Albspirit

Media/News/Publishing

SHKRIMTARI AVDULLA KËNAÇI DHE KRIJIMTARIA E TIJ LETRARE

PARATHËNIE E LIBRIT “VAZELINA”

Sejdo Harka, kritik letrar

Avdulla Kënaçi, ky mjeshtër i fjalës artistike dhe i tregimtarisë, ka një jetë të tërë që shkruan e shkruan pa mbarim. Në mesin e viteve shtatëdhjetë ai spikati me shumëllojshmërinë dhe cilësinë e shkrimeve të tij në gazetën më të zëshme të kohës, por veçanërisht me reportazhet e rralla me të cilët tërhoqi, jo vetëm vëmendjen e lexuesve, por edhe të pushtetarëve më të lartë të kohës.

Më pas Avdullain do ta shohim të shkëlqejë në fushën e ekranit, veçanërisht me intervistat dhe telereportazhet e ngrohta të zhvilluara në çdo cep të vendit dhe të botës. Përmes intervistave dhe telereportazheve me shqiptarët e diasporës, ai u bë ambasadori më i mirë i shkëmbimit të kulturave mes vendeve dhe shqiptarëve. Ajo që i krijoi mundësi më të mëdha për ta kryer këtë mision të madh, ishte vendosja midis Shqipërisë dhe Kanadasë. Avdullai ka vite që qëndron me një këmbë në Kanada dhe tjetrën në Shqipëri, por mendjen dhe shpirtin e tij krijues nuk e ndau për asnjë çast nga vendlindja e tij e shtrenjtë.

Gazetaria dhe ekrani, lidhja e ngushtë me njerëzit, vendlindjen dhe traditat e saj si dhe njohja me kulturën e shumë vendeve të zhvilluara të botës, si Kanadaja, i kanë shërbyer atij si një kopsht i pasur, ku ai këputi frutat më të ëmbla dhe lulet më të bukura për të qëndisur tregimtarinë e tij brilante, e cila, me shpërthimin e menjëhershëm dhe cilësor na ka befasuar. Për një periudhë relativisht të shkurtër, veç librit te fundit, deri tani ka botuar pesë vëllime me tregime dhe novela.

Arsyeja që tregimet dhe novelat e A. Kënaçit pëlqehen nga lexuesit dhe kritika letrare është papërsëritshmëria e tyre, e cila qëndron te këto veçori:

  • Gjuha: Tregimtaria e tij ka një gjuhë elokuente, e qëmtuar nga gurra popullore, si gjeologu më i mirë që zbulon diamantet më të kushtueshme.
  • Sintaksa: Ka një sintaksë të rrallë, që i jep tekstit kadencën e një proze poetike.
  • Problematika: Problematika e krijimtarisë së tij ka dimensionet e hapësirës dhe jetës së gjerë të njeriut.
  • Ngjarjet dhe karakteret: Herë janë të marra nga realiteti, herë produkt i fantazisë krijuese, duke tjetërsuar përfytyrimin në të vërtetë dhe të vërtetën në fantazi.
  • Universaliteti: Shpesh ngjarjet dhe karakteret e tregimtarisë së Avdulla Kënaçit marrin karakter universal dhe me fantazinë e tyre trokasin në dyert e botës së ardhme.