Saimir Kadiu: In memoriam, at Gjergj Fishta
At Gjergj Fishta, 23 tetor 1871- 30 dhjetor 1940
Gjithmonë tetorin e kujtojmë si muajin që kanë lindur politikanët kryesorë të shtetit zyrtar shqiptar të 114 viteve të fundit….
Në tetor kane lindur Ahmet Zogu (8 tetor), Enver Hoxha (16 tetor), Ramiz Alia (18 tetor), Sali Berisha (15 tetor)… edhe Ismail Qemali sipas historianit Nexhip Alpan ka lindur edhe ai më 16 tetor…
Po nuk duhet të harrojmë që në tetor kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Naimit (20 tetor), por edhe ditëlindjet e Migjenit dhe Dritëroit (13 tetor)… dhe mbi te gjithe edhe ditëlindjen e “Homerit” shqiptar At Gjergj Fishta.
Sot është 155-vjetori i lindjes së poetit të madh të “Lahutës së Malsisë”…i kryetarit te Komisionit të hartimit të alfabetit në Kongresin e Manastirit, i diplomatit dhe patriotit të shquar si dhe shkrimtarit të parë shqiptar të nominuar për Nobelin në Letërsi.
Gjergj Fishta është një nga majat më të larta të mendimit dhe të shpirtit krijues shqiptar.
Me «Lahutën e Malcisë», ai u bë Homeri i shqiptarëve, rapsodi i maleve, i trimërisë dhe i kujtesës kombëtare.
Ai nuk shkroi vetëm për Shqipërinë; ai i dha Shqipërisë një zë, një fytyrë dhe një pavdekësi poetike. Në penën e tij, fjala shqipe fitoi madhështi, ndërsa gjuha e popullit u ngrit në artin e letërsisë së madhe.
Gjergj Fishta është Shqipëria e kthyer në poezi: një zë që vjen nga malet, kapërcen kohët dhe vazhdon të jehojë në shpirtin e kombit.
“Fatmirsisht” Gjergj Fishta i madh i shpetoi ferrit komunist nga vdekja e parakohshme e tij me 30 dhjetor 1940.
Por fatkeqsisht edhe i vdekur nuk i shpetoi persekutimit komunist…
Eshtrat e tij u nxorren nga varri dhe u hodhen ne lumin Kir…
Në vitin 1967, kur regjimi komunist shpalli luftë kundër fesë, dhuna e tij arriti deri te varri i poetit të madh.
Françeskani që i këndoi Shqipërisë u bë shënjestër e një pushteti që kërkonte të sundonte edhe kujtesën.
Eshtrat e tij u nxorën nga varri dhe, sipas dëshmive, u hodhën në lumin Kir. Ishte një përpjekje mizore për të poshtëruar njeriun, klerikun dhe poetin që mishëronte një tjetër Shqipëri.
Donin të shuanin emrin e tij, të ndalonin vargjet dhe të fshinin gjurmët e kujtesës së tij kombëtare.
Por si mund të hidhet në lumë një poet që ka hyrë në përjetësi?
Ujërat mund të marrin eshtrat, por nuk mund të mbartin Lahutën e Malcisë.
Fishta mbeti pa një varr të denjë, por fitoi varrin e tij më të madh: kujtesën e kombit shqiptar. Sepse diktaturat kalojnë, lumenjtë rrjedhin, ndërsa fjala e poetit të madh nuk vdes.
Shqiperia u be ndoshta nga vendet unikale ku nje nga poetet me te medhenj te saj nuk kishte me nje varr…
“Varri i Dantes ruhet në Ravena prej afro 700 vjetësh; varri i Shekspirit ruhet në Stratford prej 400 vjetësh. Edhe varri i De Radës ruhet në Maki të Kozencës prej më se një shekulli nga arbëreshët që patën fatin të mos e jetojnë ferrin komunist. Vetëm në Shqipërinë e diktaturës një poet kombëtar lihet pa varr. Qenka e thënë që të mëdhenjtë e këtij kombi të mos prehen të qetë pas vdekjes, por t’u nxirren eshtrat nga varri, nga të huajt për t’i shndërruar në hajmali; kurse nga vetë shqiptarët për t’i hedhur në lumë. Dhe atë që s’arritën t’ia bëjnë sa qe gjallë, e bënë me veprën e tij. Ajo ishte e ndaluar të lexohej, të komentohej, të mbahej në shtëpi”. (cit. Kolec Topalli)
E tillë ishte urrejtja e ushqyer nga verbëria ideologjike dhe nacionalizmi pansllavist, saqë edhe ata që guxonin të lexonin, të komentonin apo të recitonin vargjet e tij rrezikonin të dënoheshin si armiq të regjimit, madje nën akuza të rënda për tradhti ndaj atdheut.
Ironia e historisë është e hidhur: poeti që i këndoi Shqipërisë me aq dashuri u damkos si “antishqiptar” nga ata që pretendonin se e përfaqësonin atdheun.
Sot, në ditëlindjen e tij, le ta kujtojmë Fishtën jo vetëm me dhimbjen për atë që iu bë, por edhe me krenarinë për atë që na la: një vepër që as ndalimet, as harresa e imponuar dhe as dhuna nuk mundën ta zhduknin.
Një komb që nderon poetët e vet nderon shpirtin, gjuhën dhe kujtesën e tij. Dhe Shqipëria i detyrohet Fishtës jo vetëm një varr, por edhe drejtësinë historike që meriton vepra e tij.
Fishta për kombin shqiptar është ajo qe Dante është për Italinë, Pushkini për Rusinë, Homeri për Greqinë,
Cervantes për Spanjën, Victor Hugo për Francën, Goethe për Gjermaninë, Shakespeare për Anglinë, Mickiewicz për Poloninë, Sándor Petőfi për Hungarinë, Karel Hynek Mácha për çekët, Ivo Andrić për hapësirën letrare jugosllave, Henrik Ibsen për Norvegjinë : nje nga zerat madhore permes te cileve nje popull njeh shpirtin, gjuhen dhe historine e vet.
Secili, në mënyrën e vet, i ka dhënë gjuhës dhe kujtesës së popullit të tij një përmasë universale.
Fishta nuk është thjesht një poet i madh shqiptar. Ai është një nga ata krijues që e kthejnë gjuhën në atdhe dhe atdheun në përjetësi.
Si Dante, ai e ngriti gjuhën e popullit në lartësinë e një vepre madhore; si Homeri, i dha epikë kujtesës kolektive; dhe, si të gjithë shkrimtarët e mëdhenj kombëtarë, i përket njëkohësisht popullit të vet dhe trashëgimisë së letërsisë botërore.
At Gjergj Fishta dhe me pas ne vite Ismail Kadare përfaqësojnë dy nga majat e mëdha të kulturës shqiptare, të ndarë nga koha, nga përvojat historike dhe nga mënyra e të kuptuarit të kombit, por të bashkuar nga një e vërtetë themelore: shqipja është shtëpia e tyre e përbashkët dhe letërsia është një nga format më të larta të ekzistencës së saj.
Fishta i dha Shqipërisë frymën e epikës kombëtare, madhështinë e kujtesës historike dhe muzikën e gegërishtes. Kadareja e nxori Shqipërinë nga kufijtë e saj gjeografikë dhe e vendosi në hartën e letërsisë botërore, duke e shndërruar historinë, mitin dhe tragjedinë shqiptare në pyetje universale të njerëzimit.
Njëri këndoi me lahutë kujtesën e një kombi; tjetri e bëri romanin instrumentin e ndërgjegjes së tij. Njëri u ngrit nga bota e epikës, tjetri nga labirintet e historisë dhe të pushtetit. Të dy, në mënyra të ndryshme, e pasuruan gjuhën shqipe dhe i dhanë asaj një dimension që kapërcen kohën e tyre.
Megjithatë, historia e marrëdhënies së Kadaresë me Fishtën ka edhe një kthesë domethënëse. Në një intervistë për revistën Hylli i Dritës, Kadare shpjegoi se kritikat e tij të hershme duhen parë edhe në kontekstin e mekanizmave ideologjikë të kohës, kur përmendja e shkrimtarëve të ndaluar shpesh shoqërohej me etiketime politike.
Më vonë, ai e vlerësoi Fishtën si një nga dy poetët kombëtarë shqiptarë, bashkë me Naim Frashërin.
Kjo na jep një arsye më shumë për të mos i kthyer dy shkrimtarët në kundërshtarë të përjetshëm. Mund të studiojmë me ndershmëri kritikat e Kadaresë, pa harruar as kontekstin historik, as përgjegjësinë e intelektualit për fjalën e shkruar. Të kapërcesh polemikën nuk do të thotë të fshish të kaluarën, por të mos lejosh që ajo të bëhet më e madhe se letërsia.
Fishta dhe Kadareja nuk kanë nevojë të pajtohen në çdo ide që të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në panteonin e kulturës shqiptare. Njëri i dha kombit epikën e tij; tjetri e çoi rrëfimin shqiptar në skenën botërore.
Le të mos zgjedhim mes Fishtës dhe Kadaresë. Le të zgjedhim kulturën që ka vend për të dy. Një kulturë e pjekur nuk i kërkon poetët të mendojnë njësoj; ajo di t’i lexojë, t’i vërë në dialog dhe t’i ruajë si pjesë të pasurisë së vet shpirtërore.
Dhe si per “mbyllje” te postimit tim le te shijojme kete poezi te mrekullueshme te gjigandit Gjergj Fishta…
“SHQYPNIA”
Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja.
Nën nji qiellë përherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër râjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande’ ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t’ tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N’ dorë t’ ktij shndritë për vend t’ të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s’ mund t’ i a shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S’ i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s’ i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t’ fali i Amshueshëm,
Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme:
N’ gjí t’ and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.