Arif Abazaj: Kujtime për shkollën e Kallaratit në Vlorë

Lëvizja kulturore edhe në Kallarat, si në gjithë krahinën e Kurveleshit, Mesaplikut e atë të Bregut, mori përhapje të gjerë dhe krahas asaj kombëtare doli si nevojë e parë, në veçanti pas ngjarjeve të viteve 1860.
Këto përpjekje vërtetohen edhe me faktin se shumë kallaratas kanë pas ditur të shkruanin shqipen, në fillim sipas alfabetit grek e latin dhe më vonë sipas atij shqip të atyre kohëve. Të tillë mund të përmendim Telo Duro (Zhibaj) e Meçan Selamin, që njiheshin edhe si mësuesit e parë të shqipes në Kallarat e krahinë. Por edhe më përpara këtyre, sipas kujtimeve me xhaxhain Zini Abazaj, ka patur njerëz që kanë ditur të shkruanin shqip në forma të ndryshme si Hodo Kalemi, Lame Peteni, Shemo Meçe, etj.
Në forma të ndryshme, në veçanti pas Kongresit të Elbasanit (2-9 shtator 1909), por edhe më parë, kanë qarkulluar edhe në Kallarat, alfabetare të prurë nga bashkëfshatarë që ktheheshin nga shërbimi ushtarak, nga nëpunës të asaj kohe apo nga pjesëmarrës në kuvende të ndryshme.
Më kujtohet se babai Dalan Abazaj, kur unë kisha filluar shkollën në vitin 1935, më thoshte se ata në fillim shkronjat nuk i shqiptonin si ne sot, por ndryshe: a (alfa), v (vita) ose d (doll, r (rall), etj. Nga ky pohim konkludojmë se jo vetëm që u kishin rënë në dorë alfabetare, por kishin filluar të vetëmësonin “me të vjedhur” para se hapej shkolla e parë shqipe në Kallarat më 1916.
Më kujtohet kur bisedonim me xhaxhain Zimo Abazin, i cili më thoshte se më 1910-1912 kishte qenë asqer (ushtar) në taborrin (batalionin) e Delvinës në Janinë dhe që andej dërgonte letra të shkruara në shqip. “Kesh mësuar me të vjedhur”, thoshte ai. Po kështu thoshte edhe xha Memushi se “kemi mësuar me të vjedhur dhe keshëm shumë sevda”. Domethënë që kanë mësuar para se të legalizohej shkrimi I gjuhës shqipe, sipas alfabetit të Kongresitt ë Manastirit.
Pra përpjekje dhe fakte për përhapjen e dijes ka patur edhe përpara vitit 1916, që është çelur shkolla shqipe në Kallarat.
Përpjekjet më të mëdha për të hapur shkollën edhe në Kallarat kanë bërë, ndërmjet të tjerëve, Hodo Kalemi, Shamo Meçe, Lame Peteni, etj.
Shkolla e parë në Kallarat është hapur më 1916. Fillimisht ajo ka vepruar në fshehtësi nga okupatorët italianë. Kjo është e lidhur me faktin se në fillim kanë kundërshtuar që të mësonin edhe italisht. Më kujtohet se babai thoshte që mësonim në një haur të Dushan Seitit dhe linim gjithmonë një nxënës roje për të përgjuar se mos na zinte “Miçmani” në befasi, zakonisht ai vinte nga shkolla e Fierit të Poshtëm ose nga Qafa e Shalave, se qendrën e kishte në Bolenë.
Me t’u diktuar neve largoheshim në fshehtësi nga ana e nëpunësve deri sa dilnim prapa shtëpisë së Zenepes e fshiheshim në pyll. Kjo mund të jetë dhe arsyeja që për një periudhë të shkurtër dhe brenda një viti, shkolla të ketë ndërruar për disa herë bazën ku fillonte.
Sipas të thënave shkolla është hapur në Povël, pastaj në Fier të Sipërm, në shtëpinë e Qamil Toçit, në haurin e nënë Duzes, etj. Më vonë, thoshte ai, filluam të mësonim edhe italisht se vetë nuk vinte në shkollë por mësimet i merrte çdo ditë nga shokët e vet. Mjetet mësimore dhe orenditë ishin shumë të pakta, më tepër përdorej dërrasa e gurit dhe për të ndenjur secili kishte fronin e vet në ndonjë skuf të vjetër.
Një meritë shumë të madhe kanë të parët tanë, gjyshërit, të cilët megjithëse të djegur e të dëmtuar, në kushtet kur nuk kishin ku të futnin kokën për veten e tyre, ata kanë marrë përsipër edhe hapjen e funksionimin e shkollës shqipe në fshat. Kjo vërteton dhe ngrë më në pah shkallën e patriotizmit të të parëve tanë, që kur bëhej fjalë për fatet e Shqipërisë ata kanë ditur që në kompleksitetin e ngjarjeve të vlerësonin dhe zgjidhnin atë më të rëndësishmen.
Shkolla është rihapur pastaj më 1935. Shumë përpjekje e kërkesa kanë bërë bashkëfshatarët tanë për të rihapur shkollën në fshat. Përpjekje e këmbëngulje më tepër ka patur nga masa e fshatarëve që nuk kishin mundësi ekonomike e financiare, për t’i dërguar fëmijët e tyre të mësonin gjetiu. Ndihmë të madhe, thoshnin prindërit tanë, kanë dhënë nëpunësit e asaj kohe që kanë qenë në Tiranë si Demir Lato, Shahin Osmani e të tjerë.
Një ditë që mësuesi erdhi në Morrëz për të bërë regjistrimin dhe prezantimin e nxënësve me shkollën u kthye në një ditë feste dhe hareje, u therën edhe dy qe e kështu çdo familje merrte edhe mish për të festuar edhe në shtëpitë e tyre këtë ngjarje. Fshatarët me burra e gra këndonin e kërcenin në sheshin përpara shkollës.
Mua si Arif në fillim mësuesi nuk deshi të më regjistronte se nuk kisha mbushur akoma 7 vjeç. Kur më tha që nuk do të të regjistrojmë, unë qava dhe atëhere ndërhyri xha Loto Lulua dhe mësuesi më pranoi. Kjo qe fitore, më gëzoi shumë që do filloja shkollën bashkë me shokët.
Atë vit, do me thënë më 1935, një ndihmë të madhe për ndreqjen e shkollës dhe shtrimin e asaj me dysheme e tavan, kanë dhën gratë e fshatit tonë, që shkuan për disa herë në mal të Çipinit e prunë dërrasën e pishës në krah. Kështu, në sajë të masave që ishin marrë dhe punëve që qenë bërë neve shkollën e filluam pothuaj në kushte të përshtatshme me banka, me dërrasë të zezë në mur, me dysheme, tavane dhe dritarer me xhama. Çantat ne atëhere i kishim prej cope qylimi, ndonjë edhe sixhade – kush e kush t’i kishte më të bukura. Sipas mundësive në fillim u siguruan edhe dërrasa të zeza të vogëla, të cilët i përdornim për të ushtruar dorën, por edhe për të bërë ushtrime në shkollë apo në shtëpi, mbasi fletoret ishin me pakicë.
Klasën e parë më 1935 e filluam që të gjithë fëmijtë që nga ata 7-vjeçarët deri tek ata që ishin 14-16 vjeç apo më shumë. Të tillë qenë Qazim Ziguri, Xhafer Jonuzi, Pelivan Llatena, Mato Hoxha, etj, të cilët ishin vendosur në rreshtin e fundit. Megjithë këtë diferencë moshe, marrëdhëniet dhe rregullsinë në shkollë e jashtë saj e kemi patur në mënyrë shembullore.
Prindërit tanë, megjithëse në kushte të vështira ekonomike (kur pothuaj se përgjithësisht nuk siguronin më tepër se deri 4-5 muaj bukë), ata sakrifikonin gjithçka, vetëm e vetëm që fëmijtë e tyre të vazhdonin shkollën. Meqë shkolla rihapej pas një ndërprerjeje të gjatë, kur një brez i tërë nuk kishin patur mundësi të vazhdonin shkollën, pati shumë familje që njëherësh dërguan në shkollë dy e më tepër fëmijë.
Ata, për hir të fëmijëve që t’u shkolloheshin, i sakrifikuan edhe ato pak bagëti që kishin, duke I mbajtur në vathë der isa t’u dilnin fëmijtë nga shkolla. Të tillë mund të përmendim Delo e Dasho Memushin, Qazim e Adem Zigurin, Mato e Mehmet Hoxhën, etj. Xhevo Karabolli tregon se “kur u hap shkolla dhitë e Meshëve që mori me Ali Hasimen, për disa kohë ato i mbanin brenda deri sa të dilte Matua nga shkolla“.
Mësimin në shkollë e filluam me shkrimin e shkronjës “i“. Mësuesi Adem Hodo nga Borshi, shpjegimin e shkronjës “I” e filloi kështu: “Një grumbull djemsh luanin me top, Ismaili e mori topin dhe e gjuajti fort lart, shokët në këtë rast e thirrën “iiiii…” sa lart e çoi topin Ismaili.
E kështu për çdo shkronjë përdorej nga një tregim. Në atë kohë kujdes shumë të madh tregonim për bukurshkrimin, aty mësuesi këmbëngulte shumë dhe nuk bënte asnjë lëshim.
Lëndët që bënim ne atëhere kanë qenë:
- Gjuhë
- Arithmetikë
- Histori
- Këngë
- Bukurshkrim
- Fiskulturë
- Punë dore, etj.
Ne në shkollë mësonim këngë të ndryshme, disa prej të cilave qenë:
- Himni i Flamurit
- Kënga “Në pyll të gjelbëruar”
- Kënga e maces me miun
- Kënga e bariut, etj.
Gjatë orë së këngës, mësuesi e shoqëronte atë me violinë. Këtë e bëntë Ademi, ndërsa Remzi Matua pruri një gramafon ku shpesh vinte pllakën e Alim Delos.
Orën e fiskulturës, më tepër e kalonim duke luajtur lojëra të ndryshme si “kapërcim” i njeri-tjetrit, kapjen e shokut jashtë rrethit, lojën e kapjes së shamisë të vendosur në një shkop ndërmjet dy rreshtave.
Më vonë, përballë shkollës në arën e Llane u ndërtua edhe një fushë sporti dhe u vendosën drurë në formën e hekurit të sotëm ku bënim ngritje-ulje me forcën e kahve dhe ushtrime të tjera.
Në programin e shkollës në klasën e parë dhe të dytë ne atëhere bënim mësim edhe për fenë. Këtë mësim na e bënte Hasan Selami. Mësimet i bënim në shkollë, por disa herë edhe në shtëpinë e Hanko Toçes. Me sa më kujtohet, këto mësime nuk mirëpriteshin nga ne, por në veçanti nga masa e fshatarëve. Kështu që këto mësime mbetën ashtu siç u bënë se asnjëri nga ne, ish nxënësit e klasës së parë, por edhe më vonë, nuk mësoi për t’u bërë fetar.
Shpesh përdoreshin piknikët si në vende historike ashtu edhe në vende të tjera. Këto bëheshin edhe për të mësuar ngjarjet, por edhe për t’u kalitur.