshatari të tij në Europë. Për çfarë suksesi flasin, kur fëmijët tanë marrin një arsim që i lë vite pas botës? Kush po i mërzit vërtet prindërit? Ata që tregojnë këtë hendek brezash, apo zyrtarët që u thonë se “fëmijët tuaj janë kampionë”? Përgjigjja del vetvetiu nga krahasimi.
2. Analfabetizmi funksional dhe zhdukja e elitës
Ajo që qeveria e paketon si sukses, raporti zyrtar e dokumenton si krizë strukturore. Plot 38.5% e nxënësve shqiptarë nuk arrijnë dot as nivelin bazë të kompetencës. Pothuajse 4 në 10 fëmijë dalin nga shkolla si analfabetë funksionalë – pa aftësinë minimale për të përdorur dijen në jetën reale. Këtu duhet të ishin ndalur qeveritarët shqiptarë, aq më tepër që u bë më shumë se një dekadë që trumbetohet reforma e “mësimdhënies mbi bazë kompetencash”.
Nga ana tjetër, kur flitet për tavanin e ekselencës (nivelet 5 dhe 6 që prodhojnë shkencëtarët dhe liderët e nesërm), Shqipëria ka një shifër frikësuese prej vetëm 0.6%, krahasuar me 7.2% që është mesatarja e OECD-së. Dukshëm që sistemi ynë arsimor nuk po prodhon dot elita, nuk prodhon shkencëtarë apo inovatorë të ardhshëm. Ai thjesht ka prodhuar mesatare dhe nën-mesatare, duke e lënë vendin pa elita për të ardhmen.
3. Ironia e “suksesit”: Biznesi i krediteve, patronazhimi dhe laboratorët fantazmë
Sipas zyrtarëve, arritja e pretenduar i dedikohet trajnimit të mësuesve në këto vite. Por për çfarë trajnimesh e kanë fjalën? Politikat arsimore pas vitit 2014 nuk prodhuan ngritje profesionale, por një industri korruptive të “shitjes së krediteve”. Edhe në ato pak raste kur ka pasur ndonjë qendër cilësore, gjithçka ka mbetur në rangun e vetëtrajnimit dhe vullnetit individual të mësuesit. Një shtet mund të flasë për efektivitet vetëm kur investon për të trajtuar secilin mësues sipas nevojave reale. Në vend të kësaj, na u ofruan “rrjetet e mësuesve” – një fiktivitet deri në banalitet, ku prania fizike shpesh manipulohej duke shënuar emra të tjerë në lista. Në sistemin tonë arsimor ka pa dyshim mësues rezultativë dhe metodistë të shkëlqyer. Por fatkeqësisht, shumë prej tyre u denigruan nga drejtues thjesht politikë apo matrapazë. Një pjesë u larguan duke u zëvendësuar me militantë (me diplomë shkollimi apo false ç’rëndësi ka për qeveritarët). Duke futur sistemin e patronazhimit edhe brenda mureve të shkollës, cilësia u la tërësisht mënjanë, ashtu sikurse edukimi dhe siguria. E njëjta ironi vlen edhe për infrastrukturën. Kur mburren për laboratorët, nuk dihet për cilët laboratorë flasin: për ata që i gjetën të ndërtuar dhe i shkatërruan (!) për ata që nuk funksionuan kurrë (!) apo për ata që u përdorën thjesht për fasadë dhe përfitime të tjera, njësoj siç ndodhi me bibliotekat e shkollave aty – këtu!
4. Amnezia me drejtuesit e shkollave: Nga “out” në “meritë”
Aty ku propaganda bie në kontradiktë të hapur mediatike me vetveten është te falënderimet për drejtuesit e shkollave dhe suksesin e “Shkollës së Drejtorëve”. Publiku ka kujtesë: vetëm dy vite më parë, i njëjti Kryeministër deklaronte se kishte drejtues shkollash që ishin plotësisht “out”, pa asnjë aftësi menaxhuese, dhe u linte detyrë autoriteteve që t’i spastronin urgjentisht nga sistemi. Sot, pa u larguar pothuajse asnjë prej tyre, na thuhet se të njëjtët drejtues paskan meritën e këtij “kapërcimi historik”. Si u kthyen drejtorët “out” në shpëtimtarë të arsimit brenda 24 muajve? Qeveritarët krenohen me “Shkollën e Drejtorëve”, por harrojnë se kjo shkollë funksiononte edhe kur kryeministri bënte deklaratën për drejtuesit “out”. Po ashtu kur efektiviteti i kësaj shkolle tek shumë drejtues të trajnuar ka lënë për të dëshiruar në praktikë. Këta harrojnë se duke dashur të bëjnë propogandë, falenderojnë edhe ata drejtues që janë emëruar në mënyrë abuzive apo kanë abuzuar vetë me aktet e emërimit, ku në vend të vënies sê tyre përpara përgjegjësisë, sot mund të nënqeshin me falendërimin e marrë.
5. Një sukses i “përzgjedhur” pa fshatin
Së fundmi, prindërit duhet të dinë se raporti zyrtar I OECD-së specifikon qartë një kufizim madhor metodologjik: në Shqipëri, shkollat e vogla med me më pak se 21 nxënës në moshë testimi u përjashtuan nga procesi. Kjo do të thotë se nga vlerësimi u la jashtë pjesa më e madhe e realitetit të dhimbshëm të fshatrave dhe zonave të disavantazhuara. Kemi testuar kryesisht “ajkën” e qyteteve dhe përsëri jemi vite dritë larg Europës. OECD i la rezultatet e Shqipërisë me një shënim rezervë (asterisk) për shkak të mospërfshirjes së shkollave të vogla rurale – aty ku braktisja dhe mjerimi arsimor ulërijnë, duke e futur vendin te “raportimi I kufizuar”. Qeveritarët tanë guxuan të krenohen për arritje me një rezultat të zbukuruar artificialisht, duke fshehur këtë fakt. Gjithashtu, mburrja se kemi lënë pas vende si Maqedonia e Veriut apo Serbia me disa pikë diferencë nuk tregon se sistemi ynë ka fluturuar, por thjesht se fqinjët tanë kanë pësuar një kolaps akoma më të rëndë arsimor. Të festosh se ke lënë pas vendin e fundit të klasës, ndërsa vetë je dy vite shkollore pas Europës, është kulmi i vetëkënaqësisë politike. Prandaj, përpara se Kryeministri, Ministrja e Arsimit (edhe pse kjo e fundit, për hir të së vërtetës, në prononcimin e parë ishte më e kujdesshme) dhe zyrtarët e radhës të rreshtohen për të marrë dekorata apo për të akuzuar kritikët për “përhapje helmi”, duhet t’u kujtohet se e vërteta nuk është helm, është nevojë.
Prindërit shqiptarë nuk kanë nevojë për grafikë shumëngjyrësh që t’u vënë fëmijët (dhe veten) në gjumë, por për një sistem arsimor që nuk i detyron ta kërkojnë të ardhmen jashtë këtij vendi. Për këtë dështim strukturor, zyrtarët e lartë nuk duhet të krenohen e as të sulmojnë ata që flasin me fakte, por duhet të bëjnë analiza me përgjegjësi. Është jetike që sistemi arsimor të reformohet realisht në të gjitha dimensionet, duke u bazuar te nevojat reale e jo te propaganda.