Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: Dy rrëfime nga koha që lamë pas

KREU IV
SHAKA, QYFYRE DHE PËRJETIME TË TJERA NGA JETA IME FSHATRAVE DHE QYTETEVE TË VENDIT

Bedriut po i thahet goja për një pikë ujë
. . .

Kryeziu është fshat kodrinor, rreth 400 metra mbi nivelin e detit. Dikur, në kohën e këtyre shakave, qyfyreve dhe përjetimeve të mia fshati ishte pjesë e Kooperativës së Bashkuar Helmas Kavajë.
Rreth e qark me ullishta, vreshta e pjergulla rrushi nëpër oborre, vaji i ullirit dhe rakia e rrusht ka pas rrjedhur dhe rrjedh çurg në Kryezi. Safi vaj tuli, “vaj këmbësh”, ama. Safi raki e pastër, që a nxe fyrin e të kënaq shpirtin.
. . .
Asohere një familje kooperativiste rrinte ditë e natë duke zier raki buzë përroit dhe së vetmes çezmë me ujë të pijshëm. Ikte babai, vinte njëri nga djemtë. Ikte ky, e zëvendësonte tjetri. Ghashtë a shtatë muaj kështu, zjej, e zjej, e zjej deri sa mbaronin butet plot me lëngun e rrushit të shtrydhur.
Një pasdite, kisha zbritur poshtë për të mbushur tri a katër shishe me ujë. S’do mend, me atë rast, edhe një shishe me raki për të shtyë darkën së bashku me drjetor Flamurin, Mulin për shkurt, dhe me mësues Besnikun, nga Zigxhafaj, fshat malor edhe ky, ndonjë orë e ca larg Kryeziut.
Unë për lart me çantë në dorë, Bedriu, Sekretari i Byrosë së Parisë për Kooperativën e Bashkuar, për poshtë.

– Të pi një pikë ujë, – tha, – se po më thahet goja?
Doja, s’doja, hapa çantën. Të dilte ku të dilte!… Fundja qameti nuk do të bëhej, de!…
Desh fati, shishja, qëlloi ujë.

– Hajde poshtë me mua! – tha prerazi.
Që të dy, te djali qe ziente rakinë. Ky i shkreti u shpërfytyrua.
Ç’të kishte bërë vaki?!… Se, Allah-Allah!…

– Dëgjo, – i tha. – Sa herë të vijë poshtë për ujë shoku Eden a ndonjë mësues tjetër, t’u japësh një shishe raki!..
Pasi gëlltiti për vete nja dy gllënjka nga pika e parë, shtoi:

– Jepi, tashti! Hë!… Mos u huto! Zbraze ujïn, bushe shishen! Dhe po kush pse, si e qysh, më ka urdhëruar shoki Bedri, thuaji cilitdo që të pyesë.

******

Harrush

Po kontrolloja detyrat e shtëpisë. U hidhja fletoreve një sy kalimthi dhe firmosja përfund, me demek që edhe unë mësuesi, edhe ata, nxënësit, ishim në rregull me rregulloren e shkollës.
Njëri, – s’po më kujtohet emri, por edhe sikur të më kujtohej, s’do ta thosha sepse tashmë mund të jetë bërë baba, në mos po gjysh, – nuk e kishte hapur fletoren si gjthë të tjerët.

– Detyrat! – i thashë.

– Harrush, – m’u përrgjigj.
Ato ditë, ishte hapur fjala sikur një ari apo arushë, nuk dihej saktësisht, ishte shfaqur papritmas kodrave të Kryeziiut dhe kishte sulmuar dikë. Se kë, askush nuk e dinte, ama frika bënte të sajën.
Mësues Besniku kur vinte nga Zigxhafaj për tëhu bashkë me dy goxha qen gjahu që çanin ujkun, e mbante çiften në dorë, gati për shkrepje.

– Ka dalë ndonë arushë edhe andej nga lagjja juaj? – e pyeta.
Ai:

– Harrush, e pra!… Harrush!…

– Po mirë, e mora veh! Ç’farë ishte, po të pyes, ari apo arushë?
I hutuar me talljen time, ai hidhte sytë rreth a qark klasës që tashmë ia kishte plasur së qeshurës pa pikë droje.

– Detyrat!… – përsërita pas pak. – Lëri arinjtë e arushat!…

– Shih si tallet zotnia, – iu kthye edhe ai klasës.

– Nuk tallem. Po të pyes me gjithë mend, ari apo arushë ishte? Të dimë të mbrohemi edhe ne, se çfarë s’ndodh! Tashti, detyrat!…

– Harrush e pra!… Harrush po të thena!…
Ai “harrush!”. Unë “hap fletoren e detyrave!” Klasa duke qeshur, s’di sa kohë kaloi nga 45-minutëshi i o¨s së mësimit. Sepse në shkollë kanë ndodhur e ndodhin edhe këso rastesh, nuk është ndonjë çudi…