Çapajev Gjokutaj: Dhuna në protestë, vështirë se del kush i fituar
Përshkallëzimi i dhunës në protestat e ditëve të fundit shënon një kthesë shqetësuese për një lëvizje që, prej muajsh, kishte arritur të fitonte vëmendjen dhe simpatinë e një pjese të opinionit publik. Nëse dhuna vazhdon, madje përhapet edhe në qytete të tjera, vështirë se mund të ketë të fituar. Pas gjasash faturën do ta paguajmë, në mënyra të ndryshme, të gjitha palët.
Në vështrim të parë, radikalizimi mund ta bëjë protestën të duket më e fuqishme, më e vendosur dhe më kërcënuese për pushtetin. Në të vërtetë, dhuna rrezikon t’i mpakë radhët e saj, duke larguar pjesëmarrësit paqësorë dhe, ç’është më e rëndësishmja, të pakësojë simpatinë publike që kishin fituar Flamingot. Qytetari i zakonshëm kërkon siguri dhe rend. Në Shqipëri, kujtimet e hidhura të vitit 1997 e bëjnë këtë prirje edhe më të fortë. Për më tepër, përplasjet me policinë mund ta zhvendosin vëmendjen nga kërkesat e protestuesve te aktet e dhunës, duke zbehur vetë arsyet për të cilat nisi protesta.
As qeveria nuk ka çfarë të fitojë. Po qarkullon një thashethem sipas të cilit, në disa raste, qëndrimi i plogësht i policisë është i qëllimshëm: qeveria po i lë protestuesit të radikalizohen, që të diskreditohen përpara opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar. Kjo tezë nuk më duket bindëse. Garantimi i rendit publik është një nga detyrat themelore të çdo qeverie. Pamundësia për ta përmbushur atë dëmton rëndë autoritetin dhe besueshmërinë e saj. Sa më shumë të zgjasin përplasjet dhe pasiguria, aq më e rëndë bëhet edhe kostoja politike për qeverinë dhe maxhorancën.
Biznesi, nga ana e vet, do të përballet jo vetëm me dëmet materiale, por edhe me pasojat e një klime pasigurie që frenon veprimtarinë ekonomike, largon investimet dhe dëmton imazhin e vendit. Veçanërisht i ndjeshëm është turizmi: pamjet e dhunës, të përcjella në media dhe rrjetet sociale, mund të ndikojnë te turistët potencialë edhe shumë kohë pasi protestat të kenë përfunduar.
Në fund, janë qytetarët, që kanë më pak mundësi të ndikojnë mbi ngjarjet, por do të paguajnë një pjesë të mirë të faturës. Përveç pasigurisë dhe cenimit të jetës së përditshme, riparimi i dëmeve dhe përballimi i pasojave do të rëndojnë mbi të njëjtin buxhet nga i cili financohen shëndetësia, arsimi, pensionet dhe shërbimet e tjera publike.
Fakti që vazhdimi i dhunës bie ndesh me interesat e të gjitha palëve të shtyn të shpresosh se ajo do të ndalet shpejt. Ndonëse, siç ka treguar jo rrallë përvoja, përshkallëzimi mund të marrë një dinamikë iracionale, që u del nga dora edhe atyre që e kanë nxitur.
Ndërprerja e dhunës nuk nënkupton as fundin e protestës, as dobësimin e trysnisë qytetare mbi qeverinë dhe politikën. Përkundrazi, në një klimë më të qetë, kjo trysni mund të ushtrohet me më shumë legjitimitet dhe efektivitet.